Të lënë mënjanë, pse institucionet shqiptare nuk e luftojnë segregimin në shkolla?

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Ligji shqiptar e ndalon segregimin e shkollave publike në Shqipëri, por ende disa shkolla fenomeni vazhdon edhe pas vendimeve nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Dava është një grua egjiptiane e cila një nga fëmijët e saj i ka çuar për të studiuar në shkollën “Liria”  në Shkodër, një institucion arsimor i themeluar që prej vitit 1919. Në këtë shkollë studiojnë rreth 111 nxënës ku 40 janë romë dhe 70 egjiptiane dhe vetëm 1 është pjestar i mazhorancës.

Community Reporters Albania udhëtoi muajin e shkuar në Shkodër për të investiguar nga afër segregimin në shkollat publike. Gjatë vizitës së gazetarëve u njohëm me shkollën “Liria” e cila është e pozicionuar në zemër të minoritetit Rom dhe Egjiptian, pra në afërsi të lagjës ‘Iliria’ ku njihet si nga zonat që ka më shumë përqëndrim të minoritetit Egjiptian.

Por kjo nuk është hera e parë e segregimit që ndodh në Shqipëri. Raste precedente kanë ndodhur më herët edhe në Elbasan, Korçë, Tiranë e Berat dhe Shkolla “Liria” që ishte pjesë e një hetimi administrativ që është kryer nga organizatat e shoqërisë civile, organizata ndërkmbëtare si European Roma Rights Center (ERRC) dhe nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili mban vendimin e vitit 2019 si një shkollë e segreguar dhe e diskriminuar pasi shkolla është e populluar vetëm nga fëmijët e komunitetit. CRA kontaktoi me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda në lidhje me vendimin e segregimit të vitit 2019 për masat që u morën dhe ku është aktualisht problemi që kjo shkollë nuk ka përmirësuar kushtet për nxënësit.

Robert Gajda-Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi

“Shkolla ka një përqindje jashtëzakonisht të lartë të fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian, dhe për rrjedhojë është vendosur që jemi në një situatë diskriminuese në formën e segregimit, ku ndër të tjera institucioni ka bërë edhe rekomandimet për sjelljen që duhet të ndërmarrin institucionet për të ndrequr situatën segreguese. Dy më kryesoret kanë qenë që të ndiqet rigorozisht kriteri i vendbanimit në regjistrimin e fëmijëve dhe e dyta është që kriteri 2 km i transportit në këto raste të mos zbatohet, por të ofrohet transporti për të gjithë fëmijët në mënyrë që të bëhet një shpërndarje më e drejtë e fëmijëve nëpër shkolla dhe transportin do duhet ta garantojnë autoritetet shtetërore për të gjithë fëmijët, edhe që do të shkojnë në atë shkollë nga zona të tjera por edhe që do të mund të shkojnë nga ajo shkollë nëpër shkolla të tjera do të duhet të garantohet”, tha Robert Gajda.

Community Reporters Albania, gjatë vizitës në shkollën “Liria” pa nga afër kushtet e godinës, shkolla ishte ende me investimet e vitit 2004. Ndërkohë që sipas bashkisë Shkodër të vetmet rikonstruksione që janë kryer është shkolla vartëse Isuf Tabaku, Ajasem në vlerën 7.949.927 lekë. Sakaq shkallët dhe muret e godinës ishin të amortizuar po ashtu dhe kushtet fizike të ambienteve të jashtme ishin te investimeve të vitit 2004. CRA gjatë bisedës me përfaqësues të shkollës, identifikoi se pas vendimit të KMD-së, asgjë nuk kishte ndryshuar dhe përgjatë 60 minutave që qëndruan gazetarët, fëmijët u panë në oborrin e shkollës duke luajtuar, edhe pse kishte prindër që deklaruan për CRA se fëmijët nuk marrin mësimin e plotë. Shpeshherë fëmijët bullizohen përshkak të racës dhe ngjyrës duke pësuar një diskriminim të drejtpërdrejt.

Nisur nga këto ngjarje, CRA kontaktoi me zyrën arsimore vendore Shkodër, për të kuptuar më shumë në lidhje me përmirësimin e kësaj shkolle pas vendimit të KMD. Drejtoresha i tha CRA-së se ajo nuk kishte shumë informacion për vendimin  për shkak nuk kishte shumë kohë në këtë detyrë. CRA bisedoi me Ministrinë e Arsimit për të kërkuar informacion zyrtar për shkollën “Liria” në lidhje me segregimin dhe hapat që ka marrë Zyra Rajonale Lezhë së bashkë më Ministrinë e Arsimit.

