Investigim/ Nga Lezha në Fier, cilat janë sukseset dhe dështimet e projektit “100 fshatrat”

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Pas implementimit të “rilindjes urbane” përgjatë viteve 2013-2017, projekti “100 fshatrat” u hodh si ide nga kryeministri Rama në fushatën zgjedhore të 2017. Me anë të kësaj nismë, qeveria shqiptare synonte që të rigjallëronte jetën në fshat dhe të nxiste zhvillimin ekonomik në zonat rurale.

“Së pari, nuk bëhet fjalë për investime të natyrës së këtyre 20 e kusur viteve dhe as për investime të përqendruara në 100 ishuj të veçantë, thjesht për të ndryshuar 100 fshatra. Bëhet fjalë për 100 pika graviteti mbi të cilat jemi të bindur se do të krijohen rrathë zhvillimi dhe rrjetëzime të investimeve në agroturizëm”, deklaronte kryeministri Rama në 2 shkurt 2018, pak muaj pasi kishte fituar zgjedhjet e 2017-ës dhe kishte nisur mandatin e dytë.

Ky projekt i qeverisë shqiptare u ideua që të sillte ndryshim jo vetëm në 100 fshatrat që do të përfitonin investime direkte, por në tërësi në gjithë pjesën rurale të vendit.

Sipas asaj që shkruhet në faqen zyrtare të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, fondi i parashikuar për të mbuluar kostot e projektit përgjatë viteve 2019-2020 është rreth 10.3 miliardë lekë. 24 projekte kanë përfunduar, me një vlerë investimi prej 6,7 mld lekë. 17 projekte janë në zbatim, me një vlerë investimi prej 8,2mld lekë.  5 projekte janë në proces programimi, me një vlerë investimi prej 1,7 mld lekë dhe 19 projekte janë në procedura prokurimi dhe vlerësimi projekti teknik, me një vlerë investimi prej 8.8 mld lekë.

Ndërkohë që nga fillimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të këtij programi ka ndërmarrë 65 projekte zhvillimore me një vlerë totale investimi prej 25.6 mld Lekë ose rreth 250 milionë USD.

Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, buxheti i planifikuar në vitin 2020 për këtë program u përdor për financimin e programit për rindërtim dhe zhvillim në zonat e prekura nga tërmeti.

Projekti që duhej të ishte përmbyllur në vitin 2020 është zgjatur deri në vitin 2024.

Por kur kanë kaluar 3 vite nga fillimi i zbatimit të projektit “100 fshatrat”, cilat kanë qenë sukseset, dështimet dhe mangësitë që janë vënë re në terren?

OBJEKTIVAT DHE PRITSHMËRITË E PROJEKTIT

Sipas asaj që thuhet në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare të ministrisë së Bujqësisë, programi synonte që t’i jepte “jetë” fshatrave shqiptare. “’Një fshat të gjallë’, një forcë magnet për turizmin në rajon, një fshat që prodhon për vete e për eksport, një fshat brand për traditën që mbart, një fshat që siguron cilësi e siguri në jetesë”, theksohet mes të tjerash në dokument.

Objektivat e zhvillimit të këtij programi do të ishin nxitja e zhvillimit ekonomik të qëndrueshem në zonat rurale, si dhe përmirësimi i cilësisë së jetesës në zonat rurale.

Përmirësimi i infrastrukturës publike kishte në fokus projektet për infrastrukturën rrugore, rivitalizimin e hapësirave publike/urbane, infrastrukturën komunitare, shërbimet publike, infrastrukturën mjedisore, turistike, monumentet e trashëgimisë kultutrore, qendrat multifunksionale komunitare, pejsazhin mjedisor etj.

Zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike. Kjo synohej që të arrihej përmes përmirësimit të potencialit turistik në hapësirat rurale, agroturizëm dhe turizëm rural, investime në përmirësimin e shërbimeve tregtare, investime në prodhimin e produkteve tradicionale dhe shërbime të tjera ekonomiko-financiare etj. Mbështetja për inkubatorë të produkteve rurale tradicionale, promovim dhe marketim të zonave rurale, shërbime transporti, panaire dhe festa lokale etj.

