A kemi mjaftueshem roje plazhi?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Cela

Edhe ky sezon turistik, njëjtë si në vitet e mëparshme, po kalon jo pa incidente, të cilat në disa raste kanë rezultuar edhe fatale deri në humbje jete. Mbytjet në det vijojnë të jenë prezente, duke ngritur pikëpyetje të forta në lidhje me sigurinë e pushuesve në bregdetin shqiptar. Mjetet e ujit që qarkullojnë shumë pranë bregut ku notojnë pushuesit si dhe prania e kullave vëzhguese, por pa roje në to, janë shkaktarët kryesorë të ngjarjeve aksidentale në zonat bregdetare.

Sezoni turistik i këtij viti nisi me tragjedinë që shënoi tre viktima në plazhin e Vilë Bashtovës, ku një burrë 50 vjeç së bashku me dy djemtë e tij të mitur përkatësisht 13 dhe 15 vjeç humbën jetën, ndërsa në zonë u vu re mungesa e rojes bregdetare dhe sinjalistikës së rrezikut. Më tej u regjistrua një mbytje e një 80-vjeçari tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë në mënyrë aksidentale, po ashtu pak ditë më pas edhe një tjetër 80-vjeçar nga Kosova u mbyt teksa ishte duke u larë në det në plazhin e Golemit.

Ka pasur edhe raste të pushuesve që kanë qenë në rrezik mbytje, por janë ndihmuar nga pushues të tjerë. Gjatë muajit korrik, një person rrezikoi mbytjen në Tale të Lezhës, por fatmirësisht u nxor nga uji nga të pranishmit që ishin duke pushuar përreth. E njëta situatë edhe me dy pushues të tjerë, një burrë 40 vjeç dhe një grua 30 vjeçe që rrezikuan mbytjen në bregdetin e Shëngjinit, u ndihmuan nga të afërm dhe pushues të tjerë që i nxorrën nga uji. Në këto raste, mungesa e rojeve bregdetare ka qenë e dukshme dhe ndihma është ofruar nga persona jo profesionistë që kanë rrezikuar edhe veten e tyre, por fatmirësisht shpëtuan.

Megjithatë duket se tragjedi të tilla nuk kanë ndikur rrënjësisht në qasjen e institucioneve për ofrimin e shërbimit për të shmangur mbytjet në det, pasi nuk u ndërmorën hapa të rëndësishëm edhe pas këtyre rasteve. Pjesërisht në disa zona u vendosën roje bregdetare dhe u ngritën flamujt e kuq kur deti ishte i trazuar, por mbulimi sërish nuk ishte i plotë, pasi në shumë zona të tjera vijoi mungesa e rojeve bregdetare dhe mjeteve të shpëtimit. Kjo situatë vijon, ndonëse pushuesit kërkojnë të ndihen të sigurt, pasi siguria në plazhe është në kushte minimale.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa shpjegon për CRA çfarë parashikon ligji për sigurinë në ujërat e territorit shqiptar dhe si është zbatueshmëria e tij.

 

Fatjon Softa- Ekspert Sigurie

 

Deti ka rregulla të tjera. E para ndahet me stacione plazhi. Fatkeqësisht pjesa e Jugut përgjithësisht i ka shumë të vogla dhe gjithësecili organizohet vetë. Por ata që organizohen vetë nuk e kanë mundësinë që të kenë kulla vrojtimi që duhet të jenë çdo 200 metra. Normalisht për shkak të mungesës së zbatimit të ligjit ata duhet të organizohen mbi bazën e njësisë, si bizneset që kanë marrë lejen. Shumica e tyre nuk i kanë. Më shumë i bëjnë për formalitet, vendos njëri një flamur, atë nuk e sheh njeri, ndërkohë që flamuri duhet të jetë në vend të ngritur, të jetë i dukshëm dhe duhet të ketë flamuj me tre ngjyra.”- shprehet z.Softa.

Ndër të tjera ai flet edhe për nëmyrën e licencimit që duhet të kenë rojet bregdetare.

