Komuniteti rom në Lanabregas mbijeton ende me lypje, pavarësisht programeve të Bashkisë

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

60 familje rome, të vendosura prej disa vitesh në banesat sociale në Lanabregas, nuk janë integruar ende, pavarësisht programeve të premtuara nga pushteti vendor për punësim. Zana, nëna e 10 fëmijëve, e cila ka kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh, thotë se nëse nuk do lypnin dhe mblidhnin mbetje tw ricklueshme, do të mbeteshin pa ushqim dhe pa paguar faturat e energjisë dhe ujit.

Rrugëtimi i Zanës fillon në qytetin e bukur të Pogradecit. “Gjyshja më ka rritur,” thotë ajo, duke kujtuar sesi prindërit u ndanë kur ajo ishte e vogël. Babai la nënën, ndërsa ajo gjeti strehë te familja e origjinës në fshatin Halil. Më pas jeta vazhdoi me zhvendosjet nga Halili në Fushë-Krujë, e nga Fushë-Kruja në Tiranë.

Jeta e Zanës ndryshoi kur u martua me Mondin. “Torturat më të mëdha të jetës time filluan me të,” kujton Zana me dhimbje. Familja e martoi kundër dëshirës. “Mondin nuk e zgjodha, ma dhanë. Burrin ma dha plaku, ai e mori me dajën tim.” Që në fillim martesa nuk ishte aspak e lehtë, sidomos në baraken ku jetonin.

Zana solli në jetë 10 fëmijët e saj në kushte të vështira. “Kam 5 goca dhe 5 çuna. Të gjithë kanë lindur në barakë, asnjë në shtëpi,” tregon ajo. Fëmija i parë, Marseli, lindi në Krujë. Por jeta ishte e vështirë dhe dhuna e përditshme. “Mondi i rrihte dhe i torturonte kalamajtë. Torturat e mija nuk harrohen deri sa të vdes.”

Në kushte të mjerimit ekonomik dhe dhunës së vazhdueshme, Zana filloi të lypte për të ushqyer fëmijët. “Fillova me lyp prej kalamajve. Mondi blinte motorra dhe linte gjëra peng. Ato i merrja unë prapë, por sërish gjithçka përfundonte në borxhe. Unë s’dua të lyp, por e bëj nga zori. Shtëpia ka nevojë për gjithçka, vaj, ilaçe, ushqime. Ditët e mira mbledh 20 mijë lekë, ndonjëherë vetëm 10 apo 15 mijë lekë.”

Zana punon disa orë në ditë dhe kthehet në shtëpi në drekë. Gjithçka mbledh shkon për nevojat bazë. “Kur bie shi, fëmijët më thonë: Mami, rri në shtëpi.”

Një jetë mes barakave

“Po mbush plot 30 vjet që kemi ardhur në Tiranë ku jetuam në barakë,” rrëfen ajo. Fillimisht u vendosën në Bregun e Lumit, por aty rreziku i përmbytjeve nga lumi i detyroi të zhvendoseshin. “Shkuam në Lanabregas. Atje ishte më mirë.”Gjatë viteve 2017-2018, më shumë se 100 familje rome jetonin pranë bregut të Lumit në zonën e Alliasit, Kinostudio. Bashkia Tiranë vendosi që t’i zhvendoste për shkak të rrezikut nga përmbytjet duke iu premtuar mundësi alternative strehimi si subvencioni i qirasë. Në atë kohë banorët për më shumë së dy vite u përplasën me përfaqësuesit e Bashkisë pasi ata nuk po ofronin asnjë zgjidhje afatgjate për strehimin.

Pas disa protestash, Bashkia pranoi disa prej kërkesave të banorëve, të cilët kërkuan një tokë ku të ndërtonin shtëpitë në zonën e Lanabregasit.

Banesë e re, probleme të vjetra

Bashkia Tiranë, me financimin e BE-së ndërtoi 60 banesa të reja me fond rreth 700 milion lek, por familjet kaluan një kalvar të gjatë sfidash. Për 2 vite jetuan në një magazinë dy-kateshe ku u strehuan me çadra ushtrie pa asnjë shërbim bazë, si tualete, ujë të pijshëm, ndriçim etj.  Banorët shprehen së jetesa në çadra ishte edhe më vështirë se ajo në baraka. Ata kaluan për dy-vite stinën e ftohtë të dimrit nën shi pasi magazina nuk kishte kushte të mira fizike dhe shiu futej brenda.