Një tjetër objektiv ishte edhe zhvillimi i kapitalit social dhe njerëzor me mbështetje për krijimin e rrjeteve rurale, grupeve lokale të veprimit si dhe shoqërinë civile në zonat rurale, trajnim profesional për të rinjtë dhe gratë, mbështetje të trashëgimisë kulturore, mbështetje për promovimin e traditave dhe jetesës në fshat, etj.

Programi ishte i përbërë nga 4 komponentë, të cilët grupoheshin sipas funksionit që ato kryejnë përkundrejt zhvilllimit në territor. Komponenti i parë kishte të bënte me zhvillimin e atraksionit turistik. Më tej, komponenti i dytë me zhvillimin e aktivitetit ekonomik. Dhe dy komponentet e tjerë kishin në fokus zhvillimin e ndërveprimit social dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Sipas llogaritjes fillestare, përfitues të drejtëpërdrejtë nga ky projekt do të ishin 134,000 qytetarë. Falë këtij projekti pritej që të kishim në ofertën turistike shqiptare 150 produkte të reja ose të përmirësuara. 500 persona do të trajnoheshin nga administrata publike dhe sipërmarrjet private në kuadër të projektit “100 fshatrat”.

Ky projekt kishte si synim që të rritej me 15% numri i të punësuarve në sektorin jo bujqësor në zonat rurale dhe 20% më shumë turistë në Shqipëri. 300 biznese të reja jobujqësore ishte objektivi i caktuar në dokumentin fillestar të projektit “100 fshatrat”.

Community Reporters Albania shfletoi gjithë projektet e “100 fshatra” dhe pa në terren zbatimin konkret dhe efektin që ka shkaktuar ai, në 5 fshatra nga veriu në jug, Gjinari në Elbasan, Sheshi në Tiranë, Luari në Roskovec, Fishta në Lezhë dhe Laknasi në Kamzë.

RASTET E SUKSESIT

Në mesin e 5 fshatrave që Community Reporters Albania vëzhgoi në terren që nga muaji shkurt 2021 deri në muajin tetor 2021, Fishta në Lezhë dhe Luari në Roskovec, ishin 2 fshatrat ku impakti nga projekti “100 fshatrat” ishte më lehtë i dallueshëm.

Në rend kronologjik, Fishta ishte fshati i tretë që vizitoi CRA për të parë impaktin që kishte sjellë përfshirja në projektin “100 fshatrat”.

Rruga që të çon nga Tirana drejt fshatit Fishtë është e asfaltuar mirë dhe nuk të merr më shumë se një orë. Ky fshat është vetëm 17 kilometra larg nga qyteti i Lezhës, duke pasur kështu mundësinë që të kthehet në një pikë strategjike për agro-turizmin e qëndrueshëm.

Përveç restaurimit të shtëpisë së Gjergj Fishtës, falë programit “100 fshatrat”, fshati Fishtë ka përfituar edhe 2 rrugë të rinovuara, falë të cilave është lehtësuar ardhja e turistëve vendas dhe të huaj. Aksi “Rruga Nacionale-Fishtë, Bashkia Lezhë” dhe kryqëzimi i rrugës Nacionale Lezhë-Shkodër me rrugën e fshatit Fishtë, janë dy projekte infrastrukturore që kanë sjellë frymëmarrje për këtë zonë, e cila pret edhe përmirësimin e elektrifikimit, për të përmbyllur çështjen e infrastrukturës bazike që nevojitet për zhvillimin e turizmit. Community Reporters foli dhe me nënkryetarin e Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj i cili e vuri theksin tek tradita e kulinarisë së kësaj zone si një element kyç në zhvillimin e sektorit të agro-turizmit në Fishtë. Në Fishtë projekti ka dhënë impulse pozitive dhe aspekti që do duhej përmirësuar ka të bëj me investimet në infrastrukturë, ku theksi vihet te energjia elektrike.

Fshati Luar në jug të qytetit të Roskovecit, karakterizohet nga një reliev kodrinor, ku ngado që hedh sytë dallon bimën e ullirit. Me lagje të shpërndara, fshati fokus kryesor ka bujqësinë dhe pemtarinë. Panorama më e zakontë në këtë fshat është ajo me ullinj dhe sera.

