1 Maj ndryshe për punonjësit e pastrimit të qytetit, shkelje e të drejtave në punë dhe trajtim jo dinjitoz

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

1 Maji njihet si dita ndërkombëtare e punëtorëve, dhe kujtohet çdo vit si një ditë në nder të profesionistëve në sektorë të ndryshëm. Nëse i referohemi një historiku të shkurtër, kjo datë e shënuar sjell në kujtesë protestat e punëtorëve që synonin të drejtët në punë, më kryesorja ajo e punës 8 orarshe. Revoltat e punëtorëve dhe protestat e tyre bënë që të nxirrej ligji që u miratua në 1866 në Illinois, SHBA. Ndaj edhe sot e kësaj dite, 1 Maji sjell në vëmendje angazhimin e lëvizjeve sindikaliste, si dhe gjendjen socio-ekonomike të punëtorëve.

Çdo profesion është i ndryshëm dhe secili mbart rëndësinë e tij, por disa paguhen më shumë e të tjerë paguhen më pak. Megjithatë të drejtat e punëtorëve me ligj janë njëlloj për çdo profesion. Por në vendin tonë, jo çdo e drejtë në vendin e punës respektohet, Sidomos nëse bëhet fjalë për shtresat e  margjinalizuara.

Këtë 1 Maj, në fokus të Community Reporters Albania kanë qenë ata punojës që janë në shërbim të qytetit dhe qytetarëve në çdo moment, për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve. Edhe pse prania e tyre është e dukshme në çdo rrugë të vendit, zbatimi me përpikmëri i të drejtave të tyre duket se është jo fort i dukshëm. Në Community Voice i ftuar në Ditën e Punëtorëve ishte Ervis Çota, nga Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome, i cili foli mbi sfidat e punëonjësve që operojnë në sektorin e pastrimit të qytetit.

Sipas tij, ky është një nga sektorët më të harruar, larg vëmendjes së institucioneve publike apo përgjegjësve për të garantuar të drejtat e punonjësve në vendin e punës. Pjesa dërrmuese e punonjësve i përkasin komunitetit rom apo egjiptian.

“Është një sektor i cili përgjithësisht përbehët nga punëtorë që i përkasin grupeve vulnerabël, veçanërisht romë dhe egjiptianë, por jo vetëm. Është nga sektorët më problematikë dhe ka një sërë shkeljesh të të drejtave të parashikuara në kodin e punës. Duke filluar nga më bazikja, garantimi i pagës minimale, e deri tek mosrespektimi i pushimeve vjetore, pushimeve javore apo sigurimit të veshjeve dhe mjeteve të nevojshme në punë, apo edhe ngritjes së këshillave apo sigurimit të shëndetit në punë”-thotë Çota.

Në fakt, edhe pse nuk ka statistika zyrtare, është një numër i konsiderueshëm i personave që punojnë në këtë sektor në të gjitha bashkitë e vendit ku ofrohet shërbimi i pastrimit nga kompanitë private, por edhe nga vetë bashkia. Studime të ndryshme kushtuar të drejtës në punë, tregojnë qartë se ka shumë shkelje të kodit të punës. I pyetur se çfarë masash merren në këto raste Çota përgjigjet:

Ervis Cota-Levizja Rinore Egjiptiane dhe Rome

“Së fundmi kemi filluar të nxjerrim në pah këto problematika që deri dje kanë qenë në heshtje. Duke qenë se punëtorët vijnë përgjithësisht nga grupe vulnerabël, kanë mungesë të theksuar të informacioneve dhe njohurive përsa përket të drejtave të tyre në punë, nuk kanë arritur dot ta adresojnë këtë shqetësim apo t’i adresojnë shkeljet e tyre në institucionet përgjegjëse, siç është psh Inspektorati i Punës. Duke qenë se këto problematika mbesin aty ku filluan, sigurisht që vështirësitë me të cilat përballen punëtorët janë nga më të shumtat. Një nga problemet kryesore është mosmarrja e pagës minimale. Jemi përpjekur disa herë ta adresojmë këtë problematikë përmes ankesave tek Inspektorati i Punës dhe drejtpërdrejt te kompania”.

E në fakt, paga minimale është është e përcaktuar edhe me ligj dhe është detyrim ligjor për t’u zbatuar nga të gjitha kompanitë, por fatkeqësisht edhe këtu vërehen shkelje.

