Brezat e dhjetëra familjeve rome në fshatin Mbrostar të Fierit, janë dëshmitarë të mungesës së kushteve më minimale në infrastrukturë dhe shërbime publike. Prej të paktën 40 vitesh rrugët, ndriimi, kanalizimet dhe uji i pijshëm janë zotimet e parealizuara të pushtetit lokal. CRA verifikoi se për këto investime janë kryer disa tendera dhjetëra milionë lekë, të cilët duhet të përfundonin deri në 2023. Plani për zhvillimin e lagjes rome ka mbetur në letër, ndërsa fondet nuk dihet se ku kanë shkuar.
“Kërkuam nga bashkia që të vendoste një depozitë uji për fshatin jetojmë ne romët, ata e bënë investimin gjatë vitit të shkuar, por nuk është hapur uji akoma dhe ne vazhdojmë siç kemi qenë më përpara, thotë Drita një banore e fshatit Mbrostar për Cra.al
Më shumë se 60 familje rome që jetojnë në Mbrostar Ura në bashkinë Fier, që nga periudha e komunizimit në Shqipëri nuk kanë parë ndonjëherë investime nga bashkia apo qeveria, rruga është siç ka qënë para 30 vitesh. Sapo futesh në lagjen ku jetojnë romët e shikon qartë se asgjë nuk ka ndryshuar.
Uji, dritat, infrastruktura dhe gjendja e banesave nëpër lagje, tregojnë sesi ky fshati ka mbetur në mëshirë të fatit.
Bashkia Fier është një nga 7 bashkitë që miratoi një plan lokal për zhvillimin dhe integrimin e minoritetit Rom dhe Egjiptian. Plani kishte si afat periudhën 2019-2023 por banorët tregojne se përgjatë 40 vitesh lagjja nuk ka pësuar ndryshime.
“E kam vuajtur gjithmonë, strehimi ka qenë shumë i vështirë, tek shtëpia që kemi hyn uji brenda sa herë që bie shi. Nuk kemi as ujë dhe as drita”, tregoi Liria për CRA.al
Banorët e lagjes tregojnë: “Kishim ujë më përpara, ndërsa tani një ditë po, një ditë jo.
Edhe sikur bashkia ta sjellë ujin në shtëpitë tona, ne s’kemi buxhet ta paguajmë ujin me sahat.”, kështu shprehet një tjetër banore nga e njëjta zonë.
Bashkia Fier për herë të parë në Mbrostar investoi përmes një tenderi me fitues OE “SARDO” 4,370,040 lekë, për të ndërtuar një depo uji për të mundesuar furnizimin me ujë të pijshëm. Por ky bashkëfinancim i bashkisë Fier dhe MEKI, sipas banorëvë nuk e realizoi furnizimin me ujë, ndaj shpresat e tyre mbeten se diçka do të ndryshojë gjatë fushatës zgjedhore.
Pak kohë më parë, sic tregojnë banorët, përfaqësues të bashkisë Fier, zhvilluan një takim me komunitetin duke iu premtuar ndriçimin e rrugëve kryesore dhe përmirësimin e situatës me ujin e pijshëm. Mirëpo, asgjë nuk ka ndryshuar deri në publikimin e këtij artikulli.
Përtej zgjidhjes së kushteve jetike, në planin për përmirësimin e cilësisë së jetesës për komunitetin rom, Bashkia Fier zotohej të ndërtonte një mbikalim në rrugën kryesore, por as ky investimi nuk është realizuar. Bashkia ia kalon përgjegjësinë ARRSH-së. Investimi në fjalë, përfshihet në planin e integrimit për romët dhe është buxhetuar nga Ministria e Energjetikës, ARRSH dhe Bashkia Fier me fond 37.500.000 lekë dhe duhet të realizohej në vitin 2020.
CRA.al i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë Fier në lidhje me arsyet e mosrealizimit të investimeve sipas këtij plani.
Edhe pse bashkia në përgjigjen e saj konfirmon se ka zgjidhur ndotjen mjedisore nga ujërat e zeza të pasistemuara në Mbrostar, verifikimi në terren dhe dëshmitë e banorëve tregojnë se ka ende gropa septike dhe asnjë sistem kanalizimesh.
Edhe për kufizimet e vendosura në hekurudhë, sërish bashkia deklaroi se nuk e ka ajo në përgjegjësi, por Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, ndonëse si aktivitet ai është shënuar në planin lokal për komunitetin rom.
