Fshati Luar në përpjekje për të joshur turistët

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Në ditët e nxehta të verës, krahas plazheve, me endje kërkojmë ato pak vende të freskëta e me gjelbërim. E një vend të tillë, me shumë freski, pastërti dhe shtigje mes gjelbërimit mund ta gjejmë në fshatin Luar të bashkisë Roskovec.

Që të eksplorosh në pyllin e këtij fshati, nuk të duhet të ecësh më shumë se disa metra nga qendra dhe as të bësh kapërcime rrugësh apo shtigjesh nëpër të cilat nuk ka ecur askush më parë. Lehtësisht i aksesueshëm dhe me një freski të shumë dëshiruar në verën e nxhehtë shqiptare, ky pyll shihet si një pikë kyçe për zhvillimin e turizmit si nga banorët e zonës, ashtu dhe për autoritetet lokale.

Tek – tuk gjen gjatë ngjitjes mund të gjesh edhe ndonjë mbeturinë urbane të hedhur nga ata që kanë qenë atyre më herët dhe nuk janë treguar të kujdesshëm për të shfrytëzuar koshat e grumbullimit që janë prezent në disa pika prgjatë këtij pylli artificial.

Në pyllin e Luarit është investuar, thonë autoritetet lokale, por ka dhe plane për të ardhmen për ta kthyer atë në një pikë të rëndësishme relaksi për fshatin, jo vetëm për banorët e zonës, por dhe për turistë që duan qetësinë, ajrin e pastër, freskinë dhe malin.

YouTube player

VIZIONI PËR LUARIN TURISTIK

I pozicionuar në jug – perëndim të qytetit të Roskovecit, fshati Luar karakterizohet nga një reliev kodrinor, ku ngado që hedh sytë dallon bimën e ullirit. Një fshat me lagje të shpërndara, jo të grumbulluara në të njëjtën zonë, Luari ofron një paqe të pashoqe, ku qetësia që vjen nga natyra bashkohet me zërat e jetës së fshatit.

Në rrugën që përshkohet nga qyteti i Roskovecit drejt fshatit Luar, syri të zë disa parcela me sera që përforcojnë idenë se veprimtaria kryesore ekonomike e banorëve të kësaj zone janë bujqësia, frutikultura dhe në nivele më modeste, blegtoria.

Fshati Luar u përzgjodh nga qeveria shqiptare (Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural) si një nga fshatrat pjesë e projektit “100 fshatrat” i cili nisi në vitin 2018 dhe përfundoi në 2020. Në kuadër të këtij projekti, synohej rivitalizimi i fshatrave të Shqipërisë për t’i kthyer në pika turistike. Kjo ambicie, sipas projektit synohej që të arrihej përmes zhvillimit të infrastrukturës, shërbimeve publike, nxitjes së agroturizmit, restaurimit dhe promovimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore etj. E duke qenë një nga 100 fshatrat turistik, fshati Luar i përfitoi disa projekte.

“Pylli i Luarit është një vend fantastik për të shijuar gjithë bukuritë natyrore që ka Roskoveci”, thotë kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi në një intervistë me Community Reporters. “Në Luar ne kemi bërë ndërhyrjen e parë përmes një investimi të Fondit Shqptar të Zhvillimit. Është bërë rruga për ta aksesuar Luarin dhe pyllin e Luarit”, vazhdon ajo.

Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkisë Roskovec

Në një dokument të bashkisë lidhur me projektin e ndërtimit të parkut agro – turistik dhe rehabilitimit të rrugës hyrëse në fshatin Luar, thuhet se bashkia synon që ta kthejë një zonë multi – funksionale pyllin e fshatit Luar.

