Më 26 qershor, Komiteti Evropian për të Drejtat Sociale (ECSR), në një vendim lidhur me situatën e migrantëve vulnerabël të Bashkimit Evropian, kryesisht të komunitetit rom, deklaroi se “kujdesi shëndetësor është një parakusht për ruajtjen e dinjitetit njerëzor” dhe vlerësoi se praktikat e Suedisë i kishin vendosur këta persona në “një situatë të papranueshme sa i përket gëzimit të këtyre të drejtave, krahasuar me shtetasit suedezë dhe të huajt me qëndrim të ligjshëm”.
Në përgjigje të një ankese të paraqitur kundër Suedisë nga Amnesty International dhe Médecins du Monde – International (MdM), ECSR arriti në përfundimin se mohimi i aksesit në kujdesin shëndetësor për migrantët vulnerabël të BE-së përbënte shkelje të nenit 11§1 të Kartës Sociale Evropiane. Komiteti theksoi gjithashtu se dallimet në praktikat e rajoneve të ndryshme dhe mungesa e rregullave të qarta kombëtare përkeqësonin diskriminimin indirekt, veçanërisht ndaj migrantëve romë.
Amnesty International dhe MdM argumentuan se situata e migrantëve vulnerabël të BE-së në Suedi binte ndesh me nenet 11 dhe 13 të Kartës, që garantojnë të drejtën për mbrojtjen e shëndetit dhe për ndihmë sociale e mjekësore. Sipas tyre, në shumë raste këta migrantë janë privuar nga kujdesi shëndetësor i nevojshëm, ndërsa në raste të tjera janë detyruar të paguajnë të gjithë koston e trajtimit. Kjo ka krijuar një efekt frikësues, duke bërë që shumë persona vulnerabël të heqin dorë nga kërkimi i kujdesit shëndetësor të domosdoshëm.
Një rast konkret i vitit 2023 lidhej me një shtetase bullgare, e cila kishte marrë fatura për shërbimet shëndetësore të ofruara gjatë shtatzënisë dhe lindjes së fëmijës. Ankesa e saj, e paraqitur më 26 maj 2023, u shpall e papranueshme. Shuma totale e 26 faturave ishte rreth 15.950 euro, e cila iu kalua një kompanie për mbledhjen e borxheve dhe, në momentin e paraqitjes së ankesës kolektive, kishte arritur në rreth 20.100 euro. Më pas çështja iu drejtua Gjykatës Supreme Administrative.
Bazuar në provat e paraqitura, ECSR vlerësoi se Suedia duhet të garantojë akses efektiv në kujdesin shëndetësor dhe të eliminojë çdo trajtim diskriminues ndaj të gjithë migrantëve vulnerabël të BE-së, pavarësisht statusit të tyre të qëndrimit apo origjinës etnike.
Shqetësime të kahershme
Situata e migrantëve vulnerabël të Bashkimit Evropian, kryesisht romë, ka qenë objekt shqetësimi për organet e Kombeve të Bashkuara prej të paktën një dekade.
Në prill të vitit 2016, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut vuri në dukje pozitën veçanërisht të brishtë të shtetasve romë nga vende të tjera të Bashkimit Evropian, të cilët, për shkak të mungesës së statusit formal të qëndrimit në Suedi, kishin akses shumë të kufizuar në përfitimet sociale, kujdesin shëndetësor të subvencionuar dhe arsimin.
Në korrik të po atij viti, Komiteti i OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore shprehu shqetësime të ngjashme dhe rekomandoi që Suedia të merrte masa për të “lehtësuar aksesin në shërbimet bazë për të huajt vulnerabël, përfshirë shtetasit e vendeve të tjera të BE-së, veçanërisht ata me origjinë rome”.
Së fundmi, në mars 2024, i njëjti Komitet rekomandoi që Suedia të sigurojë që politikat e saj të emigracionit të mos pengojnë aksesin e barabartë, veçanërisht për fëmijët migrantë dhe migrantët pa dokumente, në shërbimet thelbësore për realizimin e të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe arsimin.
Statusi i paqartë ligjor i qytetarëve vulnerabël të BE-së
Ankesa e Amnesty International dhe MdM kishte të bënte me një kategori të njohur në Suedi si “qytetarë vulnerabël të Bashkimit Evropian”, që i referohet shtetasve të vendeve të tjera anëtare të BE-së që jetojnë në Suedi në kushte varfërie ekstreme dhe marginalizimi.
Komiteti vuri në dukje se, nëse një qytetar i BE-së ka sigurim shëndetësor në vendin e origjinës, ai ka të drejtë të përfitojë trajtimin e nevojshëm mjekësor në shtetin anëtar ku qëndron përkohësisht, me të njëjtin kosto si shtetasit e atij vendi. Megjithatë, nga provat e paraqitura nga organizatat ankuese rezultoi se shumica e migrantëve të përfshirë nuk kishin sigurim shëndetësor në vendin e tyre të origjinës dhe, për pasojë, nuk mund të përfitonin kujdes shëndetësor të subvencionuar në Suedi.
Sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian, çdo qytetar i BE-së mund të qëndrojë në një shtet tjetër anëtar deri në tre muaj, nëse disponon një dokument të vlefshëm identifikimi. Amnesty International dhe MdM argumentuan se, pas përfundimit të kësaj periudhe, statusi ligjor i migrantëve të BE-së bëhet i paqartë. Disa autoritete i konsiderojnë ata migrantë pa dokumente, ndërsa të tjerë këmbëngulin se shtetasit e vendeve anëtare të BE-së nuk mund të klasifikohen si të tillë.
Ky klasifikim ka rëndësi të veçantë për të drejtën e kujdesit shëndetësor, pasi sipas legjislacionit suedez, personat që konsiderohen migrantë pa dokumente kanë të drejtë të përfitojnë kujdes shëndetësor të subvencionuar në rastet kur trajtimi nuk mund të shtyhet. Gjithashtu, fëmijët pa dokumente kanë të drejtë të marrin shërbime shëndetësore pa pagesë.
Për migrantët vulnerabël të BE-së, ECSR arriti në përfundimin se praktikat e Suedisë, të cilat ua mohonin atyre të drejtën për kujdes shëndetësor në kushte të barabarta me shtetasit suedezë dhe të huajt me qëndrim të ligjshëm, përbënin shkelje të nenit 11§1 të Kartës Sociale Evropiane. Komiteti konstatoi gjithashtu shkelje të nenit E, në lidhje me nenin 11§1 të Kartës, për shkak të trajtimit të ndryshëm të migrantëve vulnerabël të BE-së në rajone të ndryshme të Suedisë dhe krahasuar me migrantët pa dokumente. Për më tepër, Komiteti vërtetoi ekzistencën e diskriminimit indirekt mbi bazën e origjinës etnike, në kundërshtim me të njëjtat dispozita të Kartës Sociale Evropiane.
Marrë nga Errc, përkthyer dhe përshtatur nga redaksia.