Si pjesë e projektit “100 fshatrat” Luari përfitoi disa projekte. Në vitin 2018, sipas njoftimit në Agjencinë e Prokurimit Publik është kryer investimi “Rikonstruksioni i Rrugës Kuman – Luar – Vidhishtë”, nga Bashkia Roskovec. Investimi e ka pasur vlerën e kontratës 31,390,744.00 lekë dhe kompania fituese ka qenë “Boshnjaku B”. Një tjetër investim në Luar lidhur me infrastrukturën e fshatit, ka qenë “Riparimi i shkarjes në rrugën e fshatit Luar”, një investim i cili ka kushtuar 3,972,800.00 lekë dhe është fituar nga kompania “Pesë vëllezërit”, me anë të procedurës “me negocim, pa njoftim paraprak”.

Edhe për çezmat publike të fshatit është bërë një investim, për rikonstruksionin e tyre, me një vlerë prej  662,039.00 lekësh. Investimi është kryer nga kompania “SARK” dhe prokurimi është bërë nëpërmjet procedurës: Blerje me vlerë të vogël. Një tjetër investim për zonën është projekti zhvillimor i bllokut nr.2 në Roskovec, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një vlerë kontrate prej 93,736,484.00 Lekësh. Dhe ky investim është bërë në vitin 2018 dhe projekti është fituar nga kompania “HASTOCI”.

Në Luar, investimet në infrastrukturë dhe zhvillimin ekonomik janë të prekshme, ndërsa për ato që kanë të bëjnë me jetën kulturore dhe sociale paraqiten me mangësi. 

ATY KU PROJEKTI NUK LA GJURMË

Përveç faktit që në vitin 2020 fondet e parashikuara për këtë program kaluan në fondin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, programi nuk la gjurmë të prekshme në 3 prej fshatrave që CRA vëzhgoi gjatë këtyre 7 muajve.

Banorët e Laknasit në Kamzë, Gjinarit në Elbasan dhe Sheshit në Tiranë nuk e kishin përjetuar shumë ndryshimin që ishte planifikuar të sillte përfshirja në programin “100 fshatrat”.

Fshati Gjinar, i përfshirë në Bashkinë Elbasan pas reformës territoriale të vitit 2015 ishte destinacioni i parë që “Community Reporters Albania” vëzhgoi për të parë se si ka ndikuar përfshirja në projektin “100 fshatrat”. Si për nga vlerat turistike, apo trashëgiminë kulturore, Gjinari është një nga pikat kryesore të bashkisë së Elbasanit. Sapo hyn në këtë fshat përballesh me problemet e energjisë elektrike, ujit të pijshëm dhe të rrugëve që lidhin fshatrat e zonës me atë çka quhet “qendra turistike”. Dhe ato pak iniciativa private që po zhvillohen në zonë në fushën e turizmit ndikohen negativisht nga këto mungesa bazike, të cilat janë një barrë më tepër për ata që duan të zhvillojnë zonën duke hapur bujtina.  Gjatë vëzhgimit tonë, në Gjinar nuk pamë asnjë gjurmë e dukshme e ndonjë investimi serioz për të thithur turistë. Madje banorët ironizonin lidhur me projektin “100 fshatrat”, duke treguar se së fundmi vetëm dy llampa dritash janë vendosur në fshat.

Rruga që lidh Gjinarin me Elbasanin, është e shkurtër, vetëm 24 kilometra nga qyteti i Elbasanit, por për shkak problematikave të rrugës të duhet rreth 1 orë për të mbërritur në destinacion. Në të mungon sinjalistika rrugore bazë, tabelat informuese dhe në shumë pjesë të saj hasen pirgje dheu të cilat bllokojnë aksin dhe tregojnë për mos mirëmbajtjen e saj. Gjinari është po ashtu pikë strategjike për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe gjatë stinës së verës dhe gjatë stinës së dimrit, kjo dhe për shkak të afërsisë relativisht të shkurtër dhe me Tiranën. Kjo afërsi do të thithte shumë banorë të kryeqytetit për të shpenzuar fundjavat në Gjinar apo për të eksploruar zonën përreth.