“Kjo është një e drejtë e parashikuar me aktë të posaçme ligjore, por për fat të keq kompanitë private nuk e respektojnë. Pavarësisht se sa i përket detyrimeve janë në rregull me legjislacionin shqiptar, pra paguajnë detyrimet shoqërore e shëndetësore bazuar në pagën minimale, kur vjen puna për të dhënë pagën neto punëtorëve, nuk është në masën e pagës minimale. Edhe pse paga minimale u rrit sërish me ndryshimt e reja ligjore, kjo nuk është reflektuar ende nga punëdhënësi, çka do të thotë se duhen ende përpjekje për të bërë me dije të drejtën që i takon këtyre punëtorëve nga punëdhënësit, por edhe për t’i thënë atij se janë shkelje të legjislacionit dhe për këtë mban përgjegjësi ligjore. Ne do vëmë në dijeni edhe sintitucionet përgjegjëse që janë Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Bashkinë e cila është institucioni që jep paratë publike ku nënkontrakton këtë lloj shërbimi me kompanitë private”-thekson Çota.

Në lidhje me mbrojtjen ligjore që u ofrohet punëtorëve në kësi rastesh dhe reagimin e institucioneve, sipas Ervis Cotës legjislacioni është i mirë, çka do të thotë se aty parashikohen edhe mekanizmat që janë përgjegjëse për të garantuar të drejtat e punëtorëve që shkelen. Por ajo që çalon sipas tij, është se në praktikë gjërat nuk shkojnë siç duhet. Ai ndan edhe një tjetër shqetësim për këtë punonjës, që është përdorimi i gjuhës diskriminuese.

“Ligji shkelet, nuk zbatohet, institucionet përgjegjëse nuk marrin përsipër të bëjnë siç duhet detyrën e tyre, e për rrjedhojë përballemi me këto problematika të cilat siguriht rëndojnë  më së tepërmi në kurriz të punonjësve. Aktualisht punëtorët e pastrrimit thuajse në të gjithë territorin kanë një sërë problematikash e shkelje të të drejtave, duke përmendur këtu edhe përdorimin e gjuhës diskriminuese. Duke qenë se kryesisht janë nga grupë vulnerabël, punëdhënësi ka tendencë edhe t’i diskriminojë duke përdorur gjuhë që është përçmuese/nënçmuese. Ky fenomen është raportuar nga vetë punëtorët, të cilët përballen drejtpërdrejt me punëdhënësit apo përgjegjësit e punës në këtë lloj sektori. Është e vështirë të faktohet apo dukumentohet ky lloj fenomeni sepse është një marrëdhënie e drejtpërdrejtë komunikimi mes dy palëve, por sigurisht që kjo është tëpër prezente sepse e raportojnë vetë ata të cilët preken, punonjësit. Nga ligji ka mbrojtje, por ajo që duhet theksuar është se duhet bërë thirrje institucioneve, konkretisht Inspektoratit të Punës, që të tregohet më i përgjegjshëm në zbatimin e detyrave dhe bërjen e kontrolleve dhe inspektimeve sa më të shpeshta në këtë sektor, sepse problematikat janë të shumta, porunëtorët nuk dalin dot të shprehen haptazi për shkak të frikës që kanë për të raportuar”-thotë ai.

E në fakt kur bëhet fjalë për grupet vulnerabël që janë përfshirë në këtë lloj sektori, gjëja e parë që ata mendojnë është si të qendrojnë në punë sepse kanë familje për të mbajtur e shumë problematika të tjera dhe ajo pagesë që marrin sado që nuk është në pagën minimale, u shërben për të mbijetuar.

Nëse ndalemi në kontrollet e kushteve të punëtorëve dhe zbatimin e rregullave nga kompanitë, nga Inspektorati i Punës apo edhe vetë Bashkitë, në këtë sektor kontrolli sesa zbatohen detyrimet ndaj punëtorëve, lë për të dëshiruar.

“Cilado bashki qoftë në Shqipëri, që nënkontrakton me fonde publike kompanitë privatë për të ofruar shërbimin e pastrimit të qyteteve, nuk ka një kontroll siç duhet sa i takon respektimit të parashikimeve në kontratë. Bashkitë justifikohen me faktin se kontraktojnë kompanitë private, japin fonde dhe ata janë përgjegjës për gjithçka ndodh më pas. Duke nisur që nga punësimi i individëve e deri tek respektimi i të drejtave që atyre u takojnë sipas legjislacionit të punës”-thotë Çota.

