Plani i bashkisë për banesat e romëve në Yzberisht, a po përgatitet një dëbim i ri?

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Nga Fjona Cela dhe Brejdon Xhavara 

Tek shtëpia e vjetër ishim shumë kalamaj, kishim vetëm 1 dhomë. Krijuam familje, u martuam dhe dolëm këtu tek kjo zonë si të gjithë, po bëjmë që prej nisjes së demokracësë që jetojmë këtu. Po tani ra rruga këtu, do na prishin shtëpitë. Po ku do shkoj unë me 7 veta? Ku të shkoj, të vras veten?- kështu nis rrëfimi i trishtë dhe i ndjerë i Maliq Avdillari, lindur dhe rritur në zonën e Yzberishtit.

Banesa e tij ka vetëm dy dhoma të ndërtuara me mjete rrethanore, ku strehohen 7 pjesëtarët e familjes. Çdo mbrëmje, familja e Maliqit së bashku me 14 familje të tjera të komunitetit rom/egjiptian në zonën e Yzberishtit në Tiranë, bien për të fjetur me merakun dhe frikën që mbajnë mbi supe, se ndoshta punonjës të IKMT dhe policisë mund të ndërhyjnë befasisht e t’u shembin atë strehë që e kanë ngritur me mund.

Maliq Avdillari-Banor i Yzberishtit

 “Po thonë që gjithë do prishen, do hidhen në tokë. Ja mua për shembull nuk më kap, tre shtëpia këtu rresht që jemi nuk na kap projekti, por thonë se do prishen të gjithë. Për çfarë arsye të prishet shtëpia ime kur nuk më kap rruga? Unë jam 3 metra larg rrugës, pse të ma prishin mua shtëpinë? Se mos kemi ndonjë vilë, ne barake kemi. Këtë baraken vetë e kam ndërtuar, kemi nja 25-30 vjet në këtë vend. Kemi dy dhoma dhe jemi 7 veta.”-rrëfen Maliq Avdillari.

Të njëjtin fat do të ketë edhe banesa e të moshuarës Marika Prençe, e ardhur nga Fieri dhe e vendosur në këtë zonë që në vitet ’90. Ajo është e vetëdijshme që banesa u ndërtua pa leje, por paçka se ka bërë përpjekje të vazhueshme për legalizimin, nuk i është pranuar.

Marika Prençe-Banore Yzberisht

 

Në 2005-2006 doli urdhri që të gjithë ne si lagje t’i hidhnim për legalizim dhe në 2006 i kam hedhur për legalizim në minibashkinë nr.6. Që atëherë kam bërë një kërkesë. Nuk më kujtohet mirë data dhe viti, tani shpejt bëhet fjalë jo shumë vite më parë. Bëra një kërkesë në bashki dhe ma kthyen përgjigjen. Vajta tek zyra dhe më thanë që atje do bjerë rruga dhe prandaj nuk është legalizuar. Jemi pa letra, tani fati jonë që do bjerë rruga. Kanë ardhur inxhinierët e kanë matur dhe më thanë që ne do të marrim 2 m e gjysmë nga shtëpia. Dakord, unë nuk jam në kundërshtim, ligjet e shtetit janë ligje, edhe të gjithë shtëpinë të ma marrin. Vetëm mos të më lenë mes 4 rrugëve, se unë jam vetëm.”-rrëfen Marika.  

Me trishtimin që e ka të pamundur ta fshehë, Maliqi nxjerr në pah edhe një problematikë që këtë komunitet e ka shqetësuar gjithmonë, diskriminimin.

Këtu janë rreth 15 familje që preken. Kemi kërkuar zgjidhje po kush na jep strehim neve. Kush e ndihmon rracën tonë. Asnjeri nuk na ndihmon. Ne edhe kur shkojmë kërkojmë punë, ku është puna më e vështirë na çojnë. Ku do hanë këta njerëz, si do jetojnë as vetë nuk e di. Të paktën këtu në këtë baraken mirë apo keq vij në darkë e kalamajtë e mi i mbledh këtu, se vetë rri gjithë ditën duke mbledhur kanaçe e bidona. Më vështirë se kaq s’ka, vetëm për të var veten na ka mbetur, se vështirë sa të duash.”-shprehet ai.  

Maliqi dhe Marika, ashtu sikurse të gjitha familjet që preken nga projekti i rrugës në Yzberisht, kanë të njëjtën kërkesë për bashkinë. T’u sigurojë një strehë ku të fusin kokën. Ata nuk kundërshtojnë zhvillimin e zonës, por duan vetëm të kenë një strehë për familjet e tyre.

