Fier, 350 familje rome në fshatin Baltëz, pa shërbime publike dhe ndotjes alarmante

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Komuniteti prej 350 familjesh rome që jeton ndër vite në fshatin Baltëz të Fierit, po përjeton një situatë emergjece të ndotjes mjedisore dhe mungesës së shërbimeve publike. Një fond prej 43 milionë lekësh për pastrimin e mjedisit, kanaleve kulluese dhe përmirësimin e infrastrukturës ka mbetur në letër dhe përtej afateve të parashikuara në planin vendor 2019-2022 të bashkisë Fier. Një verifikim i CRA katër vite më parë dhe në ditët e para të 2025-s, tregon sesi ndotja mjedisore nga hidrokarburet dhe hedhja pa kriter e mbetjeve, e ka përkeqësuar jetësën dhe shëndetin e banorëve.

Në fshatin Baltëz, romët janë vendosur prej shekujsh, janë gati 350 familje, por tani janë pakësuar, për arsye të emigracionit. I vetmi burim në këtë fshat është bujqësia por edhe punë të ndryshme sezonale që venë jasht shtetit edhe vijnë. Këto janë të ardhurat kryesore të këtij fshati që ata mbajnë familjen e tyre.” shprehet aktivisti Eduart Koçi për CRA-në.

Fshati Baltëz përballet prej vitesh me mungesa të theksuara në infrastrukturë dhe shërbimet publike si ndriçimi, asfaltimi i rrugicave, si dhe pastrimi i kanaleve vaditëse të tokave bujqësore.

Para katër vitesh, CRA vizitoi fshatin dhe dokumentoi në mënyrë të qartë problemet që preknin banorët e këtij komuniteti. Era e rëndë e mbetjeve shtazore dhe nafta që ndotnin “Vijën e Ngjalës” shkaktonin shqetësime të vazhdueshme dhe komplikacione për jetën e përditshme të banorëve.

CRA është rikthyer në Baltëz për të parë nëse janë bërë përmirësime ose investime në këtë fshat. Sipas dëshmive të banorëve dhe nga verifikimi në terren, fshati vuan të njëjtat probleme si para 4 viteve.

Probleme ka, janë të shumta si në infrastrukturë që është katastrofë të themi, ndriçimi, rrugët, kanalizimet, uji i pijshëm sidomos që është jetik, nuk ka, rrjeti është i amortizuar dhe ka vite që nuk funksionon fare.” konfirmon për CRA-në Eduarti Koçi banor i fshatit Baltëz, njëkohësisht aktivist për Komunitetin Rom dhe Egjiptian.

Më 18 qershor 2019, Bashkia Fier, në bashkëpunim me “ROMACTED”, miratoi “Planin Vendor të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve (2019-2022)”, që përfshin një seri projektesh dhe masash për të përmirësuar shërbimet ndaj këtij komuniteti. Megjithatë, shtatë vite pas miratimit tëi planit, banorët e fshatit Baltëz nuk kanë përfituar ende nga angazhimet e parashikuara në këtë projekt të bashkisë Fier.

Gjatë vizitës së gazetarëve në Baltëz, ishte e dukshme gjendja e rrugicave të pashtruara dhe pa ndriçim, si dhe kanalet vaditëse të mbuluara me myshk dhe mbetje të shumta. Pamjet tregonin vetëm kaos, mbeturina nëpër kanale, rrugica të pashtruara me asfalt e plot baltë si pasojë e reshjeve të shiut, ndërsa era e rëndë për shkak të ndotjes ishte ende e pranishme. Ndërkohë që bisedonin me banorët, një prej tyre rrëfeu për furnizim minimal me ujë të pijshmë dhe probleme me kanalizimet.

Probleme ka shumë në fshat, së pari ujin e pijshëm që është kryesori se pa ujë s’jetohet, kanalizimet e ujrave të zeza, nuk shtrohen rrugicat, punë s’ka, vetëm merremi me atë tokën që gënjejmë mendjen jo se kemi ndonjë fitim të madh.”- vijon banori.

Bujqësia është çështja më e rëndësishme për një fshat dhe kjo është çështja e ditës.