“Projekti për rehabilitimin urban të Pyllit të Luarit do i japë mundësinë këtij komuniteti të kenë akses më të lehtë, një mjedis më të pastër, një vizualitet më të mirë. Ky projekt nuk do të rigjenerojë vetëm një zonë të rëndësishme, por do ta kthejë këtë fshat në një vend me identitet unik. Duke funksionuar si një zonë multifunksionale, ky vend do të ketë frekuentueshmëri nga grupmosha të ndryshme, pasi në program mund të përfshihen funksione të cilat e bëjnë integritetin e cdo grupmoshe pjesë të jetueshmërisë së saj”, thuhet në dokumentin e bashkisë.

Synimi është që të krijohen 4 zona të ndryshme me funksione të ndryshme nga njëra – tjetra: zona e pazarit e cila mund të përdoret nga banorët e fshtarave përreth, zona e fushave sportive e cila do të shërbente për zhvillimin e sporteve të ndryshme, zona e qëndrimit, e cila do të shërbente për kalimin e kohës së lirë, organizimin e piknikëve apo për lexim si dhe zona e pyllit.

(http://openprocurement.al/fund/other/245b.pdf)

“Kemi bërë ndërhyrjen e parë në pyllin e Luarit. Pylli i Luarit është një pyll i ri kryesisht me pisha të buta, është një sipërfaqe jo më pak se tre hektarë dhe në brendësi të saj ne kemi filluar investimet e para me pasazhet”, tregon më tej zonja Bufi për Community Reporters.

Ajo shton se dëshirojnë që Luari të jetë një destinacion i ri dhe lehtë i aksesueshëm për turistët.

“Projekti i dytë që jemi duke ndërtuar ka në fokusin e vet,ë aksesimin më të gjerë të pyllit për të pasur në brendësi të pyllit aktivitete të ndryshme që mund të zhvillohen në një pyll”, vazhdon kryebashkiakja e Roskovecit. “Kjo ndërhyrje parashikon rindërtimin e rrugës Vidhishtë-Luar dhe rindërtimin e rrugës ‘Shkolla – Pylli i Luarit’.

Pjesë e projektit është ndërtimi i Parkut Agroturistik me sheshe për veprimtari tregtare, shoqërore dhe ndërtimi i rrugëve për këmbësorë.

INVESTIMET NË INFRASTRUKTURË

Në vitin 2018, sipas njoftimit në Agjencinë e Prokurimit Publik është kryer investimi “Rikonstruksioni i Rrugës Kuman – Luar – Vidhishtë”, nga Bashkia Roskovec. Investimi e ka pasur vlerën e kontratës 31,390,744.00 lekë dhe kompania fituese ka qenë “Boshnjaku B”.

Një tjetër investim në Luar lidhur me infrastrukturën e fshatit, ka qenë “Riparimi i shkarjes në rrugën e fshatit Luar”, një investim i cili ka kushtuar 3,972,800.00 lekë dhe është fituar nga kompania “Pesë vëllezërit”, me anë të procedurës “me negocim, pa njoftim paraprak”.

Edhe për cezmat publike të fshatit është bërë një investim, për rikonstruksionin e tyre, me një vlerë prej  662,039.00 lekësh. Investimi është kryer nga kompania “SARK” dhe prokurimi është bërë nëpërmjet procedurës: Blerje me vlerë të vogël.

Një tjetër investim për zonën është projekti zhvillimor i bllokut nr.2 në Roskovec, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një vlerë kontrate prej 93,736,484.00 Lekësh. Dhe ky investim është bërë në vitin 2018 dhe projekti është fituar nga kompania “HASTOCI”.

“Fshati Luar është pjesë e Programit “100 Fshatrat”. Ndërtimi i Parkut Agroturistik do të mundësojë zhvillimin e bizneseve lokale me produkte vendore, promovimin e turizmit dhe agroturizmit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët dhe vizitorët”, thuhet në një njoftim në faqen zyrtare të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Duke theksuar se aktiviteti kyesor ekonomik për banorët e zonës është bujqësia dhe zhvillimi i serave, “sot unë mund të them me krenari se një pjesë e investitorëve vendas kanë lidhur marrëveshje individuale me vendet tregtare të ndryshëm, jo vetëm me ato kufitare në rajon, por kanë kaluar përtej këtyre, kanë shkuar në Europë”, thotë kryetarja e bashkisë, Majlinda Bufi për Community Reporters.

