Bashkia Tiranë, në vitin 2018 lançoi nismën më të rë të inovacionit teknologjik e-kioska në 10 Njësi Administrative në Tiranë. E-kioska do të ndihmonte qytetarët të merrnin informacion apo shërbim më të shpejtë pa radhë në një paisje elektronike pranë njësisë, shërbimet që ofrojnë janë: dokumentacioni i nevojshëm shoqërues për procedurat në kategoritë e shërbimeve të hapësirës publike, strehimit social dhe transportit publik. Vlera e tenderimit të e-kioskave ka kushtuar 13.400.000 (trembëdhjetë milion e katërqind mijë) lekë (pa tvsh) dhe është fituar nga kompania “IBAS” (PBC) sh.p.k. Tenderi është realizuar në datën 29.08.2017, kompania është regjistruar në Shqipëri në datën 17.10.2017, dhe shpallja e fituesit nga Bashkia Tiranë është bërë në datën 25.09.2017 dhe lidhja e kontratës është bërë në datën 06.11.2017.
E-kioskat u planifikuan që të ofronin shërbime 24 orë dhe në dy gjuhë: shqip dhe anglisht, ku qytetarët përfitojnë shpejtësi dhe përmirësim të dukshëm të cilësisë të shërbimeve, si dhe lehtësim të procedurave dhe automatizim të shërbimeve. Në kohën kur paisjet u vendosën në punë, në vitin 2018 kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj u shpreh se qytetarët do të mund të marrin në këto njësi 47 nga 70 shërbime që ofrohen nga Bashkia e Tiranës. “Në pak minuta, pa pagesë, shumicën e këtyre aplikimeve, si aplikimi për hapësirë publike, për licencë taksie, për akses në rrugë, për aktivitete politike, protesta, mitingje, koncerte, pra më shumë se 60% e shërbimeve që ofrohen në sportelin e bashkisë, fare mirë mund të aksesohen përmes e-kioskës”, deklaronte mes të tjerave kryebashkiaku Veliaj.
Por gjatë këtyre viteve e-kioskat kanë shfaqur probleme me ekranin pasi nuk mirëmbaheshin dhe shpesh herë nuk kishin energji elektrike dhe si pasojë ato nuk përdoreshin nga qytetarët për shkak se sistemi kompjuterik shpesh herë dëmtohej. Shoqëria “PBC” ka qenë përgjegjëse për mirmbajtjen e shërbimit nga data 03.01.2018-03.01.2020, pas kësaj periudhe bashkia Tiranë ka realizuar procedurën e prokurimit me objekt “Mirmbajtjen të sistemeve e-kioska nga kompania fituese “ONI TRADE” sh.p.k që nga data 07.07.2020 deri më 07.07.2021 me një shumë prej 750.000.00 lekë. Pas mbarimit të kësaj kontratë, mirëmbajtjen e sistemeve e-kioska realizohet nga stafi i Drejtorisë së Teknologjisë se Informacionit dhe Komunikimit.
SHPËRNDARJA E E-KIOSKAVE DHE EFEKTI TEK QYTETARËT
Janë 10 e-kioska të shpërndara në njësitë administrive të Tiranës. Gjysma e tyre janë në njësitë urbane të kryeqytetit dhe gjysma tjetër në zonat rurale: Bashkia Tiranë, Godina Qëndrore, Njësia Administrative nr. 1,2, Njësia Administrative nr. 5, Njësia Administrative nr. 11, Njësia Administrative Farke, Njësia Administrative Vaqarr, Njësia Administrative Berzhite, Njësia Administrative Petrele, Njësia Administrative Baldushk, Njësia Administrative Shëngjergj.
Por në redaksinë e CRA ka pasur raportime për mosfunksionim konstant të këtyre paisjeve. Disa banorë të kryeqytetit, të pyetur nga CRA, flasin për eksperiencën e tyre në përdorimin e këtyre paisjeve. “Po më kanë thënë që ka pas punu para ca vitesh. Unë vetë nuk e kam përdorur ndonjëherë se kur kam pasur punë, kam shku te njësia. Për kollaj tani përdorim më tepër atë e-albania se është në telefon”, shprehet Fadili, banues në Astir.
