Çfarë masash ka marrë KQZ për votën e romëve dhe egjiptianëve në 14 maj?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Në më pak se 2 muaj nga zgjedhjet lokale të 14 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po konkludon përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij procesi. Në mesin e shumë aspekteve të punës, një nga prioritet dhe detyrat kryesore për KQZ-në është edhe përfshirja dhe edukimi i minoriteteve etnike në procesin zgjedhor.

Duke iu përgjigjur interesimit të Community Reporters Albania, KQZ konfirmon se me qëllim informimin e romëve dhe egjiptianëve në fillim të këtij viti janë zhvilluar 11 takime ndërgjegjësuese, kryesisht në zonat ku ka më shumë anëtarëve të komuniteteve rome dhe egjiptiane.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë muajve janar dhe shkurt ka zhvilluar 11 takime informuese, edukuese dhe ndërgjegjësuese në zonat ku komuniteti rom është më i përqëndruar. Këto takimet me karakter trajnues janë zhvilluar deri më tani në Baltëz, Levan dhe Dritas të Fierit, në Novoselë dhe LLakatund të Vlorës, në Elbasan dhe Fushë Krujë. Gjatë ditëve në vijim, trajnimet me këtë komunitet do të vijojnë edhe në qarqet Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe Berat. Të gjitha këto trajnime nga ana e KQZ kanë pasur për qëllim edukimin e romëve për mënyrën si do të votohet në 14 maj 2023, dokumentet e vlefshme ditën e votimit, e të tjera”, shprehet Monika Sinani nga KQZ.

VETËDIJËSIMI PËR RËNDËSINË E VOTËS

Aksesi që kanë romët dhe egjiptianët te këto informacione që përcjell KQZ është një nga problematikat kryesore dhe sfidat që do duhen kapërcyer.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e përcjell informacionin për komunitetin rom dhe egjiptian përmes posterave, që vendosen në ambientet publike dhe në gjuhën e tyre. Gjithashtu edhe spotet që përgatiten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë të prodhuar në gjuhën e romë dhe transmetohen në televizione kombëtare dhe lokale. Kjo është një prej mënyrave të aksesit për informacion. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar një program të veçantë edukimi për pakicat kombëtare, përfshirë këtu edhe komunitetin rom dhe egjiptian. Sipas këtij programi përcaktohen hapat konkretë për përfshirjen e romëve dhe egjiptianëve në proceset parazgjedhore dhe zgjedhore. E gjithë kjo në përmbushje të detyrës institucionale të KQZ për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të lira dhe të pandikuar, ku edukimi dhe informimi i zgjedhësve është ndër komponentët kryesorë garantues për arritjen e standardeve të synuara”, thekson Sinani për CRA.

ZBATIMI I REKOMANDIMEVE TË OSBE/ODIHR

Përveç fushatave informuese para zgjedhjeve, edhe përfshirja e më shumë aktivistëve nga komunitet rom dhe egjiptian shikohet si një mundësi për të rritur pjesëmarrjen e këtyre komuniteteve në zgjedhje. Megjithatë një çështje shumë shqetësuese është mungesa e mjeteve të identifikimit dhe pajisja me to në këmbim të votës për subjekte të caktuara.

“Në zgjedhjet e fundit ka pasur në ekipet e vëzhguesve përfaqësues nga komuniteti rom dhe egjiptian.  Në të gjitha takimet me komunitetin rom dhe egjiptian, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka informuar për rëndësinë e dokumentit të identifikimit ditën e votimit dhe se cila është rruga për pajisjen me to. KQZ edhe përmes publikimeve në media, rrjete sociale e të tjera ka bërë thirrje për vlefshmërinë e dokumentit të identifikimit. Nuk ka statistika për pjesëmarrjen e romëve dhe egjiptianëve në zgjedhje. Ky komunitet gëzon të drejtën e zgjedhesit si çdo zgjedhes tjeter në Shqiperi dhe nuk voton i veçuar si zgjedhës rom”, deklaroi përfaqësuesja e KQZ, Monika Sinani.

Pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, OSBE/ODIHR la disa porosi të veçanta ndaj KQZ si pjesë e rekomandimeve postelektorale. Monika Sinani tregon për CRA se si po punohet për t’i përmbushur këto rekomandime që prekin romët dhe egjiptianët.

“KQZ, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR miratoi program të veçantë për këtë komunitet dhe nisi punën me trajnimet në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë edhe të rinjtë votues për herë të parë. Janë zhvilluar shumë trajnime në bashkëpunim edhe me organizatat jofitimprurëse IRCA dhe Voice Of Roma, që veprojnë në të gjithë Shqipërinë për të mbështetur komunitetin rom dhe egjiptian”, u shpreh Monika Sinani.

Më të lexuarat