Nuk duam të bëhemi të pasur, por të kemi një jetë të mirë. Prodhimin që marrim s’na e siguron shteti, ku do e shesim? Me një projekt me këto shoqatat kam mbjellë nja 2 vite, sikur na ndihmoi një çik, na dha një dorë. Po atje te nafta duhen bërë letrat e tokës, ne s’i bëjmë dot se na sorrollasin. Të thonë shko këtu e shko atje, jo s’vjen kjo letër, ku di s’i marr vesh ato ligjet se si e qysh janë, unë s’merrja vesh radhën e parë edhe i kalova tek posta, posta i kaloi në kadastër edhe s’u kthyen më. Nuk e di ca shteti është ky.” tha për CRA Qeremi

Dy vite më parë, Fondacioni Shoqëria Hapur për Shqipërinë mbështeti një organizatë lokale bujqësore për të mbjellë tokat që romët kanë në pronësi, duke i siguruar farën dhe mjetet për të mbjellë, por një nga problematikat që ky projekt gjeti ishte se Romët nuk kishin dokumentacion pronësor për të përfituar më pas nga grantet e Ministrisë së Bujqësisë për naftën falas dhe kimikatet .

Banorët tregojnë se është shumë e vështirë të sigurojmë dokumentet shkresore përmes E-albania pasi nuk e përdorin për shkak të moshës dhe teknikaliteteve të tjera. Kjo situatë e ka vështirësuar më shumë pajisjes me dokumentin e pronësisë. E vetmja ndihmë që banorët kanë është aktivisti Eduart Koçi i cili angazhohet në komunitet për të ndihmuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre socio-ekonomike.

Bashkia Berat permes planit lokal të integrimit të Romëve duhet të realizonte disa ndërhyrje, si  investimet për sistemimin e kanalizimeve të ujrave të bardha dhe të zeza.

Në planin lokal të Bashkisë Fier për Romët, në pikën 3.1.5 të këtij plani parashikohet “Rehabilitimi dhe sistemimi i kanalizimeve në zonat me popullsi rome dhe egjiptiane” me fond prej 19,000,000 lekë.

Edhe tek pika 3.1.6 “Asfaltim/gjelbërim/ ndriçim i rrugëve të brendshme” bashkia Fier kishte planifikuar një investim me vlerë 24,000,00.

Pavarësisht se planet janë publikuar edhe afatet kanë kaluar vihen re që investimet nuk janë realizur në fshatin Baltëz ku ka një popullsi prej 350 familje Rome.

Aktivisti Koçi tha se ka dërguar shkresa në institucionet kryesore, por deri më tani nuk ka ndonjë zgjidhje. “Ne si aktivistë kemi ngritur zërin nëpër institucionet kryesore si në bashki, në U.K.F, në ministri, kemi dërguar peticione, kërkesa për  takime, por deri tani nuk është se janë bërë ndryshime, janë bërë disa punime të vogla le të themi, por jo të mjaftueshme në këtë fshat.

5 vite më parë në fshatin Baltëz nisi rikonstruksioni i banesave Rome ku ishin përfitues dhjetra familje. Por banorët treguan për CRA se banesat janë lënë përgjysmë nga Bashkia.

Shpresa, një banore e këtij fshati dhe përfituese e programit të rikonstruksionit tregoi se  rruga, është shumë e vështirë për të kaluar.

“Së dyti, nuk kam mundësinë financiare për të rregulluar shtëpinë. Siç e shikoni, e kanë filluar dhe e kanë lënë në gjysmë; brenda është e pashtruar me pllaka, pa drita, pa rrugë. Rruga, sidomos, është shumë e vështirë. Nuk kemi ku kalojmë në dimër, është e pamundur, nuk ka kalim. Kështu ka qenë gjithmonë, që në fillim; nuk ka qenë asnjëherë e rregulluar. Disa herë kanë ardhur dhe kanë thënë që do ta rregullojnë, por siç e shikoni vetë, është katastrofë.” tha për CRA, Shpresa.

Ndotja e mjedisit

Kam vite që jetoj këtu në Baltëz. Kanali Vjosë- Fier- Levan kalon këtu pranë banesave tona. Ai sjell mbetje, kafshë të ngordhura. Kanalizime të ujrave të zeza  nuk ka dhe nuk durohet, u mbytëm nga era. Kërkojmë nga bashkia të verë dorë”, kështu rrëfen Shpëtim Vizani, banor i Baltëzës për ndotjen që prej vitesh nuk gjen zgjidhje.

Ndotja në bashkinë Fier nuk është një çështje e panjohur për institucionet përkatëse. Megjithatë, situata në terren vijon të përkeqësohet.

