
Lagjia Ish-pjeshkore ku banojnë 150 familje rome, dallon lehtësisht se është e diskriminuar edhe kur vjen fjala tek investimet. Disa metra më larg, një tjetër lagje ku jeton ‘shumica’ ka rrugë të shtruara. Banorët e ish pjeshkores dëshmojnë se u mugojn kushtet dhe shërbimet jetike, por Bashkia e Beratit, edhe pse ka një plan lokal investimi, justifikohet se nuk ka fonde. A do të kujtohen politikanët gjatë fushatës që po afron për këto komunitete?
“Ne duan ndriçim këtu, për rrugët, na sëmuren fëmijët, nuk pastrohet, nuk duam lek, ne duam të vendoset ndriçim, edhe fëmija ikën pa frikë kur ka ndriçim, por këtu s’ka asgjë, meqë janë zgjedhjet të paktën na i bëni këto, edhe do votojmë për ju”, thotë Agroni, banor i lagjes Ish-Pjeshkore në Berat.
Romët e kësaj lagjeje prej prej vitesh mbijetojnë pa rrugë, ndriçim publik dhe shërbime të tjera jetike. Community Reporters Albania udhëtoi në qytetin e Beratit, ku vizitoi nga afër familjet Rome të kësaj zone. Kur e shikon për herë të parë këtë lagje, të krijohet përshtypja sikur kthehesh shekuj pas në kohë, pasi kushtet dhe gjendja në të cilën jetojnë banorët e saj janë thuajse mesjetare.
Rrugët e lagjes janë me baltë dhe pa ndriçim, banesat janë drejt shembjes.
“Unë bëj 20 vjet që jam këtu, që jam martuar, nuk kemi as ujë, as drita tamam, edhe rruga është tërë baltë. Natën nuk dalim dot se është errësirë nëpër rrugë.”
Rreth 150 familje Rome në këtë lagje sigurojnë të ardhura minimale duke mbledhur materiale të riciklueshme, me tregti dhe lypje.
“Kam 15 vjet që jetoj këtu, ja shikoje, me të vuajtur, shkoj bredh për një kothere bukë që hajnë fëmijët, shkoj lyp atje, kush bën sevap më jep 1 qind lek, 2 qind lek, ça do bëj me këtë, hë fol, as sobë asnjë gjë, nuk ka dhomë tjetër”
Infrastruktura rrugore, kanalizimet e ujrave të zeza dhe të bardha, dhe ndriçimi janë tre shërbime publike bazike që në këtë lagje të Beratit me komunitet rom, ose mungojnë tërësisht ose janë në gjendje të degraduar.
Njëri pas tjetrit të gjithë banorët e kësaj lagjeje që folën për CRA.al theksojnë se bashkia e Beratit nuk iu ka ardhur në ndihmë për asnjë lloj problemi apo nevoje që ata kanë.
“As ndihma nuk kemi nga bashkia, asnjë gjë prej gjëje, unë me bidona ushqej fëmijët. Kam dy fëmijet e djalit që po i rris vet se e kam djalin të vogël në moshë, vetë mbledh bidonat që i shes dhe blej ushqime, bebelina për fëmijët. Jemi fukarenj, se bashkia nuk na ndihmon, shtëpi nuk kemi, me një kasolle flejmë vet i gjashtë ku do vemi, ku do mbytemi. As rrugë nuk kanë bërë, as drita nuk ka, asgjë fare.”
Komuniteti rom i ish-pjeshkores në Berat apelon për ndihmë edhe për strehimin, pasi ambientet ku ata jetojnë vështirë se mund të kenë ndonjë element për t’u konsideruar banesë.
“Të na ndihmojnë, të na bëjë shtëpi, të na vejë drita, të na rregullojë rrugët, që janë copë-copë rrugët, të na vejnë ndriçim që të shikojmë natën, të çojmë fëmijët në spital. Nuk na ndihmon asnjëri. Një mbulesë dua, t’i bëj asaj kasolles atje, ta mbuloj ta bëj se ça bie jasht bie brenda.”
CRA kontaktoi zyrtarisht me Bashkinë Berat duke i dërguar një kërkesë për informacion se përse mungojnë investimet infrastrukturore në lagjen e romëve (Ish-Pjeshkore). Në përgjigjen e saj, bashkia pohon se është duke investuar dhe në proces ndërtimi të një argjinature mbrojtëse në lumin Osum për të shmangur përmbytjet që vërshojnë në periudhën e dimrit.
Ndërsa për rrjetin e kanalizimeve bashkia thotë se ka investuar organizata e kombeve të bashkuara në Shqipëri UNDP. Në lidhje me mungesën e infrastrukturës rrugore dhe ndriçimit publik, bashkia Berat u përgjigj se nuk as fonde dhe as projekte për ta realizuar së afërmi.
Kjo braktisje totale e kësaj lagje të Beratit dhe banorëve të saj anëtarë të komunitetit rom, pamundëson mirërritjen e fëmijëve, shkollimin dhe edukimin e tyre sipas standardeve. Romët e kësaj lagje nuk kërkojnë lëmoshë, por kërkojnë infrastrukturë dhe kushte minimale që ata të kenë mundësi të jetojnë si bashkëqytetarët e tyre në pjesët e tjera të qytetit.
“30-40 vjet ja rruga është e njëjta është turp për ne, ne kemi bërë gjithmonë intervista dhe si përfundim nuk ka ardhur këtu asnjër, plehrat këtu na mbytën, po na sëmurën kalamajt, unë kam 6 fëmijë, në këto kohë është turpi i dynjasë, të tëra janë me poç me të gjitha dhe ndriçim nuk ka, 100 herë ka vajtur një komshija jonë në bashki, as nuk e ka vën ujin në zjarr fare, i shikon plehrat këtu, rruga është e vështirë nuk kalon dot, ne kemi kalamajt venë në shkollë, venë ujë kthehen ujë në shtëpi, është turp, gjynah nga zoti, ne kërkojmë e para punës të shtrohet rruga, nuk duam ne as për të ngrënë as për të pirë.”
Pas publikimit ne fund të 2024-s, të artikullit për mungesën e investimeve në lagjen Stan, po në Berat, ku jeton po ashtu komunitet rom, Bashkia ka nisur të rikonstruktojë disa banesa duke rinovuar çatitë, dyert dhe tualetet, sipas planit lokal të veprimit për Romët dhe Egjiptianët.
Sipas këtij plani, Bashkia planifikonte të rikonstruktojë 20 banesa në lagjen “Ish- Pjeshkore”, me një fond prej 180.000.00 dhe të rregullonte rrugët brenda lagjes, por deri në mesin e muajit Mars 2025, situata nuk ka ndryshuar.
Diskriminim edhe me investimet
Ngjitur me lagjen ku banojnë Romët, në një distancë jo më tepër se 70 metra, është lagjja “5 Maji”. Përmes pamjeve të siguruara nga ‘Google Maps’, për vitin 2016 tregohet qartë që në ketë lagje ka investime si rrugë të shtruara, kanalizime dhe ndriçim publik, ndërsa tek lagjja ku janë vendosur familjet rome nuk ka asnjë investim, përveç disa banesa që janë rikonstruar.
Burimet e CRA treguan se bashkia do të investojë në një zonë tjetër me komunitet Rom, në zonën e Moravës, për të cilën CRA ka raportuar më parë.