Planet vendore për Romët, sa i kanë plotësuar bashkitë detyrimet që iu dikton ligji

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Përgjatë vitit të fundit, CRA përmes raportimit komunitar ka adresuar probleme të shumta që kanë shqetësuar pakicat Rome dhe Egjiptiane në disa bashki të vendit. Angazhimi i komunitetit dhe raportimi në media kanë sjellë zgjidhjen e problemeve të tyre, probleme të cilat përkojnë me aktivitete të parashikuara për t’u zbatuar në Planet Vendore të hartuara për integrimin e pakicave Rome dhe Egjiptiane në periudhën 2019-2022. Planet vendore janë një instrument ligjor në të cilat parashikohen plane masash për të përmirësuar jetën e anëtarëve romë dhe egjiptianë. Masat e parashikuara janë adresuar nga grupe pune ku ka të përfshirë anëtarë nga dy pakicat dhe përfaqësues të institucioneve lokale dhe prej disa vitesh të mbështetur nga Këshilli i Europës përmes programit Romacted.

Zbatimi i masave të parashikuara në planet lokale ndihmojnë në matjen e performacës së bashkive, por edhe të qeverisë për të raportuar masat e realizuara në Planin Kombëtar të Veprimit për Romët dhe Egjiptianët për një periudhë 4 vjeçare. Community Reporters Albania ka shfrytëzuar këtë instrument ligjor për të kërkuar së bashku me aktivistë dhe anëtarë të komuniteteve, zbatimin e masave që në terren janë nevojat reale që kanë komunitetet. Gjatë dimrit në bashkinë Elbasan u bë i mundur vendosja e ndriçimit në një lagje me banorë romë dhe egjiptianë, një aktivitet i parashikuar në planin vendor, por ende i parealizuar pa angazhimin e komunitetit. Në bashkinë Fier gjithashtu është vendosur ndriçim në lagjet rome dhe janë asfaltuar rrugicat e tyre.

CRA ka dërguar kërkesa për informacion për zbatimin e planeve vendore në disa bashki dhe nga përgjigjet e marra vihet re se bashkitë kanë qenë në gjendje të realizojnë masa të cilat nuk kanë shpenzime të konsiderueshme, duke bërë një përzgjedhje të aktiviteteve të parashikuara në planet vendore. Aktivitete të cilat lidhen me strehimin social dhe punësimin janë fushat më pak të realizuara për shkak të nevojës për buxhetim dhe nevojës për mbështetje nga donatorë. Disa bashki ndonëse kanë afat 4-vjeçar për të ndërhyrë në këto fusha, nuk kanë mundur të matin apo realizojnë studime për nevojat e dy komuniteteve. Aktivitete për të cilat CRA ka kërkuar informacion lidhen me arsimin, strehimin social, punësimin, përmirësimin e kushteve të jetesës në bashkitë Fier, Elbasan, Pogradec, Gjirokastër.

Arritje dhe dështime të bashkive në zbatimin e planeve vendore për integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2019-2022

Si një ndër fushat e rëndësishme përmes të cilës arrihet integrimi, CRA ka pyetur bashkinë Elbasan për ofrimin e bursave për fëmijët romë dhe egjiptianë që ndjekin arsimin e detyrueshëm.  Aktivistë dhe organizata të cilët punojnë në terren kanë identifikuar nevojën e këtyre nxënësve për të marrë mbështetje financiare për të mbuluar nevojat për në shkollë, por edhe për të ulur braktisjen e shkollës.

Ky aktivitet është i parashikuar në pikën 2.1.6 të planit vendor për integrimin e romëve dhe egjiptianëve 2019-2022 për bashkinë Elbasan, në fushën e arsimit dhe promovimit të dialogut kulturor. CRA iu drejtua me shkresë zyrtare bashkisë Elbasan, pas ngritjes së shqetësimit nga aktivistë dhe prindër që nuk kanë marrë bursa për fëmijët. Njëkohësisht kërkesa iu drejtua edhe DAR Elbasan, por kjo e fundit shprehet se këtë informacion mund ta merrnim nga vetë bashkia.

Bashkia Elbasan në përgjigjen e saj raporton se për këtë aktivitet nuk ka patur asnjë aplikim apo interes nga nxënësit romë dhe egjiptianë. Për shkak të mungesës së interesit nga ky target grup në mbështetje të vkm 666\2019 pika 2.1.c Kriteri ekonomik, ku përcaktohet se fitojnë bursë  “nxënës, fëmijë në nevojë me ndikim uljen e braktisjes shkollore” që janë regjistruar në arsimin bazë, si dhe nenin 4 e cila vlen për njësitë e vetëqeverisjes vendore të cilat marrin referim nga drejtoria e shkollës nxënës në nevojë, të cilët janë në risk braktisje ofrohen bursa në ndihmë të nxënësve, kanë kërkuar këtë bashkëpunim ndërsektorial për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve. Ndonëse është marrë si një masë për të vendosur në zbatim këtë aktivitet të parashikuar në planin vendor, bashkia nuk posedon të dhëna dhe nga ana tjetër prindërit romë e egjiptianë nuk kanë dijeni për këtë përfitim.