IMPAKTI I INVESTIMEVE TE BANORËT

“Ka përmirësime të dukshme këtu. Vijnë turistë këtu, por kryesisht të zonës, se të huaj ende nuk ka. Turistët vijnë për gatimet tradicionale që kemi ne. Unë zakonisht punoj në saç dhe për gatimet që përgatisim ne turistët janë të kënaqur”, thotë, Agim Çobo pronar i një biznesi të vogël familjar në fshatin Luar.

“Edhe natyra është piktoreske. Po ta shikosh këtu, është gjithë ky pyll, ajër i freskët dhe një punë e mirë është bërë nga projekti 100 fshatrat, brenda në pyll është një rrugë e mirë, me stola”, tregon ai më tej

Duke qenë shumë afër me pyllin Agim Çobo na thotë se njerëzit kur vijnë fillimisht shëtisin përmes pishave e më pas vijojnë të konsumojnë drekën apo darkën në restorantin që ai e ka prej gati 20 vitesh, por që në vitet e fundit ka parë që t’i shtohen klientët.

Agim Çobo, pronar i një biznesi në fshatin Luar

I pyetur se cilat janë nevojat për përmirësime të mëtejshme, ai tregon se ambientet akomoduese apo bujtinat e mirëfillta mungojnë dhe është aspekti për të cilin ky fshat ka nevojë për të ecur më tej në industrinë e turizmit. Përveç mangësive në sektorin e turizmit, Agim Çobo na tregon e problematike për fermerët e zonës. Në këtë pikë si tejet kritike ai cilëson mungesën e sistemit vaditës. “Nuk ka sistem vaditje në drejtim të bujqësisë, kjo duhet parë për të ardhmen”, thotë ai.

Kryeplaku i fshatit, Nexhip Pashaj thotë se gjërat kanë ndryshuar për më mirë në drejtimin e infrastrukturës dhe të ujit të pijshëm në Luar. Na tregon se bujqësia, vreshtaria, ullishtet janë aktiviteti kryesor për banorët e Luarit.

Nexhip Pashaj, Kryeplaku i fshatit Luar

“Unë për veten time para 2 vitesh mbolla 2 hektare ullinj dhe përfitova nga subvencionimi i qeverisë. Edhe për vreshtarinë ka pasur disa ndihma, kemi marrë këstin e parë dhe tani presim këstin e dytë”, tregon Nexhip Pashaj për Community Reporters. “Fshati do rrugë, ujë dhe drita. Këto pak a shumë janë zgjidhur. Rrugët e shumta tani janë zgjidhur, por kemi një pjesë andej që i themi nga çobantë, kemi edhe rrugët që na çojnë te 2-3 ujëvarat që kemi, janë pa bërë ende, por kemi besim. Po të bëhet edhe rruga me Kurjanin dhe do vijnë më shumë turistë që shkojnë te Kisha e Kurjanit dhe pastaj vijnë turistë si për kishën edhe për pyllin e Luarit”, thotë ai.

Por, edhe për kryeplakun e Luarit, problematika që ende nuk ka gjetur zgjidhje është mbështetja e bujqësisë me sisteme vaditëse si dhe rrugët bujqësore.

“Pengohemi pak për rrugën, edhe pse kryetarja e bashkisë na ka premtuar së do bëhet. Atje ku i kemi ne serat vetëm që t’i nxjerrësh me krahë apo me mjete të mëdha si traktorët…”, u shpreh kryeplaku i fshatit, Nexhip Pashaj.

Ky shkrim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Community Reporters Albania dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

Më të lexuarat