“Rojet duhet të licensohen si dhe të kenë në dispozicion mjetet e duhura për shpëtim jete siç janë jelekët e shpëtimit dhe të gjitha të tjerat që nevojiten. Po marr si rast Vlorën që ka një pikë për të gjithë zonat e brendshme apo të jashtme të Vlorës, për shembull nga Saranda vijnë e bëjnë kursin në Vlorë, paguajnë diku tek 500 mijë lekë dhe duhet të dalin në një komision që vjen nga Tirana, që i licencon dhe i jep certifikatën që ata mund të jenë roje plazhi. Sigurisht kursi është i mirë, intensiv, i ka njohuritë, mësohet mënyra si mund të jepet ndihma në rastet kur personi është agresiv ose jo, kur ka apo jo mbipeshë, si dhe shumë faktorë të tjerë që duhen mbajtur parasysh në këto situata. Prandaj nuk mund të veprojnë dot vetëm.”

Sipas ekspertit të sigurisë, Fatjon Softa, edhe kontrollet që kryhen duhet të jenë më të shpeshta.

“Nuk ka kontrolle nga territori. Duhet të ketë një kontroll që nga pushteti lokal që i mbikqyr plazhet që para se fillojë sezoni. Nuk bëhet puna në sezon, duhet bërë para sezonit. Pra duhen marrë që më herët masat për vendosjen e kullave, të vendosin vendin ku është flamuri, të kenë pajisjet. Me rëndësi janë edhe strukturat. A ka një strukturë ambulatore aty pranë, se nuk mund të pritet për shumë një linjë ambulance në kulm të trafikut, por duhet të ketë pika të afërta ambulatore të ngritura provizorisht për t’i dhënë ndihmën e parë, një ndihmë më të specializuar mjekësore. Pastaj janë mjetet ujore të cilat duhet të qarkullojnë në zona të caktuara, në zonat që janë përcaktuar si me rrezik vendosen tabelat shënjuese që nuk lejohet noti, ose zonë e ndaluar apo e lejuar për notarët. Këto pothuajse mungojnë.”

Problematikë veçanërisht mbetet mungesa e rojeve bregdetare, të cilat sipas ekspertit të sigurisë janë më shumë formale, teksa faktikisht mungojnë. Ndonëse në kulmin e sezonit turistik, mungesa e vrojtuesve të plazhit e bën më të pasigurt qëndrimin e pushuesve që zgjedhin bregdetin shqiptar.

“Numri i rojeve bregdetare është formal, nuk ka mjaftueshëm. Po të shohësh për shembull Gjirin e Lalëzit, aty është pak më ndryshe, janë kullat e ngritura për shkak të plazheve dhe mundësisë për t’u kontrolluar më shumë, deti është i sheshtë dhe mundësia e kontrollit sigurisht që është, por më shumë është formale. Në pjesën dërrmuese të plazheve asnjë nga ata nuk qendron në lartësinë që duhet dhe madje nuk dihet kush i paguan. Aty e kanë me licencë, e kanë pa licencë, e kanë me uniformë, e kanë pa uniformë… Pyetjet janë: a ka bilbil, a ka mjetet ndihmëse që duhet të ketë, a ka kutinë e ndihmës së shpejtë që mund t’i jepet, a di të bëjë veprime, a kanë bërë ndonjëherë testin? Ata nuk kanë bërë as testim, të bëjnë një improvizim qoftë edhe për mediat, për të treguar veprimet që bën një nga këta punonjës. Ka pasur plot raste që kanë shkuar njerëz për t’i dhenë ndihmë dhe janë mbytur edhe vetë sepse nuk kanë ditur mënyrën si ofrohet ndihma në të tilla raste.”

Një hap pozitiv po ndërmerret me bllokimin e pajisjeve ujore pa lejet përkatëse, por ende ka shumë gjëra për t’u bërë për shtimin e sigurisë së pushuesve.

“Policia ka 7800 forca policie dhe 2800 oficerë. 1600 janë shërbimet civile të cilët përbëjnë numër total mbi 118, pra diku tek 12 mijë maksimumi. Dhe nuk është se ka forca rezervë që të krijojmë polici detare, të ruajtjes së detit. Në këto kushte kanë marrë nga çdo rreth, nga rezervat e tyre dhe kanë krijuar këtë gjë. Më shumë bëjnë show në fakt, por e vetmja gjë e mirë që kanë bërë është bllokimi i skafeve dhe motorëve të ujit. Numri i tyre në fakt është më i pakët në raport me vitin e kaluar.”-shprehet Fatjon Softa.

Problematika të tilla janë të përsëritura prej vitesh, ndaj lipset të merren masa sa më shpejt për sigurinë e pushuesve në zonat bregdetare dhe permirësimin e situatës.

Më të lexuarat