Qindra banorë të komunitetit rom dhe egjiptian që jetojnë në lagje të ndryshme të Beratit,e kanë gjetur veten të diskriminuar edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Problemet jetike dhe premtimet sesi mund të përmirësohet jetesa e tyre thuajse nuk figurojnë në postimet e takimeve elektorale të kandidatëve si nga qeveria edhe nga opozita. Më herët, verifikimet e CRA kanë dëshmuar një hendek diskriminues mes lagjeve rome dhe egjiptiane ku mungojnë investimet dhe lagjeve ku jeton “maxhoranca” me rrugë të shtruara dhe shërbime publike.
Minoriteti Rom dhe Egjiptian në Berat të vendosur prej dekadash në lagjet Moravë, Donika Kastrioti, Ish-Pjeshkore, Orizaj, Uznovë pritën deri në ditën e fundit të fushatës së zgjedhjeve të 11 majit, por asnjë premtim nuk dëgjuan nga kandidatët për deputetë.
Problematikat e këtyrë banorë janë thuajse të njëjta dhe thelbësore në çdo lagje, nga mungesa e theksuar e investimeve në infrastrukturë deri tek mungesa e ujit të pijshëm.
Në Lagjen ”Donika Kastrioti” ku banojnë rreth 200 familje të komunitetit , nuk ka investime. Në rrugën kryesore që të lidh me lagjen është duke u hedhur shtresë asfalti, por në brendësi të tyre nuk është shtruar asnjë metër. E njëjta situatë edhe në lagjen Ish-Pjeshkore, prej 30 vitesh pa ndërhyrje, teksa pak metra më tutje, një tjetër lagje ku jeton ‘shumica’ ka një realitet ndryshe, me rrugë të shtruara dhe investime infrasrukturore.
Në Moravë banorët dëshmojnë se nuk kanë parë asnjë metër asfalt të ri apo të shtrohen tuba për kanalizimet e lagjes së tyre, rruga që të dërgon tek varrezat është si “qëmoti” gjatë dimrit, thuajse e pakalueshme për të përfunduar ritet mortore.
Në Uznovë, ashtu si në Moravë, ku 13 familje jetojnë në kushte skandaloze, rruga është e dëmtuar, me baltë, pa kanalizime, sikurse edhe ne Orizaj.
CRA.al verifikoi takimet elektorale përgjatë fushatës së 7 kandidatëve të listës së hapur të Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit, por përveç ndonjë postimi në rrjete sociale duke takuar komunitetin, nuk ka asnjë premtim për përmirësimin e cilësisë së jetesës së romve dhe egjiptiavë që banojnë në Berat.
Matea Rexhepi, kandidate për deputete e qarkut Berat nga komuniteti rom, ka nisur fushatën në datën 12 prill dhe ka mbaruar në datën 10 Maj, duke postuar rreth 90-100 postime. Nga këto vetëm 1 postim i është dedikuar takimit me banorë Rom dhe Egjiptian, por nuk ka asnjë premtim për këto komunitete.
Në një bisedë me Matea Rexhepin për CRA.al ajo konfirmon se ka kryer takime të tjera me banorët Rom dhe Egjiptian, por nuk janë pasqyuar në rrjete sociale.
Kandidati tjetër Erdis Hyka në pothuaj 90 postime fushate përgjatë 1 muaji ka takuam vetëm 1 herë banorët e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Pashalli, Berat, por asnjë premtim konkret.
Në Pashalli
Shumë i lumtur të kisha një bisedë të ngrohtë me banorët e fshatit Pashalli dhe disa banorë të komunitetit Romë dhe Egjiptian
I lumtur të dëgjoja që përfshirja sociale ka funksionuar më së miri!
Diskutuam rreth priblematikave të tjera që shqetësojnë këtë komunitet dhe Programi I Partisë Socialiste i përgjigjet mësë miri problematikave të tyre
Vetëm me Edin dhe Partinë Socialiste
MË 11 MAJ VOTO PARTINË SOCIALISTE
VOTO: Erdis Hyka, shkruan ai në postimin e tij gjatë fushatës.
Edhe pse Hyka i bën jehonë suksesit për funksionimin e përfshirjes sociale, verifikimet në terren tregojnë një realitet ndryshe, për mungesë mbështetjeje dhe investimesh.
