Në dhjetor të vitit 2024, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë miratoi një vendim që ka të bëjë me mënyrën se si individët që i përkasin pakicave kombëtare mund të vetidentifikohen zyrtarisht. Vendimi, i publikuar në Fletoren Zyrtare më 26 dhjetor, synon të rregullojë mbledhjen e të dhënave mbi përkatësinë etnike në përputhje me të drejtën e çdo qytetari për të deklaruar lirisht identitetin e tij etnik. Mirëpo, zbatimi i tij është kthyer në pengesë për komunitetet minoritare, veçanërisht për komunitetin Egjiptian dhe atë Rom në Tiranë, të cilët po përballen me vështirësi administrative që mund t’u mohojnë aksesin e fëmijëve të tyre në shërbimet arsimore dhe sociale.
Një prind nga komuniteti Egjiptian shprehet për CRA-në: “Unë kam dy vajza binjake që i çoj në kopsht dhe më duhet të marr një vërtetim që të përjashtohen nga tarifat, sipas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Por tani më kërkohet një formular vetëdeklarimi.” Po ashtu, përfaqësues të shoqërisë civile dhe drejtues kopshtesh janë përfshirë në proces, duke hasur konfuzion dhe mungesë informacioni mbi procedurën e re.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 843, datë 26.12.2024 dhe ai nr. 845 i po të njëjtës datë, përcaktojnë kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për mbledhjen e të dhënave mbi vetidentifikimin e pakicave kombëtare. Çdo individ që pretendon se i përket një minoriteti duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi dhe ta dorëzojë pranë një komisioni të ngritur nga Ministria e Brendshme. Komisioni ka detyrën të shqyrtojë kërkesat dhe të përpilojë listat përkatëse brenda 30 ditëve.
Problemi kryesor që ka lindur është se deri më tani, sipas informacioneve nga komuniteti dhe organizatat, komisioni nuk është themeluar ose nuk kanë filluar ende nga puna, çka e bën të pamundur për qytetarët që të marrin një vërtetim për përkatësinë e tyre etnike, i cili më herët merrej lehtësisht përmes organizatave të shoqërisë civile.
Problematikat nisën të shfaqen që prej fillimit të vitit 2025, sidomos me rastin e regjistrimeve të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte për vitin e ri arsimor, si dhe me përfitimin e bursave për nxënësit e komuniteteve në arsimin profesional dhe të mesëm.
Problematikat janë raportuar kryesisht në Bashkinë e Tiranës, ku ndodhet numri më i madh i komuniteteve Egjiptiane dhe Rome. Drejtues kopshtesh dhe qendra komunitare në Shkozë, Kombinat dhe zona të tjera periferike të kryeqytetit kanë raportuar mungesë informacioni dhe paqartësi mbi procedurën që duhet ndjekur. Situata nuk përjashton mundësinë që të jetë e njëjtë edhe në bashki të tjera të vendit.
Përfaqësues të komunitetit dhe organizatat e shoqërisë civile kanë denoncuar se kjo VKM është miratuar pa një proces konsultimi paraprak me grupet e interesit. Sipas tyre, vendimi erdhi si pasojë e presionit ndërkombëtar për të plotësuar kërkesat e Bashkimit Europian në kuadër të procesit të integrimit dhe nuk është përshtatur me realitetin në terren. Gentian Sejrani tha për CRA-në: “Ne jemi njohur me këtë VKM vetëm pasi është publikuar në faqen e Kryeministrisë dhe më pas në Fletoren Zyrtare. Askush nuk na ka përfshirë në hartimin e saj.”
Kjo situatë ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e këtyre komuniteteve. Fëmijët e tyre rrezikojnë të mbeten jashtë kopshteve dhe çerdheve për shkak të pamundësisë për të përfituar përjashtimet nga tarifat. E njëjta vlen edhe për bursat në arsimin profesional dhe të mesëm.
Ervis Daka nga “Aksion Komunitar” tregoi për CRA-në se tre prindër iu drejtuan për ndihmë pasi u kërkua plotësimi i formularit të vetidentifikimit që të përfitonte nga përjashtimet e tarifave në kopsht. Formularët u plotësuan dhe u dorëzuan që në mars 2025, por ende nuk kanë marrë përgjigje. Prindërit janë përballur me refuzime dhe mosnjohje të procedurës nga institucionet vendore dhe vetë kopshtet, duke rrezikuar që të mos i çojnë dot fëmijët në kopsht për shkak të pamundësisë për të përballuar tarifat mujore.
Në një përgjigje zyrtare ndaj kërkesave për informacion, Ministria e Brendshme konfirmoi se janë caktuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve në Komision dhe së shpejti pritet të mbahet mbledhja e parë. Ndërkohë, Ministria sqaroi se vetë procedura bazohet në parimin e vetidentifikimit dhe se ligji i vitit 2017 nuk parashikon më lëshimin e vërtetimeve për përkatësinë etnike nga organizatat e shoqërisë civile, por vetëm përmes komisioneve të posaçme.