“Unë kërkoj të më ndihmojnë, mos të më lënë pa strehë. Nëse ata do ma prishin me fadromë, se kam këtë postrehë me llamarina dhe kam dy dhoma të ngjitura, nëse ata do vënë fadroma dhe të prishet llamarina, detyrimisht që do pësojë defekt shtëpia. Unë dua të më shikojnë dhe të vënë dorë tek unë si plakë që jam, e vetme jam dhe s’kam asnjë që të më ndihmojnë.”- thotë Marika.

Edhe Maliqi ka të njëjtën kërkesë, përndryshe thotë se do të jetë i detyruar të vendosë çadër para bashkisë, pasi nuk ka ku të strehohet tjetër.

Kërkesa ime për bashkinë është të na ndihmojë edhe ne. Inxhinieri që ka ardhur na ka sjellë vetëm një letër që është nga këto të shembjes, nga IKMT. Po si prishet shtëpia vetëm me një letër?As na kanë lënë kohë për t’u zhvendosur, vetëm erdhën sollën atë letrën. Rruga poshtë ka filluar, se çfarë do bëhet as vetë nuk e di. Asnjë përfaqësues nuk ka ardhur nga bashkia. Veç të dalim atje të shkojmë të bëjmë çadrën në mes të bashkisë.”

Duke mos pasur informacionin e mjaftueshëm, ky investim ka shkaktuar shqetësim dhe frikë mbi të ardhmen tek familjet rome në Yzberisht. Ata janë të ndërgjegjshëm që banesat janë pa leje, por pohojnë se nuk kanë ngurruar të interesohen për legalizimet e tyre, por përgjigja nga institucionet ka qenë mohuese.

Çfarë pritet të ndodhë me këtë investim publik?

Prej disa vitesh flitet që familjet që jetojnë në barake në zonën e Yzberishtit do të lëvizin nga aty, si pasojë e një investimi publik. Projekti është miratuar për rehabilitimin e 4 rrugëve që janë në atë zonë, një ndër to është rruga “Jorgo Panajoti” ku banojnë anëtarët e minoritetit, që kryesisht janë të vendosur në barake. Rastet e banorëve janë ndjekur prej kohësh nga Qendra për Advokim Social.

“Që në vitin 2019, ne si Qendra e Advokimit Social kemi kërkuar informacion me shkresa zyrtare drejtuar bashkisë, në mënyrë që të na informonte nëse ky projekt ishte i miratuar apo jo dhe cilat familje prekeshin. Gjatë shkresave që kemi këmbyer me institucionin, na është thënë që është një projekt që është miratuar dhe prek e përkon në këto zona, me një vlerë specifike. Në atë kohë filloi faza e parë e projektit që ka qenë më larg zonës ku banojnë anëtarët e minoritetit. Gjatë periudhës së votimeve, në fushatën e fundit elektorale u hap kantieri në zonë dhe ka filluar faza e dytë e zbatimit të këtij projekti që është kryesisht për shtrimin e rrugivace dhe shtrirjen e kanalizimeve të ujërave të zeza. Qëkur nisi të zbatohej faza e dytë filluan edhe shqetësimet. Faza e dytë tashmë po zhvendoset tek rruga “Jorgo Panajoti” ku edhe banojnë këto familje. Për t’u shqetësuar është fakti që komunikimi që kanë pasur me banorët, shkresor dhe zyrtar ka qenë ai nga IMT, ku u është thënë që banesa juaj e cila është e jashtëligjshme për shkak se nuk ka dokumentacion përkatës, preket nga ky investim publik dhe ju lutem na vini në dispozicion dokumenta në rast se ju dispononi, për shtëpitë ku ju banoni. Vetëm ky ka qenë komunikimi. Nga ana tjetër ne kemi dërguar disa shkresa paralele si nga Qendra për Advokim Social, por edhe nga komuniteti që është organizuar dhe ka bërë një shkresë të përbashkët për bashkinë Tiranë. Përmes tyre i vënë në dijeni të këtij fakti dhe i thonë që në rast se ata duhet të zhvendosen nga aty, të merret një zgjidhje, të hartohet një plan zhvendosje për alternativat e strehimit që bashkia do të ofrojë për këto familje.”– tregon për CRA Romina Sefa, aktiviste e QAS.