Por kjo sipas tij nuk është e drejtë, sepse për aq kohë sa kompanitë marrin fonde publike, pra marrin parà publike nga taksat e qytetarëve, kanë edhe një përgjegjësi më të madhe që ato të shpenzohen në mënyrë korrekte, aq më tepër kur bëhet fjalë për pagën që është gjëja më kryesore për çdo qytetar për të mbajtur familjen. Dhe kur kjo nuk respektohet atëhere këtu çalon puna që në gjenezë. Ai thotë se është pë tu përgëzuar që falë edhe lëvizjeve apo reagimeve të nxitura nga ana e organizatave që mbrojnë të drejat e këtyre minoriteteve, ka filluar edhe Inspektorati i Punës të shtojë inspektimet në këtë lloj sektori, edhe pse vëmendja më e madhe nuk është në këtë sektor.

“Sigurisht në sektorët e tjerë puna e Inspektoratit ka qenë më instensive, ndërsa në këtë sektor duke qenë se përbëhet edhje nga një grup punëtorësh vulnerabël, nuk ka pasur zëra apo aktorë të tjerë të cilët të raportojnë dhe të ngrenë shqetësimet e këtyre punëtorëve, Inspektorati ka qenë me ritme më të ngadalta në punën e tij përsa i përket inspektimeve apoo edhe në marrjen e masave për të zgjidhur problematikat që janë raportuar nga ana jonë”

Të gjendur në një situatë të tillë, është një çështje shumë delikate për punëtorët që të raportojnë shkeljet ndaj tyre, për arsyet që u përmendën sipër, më kryesorja mos të rrezikojnë vendin e  punës. Me rëndësi është që fillimishtë të sensibilizohen dhe informohen punëtorët për të drejtat që kanë, dhe të ofrohet mbeshtetje ndaj tyre.

“T’i mbështesim ata sepse ka një ligj i cili i mbron, ka sindikata dhe institucione publike që janë në mbrojtjen e tyre për të garantuar respektimin e të drejtave në punë, por kjo është e thjeshtë për t’u thënë dhe e vështirë për t’u bërë. E them nga përvoja me punëtorët e Elbasanit. Pavarësisht se kemi zhvilluar shumë takime dhe seanca ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese ku punëtorët janë informuar për të drejtat e tyre, sigurisht kanë një lloj ngurrimi për të raportuar. Unë dua t’i bëj thirrje punëtorëvë të sektorit të pastrimit në të gjithë bashkitë, që të guxojnë. Sepase nëse nuk guxojnë, gjatë gjithë kohës do jenë duke u shkelur dhe duke u abuzuar nga ana e punëdhënësit. Në këtë datë të shënuar, që simbolizon ditën e reagimit për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, kjo thirrje shkon për të gjithë ata punëtorë të sektorit të pastrimit që të guxojnë, duhet të bëhen bashkë dhe duhet të tregojnë guxim për të shprehur e për të bërë publik çdo shqetësim dhe çdo shkelje që i bëhet nga ana e punëdhënësit. Në rast se nuk raportohen, shkeljet sigurisht që do të thellohen akoma më shumë, dhe do jemi më pas në një moment që zhbërja e tyre do jetë shumë e vështirë”-ishte mesazhi me rëndësi që përcolli Ervis Çota.

Sa i përket reagimeve nësë kjo ditë konisderohet festë apo protestë Çota mendon se pavarësisht asaj që kemi përjetuar në kohën e monizmit që sigurisht ishte ditë feste sepse ishin të gjithë në punë dhe të gjithë trajtoheshin “të barabartë”, historikisht në botë kjo është një ditë ku reagohet për të drejtat e punëtorëve, për më shumë liri organizimi, për më shumë mbështetje për punëtorët, për më shumë vëmëndje, për përmbushjen e të drejtave që atyre u takojnë.

Kjo duhet të jetë një ditë reagimi jo vetëm nga punëtorët, por edhe nga qytetarët e tjerë, të cilët ndoshta edhe pse nuk mund të jenë të punësuar, duhet të solidarizohen me të gjithë punëtorët në çdo sektor të ekonomisë në vendin tonë, në mënyrë që zëri i tyre për mbrojtjen e të drejtave të jetë aq i fuqishëm, saqë jo vëtëm të ndikojë punëdhënësin, por pse jo të ndikojë edhe politikat qeveritare për t’u përmirësuar në dobi të mirëfunksionimit të çdo aspekti të drejte në fushën e punësimit.

Më të lexuarat