OJF dhe vërtetimet
Gjatë këtyre 30 viteve, me nisjen e demokracisë u themeluan organizatat e para Rome dhe Egjiptiane si mënyra për të organizuar dhe prezantuar komunitetin me përmes shoqatave. Gjatë viteve 90-të, shoqatat e nisën misionin e tyre duke shpërndarë ndihma ushqimore, mallra të dhuruara kryesisht nga organizata ndërkombëtare humanitare, por shumë shpejt edhe anëtarë të komuniteteve filluan të bëheshin të varur nga ndihmat. Institucionet, nga vështirësia për t’i identifikuar nga përkatësia minoritare ua kërkonin vërtetimin e etnisë shoqatave që kishin të regjistruar individët. Të gjitha ojf-të që përfaqësonin këto dy minoritete, lëshonin vertëtime në këmbim të një shumë të caktuar parash, përshembull, gjatë vitit 2014, Ministria e Arsimit vendosi me anë të një VKM të ofronte kuota të veçanta për studentët Rom dhe Egjiptian për t’u regjistruar në Universitetet publike në Shqipëri dhe për t’u përjashtuar nga tarifa e shkollës në nivelin Bachelor dhe përgjysminin e tarifës në nivelin Mastër. Kjo kërkonte si fillim vërtetimin e përkatësisë dhe kështu shumë Ojf lëshuan vërtetime për përkatësinë etnike që të përfitonin nga kuotat në shumën nga 1000-10000 lekë, cka u shndërrua në abuzim, pasi jepej kundrejt pagesës.
Në vitin 2022, Bashkia Tiranës miratoi me VKB për herë të parë mbi heqjen e tarifës së çerdhes dhe kopshteve publike me drekë për fëmijët e pakicës rome dhe egjiptiane, sipas vërtetimit përkatës të lëshuarnga organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre ose vetë deklarimit ku përcaktohet se familja është pjesë e këtyre pakicave.
Ky ndryshim erdhi si pasojë e punës së organizatave si Qëndra T’REJA duke i dhënë mundësinë familjeve Rome dhe Egjiptian të varfërata përfitonin atë falas.
Sipas Xhuljana Sakollarit, koordinatore projektesh pranë Qëndrës Për Advokim Social, përgjatë viteve 2022-2024 kanë pasur kërkesë të lartë gjatë muajit Maj nga prindërit Rom dhe Egjiptian që regjistrojnë fëmijët në kopshte dhe çerdhe.
Në zyrën tonë kemi lëshuar më shumë se 200 vërtetime për përkatësinë etnike për fëmijët për t’u regjistruar falas në kopshte, por tani që kopshtet nuk e pranojnë vërtetimin nga organizatat, edhe për ne është bërë më e vështirë pasi na pyesin prindërit dhe ne i drejtojmë tek Ministria e Brendshme. Por në dijeninë tonë, ai komisioni është nuk funksional, ndërkohë që fundi i Majit dhe fillimi i Qershorit janë afatet e regjistrimit. Fëmijët që i përkasin minoritetit Rom dhe egjiptian për ta përfituar falas duhet të dorëzojnë një vërtetim përkatësie etnike. I bie që fëmijët do duhet ta paguajnë edhe pse ka një VKB nga Bashkia Tiranë e cila e ka hequr tarifën por duhet të vërtetosh përkatësine etnike”, tha për CRA.al Xhuljana Sakollari.
Qendra “Drejtësi Sociale” ka dorëzuar një kërkesë të firmosur nga 7 organizata që mbrojnë të drejtat e minoriteteve Rome dhe Egjiptiane, ku kërkoi informacion pranë Ministrisë së Brëndshme për VKM-në dhe kur do të themelohet komisioni por deri më sot nuk ka një përgjigje.
Minoriteti Rom dhe Egjiptian mbeten ndër më të prekurit, duke rrezikuar jo vetëm përjashtimin nga politika sociale për fëmijët e tyre, por edhe duke u përballur me procedura të tejzgjatura e burokratike që vënë në pikëpyetje të drejtën për shërbime publike në mënyrë të barabartë.
OJF dhe aktivistët kërkojnë që të merren masa të shpejta, dhe të ketë informimin të plotë të institucioneve vendore mbi këtë procedurë, kjo VKM rrezikon të mbetet thjesht në letër dhe të thellojë më tej hendekun mes politikave qendrore dhe nevojave reale të komuniteteve minoritare në vend.
EN: The content of this material is not a responsibility of BIRN Albania, SCiDEV and/or Qendra Faktoje and does not necessarily represent the views of the European Union and the abovementioned partners.
AL: Përmbajtja e këtij materiali nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.