Në Shqipëri numrërohen me mijëra pacientë me sëmundje mendore, por kapacitetet për shtrimin e tyre nuk i kalojnë 635 vendet. Situata është bërë edhe alarmante pasi spitali i psikiatrisë në Tiranë, që ka nisur të rikonstruntohet, e ka kufizuar kapacitetin në 15 shtretër në një ambient të papërshtatshëm në një tjetër pavion të QSUNT. Njihuni me Anilën, vajza e një pacienteje që përballet me mungesën e shërbimit rehabilitues për të ëmën.
“Në vitin 2008, mami filloi të shfaqte shenja të ç’rregullimit të shëndetit mendor, në shtëpi kishte zënka të përditshme, gjyshërit nga të dy krahët filluan debatet pasi mendonin se mami im “u çmend” nga babi, nga dhuna e përditshme.”
Kështu e nis rrëfimin Anila, e cila në vitin 2008 ka qenë vetëm 8 vjeçe kur shkoinpër herë të parë e më pas vazhdimisht për të shoqëruar të ëmën në Spitalin e Psikiatrisë nr 5 në Tiranë.
Si mami i Anilës në Shqipëri janë më shumë se 40 mijë pacientë që vuajnë nga çrregullimet e shendetit mendor, sipas një përgjigjeje zyrtrare për CRA.al, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Për vitin 2021 në të gjithë Shqipërinë numëroheshin 40.069 persona me sëmundje të shëndetit mendor në kujdesin shëndetësor parësor.
Anila tregoi për Cra.al se prej kohësh, mamaja e saj shtrohet në pavion, qëndron 2 javë më pas e nxjerrin nga spitali. Mirëpo me kthimin në familje, përsëriten episdet e dhunës së gruas ndaj prindërve çfarë sjellë sjell shqetësime të shumta, aq sa në disa raste vjen policia , policia, e merr e dërgojnë tek urgjenca e psikiatrisë, i bëjnë një gjilperë dhe më pas e sjellin në shtëpi. “Nuk e shtrojnë se s’ka vende më thojnë” tregoi Anila për CRA.al.
Çfarë kapacitetesh kanë spitalet në Shqipëri për pacientët me çrregullime të shëndetit mendor ?
Në të gjithë vendin,vetëm 4 qytete kanë spitale të specializuar, në Tiranë ( me kapacitet 90 vende), Vlorë (200 vende) e Elbasan (310 vende), dhe Shërbimi i Shëndetit Mendor i Specializuar në Shkodër (35 vende), me kapacitet 635 vende në total për të gjitha spitalet gjithsej.

Numri i pacientëve shumëfish më i lartë se kapacitetet spitalore, por rastet më të shumta trajtohen në mënyrë ambulatore. Pacientët marrin shërbim në urgjencën e psikiatrisë dhe më pas dërgohen në shtëpi, por kjo nuk i jep zgjidhje asnjë problem.
Pjesa më e madhe e pacientëve vijnë nga familje të vërfëra me mungesë të ardhurash apo mundësi për t’i kuruar. Edhe pse një kategori pacientësh përfiton pagesë paaftësie, ajo nuk mjafton për të përballuar ilaçe dhe ushqime.
“Që kur është sëmurë ajo nisi cigaren, dhe konsumon më shumë se 4 paketa në ditë, ndërsa ilaçet që merr nuk arrijnë ta qetësojnë, ajo bëhet e dhunshme në familje, kemi tentuar disa herë me miq, pa miq për ta shtruar, një herë e shtrojmë dhe një herë jo”, tha Anila.
CRA pyeti psikiatren Ermira Sherifi në lidhje për pacientët që vuajnë nga çrregullimet e shendetit mendor, veçanërisht për ata që vuajnë nga skizofrenia.
Psikiatria shpjegon: “Kur flasim për skizofreninë, kemi të bëjmë me një nga çrregullimet më komplekse dhe më sfiduese për t’u menaxhuar në jetën e përditshme. Skizofrenia ndikon thellë në perceptimin, të menduarit, emocionet dhe sjelljen. Për fat të keq, ajo është shpesh e rrethuar nga stigma, frikë dhe shumë keqkuptime – gjë që e bën edhe më të vështirë për këta persona të jetojnë të përfshirë dhe me dinjitet në shoqëri. Megjithatë, falë zhvillimeve në psikologji, psikiatri dhe mbështetjen gjithnjë e më të madhe nga komuniteti, sot është e mundur që personat me skizofreni të kenë një jetë funksionale, nëse trajtimi është i qëndrueshëm dhe mbështetja është e vazhdueshme” tha për Cra.al Psikiatria Ermira Sherifi.
Para dy muajsh, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nisi të rikonstruktojë spitalin e psikiatrisë nr 5 duke e zhvendosur shërbimin e urgjencës dhe shtrimeve brenda QSUNT në një mjediset e “6 katshit” ose ish-spitali i zemrës, duke i reduktuar kapacitetet në 15 shtretër për të dy gjinitë ku janë të ndara, burrat veç dhe gratë veç. Kjo ka krijuar shqetësime pasi tashmë familjarët e pacientëve që kanë probleme të theksuara të shëndetit mendor nuk mund t’i shtrojnë në spital përshkak të vendeve shumë të kufizuara.
Burimet treguan për CRA se kushtet janë të këqija, mure me lagështirë, kushtet sanitare pa standarde.
Cra.al dërgoi një shkresë Ministrisë së Shendëtësisë dhe Mbrojtjes Sociale ku kërkoi informacion në lidhje me rikonstruksionin, çfarë do të ndodhte me pacientët që kanë nevojë të shtrohen, por deri më tani edhe përse kërkesa ka kaluar afatet ligjore, nuk ka një përgjigje.
