Nga Fjona Çela
Transporti publik në Tiranë prej kohësh është një problemet kryesore për ata që jetojnë në kryeqytet, por edhe për vizitorët. Mjete të transportit urban në gjendje që lë për të dëshiruar, ambientet e brendshme të autobusëve të ndotura, asnjë respektim i kritereve për kapacitetin transportues, vonesa e radhë të gjata në stacione etj. Këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat ndeshen çdo ditë përdoruesit e shërbimit urban në Tiranë, e këtyre problemeve iu shtohet mungesa e ngrohjes në dimër dhe e ftohjes gjatë verës.
Tej këtyre problematikave, shërbimi urban është edhe shkaktar i një tjetër problemi shumë të madh për Tiranën, trafikun. Stacione në vende të papërshtashme të cilat përveç problemeve që shkaktojnë në trafik, kthehen edhe në rrezik potencial për përdoruesit e rrugës, këmbësorët dhe njerëzit që përdorin transportin urban për të udhëtuar.
Në shumë stacione nuk ka asnjë shenjë informuese për qytetarët, përveç një tabele sinjalizuese që tregon se aty do të ndalojë një mjet transporti urban, por pa asnjë detaj se cilës linjë i përket, pa orare e frekuenca, e madje pa as edhe një ulëse apo tendë ku qytetarët të mund të qëndrojnë në pritje. Stacione të tilla vihen re në jo pak zona të kryeqytetit. Në shumicën dërrmuese të rasteve mjetet e transportit publik ndalojnë në mes të rrugës, duke krijuar probleme me trafikun. Për shkak të mungesës së stacioneve të dedikuara dhe kushteve që mungojnë për një stacion brenda normave, jo në pak raste urbanët i kanë ekspozuar pasagjerët ndaj rrezikut të aksidenteve autobilistike.
Rruga “Mine Peza”, “Rruga e Dibrës”, “Rruga e Kavajës”, “Rruga e Durrësit”, “Astiri” apo “Unaza e Re” etj., si dhe qendra e kryeqytetit, janë zona veçanërisht me probleme sa i përket ndalesave të mjeteve të transportit urban, ku përveç elementëve që duhet të përmbajë një stacion autobusi, nuk ka as korsi të dedikuara për kalimin e këtyre mjeteve, (edhe kur ka nuk respektohet nga mjetet e tjera), por ndalesat bëhen në rrugë, ku natyrshëm bllokohet qarkullimi normal i mjeteve të tjera. Situata në këto rrugë paraqitet kaotike veçanërisht në oraret e pikut, në mëngjes e pasdite, kur qytetarët drejtohen për në punë apo shkollë.
Ndalesa në mes të rrugës është e vetmja alternativë që kanë mjetet e transportit urban për të marrë e zbritur pasagjerë në “Rrugën e Dibrës”, një nga akset rrugore që përshkohet nga disa linja të transportit publik.
Ngjashëm situata paraqitet edhe në rrugën “Mine Peza”, në “Rrugën e Kavajës”, në “Unazën e Vogël” dhe në qendër, ku qarkullojnë linja të ndryshme të transportit publik.
Në “Unazën e Re” apo zonën e njohur si “Astiri”, edhe pse ndërtuar rishtazi dhe investimi ishte goxha i kushtueshëm, duket se stacionet e autobusëve kanë qenë jashtë planit të projektuesve të rrugës. Vetëm disa tabela sinjalizojnë për stacionin, por pranë tyre nuk ka asnjë të dhënë tjetër, por as edhe një ulëse ku njerëzit të mund të presin.
Burim potencial aksidenti, rreziku për këmbësorët por edhe bllokim trafiku, është edhe stacioni i urbanit pranë rrethrrotullimit të Saukut. Pak kohë më parë ndalesa e mjeteve të transportit publik ishte në mes të rrethrrotullimit, ku sinjalistika rrugore dhe vizat e bardha nuk ekzistonin, duke shtuar edhe më shumë rrezikun për këmbësorët dhe aksidente, ndërsa tani është zhvendosur pak metra më tutje, sapo kalon rrethrrotullimin. Por edhe aty, stacioni nuk është i mirëfilltë, me elementët që duhet ta përbëjnë atë, dhe ndalesa e autobusit në atë vend pengon qarkullimin normal të automjeteve të tjera, të cilat sapo dalin nga rrethi hasin përballë një mjet të transportit urban që ka ndaluar në stacion.
