Sfidat e romëve dhe egjiptianëve në Elbasan, problem strehimi dhe kartat e identitetit

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Në bashkinë Elbasan, rreth 84 fëmijë romë dhe egjiptianë të grupmoshës 3-5 vjeç kanë ndjekur kopshtet dhe sistemin parashkollor. Nga 91 shkolla që funksionojnë në total në këtë bashki, vetëm 5 frekuentohen nga një numër i konsiderueshëm fëmijësh të këtye pakicave. 36 raste të braktisjes së shkollës janë evidentuar në vitin 2018, nga të cilët 11 fëmijë rom.

Edhe pse sipas statistikave në nivel bashkie rezultojnë rreth 1098 romë dhe egjiptianë të punësuar, nga të cilët 314 janë gra, OSHC-të dhe përfaqësues të këtyre komuniteteve nuk i konfirmojnë këto shifra. Në bashkinë Elbasan, numri i të papunëve që marrin ndihmë ekonomike të cilët janë mbështetur financiarisht nga Bashkia për arsim dhe trajnim profesional ka qënë 140, ndërsa numri i hapësirave të caktuara tregtare të përdorura nga romët dhe egjiptianët është vetëm tre.

Nga programi i strehimit social duke u trajtuar me bonus qiraje kanë përfituar gjithsej 24 familje rome dhe egjiptiane, nga të cilat 7 familje rome dhe 17 familje egjiptiane. Problematikë e vështirë janë kushtet e banesave të familjeve që jetojnë në zonën e Rrapishtës ku jetojnë 400 familje rome. Rreth 289 familje rome i kanë banesat ende në proces legalizimi, ndërsa 23 familje rome jetojnë në banesa të pa legalizuara. Në Bashkinë Elbasan raportohet se 25% e romëve nuk kanë dokumenta të identitetit.

Drejtori i Organizatës “Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome”, Ervis Çota, shprehet se për Bashkinë Elbasan janë konstatuar se disa masa janë realizuar e disa të tjera jo.

“Nga ana e bashkisë janë zbatuar disa prej programeve të strehimit, përfshirë bonusin e qirasë, rikonstruksionin e banesave, kredinë e butë. Është bërë i mundur edhe zbatimi i programit të punëve komunitare, që lidhet me fushën e punësimit. Një masë tjetër e përmbushur ka të bëje me fushën e arsimit, siç është ofrimi i bursave për nxënësit romë dhe egjiptianë që ndjekin arsimin e mesëm profesional apo të mesëm të përgjithshëm, si dhe disa bursa për nxënësit që janë konsideruar braktisës.

Por vihet re se nuk janë realizuar masat e parashikuara të regjistrimit civil. Në fakt kjo është një fushë problematike në nivel kombëtar dhe ndërhyrja kërkohet të ndërmerret në nivel qendror. Ka shumë fëmijë të paregjistruar për shkak të mungesës së dokumentacionit përkatës. Në fushën e punësimit nuk është përmbushur masa , dhe po ashtu as për ndërtimin e banesave sociale dhe hapjen e një tregu publik që të shesin rroba të përdorura. Në fushën e arsimit nuk është bërë i mundur krijimi i infrastrukturës ligjore për regjistrimin dhe përjashtimin nga tarifat financiare për fëmijët që ndjekin arsimin parashkollor”

Çota vlerëson po ashtu se në fushën e mbrojtjes sociale mund të thuhet se janë përmbushur pjesa e masave që lidhen me angazhimin e strukturave përkatëse për evidentimin e familjeve në nevojë dhe informimin e tyre për shërbimet sociale që ofron bashkia.

Më të lexuarat