
Nga Fjona Çela
Ata i shohim kudo, në qendër, nëpër rrugicat e lagjeve apo edhe në zonat më periferike të kryeqytetit. Në mëngjes, gjatë ditës në orët e vona të natës, punëtorët e pastrimit të qytetit janë heronjtë e heshtur të Tiranës. Puna e tyre kaq e dosmosdoshme për jetesën në Tiranë, shpesh herë është e nënçmuar, por në pak raste edhe pre e sulmeve raciste. Roli i punëtorëve të pastrimit për të mbajtur Tiranën një qytet të jetueshëm, siç duket nuk vlerësohet plotësisht nga kompania që i ka marrë në punë. “Eco Tirana” quhet kompania e cila që prej vitit 2016 ka në misionin e saj pastrimin e qytetit të Tiranës dhe punëdhënsja e të gjithë punëtorëve të pastrimit.
Pronësia e kësaj kompanie ndahet mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Veronës. 49% të këtyre aksioneve janë në pronësi të Holding AGSM Albania, ndërsa 51% e ka në pronësi bashkia e kryeqytetit.
Sipas të dhënave, në Tiranë ka rreth ka 600 punonjës pastrim-gjelbërimi dhe riparimi stolash e koshash. Ndërkaq, sektori i pastrimit të qytetit, duke pasur rrugën si vend të ushtrimit të punës, mbetet veprimtari me rrezik tejet të lartë për jetën e punëtorëve që ushtrojnë këtë aktivitet. Në jo pak raste, në këtë kompani janë regjistruar raste të aksidenteve në punë, por eprorët nuk kanë marrë përsipër përgjegjësitë, duke lënë punonjësit në mëshirë të fatit, e duke fshehur dhe mos publikuar këto episode.
BRAKTISJA NË RASTET E AKSIDENTEVE
Një rast të tillë e ka përjetuar një prej ish-punonjësve, Fatmir Zyberi, i cili për “Community Reporters Albania”, ka treguar sesi ndodhi ngjarja.

“Mua më ka ndodhur aksident në punë. Këputa gishtin. Shkak ishin kushtet teknike të makinës, doli kazani nga vendi dhe më kapi gishtin, nuk kisha doreza se nuk jam takuar me inspektorin dhe nuk na kanë dhënë. Për këtë rast kur u vu në dijeni inspektori tha: Ça të bëjmë ne, u dëmtua le të iki në spital. Nuk ka ardhur as në spital. Bëra ndërhyrje për të hequr një pjesë të kockës dhe gishti nuk mund të kthehej më. Ishte një ndërhyrje e vështirë. Nuk u interesuan as inspektori as përgjegjësi, që e kishin detyrë minimale të vinin në spital. Shpenzimet në spital i kam paguar të gjitha vetë. Ka pasur dhe raste që i është këputur këmba, i kanë dhënë vetëm 2 mln lekë dhe i nxorrën kemp, i ka përplasur makina etj. Për këto raste faji i mbetet punëtorit. Unë bëra kallëzim në Komisariat. Ata thanë që do ia kalojnë Prokurorisë, por ende nuk është zgjidhur asgjë. Pastaj ika nga puna se nuk ia vlente më.”
Ish-punëtorë të sektorit të pastrimit në këtë kompani, tregojnë problematikat më të shpeshta me të cilat janë hasur, si dhe shkeljen e të drejtave të tyre në vendin e punës, duke vënë theksin kryesisht në mosrespektimin e kontratës.
“Unë kam punuar në Eco Tirana për rreth 3 vite, me periudha të ndara. Kontratën e kam firmosur vetëm një herë në fillim dhe ka qenë me afat 3-mujor. Më mbrapa s’kam firmosur më edhe pse kam punuar më shumë se tre muaj, madje nuk më kanë dhënë asnjë kopje. Dhe njëherë kam firmosur për çështjet teknike dhe s’kam parë më gjë tjetër pastaj. Nuk ka kontratë të rregullt, një marrëveshje pune apo dhe një fotokopje, nuk ka rinovim kontrate edhe pse kalon afati”- kështu ka treguar Fatmir Zyberi, ish-punonjës në Eco Tirana.