Shkëputur nga përgjigjia e bashkisë Elbasan.
Shkëputur nga përgjigjia e bashkisë Elbasan.

CRA intervistoi 2 prindër Rom dhe Egjiptian nga Elbasani që fëmijët e tyre frekuentojnë mësimin pranë shkollave ku janë të populluara nga nxënësit rom dhe egjiptian. Blerina një nënë e re tregon që

Ne e kemi të vështirë t’i dërgojë fëmijët në shkollë, sepse jemi në asistencë ekonomike, pa punë jemi, është shumë e vështirë të gjendet një punë, ajo bursa do të ndihmojë më shumë fëmijët sepse do të kenë mundësi të blejnë mjete shkollore, fletore, rroba por edhe ndonjë ushqim, sepse librat i marrim falas, çanta na japin shoqata, bursa do të ndihmonte shumë”,-tha Blerina për CRA.

Nexhi është një gjyshe që dërgon 2 nipërët e saj në shkollë. Ajo tha që të gjithë si lagje kanë vështirësi të madhe ekonomike që prej pandemisë. “Fëmijët e braktistin shkollën nga ekonomia, vëshjet, mundësitë që nuk kanë, bursa do të na ndihmonte dhe shumë e vlefshe për t’i motivuar fëmijët për të vijuar shkollë”.

Ndërsa bashkia e Fierit është duke vendosur në zbatim disa nga masat e parashikuara në planin vendor për integrimin e romëve dhe egjiptianëve. Në përgjigjen zyrtare nga bashkia Fier për fushën e arsimit janë realizuar aktivitetet si: përmirësimi i infrastrukturës shkollore, ndërtimi i tualeteve, vendosja e paneleve diellore dhe krijimin e klasave për fëmijë të cilët kanë vështirësi në të nxënë.

Në shkollën “Trifon Prifti”, Baltëz është bërë përmirësimi i infrastrukturës shkollore – ndërtimi i tualeteve, në qershor 2020. Gjatë vitit 2021 janë montuar panele diellor për ngrohje, por gjatë vitit 2022  janë bërë funksional sepse nuk ishte bërë lidhja me rrjetin elektrik. E rëndësishme për fëmijët është vendosja e transportit rrugor si edhe përmirësimi i rrugës për të lehtësuar lëvizjen e tyre, siç janë mbikalimi në zonën Mbrostar Ura dhe ai pranë shkollës 9 vjeçare “Dino Ismaili” në Levan. Bashkia ka vendosur transport për fëmijët që ndjekin shkollën në zonën e Drizës, Mbrostar Ura. Transporti në shkollën e Drizës dhe në shkollën “Halit Gremi’’, Mbrostar Ura bëhet nga Qendra Sociale’ “Murialdo’’ në bazë të aplikimit të një projekti nga ana e saj.

Arturi Zyberi nga Mbrostari tregon se ka 2 vite që flitet për të realizuar një urë mbikalimi për të kaluar fëmijët sepse sipas tijë ka rrezikshmëri të madhe për aksidente,

“kam fëmijët në shkollë, fëmijët kalojnë në këtë rrugë dhe kam frikë se fëmijët do t’i shtypi fëmijët, fugoni njëhër i merr, dhe ka raste kur nuk i merr fare, kemi vajtur në bashki, në komunë por nuk na japin asnjë përgjigje dhe kjo është shumë e rrezikshme-tregoi Arturi për CRA.

Bashkia Pogradec, në të dhënat që përcjell në përgjigjen zyrtare, shprehet se gjatë viteve 2019-2021 ka ofruar bursa për nxënësit të cilët frekuentojnë arsimin e detyrueshëm duke shpenzuar për secilin vit vlerën 300.000 lekë, shumë kjo që i përkon me parashikimin e bërë në planin vendor. Gjithashtu shprehet se të punësuarit në arsim nga komunitetet janë 4 mësues, 3 egjiptian dhe 1 rom, nga të cilët janë 3 femra dhe një mashkull.

Çfarë vihet re në zbatimin e kësaj mase të parashikuar në planet vendore të bashkive, është se në varësi të tipologjisë së nxënësve kjo masë nuk gjen zbatim njësoj në këto bashki. Prindërit nuk janë të informuar në të njëjtin nivel dhe shumat e parashikuara të buxhetit nuk shkojnë tek përfituesit, duke mos bërë të mundur arritjen e objektivit për stimulimin e mos braktisjes së shkollës.

Ndryshe nga bashkitë më sipër nxënësit romë dhe egjiptianë në Gjirokastër marrin mbështetje nga donatorë në bashkëpunim me shërbimet sociale në këtë bashki, pasi kjo e fundit nuk e ka ende një plan vendor të hartuar për integrimin e romëve dhe egjiptianëve.

