Historia e tregtarëve rom të Drizës, si po i shpëton shitja e rrobave nga varfëria

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Për dekada me radhë, tregtia e veshjeve dhe punimeve artizanale ka qenë një aktivitetet identifikuese të anëtarëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Driza është një nga fshatrat që dallohet për numrin e lartë të tregtarëve Romë. Rreth 5 km larg nga qendra e Fierit, në këtë fshat është një komunitetet më të mëdha të romëve në Shqipëri.

Rroba të përdorura, të reja, apo edhe ndonjë punim artizanal të hedhura në krahë apo triçikla, kanë qenë mallrat që më së shumti tregtarët rom kanë shitur nëpër fshatrat fqinjë ose drejt qytetit për të siguruar të ardhura. Nuk ka një shifër të saktë zyrtare për numrin e tregtarëve në Drizë, por Isuf Alushi, ish-kryeplaku i këtij fshati shprehet se numri i atyre që jetojnë me të ardhurat nga tregtia e rrobave të përdorura, shkon deri në 600 persona.

Isuf Alushi-Tregtar Rom në Drizë

Tashmë 65 vjeç, ish-kryeplaku Isuf Alushi na rrëfen se e ushtron tregtinë prej 40 vitesh.

“Unë për veten time kam dyzet e ca vjet që jam tregtar”, tha ai për CRA.

Por të jesh tregtar rom në bashkinë e Fierit, bart me vete edhe shumë sfida. Isuf Alushi na tregon se bashkia i ka lënë mundësinë të tregtojnë në një hapësirë private, por sipas nuk është ambient i pështatshëm për shkak të taksave të larta.

“Unë dal nëpër fshatra se nuk vete dot tek privati, nuk ia dal dot. Punë s’ka aty, ai do 10 mijë lekshin për metër. Ç’të punoj për atë unë? 30 ditë i thonë 300 mijë lekë. Unë mendoj që bashkia të bëjë një treg e të mblidhen romët aty të gjithë të paguajnë një taksë të vogël”, shprehet 65-vjeçari për CRA.

Sipas shpërndarjes gjeografike të minoritetit Rom në vendin tonë, në Bashkinë Fier ka një përqëndrim të lartë të kësaj popullësie. Sipas të dhënave nga Plani Vendor për Pakicat Rome dhe Egjiptiane në Bashkinë Fier 2019-2023,  kjo bashki raporton se në territorin e saj numërohen rreth 730 familje  rome (3,650 persona)  të shpërndara në fshatrat  Levan, Drizë, Baltëz, Mbrostar, Fermë “Afrim i Ri” dhe Sektor. Anëtarët e këtij minoriteti jetojnë në kushte të vëshira ekonomike dhe kryesisht të ardhurat  i sigurojnë nga aktivitetet ekonomike; si bujqësia, blegtoria, tregtimi, ndërtimi.

Ky numër i lartë i anëtarëve romë që merren me tregti dhe sfidat e shumta që hasin gjatë lëvizjes nëpër zona të tjera, bën që ata të ngrenë nevojën e një tregu publik në qytetin e Fierit. Një grup tregtarësh të organizuar së bashku me aktivistët e zonës, i janë drejtuar me shkresë zyrtare bashkisë Fier për të patur një treg të ri, të përshtatshëm për ta.

Nga vizita në terren, vërehej se edhe mosha e tretë në këtë fshat merrej me tregtinë e rrobave. Ushtrimi i këtij aktiviteti ka mbetur e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura ditore.

Xhemile Zoto, 65 vjeçe tregon se tashmë ka filluar të dalë më rrallë nëpër fshatra dhe mban shpresat tek djemtë e saj, të cilët kanë trashëguar tregtinë si të vetmin profesion. Ajo gjithashtu na tregoi se Policia Bashkiake e ka ndaluar disa herë duke e penguar të fitonte të ardhurat e ditës.

Xhemile Zoto-Tregtare Rome në Drizë

“Bashkia , Policia, nuk rrimë dot nëpër rrugë, të kisha një treg do bëja një çik punë, jam moshë e madhe… po çunat po… mund të bënin më shumë. Ja ku e kam çunin me gjithë nusen del në Pazar, policia nga pas”, tregon ajo.

Banorët e fshatit Drizë ngrenë si shqetësimin më të madh papunësinë. Për shkak të saj fëmijët e fshatit i drejtohen emigracionit apo azileve në vendet e huaja. Pandemia ka qënë një nga periudhat më të vështira për tu përballuar nga ana e romëve në Drizë.

“Me të keq, morëm ushqime nga shoqata se përndryshe kishim mbaruar nga bashkia edhe nga komuna. Ça shtet është ky po na ikën çunat, nuk ka punë. Po ikin doktorët që nuk iu del rroga po ne që na mbledhin kanaçe kalamajt nëpër rrugica, nuk është gjynah?” rrëfeu ish-kryeplaku i fshatit, Isuf Alushi kur u pyet nga CRA për mënyrën si e përballuan izolimin gjatë pandemisë.

Më të lexuarat