Një tjetër kandidat, Fadil Nasufi i listës së hapur nga Partia Socialiste, mes 90 postimeve elektorale të publikuara, ka vetëm një dedikuar takimit me banorë të Moravës ku jeton komunitet rom.
Në Morave
Për zgjedhjen e qartë dhe historike të 11 majit:
Me EDIN dhe PSSH per te permbushur misionin tone per SHQIPERINE ne BE
Ne bashkebisedim per te degjuar nevojat dhe kerkesat e komunitetit por edhe per t’iu gezuar punes se bere gjate ketij mandati per furnizimin e Moraves me uje te pijshem, per ndertimin e linjes se re te TM dhe TU per energjine elektrike dhe asfaltimit te disa rrugeve te brendeshme te fshatit.
Populli i Moraves do te dije te zgjedhe mes te mires qe ben PSSH per shqiptaret dhe Shqiperine qe konfirmohet me faktin se me PSSH ndihen mire te gjithe, jo vetem socialistet, por edhe demokratet!
Nuk ka kthim mbrapa tek Koalicioni i KENETES!
Kush zgjedh PSSH dhe Shqipërinë, voton 5
Kandidati Nasufi evokon suksesin e PS gjatë mandatit të kaluar qeverisës, por ka harruar të veçojë se investimet kanë shkuar vetëm për lagjen ku jeton maxhoranca, duke përjashtuar dhe diskriminuar nga mbështetja lagjen “Stan” të banuar nga komuniteti rom.
Nga verifikimi në terren CRA.al ka raportuar disa herë për mungesën e investimeve në këtë zonë. Vetëm 1 javë pas zgjedhjeve CRA ka realizuar një takim më banorët Rom dhe Egjiptian të cilët treguan se pasi ishin ftuar në takim, nuk ishin bërë pjesë e tij.
Prej 30 vitesh, romët e fshatit Stan nuk kanë asnjë lloj shërbim publik. Mungon prej kohësh restaurimi i infrastukturës rrugore, mungojnë trotuarët, nuk ka ndriçim publik dhe as sistemim të kanalizimeve.
“Ne Romët jemi shumë të prapambetur, nuk vijnë të shikojnë njehërë, kryetari i komunës, nuk vjen njehër, e ka berë Moravën, ik shikoje, ne ça jemi ne të prapambetur, komuna nuk vjen njëherë këtu, vijnë vetëm për votimet, pastaj mos të vijnë se ne nuk do të dalim më as për votime as për asgjë. Gjynah, ja puseta aty vjen era keqe para shkollës këtu e çarmatosur, mbeturinat që i hedhin aty, janë bërë copa, pse jemi kshu ne, jemi të prapambetur!”, shprehet Hekuran Myrteli
Ata treguan njëzeri se në qendrën e fshatit Moravë, rrugët janë të rregulluara, investimi është bërë kohët e fundit, ka ndriçim natën, kanalizime të rregullta, ndërsa në lagjen Stan të këtij fshati ku banojnë Romët nuk ka asnjë investim. Nisur nga këto dëshmi, Community Reporters Albania i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë Berat përse kanë munguar këto investime. Bashkia tha përmes shkresës për informacion se nuk ka fonde për të kryer investime në komunitet dhe që do të vendosi fonde në të ardhmen për investime, ndërkohë që vet bashkia ka një plan të miratuar për integrimin e ketyre qytetarëve të buxhetuar por që nuk ka funksionuar në terren.
Duke iu rikthyer verifikimit për fushatën në Berat dhe sa është përfshirë artikulimi për komunitetin rom dhe egjiptian, 4 kandidatë të tjerë të listës së hapur të PS për këtë qark, Hatixhe Konomi, Julian Zyla, Ardian Islami dhe Hysen Buzali përgjatë një muaji të fushatës elektorale nuk realizuan asnjë takim me banorët e minoritetit Rom dhe Egjiptian.
Edhe në krahun opozitar, nga Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore të 7 kandidatët e listës së hapur Fatmira Kola, Thoma Runiçi, Oltion Merdari, Parim Mahmutaj, Ledion Mara, Lefter Maliqi (Partia e Lirisë), Valbona Doku, munguan postimet dedikuar premtimeve për minoritetin Rom dhe Egjiptian gjatë gjithë fushatë selektorale të 11 Majit 2025.