Kooperativa për të mbjellë grurin, një histori suksesi nga romët në Fier

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

“Angazhimi dhe fuqizimi i grupeve vunerabël në sektorin e bujqësisë” quhet projekti i cili u zbatua në Baltëz të Fierit nga Shoqata e Resurseve Gjenetike të Bimëve me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Romët në fshatin Baltëz të Fierit ishin përfituesit e kësaj nisme, të cilët bashkuan tokat bujqësore dhe krijuan një fermë të re prej 12.5 hektarë tokë bujqësore për prodhime me standarte. 14 familje rome përveç fuqizimit ekonomik, u ndihmuan përgjatë procesit ligjor të regjistrimit të tokave duke mundësuar për herë të parë pas 30 vitesh marrjen e çertifikatës së pronësisë.

Halit Kazanxhiu, është një nga fermerët përfitues të këtij projekti dhe shembujt e suksesit. Teksa qëndruam në hapësirën e tokës bujqësore që tashmë i ka korrur grurin, ai tregon se prodhimi ishte cilësor dhe pati të ardhura të kënaqshme. Megjithatë, në fillim të prezantimit të nismës fermeri ka qënë dyshues dhe nuk kishte pritshmëri të larta për suksesin e saj.

Halit Kazanxhiu-Fermer në Baltëz

“Fillimisht ishim mosbesues, na dukej çudi kush të ndihmon për të mbjellë tokën. Unë e besova plotësisht kur filluan të përgatitin tokën dhe kur u mbollën na dha kurajo ne si fermer. Që në kohën e monizmit jemi marrë me këtë punë, por duhet një nxitës që të ecim përpara. Jo se nuk dimë të punojmë por na duhet një dorë. Shteti s’ka vënë dorë asnjëherë as për farën apo naftën për fermërët që kanë traktorë, kjo ishte ndihmë”, rrëfen fermeri për CRA.

Ky projekt synoi të krijojë një model suksesi angazhimi të grupeve vurnerabël dhe fuqizimi ekonomik që siguron zhvillim të qëndrueshëm në vazhdim.

Kështu fermerë si Haliti edhe të tjerë do vazhdojnë të mbjellin çdo vit tokën. Haliti tregon se përveç sasisë dhe cilësisë së grurit, Shoqata e Resurseve Gjenetike të Bimëve iu ofroi atyre edhe njohuri për procesin e zbatimit të teknologjive bashkëkohore për të patur prodhime me standart.

“Unë bashkë me babain kisha 13 dynym dhe nxorrëm 76 kv. S’kam patur kaq sipërfaqe të madhe dhe nuk kam mbjellë kaq shumë më përpara. Për mua si Halit është nismë e mirë është ndihmë. Mëson edhe njohuri për tokën se na mëson agronomi” shprehet ai.

Eduart Koçi-Aktivist Rom në Fier

Eduart Koçi, është aktivisti rom nga Baltëza që ka lehtësuar proçesin e ndërmjetësimit mes fermerëve dhe Shoqatës së Resurseve Gjenetike të Bimëve. Sipas tij, kjo nismë iu erdhi në ndihmë fermerëve pasi pandemia dëmtoi ekonominë e tyre.

Sipas tij, për herë të parë ata prodhojnë produkt cilësor, i vlefshëm për gjithë tregun shqiptar.

“Anëtarët e komunitetit ndihen mirë sepse prodhimi rezultoi me sukses. Ata ndihen shumë të kënaqur se kjo është e vetmja mundësi të ushehen. Këtu popullësia rome vetëm me bujqësi merren, nuk ështe se merren me diçka tjetër. Të ardhurat nga bujqësia janë burimi kryesor që mbajnë familjet. Të ardhurat për komunitetin ishin të kënaqshme dhe prodhimin e nxorrën në treg. Kjo nismë ishte shumë ndihmuese për ta, pasi nga ana tjetër ata nuk kishin mundësinë të mbulonin kostot për përdorimin e tokave të tyre” tregon aktivisti, Koçi.

Për shkak të rezultateve të mira në prodhim dhe fuqizimit ekonomik, të tjerë fermerë nga Baltëza dëshirojnë t’i bashkohen kësaj nisme në vazhdim. Koçi, tregon se kjo mbështetje do të vazhdojë të aplikohet edhe vitin e ardhshëm, por ndryshe nga mbjellja e tokave bujqësore me grurin e llojit “Viktoria” do të provohet mbjellja e kulturës së misrit.

Në një postim në faqen zyrtare në Facebook të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, përshkruhet impakti që pati ky projekt në 14 familjet Rome në Baltëz. Në 30 vjet të krijimit të tij, nismat e tilla mbështetin shoqërinë, forcojnë komunitetet, forcojnë ekonominë e tyre.

Postim në rrjetet sociale” Fondacioni Shoqëria Hapur Për Shqipërinë”

Më të lexuarat