Për një shkrim të mëparshëm që Cra.al ka realizuar në këtë lagje ku jetojnë familje rome, bashkia Fier konfirmonte se nuk ka fonde për të krijuar nga e para një sistem të kanalizimeve të ujërave të zeza:
“Nuk është vetëm lagjja e romëve në Mbrostar Ura që ka mungesë të kanalizimit të ujërave të zeza, madje shumica e fshatrave të Bashkisë Fier nuk kanë kanalizime të ujërave të zeza. Investime të tilla kërkojnë buxhet të konsiderueshëm dhe së dyti, referuar standarteve të Bashkimit Europian, nëse këto rrjete nuk integrohen me rrjetet apo linjat kryesore mund të kthehen në një problem shumë më të madh nga pikëpamja mjedisore”, thuhet në përgjigjen e bashkisë Fier.
Bashkia Fier më tej shpjegoi se plani i bashkisë është i njëjti me planet që ajo ka hartuar për çdo fshat, por tha se brenda mundësive financiare do të investojë kur të ketë fonde.
Edhe pse ky institucion deklaron se do të jetë prezent në territor për investime, por i mungojnë paratë, Community Reporters Albania gjeti në “Planin Lokal të Veprimit për Romët dhe Egjiptian, se ekzistojnë fonde për të bërë ndryshime në infrastrukturë dhe ndërtimin embikalimit, por fondet nuk gjendet se ku kanë shkuar.
Në disa kërkime që CRA.al kreu në prokurimet publike gjeti se në vitin 2019, Bashkia Fier ka tenderuar një operator ekonomik për “Rikonstruksionin e KUZ në lagjen Mbrostar Ura Fier” por investimi nuk ka lidhje me lagjen ku jetojnë romët. Ky investim u krye nga Spektri SHPK me fond limit 22 255 567,00 lekë, po ashtu në vitin 2020 bashkia Fier ka tenderuar një kompani tjetër për “Rikonstruksion i Ujesjellesit Mbrostar Ura” me fond 3 436 485,00 lekë nga operatori H A R M O N I A por edhe ky investim nuk ka lidhje me lagjen ku jetojnë romët në Mbrostar URA. Në vitin 2021, bashkia tenderoi një tjetër investim për “Rikonstruksion i rrugëve të brendshme në Njësinë Administrative Mbrostar” i fituar nga operatori GRAND KONSTRUKSION M – FLED me fond 11 085 155,00 lekë por edhe këtu nuk ka asnjë investim në lagjen ku jetojnë romët.
Investimet, premtimet dhe e vërteta
Ndërtimi i mbikalimit në Mbrostar Ura; me vlerë 37,500,000 lekë, investim nga Bashkia Fier dhe ARRSH, parashikohej të përfundonte që në vitin 2020. Nga vëzhgimet e gazetarëve të CRA-së nuk ka ndonjë mbikalim aq i nevojshëm për sigurinë e banorëve, e sidomos të nxënësve që duhet të kalojnë në anën tjetër për të shkuar për në shkollë. Bashkia nuk jep përgjigje shteruese se ku kanë përfunduar fondet, por zotohet se herën tjetër do të tregohet më e kujdesshme për planin e shpërndarjes së investimeve, për të mos krijuar diskriminim për komunitetin Rom dhe Egjiptian.
Në planin e veprimit ka ende shumë fusha të tjera që nuk janë zbatuar nga insitucionet lokale në Fier, një ndër to është edhe “Rehabilitimi dhe sistemimi i kanalizimeve në zonat me popullsi rome dhe egjiptiane” investim që kushton 19,000,000 lekë dhe duhej të përfundontë në vitin 2019, premtim i parealizuar.
Banorët treguan se janë ftuar nga kryeplaku i fshatit për të diskutuar për problematikat që ka zona dhe gjatë takimit janë premtuar investime, pa asnjë rezultat deri më tani.
Bashkia Fier,duke u justifikuar në përgjigjet zyrtare se investimet duhen kryer sipas standarteve të “Bashkimit Evropian” dhe se i mungojnë fondet, harron që fshati Mbrostar vuan mungesën e standardit më minimal, detyrë e pushtetit lokal për t’ia siguruar.
Gjatë verifikimit në terren, CRA ishte dëshmitare se furnizimi me ujë të pijshëm me autobotë paguhet nga qytetarët dhe jo nga bashkia siç përmendet në planin ku ky institucion merr përsipër të paguajë për furnizimin me ujë të pijshëm me një fond prej 2,400,000 lekë.
EN: The content of this material is not a responsibility of BIRN Albania, SCiDEV and/or Qendra Faktoje and does not necessarily represent the views of the European Union and the abovementioned partners.
AL: Përmbajtja e këtij materiali nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.