Absurditeti që bie në sy teksa sheh stacionet e transportit urban, është se në disa prej tyre, pikërisht në vendin ku është caktuar stacioni, rruga ngjitur me stacionin ku njerëzit duhet të kalojnë për të hipur apo zbritur nga urbani, është korsi biçikletash apo taksish. Kjo situatë paraqitet në rrugën “ Hoxha Tahsin” ku kalon linja e Porcelanit, stacionet përballë “Liceut Artistik”, përballë gjimnazit “Andon Zako Çajupi” dhe gjatë gjithë aksit pranë këtyre institucioneve, ku e gjithë rruga edhe pse ka stacione urbani, është e bllokuar nga mjete taksi apo përdoruesit e biçikletave, pasi korsitë janë të dedikuara për to. Madje në disa stacione, vihet re vetëm një tabelë ku mezi dallohet që është stacioni i autobusit, ndërsa rruga ku parashikohet të ndalojë autobusi në stacion, është kthyer në vend parkimi për automjetet.
Këto problematika konfirmohen edhe nga Kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban Veri, Dashnor Memaj.
“Stacionet e urbanëve duhet të jenë në zona më të përshtatshme. Në shumë raste kemi parë që janë pranë rrethrrotullimeve apo dhe kryqëzimeve, duke penguar kështu qarkullimin normal të automjeteve. Po ashtu, duhet të jenë më të dukshëm dhe më në brendësi të trotuarit, duke krijuar ‘xhepa’ të veçantë, të cilët në këtë formë nuk përbëjnë as rrezik dhe as pengim për qarkullimin normal të mjeteve të tjera apo edhe të këmbësorëve. Paralelisht me ta duhet korisa e dedikuar e cila rrit shpejtësinë e lëvizjes dhe e bën distancën më shpejt të përshkueshme nga njerëzit që përdorin transportin publik”.
Vetë qytetarët të pyetur nëse transporti publik do të ishtë më efikas në rast se nuk do të mungonte infrastruktura, shprehen se e ndjejnë mungesën, pasi nuk do të kishte as vonesa për shkak të trafikut.
“Këtu para është korsi biçikletash. Ku të shkojmë për të hipur në autobus. Të goditemi nga biçikletat? Se dhe ato kanë rrugën e vet këtu. Po stacioni nuk duhet të jetë në këtë gjendje”- shprehet një i moshuar që qëndron në pritje të autobusit.
“Duhet më shumë punë për stacionet e autobusëve. Korsi ku të kalojnë vetëm autobusët nuk ka, rrugët janë ngushtuar se janë shtuar korsi biçikletash she autobusat nuk kanë ku kalojë, dhe ne kemi frikë të hipim e të zbresim pa parë mirë rrugën”-thotë një zonjë që po pret në këmbë derisa të vijë mjeti i transportit urban.
Kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban Veri, Dashnor Memaj, vlerëson se duhet të ketë rritje të cilësisë së shërbimeve në këtë aspekt, në mënyrë që transporti publik të jetë më funksional dhe komod për qytetarët që e frekuentojnë atë.
“Stacionet urbane janë të domosdoshme dhe natyrshëm duhen të shkojnë edhe për njerëzit me aftësi të kufizura, duhet të përmbajnë edhe tabela informuese për oraret e autobusave, linjat dhe kohën e pritjes. Element tjetër i rëndësishëm është që stacionet duhet të jenë dhe me kamera, sepse në moment të caktuara mbingarkese në orare piku, ka raste vjedhjesh nga njerëz që shfrytëzojnë fluksin për të vjedhur sende me vlerë të udhëtarvëe. Duhen apliakcione dhe nga “maps”, ku njerëzit të mund të gjejnë vendndodhjen dhe desinacionin ku do shkojnë, si dhe të jepen alternativat dhe koha kur vjen autobusi. Këto do të lehtësonin shumë lëvizjen dhe ndihmon edhe njerëzit që nuk i njohin mirë zonat apo vendet. Por një rol të veçantë do të luante dhe në turizëm, pasi ata që vijnë si vizitorë do të kishin një qasje dhe shërbim më të mirë e të lehtë për të gjetur destinacionin që duan.”
Rastet e aksidenteve ku janë përfshirë mjete te trasnportit urban në kryeqytet nuk janë të pazakonta. Në maj të 2022 një shofer i njërës prej linjave të transportit publik është arrestuar pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur, duke bërë që lëvizjet e urbanit të ishin jo normale në një rrugë me trafik. Përgjatë kësaj periudhe kohore, brenda një jave kanë ndodhur një seri aksidentesh të autobusëve në kryeqytet. Mbrëmjen e 29 prillit 2022, autobusi i linjës së Unazës u përplas me një automjet, duke përfunduar në lumin Lanë, ku u lënduan 5 persona. Rast tjetër ishte më 2 maj, kur autobusi i linjës Qyteti Studenti u aksidentua në bulevardin Zogu i Parë, teksa u përplas me kabinën e stacionit të pasagjerëve pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Dy ditë pas kësaj ngjarjeje, më 4 maj, një autobus u përplas me karotrecin tek Stacioni i Trenit, por nuk pati dëme. Disa ditë më pas, sërish një autobus i Qytetit Studenti pësoi një incident, duke u përplasur me rrethrrotullimin pranë Fakultetit Ekonomik Tiranë.