Edhe 57-vjeçari M.K, ish-punonjës në këtë kompani, thotë se kontrata nuk është rinovuar, edhe pas tejkalimit të afatit për të cilin ishte nënshkruar.
“Në fillim kam firmosur një kontratë, ditën që morëm uniformën e punës. Kam firmosur dhe njëherë për sigurimin teknik pas një viti pune. Pastaj nuk kam firmosur më, s’ka pasur rinovim kontrate”.
“Unë këtë punë e kam blerë me lekë. Kam paguar 600 mijë lekë të vjetër për tre vetë, për veten, për nusen e çunit dhe për vajzën time. Pra një muaj kemi punuar për ata. 300 mijë lekë të vjetër e kishim rrogën. Kam punuar aty 1 vit e dy muaj. Pastroja 20 mijë metra rrugë në ditë ndërsa normën e kisha 6 mijë metra për këtë nivel rroge. Edhe pse e tejkaloja normën prapë më paguanin më pak.”
SHKELJET E KONTRATAVE DHE PAGESAT E ULTA
Problematikë tjetër është edhe fakti se punonjësit e pastrimit paguhen nën minimumin e miratuar me ligj, pavarësisht kushteve të vështira të punës. Kjo shton barrën financiare të tyre, aq më tepër në këtë periudhë krize.
“Kur punoja turn i parë merrja rreth 250-260 mijë lekë të vjetër në muaj. Pa e plotësuar pagën minimale që ishte 300 mijë. Edhe kur u bë 340 mijë minimalja, nuk i merrnim kurrë aq, por 300-310 mijë. Ka edhe punëtorë që kanë paguar të futen, që marrin dhe rrogë pa punuar. Brenda firmës ka korrupsion.”-thotë Fatmiri.
Paragjykimet dhe diskriminimet duket se janë të pashmangshme, qofshin ato racore e gjinore, por edhe në aspektin e trajtimit në mënyrë të pabarabartë.
“Paragjykime dhe diskriminime nga më të ndryshmet. Fyerje të tipit ‘gabel, jevgj’ deri në fjalë banale. Edhe inspektori vetë përdorte fjalë banale. Ka pasur edhe ngacmime seksuale ndaj grave që punonin aty deri në kërkim të akteve seksuale. Sa i përket kushteve, të japin një fshesë për punë, uniformën dhe kaq. Duhet t’i mirëmbash, se në të kundërt po të kërkosh një bluze kismet po ta dhanë. Gjatë Covidit ata e rregulluan gjasme na nxorrën që jemi të vaksinuar, a ishim vaksinuar apo nuk ishim vaksinuar s’na kishin kontrolluar fare”- tregon Fatmiri.
Edhe pse fatmirësisht nuk ka pasur raste aksidenti në punë, M. tregon se ka rënë pre e diskriminimit.
“Unë personalisht nuk kam pasur raste të aksidenteve në punë, por ka pasur raste plot nga kolegët e mi që kanë pësuar lëndime. Sa i përket diskriminimit ka pasur pafund. Ofendime me fjalë banale, shkelje e të drejtave të punëtorit etj. Me normat e punës ata nuk kanë qenë në rregull. Unë ndihesha shumë i pabarabartë krahasuar me punëtorët e tjerë. Unë kur merrja rrogën ankohesha sepse një punëtor që bënte të njëjtën punë si unë, në të njëjtin pozicion, paguhej më shumë se unë. Aq të takon më thonin ata. Unë edhe normën e tejkaloja në fakt.”-thotë ai.