Prej vitesh legalizimi është kthyer në sfidë për familjet rome në zonën e Yzberishtit. Për shkak se sipas ligjit tipologjia e këtyre banesave nuk i lejon të klasifikohen sit ë tilla, ata nuk kanë arritur t’i legalizojnë. Romina Sefa sqaron se në këtë zonë janë rreth 15 familje që jetojnë në barake, ndërsa ka edhe banesa që janë me tulla por soleta apo pajisje të tjera nuk janë të mirëfillta dhe për këtë arsye, nuk klasifikohen si banesë sepse nuk i njeh ligji i legalizimeve. Teksa kërkesa e vetme e banorëve është të gjendet një vend strehimi për ta, nga Shërbimi Social apo Drejtoria e Strehimit Social në varësi të Bashkisë Tiranë, askush nuk është paraqitur pranë banorëve.

“Të gjithë në një farë mënyre janë të rrezikuar dhe shumë shpejt mund të preken dhe baraket e tyre të shemben. Por akoma në terren nuk kanë shkuar specialistë apo punonjës të bashkisë nga Shërbimi Social, nga Drejtoria e Strehimit Social për të takuar familjet që preken dhe për t’i ofruar një alternativë për strehimin e tyre. Është tashmë është e ditur që ato janë familje me të ardhura të ulëta të cilat i sigurojnë me mbledhjen e materialeve të riciklueshme, me rroba të përdorura apo mbledhja e hekurishteve. Ç’ka duhet theksuar është edhe fakti se ato kanë rreth 20-25 vite që janë vendosur në atë zonë ku aktualisht jetojnë dhe gjatë këtyre viteve nuk u është ofruar asnjë alternativë apo nuk u është propozuar që të lëvizin nga aty dhe të shkojnë diku tjetër për të pasur një jetesë më të mirë. Kjo edhe për shkak se legjislacioni për strehimin ndër vite ka qenë shumë i komplikuar, ka pasur kritere të forta dhe ka qenë shumë e vështirë që për shkak të kritereve dhe procedurave këto familje të mund të përfitonin dhe të lëviznin nga aty. Tashmë këto vite flasim për një legjislacion të strehimit i cili është më i përmirësuar, ka një qasje më pozitive dhe më proaktive për të bashkëpunuar dhe për të ndihmuar familjet. Por ajo që mungon është zbatueshmëria dhe vënia në praktikë nga ana e institucioneve…”-thotë Sefa.

Edhe Fatmir Zyberi, një tjetër aktivist pranë qendrës “Advokim Social”, thotë për CRA se janë interesuar pranë Bashkisë Tiranë për këtë rast dhe janë ende në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion. Ai ndalet edhe tek kërkesat që kanë banorët.

Fatmir Zyberi, aktivist “Qendra për Advokim Social”

“Prej disa kohësh banorëve të komunitetit rom në Yzberisht u kanë ardhur letra pranë banesave, ku këtu pritet të ketë investim publik ku do shtrihet rruga dhe rrjedhimisht nga ky investim preken banesat e tyre. Ne kemi zhvilluar takime me përfaqësues të bashkisë, kemi bërë kërkesa dhe shkresa dhe presim tani nga momenti në moment që të reagojnë për situatën, për zgjidhjen e problematikës që mund të kenë këto familje. Përfaqësues të njësive administrative ose të bashkisë së Tiranës nuk kanë ardhur deri tani dhe njerëzit janë shumë të paqartë dhe nuk e dijnë ku do të shkojnë, ku do të shtrehohen me familjet e tyre pas prishjes së barakeve apo banesave të tyre.”-shprehet Zyberi.

 Mungesa e strehimit, shkelje e të drejtave të njeriut

“E drejta për strehim duhet t’u garantohet të gjithë personave pavarësisht të ardhurave të tyre”-citohet sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ekonomike Sociale dhe Kulturore. Por realiteti për banorët e komunitetit rom/egjiptian në Shqipëri, është shumë larg këtyre rregullave. Rruga që do të kalojë nuk është e vetmja sfidë me të cilën këta banorë janë përballur ndër vite. Një aksion krejt i papritur u krye në dimrin e 2020 ndaj këtyre familjeve nga OSHEE për shkëputjen e energjisë elektrike, duke qenë se kategoria e shtëpive të tyre ndërtuar me materiale të tilla si plastmas apo llamarinë, nuk njihet nga legjislacioni shqiptar. Në këtë mënyrë, krahas legalizimeve, ata u përjashtuan edhe nga e drejta për të lidhur kontrata të energjisë elektrike dhe ujit. Në fakt ende nuk dihet se pse baraket nuk arrijnë të gëzojnë statusin si banesë, përsa kohë një numër i madh familjesh në vendin tonë strehohen aty, por institucionet shqiptare nuk i mundësojnë të njihen si banesa.

Më të lexuarat