Situata e strehimit social dhe infrastruktura pranë lagjeve rome e egjiptiane

Nevoja për strehim në këto bashki është e lartë, sidomos për bashkinë Fier dhe Elbasan të cilat kanë një përqëndrim të lartë të popullsisë rome dhe egjiptiane. Kjo nevojë vjen e pasqyruar nga grupet e punës edhe në planet vendore në fushën e strehimit social, ku mes të tjerash parashikohen ndërtime të reja të banesave sociale dhe përmirësimi i kushteve të banimit duke përfshirë gjelbërim, asfaltim, ndricim të lagjeve.  Ndërtimi i banesave të reja sociale dhe rikonstruksioni dhe adoptimi i godinave publike ishin dy masa të parashikuara në planin vendor të cilat janë me interest për këto komunitete por ndonëse të parashikuara, bashkia Fier shprehet se nuk është e mundur të realizohen. Në përgjigjen e saj zyrtare, shprehet se bashkia Fier nuk ka fond të akorduar për ndërtimin e banesave sociale, ndërsa për rikonstruksionin e godinave si ish-repartet ushtarake nuk mund të bëjnë ndërhyrje për shkak se pronësia e tyre nuk është e bashkisë Fier.

Gjithashtu bashkinë Fier e kemi pyetur për aktivitetin  “Asfaltimi/gjelbërimi, ndriçimi i rrugëve të brendshme” dhe a e ka zbatuar këtë masë në disa zona pranë vendbanimeve rome e egjiptiane. Në Levan, lagja “1 Maji” janë shtruar 100 metër linear rrugë të brendshme, është bërë sistemimi i ujrave të zeza dhe 70% e ndriçimit të rrugëve. Ndërkohë janë shtruar edhe 800 metër linear rrugë me rërë bituminoze. Lagja “Kodër” janë shtruar rrugët kryesore dhe rrugët e brendshme, janë sistemuar me rërë bituminoze.

Komuna Qëndër, lagja “Kazanxhijtë” janë shtruar 200 meter linear rrugë të brendshme. Rruga Halim – Muçaj dhe rrugët brenda lagjeve janë sistemuar me material dhe me ndriçim dhe është planifikuar me buxhetin e vitit 2023 për shtrim. Hamil – Muçaj – Baltëz është shtruar rruga kryesore së bashku me ndriçimin.

Këto ndërhyrje nga bashkia, janë përgjigje të kërkesave të hershme të banorëve të zonës e sidomos aktvistëve dhe banorëve romë. Ata janë angazhuar më parë përmes peticioneve për të marrë këto shërbime. Eduart Koçi, aktivist por edhe banor i zonës së Baltëz tregon për CRA se banorët tashmë janë të organizuar dhe sa herë që kanë një problematikë, ata organizohen dhe dërgojnë shkresa, peticione por edhe takime në bashki për të gjetur zgjidhje për problematikat e tyre, tha Z.Koci për CRA

 Edhe në bashkinë Elbasan janë shtruar e ndriçuar rrugica të lagjeve rome e egjiptiane, si një përgjigje jo vetëm për të përmbushur planin vendor, por sepse komuniteti ka qenë i angazhuar dhe ka kërkuar përmbushjen e këtyre nevojave për të përmirësuar kushtet e infrastrukturës në zonat ku jetojnë. Në planin vendor të kësaj bashkie është parashikuar ndërtimi i banesave sociale brenda vitit 2022, por ky aktivitet nuk do të jetë primar për bashkinë duke u fokusuar në investimet e rrjetit të kanalizimeve të vendbanimeve rome e egjiptiane. Po ashtu bashkia Elbasan në planin e tyre do të ndërtonte tregun e ri publik për romët dhe egjiptianët por sipas aktivistëve në Elbasan, bashkia ende nuk e ka ndërtuar.

Ndërsa Bashkia Pogradec, ndryshe nga bashkitë e tjera në këtë drejtim do të vendosë në zbatim projektin “Rikonstruksioni i banesave për familjet e varfëra dhe të pafavorizuara”. Bashkia do të mbështetet nga buxheti i shtetit dhe do të mbulojë 36 familje me problematika të ndryshme sociale. Zbatimi i projektit kap të gjithë qytetin e Pogradecit bashkë me Njësitë Administrative, pasi rikonstruksioni bëhet për banesa individuale. Projekti kap vlerën e 30,000,000.00 lekë (me TVSH) , të cilat do të përdoren për zbatim. Në listën e familjeve që përfitojnë ka persona që janë pjesë e komuniteteve Rome dhe Egjiptiane, përkatësisht 3 familje Rome dhe 4 familje Egjiptiane.

Plani lokal i veprimit ka nisur zbatimin në vitin 2019 dhe mbaron në vitin 2022, siç shihet edhe në monitorimin e tij këto bashki nuk kanë arritur të zbatojnë plotësisht fushat dhe programet e planit duke i lenë në harresë, ndërkohë që integrimi i këtyre pakicave mbetet në udhëkryq.

Më të lexuarat