SHKELJE TË PËRSËRITURA, KUSHTE PUNE TË NJËJTA
Pjesa më e madhe e punëtorëve të pastrimit i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. Me 20 prej tyre, Community Reporters Albania ka realizuar një pyetësor, për të përcjellë më konkretisht kushtet e punës dhe problematikat në këtë sektor. Gjysma e tyre, pra 10 persona punojnë në zonën e Kombinatit, ndërsa pjesa tjetër në zona të ndryshme të vendit si Selitë, Qendër, Myslym Shyri, Kinostudio, Shkozë, 5 Maji dhe Stacioni Trenit. Sa i përket pagës, 75% e tyre apo 15 persona pohojnë se marrin të plotë pagën minimale prej 3400 lekësh, ndërsa 5 të tjerë janë përgjigjur se nuk e marrin të plotë as pagën minimale.
Shqetësuese paraqiten rezultatet sa i përket kontartës së punës, ku pjesa dërrmuese e tyre 70% apo 14 persona, pohojnë se nuk kanë firmosur kontratë, dhe vetëm 30% apo 6 persona prej tyre e kanë firmosur. Ndërsa kopja e kontratës duket si mision i pamundur për t’ua ofruar punonjësve. Vetëm 1 prej tyre ka kopje kontrate, ndërsa 19 persona të tjerë janë përgjigjur se nuk kanë asnjë kopje të kontratës së punës.
Sa i përket pushimeve vjetore në verë dhe në dimër, 80 % e punëtorëve që kanë plotësuar këtë pyetësor thonë se u paguhen, ndërsa 20% e tyre thonë se këto pushime nuk u paguhen.
Sikurse treguan edhe ish-punonjësit, mjetet e punës që ofrohen janë fshesa dhe një uniformë, ndërsa dorashkat jo gjithmonë mundësohen. Nga 20 të anketuar, vetëm gjysma e tyre thonë se kanë marrë dorashka kur i kanë kërkuar.
Një pyetje e shtruar për punonjësit e pastrimit, lidhet edhe me fshesat që përdorin, të cilat janë edhe mjeti më i rëndësishëm i punës së tyre. fshes me bisht alumini. Përgjigjet më të shpeshta të tyre janë se përdorin fshesë plastike me bisht alumini, ato që u jepen nga kompania.
Sa i përket uniformës, punonjësit e pastrimit marrin vetëm një të tillë në vit, pavarësisht se mund të dëmtohen apo mos të jenë më të përdorshme. Ka edhe nga ata punëtorë që kanë marrë një uniformë në një vit e gjysmë apo dy vite. Të tjerë thonë se në pesë vite punë kanë marrë tre herë uniformë, në tre apo katër vite kanë marrë vetëm njëherë, ndërsa një prej punonjësve shkruan se ka marrë uniformë dy herë në vit. Amortizimi i mjeteve të punës apo dhe uniformave duket se është një problem i tyre, por i mbetur ende pa zgjidhje.
Një pyetje shtrohet edhe për rastet e aksidenteve në punë, ku përmes përgjigjeve vihet re se ka një përputhje edhe me deklaratat e ish-punonjësve të cituara më sipër. Sipas punonjësve aktualë që janë bërë pjesë e anketës, vihet re se përgjigjet më të shpeshta janë që në rast aksidenti në punë faji i mbetet punëtorit. Sa i përket raportit, punëtorët pohojnë se paguhen vetëm raportet shëndetësore/mjekësore, ndërsa rastet e aksidentëve duket se janë individuale, pasi në disa prej përgjigjeve thuhet se është paguar dëmshpërblim, ndërsa të tjerë thonë se nuk u paguhet pasi faji mbetet tek punëtori.
Referuar deklaratave të vetë ish-punonjësve dhe punonjësve aktualë, duket se tashmë shkelja e të drejtave të punëtorëve të pastrimit nga kompanitë është kthyer në fenomen të përsëritur, ndaj nevojitet që në këtë sektor të ketë monitorime të shpeshta dhe të merren masa ndëshkuese ndaj abuzuesve.