Community Reporters intervistoi kryetarin e njësisë administrative të Gjinarit, Irakli Toçi i cili tha se projektet për të cilat Bashkia Elbasan po punon në zonë, janë të fokusua në rregullimin e energjisë elektrike si dhe të ujit (kanalizimet) për ta bërë zonën turistike. Nga të tre komponentët që përfshinte projekti “100 fshatrat”, në Gjinar ishte zbatuar pjesërisht vetëm ajo që ka të bëj me investimet në infrastrukturë.

Pas Gjinarit në vëzhgim u mor fshati Shesh, pjesë e bashkisë Tiranë pas reformës territoriale.  Sheshi është vetëm 20 kilometra larg nga Tirana. Të njëjtë distancë ka edhe me Durrësin. Por, pozita e favorshme gjeografike e këtij fshati mes dy qyteteve më të mëdha të vendit, nuk i shërben për pothuajse asgjë banorëve të zonës. Këta banorë i kanë të cunguara edhe shërbimet më bazike, si rruga automobilistike, uji i pijshëm, apo edhe rryma e qëndrueshme e energjisë elektrike.

Ky fshat, u përfshi dhe në projektin “100 fshatrat” me qëllim për të përfituar investime të ndryshme në infrastrukturë si dhe restaurime të objekteve të trashëgimisë kulturore për të rivitalizuar jetën sociale. Duke pasur parasysh se “100 fshatrat” është një projekt që ofrohej si mundësi ndryshimi rrënjësor për 100 fshatra për t’i kthyer ata në pika turistike dhe për të përmiresuar jetën e banorëve të tyre, Community Reporters Albania iu drejtua Bashkisë Tiranë me anë të një kërkese për informacion për të mësuar më tepër mbi projektet e zhvilluara gjatë viteve të fundit në këtë zonë. Pyetjes se cilat ishin investimet e bëra nga viti 2018 deri në 2021, Bashkia Tiranë iu përgjigj me anë të një tabele në të cilën përmenden emrat e 8 projekteve të realizuara të cilat lidhen kryesisht me ndërtime dhe rikonstruksione rrugësh në Ndroq dhe në Pezë. Mirëpo është e paqartë në dokumentin e dërguar nga bashkia Tiranë, nëse këto projekte janë realizuar të gjitha posaçërisht në kuadër të projektit të madh qeveritar “100 fshatrat”, apo janë investime të bëra në kuadër të rindërtimit nga tërmeti i vitit 2019. Të tre komponentët e projektit “100 fshatrat” në Shesh janë cekur me investime sporadike, por me hapësira për përmirësime të mëtejshme.

Fshati i pestë i investiguar nga CRA ishte Laknasi në bashkinë Kamëz. Ky fshat është shembulli më i drejtpërdrejtë se si projekti “100 Fshatrat” nuk ka lënë gjurmë, duke mos gjetur zbatim në praktikë.

Fshati ka “fatin e keq” që përshkohet nga lumi i Lanës, i cili në fakt vetëm emrin ka lum, pasi çdo gjë tjetër e bën që të quhet veçse një rrjedhë mbetjesh urbane që shkojnë drejt detit. Lumi Lana dëmton banorët e Laknasit duke i vështirësuar aktivitetet e tyre në të gjitha fushat e jetës, që nga bujqësia e deri tek njësitë e vogla tregtare.

Laknasi është një fshat i qetë, i cili në sezonin e verës mirëpret emigrantët. Janë emigrantët ata që duket se i japin një lloj gjallërie vendit. Gjithashtu edhe rruga që përdoret për të kaluar drejt Rinasit është një element që i jep jetë këtij fshati. Sipërfaqja e fshatit është 4,714,303 metër katrorë. Rreth 70% e kësaj sipërfaqe është tokë arë ku mund të zhvillohen aktivitetet bujqësore, ndërsa pjesa tjetër është e zënë nga ndërtimet dhe veprat infrastrukturore. 