Nga verifikimi në terren mësuam se projekti i rikonstruksionit për spitalin e psikiatrisë mund të mbarojë në vitin 2028 dhe veç kapaciteteve është kufizuar edhe stafi.
Sipas psikiatres Ermira Sherifi, në Shqipëri funksionojnë edhe tre spitale publike, në Elbasan, Vlorë dhe Shkodër – “që ofrojnë trajtim për pacientët në faza akute. Megjithatë, pas daljes nga spitali, shumë individë me skizofreni dhe çrregullime të ngjashme nuk kanë ku të vazhdojnë trajtimin në mënyrë të qëndrueshme apo të marrin kujdesin që u nevojitet në baza ditore. Kjo është arsyeja pse, ndër vite, është tentuar të zhvillohet një rrjet më i gjerë mbështetës përmes Qendrave Komunitare të Shëndetit Mendor (QKSHM).”
“Kam biseduar me qendra private që mund të akomodohet mamaja ime, por më kanë thënë që nuk ta marrin me këtë diagnozë, nuk e përballojmnë pasi mungon stafi i specializuar. Kam shkuar disa herë në spitalin e psikiatrisë, por nuk kam asnjë zgjidhje, ne vazhdojmë t’i lutemi vazhdimisht mjekëve që ta shtrojnë në spital, edhe ata e njohin pasi ka mbi 15 vite që trajtohet.” tregoi Anila për Cra.al.
Anila tregoi se stafi i Psikiatrisë i kishte thënë se nuk ka vend për ta shtruar, dhe i sugjeruan ta transferojnë në Psikiatrinë Elbasan ose Vlorë. “Ne kemi shprehur dakordësinë që ta dërgojmë mamanë tek Spitali i Psikiatrisë në Elbasan, por kemi më shumë se 1 muaj që presim që dosja të shkojë në Elbasan dhe sipas stafit duhet të ndërhyjë ministria për të realizuar këtë gjë.”
“Kur flasim për struktura rezidenciale 24/7 , vende ku individët me probleme të rënda mendore jetojnë dhe marrin kujdes të vazhdueshëm me staf të pranishëm, realiteti është që këto janë shumë të pakta dhe nuk e mbulojnë dot nevojën ekzistuese. Në disa qytete ekzistojnë të ashtuquajturat ‘shtëpi të mbrojtura’ ose ‘shtëpi komunitare’, të cilat kanë për qëllim të strehojnë dhe mbështesin persona që nuk kanë mundësi të jetojnë me familjen ose në mënyrë të pavarur. Këto janë zakonisht të menaxhuara nga institucione publike në bashkëpunim me donatorë apo organizata jo fitimprurëse, dhe funksionojnë me një staf të vogël ndihmës dhe me mbikëqyrje profesionale.”- thotë ekpertja e çështjeve të shëndetit mendor.
Në mungesë të rehabilitimit në strukturat e pamjaftueshme dhe të munguara, persona me probleme të shëndetit mendor frekuentojnë hapësira publike të pashoqëruar dhe shpesh në gjendje të rënduar. Por ata që më së shumti vuajnë pasojat janë familjarë të këtyre personave, të cilët jo rrallë herë bien pre e dhunës. Këto raste denoncohen nga familjarët, dhe shkojnë deri në gjykatë. Referuar nenit 46 të Kodit Penal, “Masat mjekësore mund të jepen nga gjykata ndaj personave të papërgjegjshëm që kanë kryer vepër penale, ndërsa masat edukuese mund të jepen ndaj të miturve që përjashtohen nga dënimi ose që për shkak të moshës nuk kanë përgjegjësi penale.” Masat mjekësore janë: 1. Mjekimi i detyruar ambulator, 2. Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor.
Lidhur me këtë situatë, Community Reporters Albania u interesua pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas informacioneve të vëna në dispozicion nga kjo Gjykatë për CRA, rezulton se për periudhën kohore 2019-2021 janë shqyrtuar gjithsej 71 çështje gjyqësore penale me kërkesë “caktim mase mjekësore dhe edukuese”, neni 46 i Kodit Penal, iniciuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga këto, rezulton se është vendosur caktimi i masës mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” për 26 çështje, caktimi i masës mjekësore “Mjekim i detyruar Ambulator” për 44 çështje dhe për 1 çështje është vendosur “Caktim mase edukuese” për të miturin.
Konkretisht, për periudhën 2019, janë shqyrtuar 19 çështje, nga të cilat, për 7 çështje është vendosur caktimi i masës mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” dhe për 12 çështje është vendosur caktimi i masës mjekësore “Mjekim i detyruar ambulator”.
Për vitin kalendarik 2020 rezulton se janë shqyrtuar 22 çështje nga të cilat, për 10 çështje është vendosur caktimi i masës mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” dhe për 12 çështje është vendosur caktimi i masës mjekësore “Mjekim i detyruar ambulator”.
Ndërsa për vitin kalendarik 2021 janë shqyrtuar 30 çështje nga të cilat, për 9 çështje është vendosur caktimi i masës mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, për 20 çështje është vendosur caktimi i masës mjekësore “Mjekim i detyruar ambulator” dhe për 1 çështje është vendosur “Caktim mase edukuese” për të miturin.
Në fokus të këtyre çështjeve kanë qenë persona me probleme të shëndetit mendor, të cilët kanë kryer vepra penale të ndryshme, por janë në kushtet e paaftësisë për shkak të sëmundjes mendore.

