Ndryshimi i qeverisë, çfarë sjellin fytyrat e reja në kabinet?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Ndryshimet në kabinetin e qeverisë që priteshin dhe përfliteshin prej disa muajsh, kryeministri Rama i vulosi në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste më 4 shtator. Plot 10 dikastere u prekën nga ndryshimet që kryeministri prezantoi, duke nisur nga ministrat e rinj që hyjnë për herë të parë në kabinet, tek ata që ndryshojnë portofol, te ministri që shkrihen apo edhe të tjera që iu hiqen kompetenca për t’iu kaluar një ministrie tjetër.

ÇFARË PËRFAQËSOJNË MINISTRAT E RINJ?

Pa asnjë diskutim emri më i përfolur që hyn në kabinetin Rama 3 është ai i Arbjan Maznikut. Kjo jo më shumë për rëndësinë që ka ministria e tij (Ministër Shteti për Pushtetin Vendor), por atë që përfaqëson Mazniku në opinionin publik. Në 10 vitet e pushtetit të socialistëve, Mazniku ka qenë një nga figurat më të spikatura, por i parë fare afër Erion Veliajt, fillimisht si zv.ministër i tij, dhe më pas si numri 2 i bashkisë Tiranë. Mazniku është një nga figurat më të sulmuara nga opozita në këto 10 vite, por edhe një nga njerzit më të shquar në radhët e socialitëve për ekspertizën e tij në menaxhim, apo edhe për rolin që ka gjatë fushatave elektorale.

Pas Maznikut emri më i përfolur ishte ai i ish-ministres së Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj. Kjo e fundit e përfolur si e larguar nga kabineti qeveritar, në fakt do të vijojë të jetë pjesë e qeverisë, por me një post më pak të rëndësishëm, si Ministër Shteti për Sipërmarrjen, duke marrë vendin e Edona Bilalit. Në krye të financave të Shqipërisë do të jetë një personazh që më shumë është portretizuar si ekspert dhe jo një politikan i mirfilltë, si Ervin Mete.

Të njëjtin profil eksperti të administratës publike kishte pasur deri para datës 4 shtator edhe Albana Koçiu që tashmë do të drejtojë një nga ministritë më të rëndësishme të vendit, siç është Shëndetësia. Koçiu vjen nga një eksperiencë shumë e gjatë e drejtimit të Departamentit të Adminitratës Publike.

Figurë krejtësisht në nivel eksperti është edhe Igli Hasani. Diplomati i karrierës do të marrë drejtimin e ministrisë së Jashtme, duke pasuar aty Olta Xhaçkën. Ndërkohë dy lëvizjet e tjera në kabinet janë figura të pastra politike.

Ogerta Manastirliu është ndër të rrallat figura të shquara të PS-së që pasi lë një dikaster të rëndësishëm, (si Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale), merr po një tjetër ministri të rëndësishme siç është Arsimi, nga ku u largua Evis Kushi. Po ashtu edhe ministrja e re e Bujqësisë paraqitet si një figurë e spikatur e Partisë Socialiste në vitet e fundit. Anila Denaj rikthehet në kabinetin Rama si minister e Bujqësisë për t’i zënë vendin Frida Krifcës, pasi më herët kishte qenë ministre e Ekonomisë dhe Financave.

REAGIMI NGA OPOZITA

Pas prezantimit që kryeministri Rama bëri në Asamblenë e PS-së, vërshuan njëri pas tjetrit përfaësuesit e shumtë të opozitës së copëzuar me reagime. E përbashkëta e këtyre reagimeve, nga Berisha, te Meta, Basha, apo edhe Bardhi, ishte se i cilësonin ndryshimet në kabinetin qeveriat si makiazh që kryeministri Rama i bën qeverisë së tij të goditur dhe dobësuar nga një sërë skandalesh korruptive dhe hetimesh të përfolura nga SPAK.

“Makijazhet që i bëhen qeverisë së Edi Ramës, si ky i fundit që do të përfundojë këtë javë vetëm për të treguar se fytyra e kësaj qeverie nuk shpëton dot nga asnjë makijazh dhe për t’u bërë gati për operacionin tjetër plastik nuk e fsheh dot të vërtetën që sot shqiptarët kanë një qeverisje të korruptuar e që shpërdoron taksat e tyre”, deklaroi Basha për ndryshimet.

Me tonë pak më të ashpra i përshkroi ndryshimet, Sali Berisha. “E dyta, zëvendësimet. U tha shqiptarëve se, jeni të pashpresë nëse nuk merrni në dorë fatin tuaj. Kë solli në qeveri, më thoni pak. Solli përfaqësuesin zyrtar të Ndraghetës në Tiranë, Maznikun. Njeriun që me ‘Eco Tiranën’ ka patur ortak Miljorancin e Veronës, bosin e Ndraghetës sipas autoriteteve italiane.”

Ndërsa opozitari tjetër, Ilir Meta ishte më tepër ironik në komentin e tij për këto lëvizje në kabinetin qeveritar. “Një qeverisje e kalbur në themelet e saj, e bazuar në shtypje, arrogancë, në përjashtim dhe në një korrupsion skizofrenik. Hiq Lenën vendos Prenën! Gjithnjë e më rëndë do shkoj një qeverisje e kalbur në themelet e saj, e bazuar në shtypje, arrogancë, në përjashtim dhe në një korrupsion skizofrenik”, tha kryetari i Partisë së Lirisë.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar opozitar më të madh në Kuvend, Gazment Bardhi vuri theksin te tentativa që sipas tij bën kryeministri Rama për të fshehur korrupsionin qeveritar me ndryshimet e ministrave. “Korrupsioni, i cili qendron në themelet e kësaj qeverie, do të vazhdojë të gërryejë mirëqenien në çdo familje shqiptare. Nuk ka pikën e rëndësisë se cilin ministër ndryshon Edi Rama. Është thjesht një makiazh për fytyrën e kalbur nga korrupsioni të kryeministrit.”

PËRGATITJE PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHËSHME?

Bashkë me ndryshimet në kabinetin qeveritar, Tirana në korridoret politike “zien” edhe nga një tjetër thashethemnajë, zgjedhje të parakohëshme. Tek tu ndonjë përfaqësues i “opozitave” e ka deklaruar nëpër studio mundësinë e zgjedhjeve të parakohëshme, madje të nënkuptuar një gjë të tillë e ka thënë edhe Lulzim Basha, kur deklaroi në Kuvendin e PD më 2 shtator që Partia Demokratike do të nisë përgatitjen për nxjerrjen e emrave për deputet brenda 31 marsit… që kjo forcë politike të jetë gati pë zgjedhjet kurdoherë ato të mbahen.

Deri më tani kjo tezë mbetet vetëm në kuadrin e spekulimeve mediatike, pasi asnjë sinjal nga Rama nuk është dhënë se mund të shkohet drejt një procesi të parakohëshëm zgjedhor, që mandatin e tretë ta lër në mes dhe t’u drejtohet qytetarëve sërish për t’u votëbesuar për një mandat të katërt. Gjatë vjeshtës janë disa zhvillime të pritshme politike, si ngritja e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore, apo edhe mbledhja e Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, nga ku priten zhvillime të rëndësishme.

Më të lexuarat