Në një studim të kryer nga organizata Rome dhe Egjiptiane, (Qëndra për Advokim Social, Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome, Drejtësi Sociale, Të gjithë bashkë për Integrimin e Romëve) rezulton se ky kanal ka një nivel të lartë të ndotjes. Studimi i titulluar “Ndikimet mjedisore në jetën e Komunitetit Rom në fshatin Baltëz dhe Drizë, bashkia Fier” evidenton ndotjen në ajër, ujë, tokë dhe ndikimin që ka në jetën e familjeve rome të vendosura në këtë zonë. Nga vëzhgimet e bëra në terren, studiuesit kanë vërejtur se në këtë segment, lumi është në ngjyrë të errët, ku përzihen ujrat e zeza të qytetit dhe mbetjet e hidrokarbureve. Ky segment i ndotur kalon përmes fshatit Baltëz, ku jeton komuniteti Rom.

Mungesa e kanalizimeve dhe ndjeshmëria e ulët ndaj mjedisit bën që shumë banorë të shkarkojnë ujërat e zeza në kanal. Po ashtu edhe disa biznese që zhvillojnë aktivitet ekonomik pranë kanalit, i shkarkojnë mbetjet organike po aty. Vendgrumbullimi i mbetjeve ndodhet pranë dhe këto të fundit përfundojne në kanal ose digjen duke ndotur ajrin.

Hyrja për në fshatin Baltëz përgjatë këtij kanali, e quajtur vija e Ngjalës, gjithashtu është e ndotur. Nga të dhënat përmes vëzhgimit në terren, gjatë orareve të ndryshme të ditës dhe mbrëmjes, nga ky kanal shpërndahet erë e rëndë e shkaktuar nga ndotës organikë dhe hidrokarbure, çka sjell pasoja të rënda mbi shëndetin e banorëve të kësaj zone.

Armend Koci-Banor Rom, Baltëz Fier

I tillë është rasti i Armend Koçit nga fshati Baltëz me status invalid dhe që vuan nga Astma. “Mushkritë e mia janë rreth 80% të dëmtuara dhe kam probleme me frymarrjen. Ndotja dhe era që vjen nga kanali më dëmtojnë më shumë. Nuk ka ajër të pastër, këtu derdhen ujrat e zeza nga gjysma e fshatit, hedhin kafshë të ngordhura. Po shkoj shpesh në spital por këtu jetoj nuk kam ç’të bëj”, tregon ai për CRA.

Studimi i titulluar “Ndikimet mjedisore në jetën e Komunitetit Rom në fshatin Baltës dhe Drizë, bashkia Fier” evidenton të njëjtat shqetësime si banorët e këtyre fshatrave.

Ekspertët kanë dhënë rekomandime për reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit rom në këto zona si përshembull:

Rekomandohet të hartohet projekti i sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza me qëllim që të evitohen shkarkimet e ujërave të zeza në trupat ujore;

Të realizohet furnizimi me ujë për çdo familje të Komunitetit Rom;

Të pastrohet kanali Vjosë-Levan-Fier duke hequr mbetjet dhe duke i grumbulluar në destinacionin e caktuar nga Bashkia,

Të betonizohet ky kanal pranë zonave të banuara dhe të vendosen kangjella me qëllim që të evitohen aksidentet dhe fatalitetet;

Të evitohen shkarkimet e industrisë Hidrokarbure në trupat ujore, të evitohen shkarkimet e subjekteve në afërsi të trupave ujore për të permirësuar cilësinë e ujërave të Gjanicës dhe Vijës së Ngjalës.

VNM-Baltez-dhe-Drize-Komuniteti-Rom-1Download

Megjithatë studimi i kryer është një shtojcë për punën ekryer nga aktivistë dhe organizatat të cilat janë angazhuar në këtë nismë. Bashkia Fier dhe institucione të tjera të rëndësishme si Drejtoria Rajonale e Mjedisit, Ministria e Mjedisit duhet të jenë të përfshira dhe aktive për të orientuar këto probleme drejt reduktimit ose zgjidhjes së tyre.

Aktivisti Eduart Koçi kërkon që të ndalohet shkarkimi i mbetjeve të ndryshme që të mos si një zgjidhje për të shmangur ndotjen e mëtejshme.

“Ky lum kishte peshk, kishte peshk dhe ne peshkonim këtu, çdo gjallesë tani është e ngordhur këtu.” – thotë Eduarti.

 

EN: The content of this material is not a responsibility of BIRN Albania, SCiDEV and/or Qendra Faktoje and does not necessarily represent the views of the European Union and the abovementioned partners.

AL: Përmbajtja e këtij materiali nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.

Më të lexuarat