Në mbi 30 vite pluralizëm, komuniteti egjiptian dhe rom mbeten të papërfaqësuar me deputetë në parlamentin e Shqipërisë. Kjo përbën një padrejësi ndaj dy pakicave që renditen përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë me 12.4 dhe 9.8 përqind, për nga përbërja e popullsisë, pas minoritetit grek sipas INSTAT. Në listat për zgjedhjet e përgjithshme, partitë e mëdha por edhe “Lëvizja Bashkë” kanë përfshirë kandidatë egjiptianë dhe romë, por sesa do të arijnë ata të marrin votat për ulëset në Kuvend, kjo mbetet për t’u parë pas procesit zgjedhor të 11 majit.
Shqipëria ka zhvilluar 21 zgjedhje elektorale pluraliste që prej vitit 1991, ku 11 prej tyre janë zgjedhje parlamentare dhe 10 zgjedhje lokale. Por sa janë përfaqësuar në këto zgjedhje Minoritetet Rome dhe Egjiptiane si deputetë apo anëtarë të këshillave bashkiakë ?
Minoriteti Rom dhe Egjiptian njihen si dy grupe vulnerabël në Shqipëri, e deklaruar jo vetëm nga qeveria, por edhe institucionet ndërkombëtare.
Ishte viti 2003, kur qeveria e Fatos Nanos me mbështetjen e OSBE në Shqipëri miratoi “Planin Kombëtar për përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë rome, komunitet që njihej për herë të parë formalisht përmes dokumentave në shtet.
Më pas këto plane vijuan të miratohen me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare deri në ditën e sotme, por sa është integruar në politikbërje ky minoritet në vendin tonë që nga viti 2003?
Bazuar në studime të shumta për romët dhe egjiptianët që janë realizuar nga organizata të shoqërise cilive brenda dhe jashtë Shqipërisë, dalin në pah barrierat kryesore për integrimin e tyre, përshembull: diskriminimi institucional, mungesa e arsimit, mundësive për punësim, dhe mangësitë në trajnimin në lidhje më politikbërjen. Megjithatë, ka përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe organizatat ndërkombëtare për të ofruar mundësi më të barabarta për këto grupe, duke përfshirë edhe përpjekjet për të rritur përfaqësimin politik të tyre.
Romët dhe Egjiptianët në Politikë
Për herë të parë, në Bashkinë Korçë, Elbasan dhe Fier në zgjedhjet e vitit 2019 u zgjodhën si anëtarë Këshilli bashkiak nën siglën e Partisë Socialiste, Etleva Tare në Korçë, Raxhi Rakipi në Elbasan dhe Saimir Kazanxhiu në Fier. Këto zgjedhje shënuan përfshirjen e minoriteteve Rome dhe Egjiptiane në vendimmarrjen lokale.
Në Shkurt 2019, kur opozita “dogji” mandatet dhe ato u zëvendësuan me kandidatët e tjerë në listë, nën siglën e Partisë për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë në koalicion me Partinë Demokratike, u vendos si deputet Ervis Meçe, egjiptian nga qyteti i Delvinës. Kjo shënoi përfaqësimin për herë të parë të minoritetit Egjiptian në Parlamentin e Shqipërisë.
Në muajin Janar të vitit 2025, si pasojë e lëvizjes së një anëtari të Partisë Socialistë në Këshillin Bashkiak Tiranë, u vendos sipas listës, Sead Kazanxhiu, një artist Rom.
Me nisjen e fushatës zgjedhore të 11 majit, partitë publikuan listat e tyre të kandidatëve për deputet, konkretisht Partia Socialiste vendosi në listat e saj të hapura kandidaten për deputete Ina Majko në qarkun e Vlorës. Ina është një vajzë Rome e diplomuar në Biologji, por gjatë 10 viteve të fundit ajo është angazhuar në shoqërinë civile rome duke mbrojtur të drejtat e këtij minoriteti. Për Partinë Socialiste kjo është hera e parë që vendos një kandidate Rome për deputet në të gjithë historinë e saj.
Po ashtu Partia Socialdemokrate vendosi për herë të parë në listën e sigurtë në qarkun Fier Ardita Çelën, që renditet e treta.
Në një intervistë për CRA.al Ardita tregon se zgjodhi të angazhohej në politikë sme besimin se ndryshimi i vërtetë ndodh nga brenda sistemit, “Kam parë nga afër sfidat me të cilat përballen komunitetet e margjinalizuara, sidomos romët dhe egjiptianët, dhe ndjej një përgjegjësi personale që zëri i tyre të dëgjohet në vendimmarrje.
Nuk është hera e parë që përfshihem në politikë – kam qenë më herët kandidate për anëtare këshilli, por renditja në fund të listës tregoi se angazhimi im nuk ishte parë si vlerë reale, por si një mënyrë për të plotësuar një imazh përfshirjeje”.