Bazuar në dokumentet që Community Reporters Albania ka aksesuar nga Bashkia Kamëz, deri në vitin 2017 Laknasi kishte 2069 familje, duke e bërë atë një nga fshatrat më të mëdhenj në Shqipëri me rreth 10 880 banorë. Nga një vëzhgim që Community Reporters bëri në terren për të pare ecurinë e punimeve për rrugën, që kanë filluar në vitin 2019 me afat përfundimi 92 muaj, gjendja nuk duket e optimale. Shumë pjesë të rrugës paraqiten të lëna përgjysëm, dhe me mangësi. Mungojnë trotuarët si dhe ndriçimi. 56.284.078 milion lekë ka kushtuar projekti i Bashkisë Kamëz për të ndërtuar tre rrugë me gjatësi 4 km. Bazuar në të dhënat e dokumenteve që Community Reporters ka aksesuar nga bashkia Kamëz, këto janë projektet që ishin planifikuar për tu zhvilluar  në fshatin Laknas:

-Rivitalizimi i qendrës së Laknasit, me një vlerë përafërisht 1 208 310 100 lekë, ku përfitues janë banorët e Laknasit dhe të fshatrave pranë. Bazuar në dokument, theksohet se ky projekt do të nxiste në zhvillimin e shërbimeve publike, hapjen e bizneseve dhe përmirësimin e tyre, punësimin e të rinjve si dhe përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore.

-Mbrojtja e brigjeve të lumenjve: Lumi i Tiranës, Lumi i Lanës me një vlerë përafërsisht 70 462 912 lekë, me përfitues banorët e fshatit të Laknasit dhe të fshatrave të tjerë. Ky projekt synonte përmirësimin e mjedisit urban dhe natyror në zonë.

-Zhvillimi i Agrobiznesit dhe Marketingu i Destinacionit, projekt me vlerë përafërsisht 424 000 000 lekë.


Pyetur nga Community Reporters se cilat ishin projektet që ishin zhvilluar specifikisht në kuadër të “100 fshatrave”, Bashhkia Kamëz tha: “Bashkia Kamëz është në proces aplikimi për thirrjen e projektit për “100 Fshatrat”. Në Laknas objektivi për gjallërimin e jetës ekonomike dhe sociale nuk është arritur. Ndërsa sa i përket investimeve në infrastrukturë dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të zonës, sërish ka vend për përmirësime.

PROBLEMATIKAT E PËRBASHKËTA

Në këto 5 fshatra, CRA u ndal për të parë në terren zbatimin e projekteve që preknin përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e jetës sociale dhe kulturore. Nga vëzhgimi, del se në këto 5 fshatra, zbatimi i projekteve ka pasur mangësi apo për rezultate jo shumë të prekshme nga banorët e zonave në të treja komponentët. Për të 5 fshatrat ka elementë që sipas projektit “100 fshatrat“, ose nuk janë prekur, ose nuk janë përmirësuar në nivelin e duhur.

Një nga elementet përbashkues për të 5 fshatrat që “Community Reporters Albania” vëzhgoi përgjatë këtyre 8 muajve ka të bëjë me informacionin që kishin banorët e këtyre zonave mbi benefitet që fshati i tyre do të kishte nga përfshirja në këtë projekt. Pothuajse çdo banor në fshatrat Gjinar, Shesh, Fishtë, Luar dhe Laknas kishin dijeni për investimet dhe zhvillimin që mund të përfitonte fshati i tyre. Por ky informacion i tyre ishte i cunguar dhe jo i plotë në lidhje me projektet konkrete që do të përfitonte fshati në kuadër të përfshirjes në listën e “100 fshatrave”.

Pothuajse të gjithë banorët e fshatrave që në takuam nuk dallonin investimet e bëra në kuadër të projektit “100 fshatrat” dhe ato që ishin bërë nga zëra të tjerë buxhetor të bashkive.