Zyra Rajonale Arsimore Lezhë tha se Shkolla “Liria” nuk mund të konsiderohet si shkollë e segreguar pavarësisht vendimit të KMD-së dhe organizatave të shoqërisë civile. Me tej ata shtojnë se “në këto lagje janë banorë të komunitetit Rom, Egjiptian dhe të tjerë, të cilët janë autoktonë në këto lagje. Për institucionin arsimor është e vështirë të bëjë një identifikim të saktë të prejardhjes së nxënësve. Komuniteti Egjiptian, me vendbanim në lagjen “Liria”, gjatë komunikimeve të zhvilluara, pjesa më e madhe e tyre mohojnë të cilësohen si egjiptianë, pasi theksojnë faktin që janë qytetarët më të hershëm të Shkodrës. Nxënësit e regjistruar në shkollën sipas deklarimeve të prindërve, janë pasardhës nga martesa, jo vetëm brenda këtij komuniteti, por edhe jashtë tij. Për këtë arsye, nuk mund të steriotipizojmë nxënësit duke bërë një ndarje të tillë”.

Vetë Institucioni arsimor dha statistika për CRA duke i ndarë fëmijët në rom, egjiptian dhe të tjerë, por nga ana tjetër në shkresën zyrtare deklaron se nuk mund të identifikojnë përkatësinë që nxënësit kanë.

KMD i tha CRA-së se aktualisht në bazë të raportimeve që zyra rajonale ka sjellë dhe organizata të tjera nuk ka pasur hapa serioze për të përmirësuar situatën, Gajda tha se “Ne ndodhemi në një situatë tjetër ku edhe Gjykata e Strasburgut ka konstatuar diskriminim në formën e segregimit në rastin e shkollës së Korçës. Dijmë që Ministria e Arsimit së bashku me organe të tjera shtetërore janë duke u interesuar për të përgatitur një plan masash në mënyrë që ta adresojnë situatën. Gjëja që ne kemi kërkuar është që në këtë rast plani i masave të jetë në nivel kombëtar, edhe për të zhbërë segregimin në ato shkolla ku është konstatuar, por edhe për të mos lejuar diskriminimit e segregimit nëpër shkolla të tjera sepse rreziku potencial ekziston gjithmonë. Nuk kemi marrë akoma dijeni mbi planin konkret të masave që MAS do të hartojë apo ka hartuar”, tha Gajda për CRA-në.

Nisur nga fakti se edhe pas 3 vitesh, në shkollën “Liria” asgjë nuk ka ndryshuar, Zyra arsimore Lezhë tha se: “ZVA Shkodër dhe institucionet shkollore të lagjes Liria, në bashkëpunim me institucione të tjera ka pasur dhe ka në vëmendje të përhershme integrimin dhe gjithëpërfshirjen e nxënësve romë e egjiptianë. Shkolla “Liria”, si Shkollë Qendër Komunitare qëndron e hapur dhe ofron shërbim jo vetëm për nxënësit e vet, por edhe për komunitetin, duke u përfaqësuar me ekipe sportive, me talente në fushën e artit dhe muzikës ku ka fitues në vend të parë në nivel rajonal dhe fitues të gjeniut të vogël në nivel kombëtar”, por interesantë është që edhe mediet lokale në Shkodër, shkollës i referohem me emertimin “Shkolla e komunitetit Rom, Egjiptian, shkolla e komunitetit .

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori vendimin e diskriminimit në datën 8 Maj 2019 dhe kërkon që DAR Shkodër të marrë masat e nevojshme që për vitin e ardhshëm shkollor, të ketë një shpërndarje më të njëtrajtëshme të nxënësve romë dhe egjiptianë në shkollat e qarkut Shkodër. Po ashtu kërkoi të merren masat e nevojshme nga ana e DAR Shkodër, drejtuesit e shkollave në këtë qark, nën mbështetjen dhe asistencën e ERRC-së dhe organizatave të tjera, për kryerjen procesit informues me familjet rome dhe egjiptiane, mbi segregimin dhe pasojat e tij në arsim. Gjithashtu KMD kërkoi që Ministria e Arsimit të të kryejë propozimet përkatëse, për ndryshimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 682, datë 29.07.2015 “Për përdorimin e fondeve publike për transportimin e punonjësve arsimore që punojnë dhe nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit” (i ndryshuar), duke përfshirë transport falas për nxënësit romë dhe egjiptianë, edhe për largësitë nën 2 km.

Komisioneri kërkoi që brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për këtë vendim, DAR Shkodër dhe Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, të njoftojnë Komisionerin, lidhur me masat e marra për zbatimin e këtij vendimi.

Sot kanë kaluar më shumë se 3 vite nga ky vendim diskriminimi për segregimin, edhe pse DAR Shkodër dhe Ministria e Arsimit nuk e njeh si një shkollë të segreguar, KMD dhe gazetarët e CRA-së vërtetuan përmes investigimit si kjo shkollë është 100% e segreguar dhe deri më sot nuk ka asnjë politikë të re, ndërhyrje në infrastrukturë apo një shpërndaje të nxenësve në shkollat e tjera publike.

 

 

 

 

 

Më të lexuarat