Në 30 Dhjetor 2017, Kryebashkiakut Veliaj së bashku me diplomatë nga ambasada të BE dhe SHBA, përuruan banesat e reja që u ndërtuan për minoritetin Rom.

Për këtë komunitet nisi një jetë e re me të drejta dhe detyrime. Ata nuk ishin mësuar me një banesë të rregullt ku duhet të paguash detyrimet ndaj OSHEE-së dhe UKT-së. Që në muajt e parë, ata filluan të kishin probleme me detyrimet por edhe distanca pre 14 kilometrash nga Lanabregasi për në qëndër, ku dilnin kryesisht për të lypur.

Organizata  për komunitetin rom, deklaruan se integrimi i tyre në shoqëri në këtë mënyrë duke i larguar nga qendra është i pamundur të arrihet, pasi banorët e kanë shumë të vështirë të gjejnë një punë apo të dërgojnë fëmijët në shkollë.

Community Reporters Albania i dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Tiranë se në çfarë mase janë integruar familjet rome në Lana Bregas, sa prej tyre marrin shërbime publike, dhe a ka kryer bashkia Tiranë monitorime të shërbimit social. Në përgjigjen e bashkisë konfirmohet se shërbimet publike baze ofrohen për këtë komunitet.

22 familje ose 64 anëtarë përfitojnë ndihmën ekonomike ose statusin e jetimit dhe 7 raste janë orientuar për kryerjen e kurseve të formimit profesional;

57 fëmijë janë të përfshirë në sistemin arsimor (çerdhe, kopësht dhe shkollë) dhe janë mbështetur me bazë materiale për shkollë 101 fëmijë nga të cilët 35 shoqërohen me transport për në shkollë. Ndërkohë 52 individë të rritur kryejnë kurset e analfabetizmit pranë Qendrës Komunitare Shkozë;

– 67 raste janë shoqëruar për të përfituar kartën e identitetit, venie kurore dhe ndarje nga trungu familjar;

– 41 raste janë identifikuar dhe rregjistruar për herë të parë në gjendjen civile dhe shperngulur te Njësinë Administrative nr. 1;

– 108 raste janë shoqëruar për përfitimin e shërbimit parësorë në institucionet shëndëtësore ose kanë marrë kartën e shëndetiti;

– 189 raste janë ndjekur për kryerjen e vaksinave, mamografise, checkup-it, vizita gjatë shtatëzanisë, vizita te okulisti, mbështetur me medikamente dhe informuar për shëndetin oral;

Ndërkohë numri i fëmijëve përfitues në shërbimet ditore pranë Qendrës Komunitare Shkozë janë:

– 50 fëmijë, përfitues të shërbimit të mencës,

– 110 fëmijë, aktivizuar në kamp veror dhe përfitues të lojrave sociale;

– 32 fëmijë përfitues të orëve edukative;

– 26 fëmijë, përfitues të kursit të pikturës dhe kursit të artistëve;

Romët në periferi, larg shërbimeve publike

Zana tregon se për të shkuar deri tek QSUNT i duhet të ecë 1 km nga banesa e saj deri në Shkozë tek stacioni i autobusit dhe nga aty duhet të marrë autobusin për të shkuar në qendër, ku merr një tjetër linjë për të arritur në spital. Si Zana janë edhe 60 familje të tjera që e bëjnë këtë distancë çdo ditë, ndërkohë që më  të rinjtë merren me mbledhjen e mbetjeve ueshme si kanaçet, bidonat dhe hekurat.

Për të marrë shërbimet, banorët thonë se çdo gjë është online, por ata nuk dinë sesi të aksesojnë platformën e-albania për të aplikuar për një punë të qëndrueshme.  Në mungesë të kësaj mundësie, familjet, si ajo e Zanës arrijnë që me të ardhurat nga lypja dhe mbledhja e kanaçeve të paguajnë të paktën faturat për dritat dhe ujin. “Paguaj dritat me akt-marrëveshje. Marseli dhe Erjoni janë në punë. Jam më e qetë tani.”-përfundon ajo.

Më të lexuarat