Punësimi i të rinjve Rom dhe Egjiptian në administratë ishte një nga premtimet që Kryeministri Rama artikuloi në vitin 2015. Ardita tregoi për CRA.al se u punësua në bashkinë e Fierit, por nuk kishte asnjë mbështetje nga institucioni. “Mbaj mend 8 Prillin, Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ku edhe pse kërkova mbështetje, nuk pati asnjë reagim apo fonde. Aty kuptova që idealet dhe dëshira për të ndryshuar realisht diçka për komunitetin nuk mund të bëhen realitet pa vullnet të vërtetë politik. Isha më e re dhe ndoshta duhej të isha më e fortë. U largova nga bashkia e zhgënjyer, por me bindjen se rruga ime nuk mbaronte aty”
Ardita, prej vitesh e angazhuar si aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian, tregon: “Së fundmi, kam punuar në sektorin e burimeve njerëzore në një kompani amerikane, ku isha përgjegjëse për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Kam ndihmuar në punësimin e shumë të rinjve nga komunitetet rom dhe egjiptian, duke u dhënë mundësi reale për integrim dhe zhvillim”
Megjithatë, sipas saj: “Kur është bërë diçka, ka qenë më shumë për hir të ndonjë projekti të financuar nga jashtë, sesa nga dëshira për ndryshim afatgjatë.Unë dua të promovoj barazinë në arsim, punësim dhe përfaqësim. Po, partitë politike duhet të përfshijnë më shumë të rinj nga këto komunitete, por jo thjesht si numra ose për të plotësuar kuotat. Ata duhet të jenë pjesë reale e vendimmarrjes, që nga fillimi i listave, me mbështetje të vërtetë, sepse vetëm kështu mund të sjellin perspektiva të reja, energji dhe ide që mund të ndryshojnë politikën në vend”.
Në këto zgjedhje, Partia Demokratike ka në listën e aleatëve të saj Partinë për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë, ku kandidon Rivelino Çuno në listën e hapur për qarkun e Tiranës. Kjo parti garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2021 por nuk ka pasur vota të mjaftueshme për të nxjerrë deputet.
Në zgjedhjet e 11 Majit, Lëvizja Bashkë ka prezantuar një kandidat për deputet për qarkun e Durrësit, Martin Braho, nga komuniteti egjiptian në qytetin e Durrësit, ndërsa partitë e tjera përveç, PS dhe PSD nuk kanë propozuar ndonjë kandidat nga minoritetet Rome dhe Egjiptiane.
Problematikat, premtimet dhe politika
Me nisjen e fushatës zgjedhore të 11-Majit, partitë nisën të publikojmë dhe të bëjnë takime për programin e tyre elektoral. Ajo çfarë bie në sy është se vetëm Lëvizja Bashkë, ka premtime për dy minoritetet Rome dhe Egjiptiane në programin elektoral, ndërsa partitë e tjera nuk kanë asnjë ndonjë zotim ku të përfshihen komunitetet “Rom dhe Egjiptian”.
Në terren, partitë politikë kanë nisur takimet me banorët, por nuk ka pasur takime me familjet rome dhe egjiptiane, përveç kandidatit Ramion Kurti nga qarku i Fierit për Partinë Socialiste. Ai zhvilloi një takim në fshatin Drizë në Fier ku jetojnë rreth 400 familje rome dhe premtoi investime për këtë komunitet.
Romët dhe Egjiptianët përgjithësisht kanë probleme të ngjashme që nisin me infrastrukturën, shërbimet publike, punësimin, shëndetësinë dhe arsimin. Përgjatë 30 viteve, banorët tregojnë që politikanët vijnë vetëm kur ka zgjedhje, premtojmë por asgjë nuk realizohet.
Në fshatin Drizë të Fierit, prej vitesh kanë problematikë me infrastrukturën rrugore, kanalizimet, ujin e pijshëm, ndriçimin publik, ndotjen e mjedisit nga lumi Gjanica si dhe punësimin, problemi më madhor.
Edhe pse disa nga partitë kanë integruar në pjesën e tyre, kandidatë Rom dhe Egjiptian, duket shumë e vështirë që ata të arrijnë të jenë në Parlamentin e Shqipërisë sepse nuk janë vendosur në listën e sigurtë, por në listën e hapur duke i ulur shpresat që një ditë Minoriteti Rom dhe Egjiptian të ketë përfaqësues në parlament.
EN: The content of this material is not a responsibility of BIRN Albania, SCiDEV and/or Qendra Faktoje and does not necessarily represent the views of the European Union and the abovementioned partners.
AL: Përmbajtja e këtij materiali nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.