Ndërsa, ka nga ata banorë që i kanë përdorur paisjet, por iu ka ndodhur gjithashtu që në disa raste të mos e përdorin dot për shkak të defekteve të ndryshime. “Po unë e kam pas përdorur disa herë. Po prapë më shumë besim kam kur e bëjnë punën ata të njësia. Po me ka qëlluar një herë që doja me e përdor, por ishte e fikur se kishte një problem më thanë ata punonjësit aty te njësia”, tha Ramazani që banon në zonën e Tregut Elektrik prej gati 30 vitesh.
E-KIOSKA NË SYRIN E EKSPERTËVE
Futja e pasijeve e-kioska për t’u dhënë mundësi qytetarëve që ta aksesojnë informacionin 24/7 është një lajm i mirë për ekspertin e çështjeve vendore, Agron Haxhimali.

“Përdorimi i teknologjisë sot është domosdoshmeri. Bashkitë duhet të investojnë akome më shumë për shërbime të tilla digjitale. Sigurisht që që do kenë një ndikim pozitiv që lidhet e ekonomine kohore. Por me gjithë të mirat që ka ofrimi i sherbime digjitale, duhet theksuar dhe ana tjetër që lidhet me sigurinë, me aftesinë e përdoruesit sidomos të moshave jo përdoruese të teknologjisë. Ndaj bashkia, duhet të punojnë më shumë me ndërgjegjsimin dhe në këto 10 NjA që i ka aplikuar këto e-kioska do bënte mirë që të realizonte një trajnim mbi përdorimin e tyre. Keto trajnime mund të realizoheshin pranë NjA përkatëse”, thekson Haxhimali për CRA.
Më tej Haxhimali vë theksin te efektshmëria e këtyre paisjeve si në raport me investimin e bërë, por edhe në aftësinë e qytetarëve në zonat rurale për t’i përdorur ato për nevojat që kanë. Gjithashtu për Haxhimalin një rëndësi ka ndërlidhja që sistemi i e-kioskave ka me atë të e-albania, për të evituar konfuzionin tek qytetarët.
“Efektshmëria e e-kioskave mbetet për t’u parë në vijim edhe pse deri më tani rezulton se në sistemin e-kioskane ka pasur gati 1800-2000 ndërveprime. E-kioska është dedikuar për të lehtësuar shërbime bashkiake. Janë afro 47 shërbime që mund të përpunoj sistemi e-kioska për qytetaret si psh. për hapsirat publike, strehim, transporti apo vërtetme për detyrime të prapambetura. Pra, janë dokumentacione bashkiake, ku sistemi duket i njëanshëm. Pra vetem nxjerr dokumentin, por qytetari pasi e plotëson sërish do shkoj diku ta dergoj. Pra nxjerrja është elektornike por dërgimi është manual. Mbase më vonë sistemi mund ta kryej dhe këtë shërbim. Eshtë i drejtë shqëtsimi për sistemin e-Albania. Normalisht duket si sisteme paralele apo kanë mbivendosje. Kjo gjë duhet të orientohet drejtë në fakt. Një dokument apo shërbim digjital duhet të jetë vetëm në një stacion dhe në filtra të përpikta. Nuk kam informacion sa sa të integruara janë sistemet e e-albania me atë të e-kioska nga pikpamja back up-it dhe qarkullimit të informcionit, dhe sa mundesi ka që i njëjti informacion të jetë në të njëjtën kohë në dy sisteme, pas kjo krijon probleme edhe te qytetari edhe te perdoruesi i dokumentit, pasi mund të gjenerohet me pamje të ndryshme dhe nxit kofizionin”, thekson eksperti.
Më tej Haxhimali sygjeron se do të ishte më tepër efektive që futja e këtyre paisjeve në zonat rurale, jo vetëm për bashkinë Tiranë por edhe për bashki të tjera që do vendosin të rrisin shërbimet online për qytetarët, të bëhet duke trajnuar administratën dhe pa shkëputur kontaktin njerezor: qytetar-punonjës bashkie. “Trajnimi i stafeve mendoj që më shumë është domosdoshmëri në zonat rurale. Kjo për arsye se aksesi në komunikimin elektronik, por jo vetëm është më i kufizuar se sa në zonat urbane. Patjetër që rritja e kapaciteteve të adminiatratës në NjA rurale duhet jo vetëm për këtë rast por edhe për nderveprim dhe procese administrative manuale. Rekomandimi im është i tillë: shumë mirë që futet përdorimi i teknologjisë në sherbime administrative, por mos mbyllni sportelet dhe komunikimin njerzor”, tha Agron Haxhimali për Community Reporters Albania.