Po ashtu, një tjetër aspekt që bie në sy në të 5 fshatrat e investiguar nga CRA ka të bëj me zbatimin e projekteve. Duke qenë së shumë prej projekteve ose nuk ishin nisur, zbatuar në terren, apo përfunduar totalisht, një prej përgjigjeve më të shpeshta nga bashkitë ishte se ato “ishin në zhvillim e sipër”. Një përgjigje e cila në këtë rast nuk qendron plotësisht, pasi koha e zbatimit të projektit “100 fshatrat” sipas planit të qeverisë shqiptare ishte nga viti 2018 deri në fundin e vitit 2020.

VLERËSIMI I EKSPERTIT

Agron Haxhimali, njohës i mirë i çështjeve të pushtetit lokal dhe ekspert për problematikat e reformës terrioriale, vëren se një problemet kryesorë të programit “100 fshatrat” ishte mungesa e një studimi të detajuar paraprak.

“Projekti i 100 fshatrave u nis në vitin 2018 për të përfunduar në 2020. Fakti që ky Program është planifikuar dhe shtyrë deri për vitin 2024 ka treguar se nuk ishte i mirëstudiuar, dhe nuk u arrit të përmbyllej. Ndaj nuk mund të flas për efektivitet dhe rezultate. Nuk u arrit të bëhej program real dhe ishte vetëm ide propagandistike për të tërhequr vëmendje e publikut dhe sidomos të komuniteteve në fshatra. Pra programi nuk kishte objektiv të qartë dhe realist. Nuk ishin sigurar burimet financiare për të përmbushur programin ndaj edhe mbeti si objektiv në vazhdim. Agjensitë qeveritare nuk kanë demostruar ndonjë vëmendje të dukshme në këtë program gjithashtu”, shprehet Haxhimali në një intervistë për CRA.

Sipas tij, ky program nxori në pah defektet e reformës territoriale të bërë në vitin 2015. “Reforma duhet në fakt t‘ju jepte vetë zgjidhje këtyre problemeve. Pasi ky ishte dhe një ndër objektivat e saj që të siguronte më shumë investime në fshatra. Por fakti që këtë program e ndërmerr dhe realizon qeveria ndërkohë që duhet ta bënin vetë bashkite, nxjerr në pah probleme që duhen zgjidhur për sa i përket balancimit të investimeve urbane vs rurale. Pra zbatimi i programit duhej të ishte përqendruar në çdo bashki dhe qeveria t‘i mbështeste me mjete financiare dhe projekte konkrete“, thotë Agron Haxhimali.

Si njohës i çështjeve të pushtetit lokal, Agron Haxhimali shprehet se projekte të tilla do duhet të jenë përherë një koordinim mes qeverisë dhe bashkive dhe nuk duhet të jepen si të imponuara nga pushteti qendror drejt atij lokal.

“Së pari mendoj se Programi i 100 fshatrave duhet të financohet nga buxheti shtetit dhe i bashkive. Këto bashkë do duhet të vendosnin një objektiv dysheme – që çdo bashki duhet që çdo vit të zhvilloj një fshat. Vetëm me këtë objektiv dhe me bashkim burimesh financiare do kishin një rezultat të prekshëm. Ku duhet vendos prioriteti. Në këto drejtime që duhet ecin paralel dhe të integruara: a-Përmirësimi i infrastrukturës publike(mbeshtetja për infrastrukturë rrugore, rivitalizime hapësirash publike/urbane, infrastrukturë komunitare, shërbime publike, infrastruktura mjedisore, turistike, monumente të trashëgimisë kultutrore, qendra multifunksionale komunitare, pejsazhi mjedisor etj.) b-zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike( përmirësimi i potencialit turistik në hapësirat rurale, agroturizëm dhe turizëm rural, investimet në përmirësimin e shërbimeve tregtare, investime ne prodhimin e produkteve tradicionale dhe sherbime te tjera ekonomiko-financiare etj.  c-nxisim investime për inkubatorë të produkteve rurale tradicionale, promovim dhe marketim të zonave rurale, shërbime transporti, panaire dhe festat lokale etj ishte vetëm në leter, dhe mungoi plan i qartë dhe mekanizma ekzekutues”, deklaroi Haxhimali për CRA.

Ky shkrim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Community Reporters Albania dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

Më të lexuarat