Anulohet hidrocentrali që rrezikonte të linte pa ujë fshatrat thirrë, hebë dhe sang, banorët e mirditës fitojnë gjyqin

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Vendimi për ndërtimin e hidrocentralit në fshatin Thirrë të Mirditës është konsideruar i pavlefshëm nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.

Në këtë fshat ka tre burime uji, përmes së cilave furnizohen me ujë banorët e tre fshatrave, përkatësisht Thirrë, Hebë dhe Sang, pjesë e Njësisë Administrative Fan, Bashkia Mirditë. Për banorët e këtyre zonave uji është i shenjtë, dhe faktori kryesor për të siguruar mbijetesën. Kjo pasi uji përdoret nga banorët për të pirë e gatuar, por edhe për vaditjen e tokave bujqësore, mirëmbajtjen e bagëtive etj. Uji që vjen nga këto burime është i mjaftueshëm për jetesën e komunitetit dhe gjallërimin e zonës, por për ndërtimin e hidrocentraleve nuk është kurrsesi. Kjo pasi krahas dëmeve të koniderueshme mjedisore që do të shkaktonte në zonë, ndërtimi i hidrocentralit do të çonte në shpopullim të pashmangshëm të tre fshatrave.

Çështja u ndoq në rrugë ligjore nga avokati Adriatik Lapaj dhe avokatja Dorina Ndreka, të cilët përfaqësuan në gjykatë banorët. Në rrjetet e tij sociale, Avokati Lapaj ndau lajmin e mirë të fitores, teksa shkruan se institucionet po mbronin këtë paligjshmëri duke kërkuar të çonin deri në shpopullim 3 fshatrat, por gjykata dha vendimin e drejtë.

“Institucionet e vendit në shkelje të plotë të kuadrit ligjor kishin miratuar marrjen e ujit të 3 burimeve dhe ndërtimin e 2 hidrocentraleve dhe 1 fabrike uji. Më ka bërë shumë përshtypje se si gjithë institucionet e thirrura në gjykim mbronin tej çdo logjike paligjshmërinë që po bëhej në kurriz të banorëve të një zone kaq fisnike të vendit tonë! Praktikisht po mbronin shpopullimin e fshatrave. Gjithsesi ne sot ia dolëm! Sot u bë drejtësi. Sot gjyqtari Gentian Hamiti vendosi një standard të lartë të dhënies së drejtësisë për ata që kanë të drejtë pavarësisht se janë më të pamundur”- shkruan Lapaj.

Në këtë mënyrë, Gjykata ka vendosur të pavlefshme Vlerësimet e Ndikimit në Mjedis, të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, “Për zhvillimin e projektit Hec Thirrë” dhe fabrikën e ujit nga Agjensia Kombëtare e Mjedisit, akte mbi të cilat janë dhënë lejet e shfrytëzimit të ujërave dhe lejet e ndërtimit të hidrocentraleve dhe fabrikës së ujit.

Por çështja duket se nuk do të lihet me kaq, pasi në vijinm banorët dhe avokatët, do i drejtohen Gjykatës së Apelit “për sigurimin e padisë për të ndaluar çdo punim deri në përfundim të gjykimit të çështjes në apel”.

Kompania “Sang 1” SH.P.K që synon ndërtimin e HEC në Thirrë të Mirditës, mori licencën me një vendim të 26 qershorit 2019, për aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike për një afat 5-vjeçar. Ky vendim nuk u mirëprit aspak nga banorët e zonës, të cilët filluan protestat që në prill të 2021-shit për të kundërshtuar ndërtimin e dy HEC-eve dhe një fabrike uji, ndërsa thonin se kompania kishte siguruar firma të falsifikuara nga banorët dhe se u ishte thënë që hidrocentrali do të ndërtohej poshtë zonës së tyre duke mos i dëmtuar veprimtarinë bujqësore. Paralaelisht me protesatt banorët ndoqën edhe rrugët ligjore për të denoncuar këto ndërtime.

Më të lexuarat