Turizmi i aksesueshëm, një domosdoshmëri e panegociueshme

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Marsida Karaj

Duket si një udhëtim imagjinar për të përshkruar turizmin e aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri, kur në fakt ky duhet të ishte realiteti i padiskutueshëm, ofrimi i shërbimeve të aksesueshme dhe për të gjithë qytetarët.

Pikërisht ky është momenti për ta çelur këtë diskutim, pasi vendi ynë nga viti në vit, së fundmi, po rregjistron numër të konsiderueshëm turistësh dhe vizitorësh duke përfshirë edhe personat, të cilët, kanë nevojë për eleminimin e barrierave fizike, sociale dhe në informacion, në mënyrë që të përjetojnë udhëtimin e tyre sikurse të gjithë qytetarët.

Pikë së pari, duhet filluar me mendësinë për të kuptuar gjithëpërfshirjen. Ky koncept i referohet drejtpërdrejt mundësive të barabarta dhe qasjes jo-diskriminuese përkundrejt çfardolloj aryeje. Në rritmin e lartë të zhvillimit, padyshim infrastruktura, përbën një peshë të konsiderueshme të investimeve.

Në këtë fushë, janë kryer shumë rikonstruksione, ndërtime të reja dhe rikualifikime urbane. Princip bazë për autoritetet qendrore dhe vendore për të çertifikuar një ndërhyrje, është ligji 94/2014 ‘’Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara’’. Ky ligj, detyron të gjithë operatorët publik dhe privat, të marrin masa për të shmangur të gjitha barrierat, që pengojnë personat me aftësi të kufizuar të aksesojnë shërbimet dhe jetën social-kulturore të vendit.

Tirana është një prej pikave krysore të hyrjes në Shqipëri dhe ku prej aeraportit të Rinasit, kanë kaluar rreth 7 milion pasagjerë, në qarkullimin vjetor të vitit 2023. Ky aeraport, ka pësur shumë ndryshime në 4-5 vite, zgjerimi dhe modernizimi janë të dukshme, edhe në aspektin e aksesueshmërisë përmirësimi është evident.

Ka përmirësim të ndjeshëm të kushteve, ku veçanërisht imbarkimi, asistenca, tualetet dhe hapësirat, plotësojnë disa prej standardeve të kërkuara për ti shërbyer edhe pasagjerëve me aftësi të kufizuar. Përmirësimet duhet të kryhen në sinjalistikë dhe absolutisht në zbatimin me rigorozitet të rregullave dhe standardeve për udhëtarët me aftësi të kufizuar. Në aspektin e transportit, po kaq të rëndësishme, janë dhe investimet e reja për terminalin e autobuzëve, stacionin e ri të trenit, autobuzët dhe taksitë. Ndërveprimi me qytetarët me aftësi të kufizuar, nuk mund të përmbyllet vetëm në konceptin e moralit të mirë, shërbimi duhet të bazohet në kuptimin e nevojave dhe respektimin e dinjitetit të personit.

Gama e turizmit në Tiranë është zgjeruar, si në atraksione ashtu dhe në evente social kulturore. Atraksionet, ku në çdo rast janë bërë ndryshime, kanë ende një problematikë të theksuar në lidhje me garantimin e aksesit për turistët me aftësi të kufizuar. Shpesh herë, objektet janë të pajisur me rampa, ndonjëherë me ashensorë apo audio guidë.

Duhet theksuar se ka një tendencë për të lehtësuar pjesëmarrjen e individëve që kanë nevoja të caktuara për akses. Në kontrast me të drejtën për gjithëpërfshirje, mbetet zbatueshmëria e masave lehtësuese, edhe aty ku ka rampa ato janë jo-funksionale, ashensorët nuk janë të përdorshëm, guidat jo-të përshtatëshme, në evente rezervimet dhe sinjalistika është e munguar. Në çdo rast është e nevojshme të ndryshojë qasja ndaj modelit të biznesit dhe turisteve me aftësi të kufizuar.

Nuk duhet të fokusohet diskutimi duke u nisur nga të drejtat e njeriut, që padiskutim janë prioritare, progresi do të jetë evident atëherë kur diskutimi do të përqëndrohet nga përfitimi në turizëm. Në këtë rast, personat me aftësi të kufizuar janë konsumatorë, ata shpenzojnë sikurse çdo qytetar, për të frekuentuar udhëtimet dhe jetën kulturore, ata gjenerojnë të ardhura për vendin dhe shndërohen në ambasadorë kulturor. Nëse do të nisemi nga kjo perspektivë, akssesueshmëria është pikënisja për të gjithë operatorët turistikë. E gjitha kjo do të përmblidhet në nevojën për ndërgjegjësim dhe për të kuptuar diversitetin, e cila, na çon tek përfitimi ekonomik e shoqëror.

Teknologjia është sektori më prominant i momentit. Mjetet teknologjike janë ato që mund të lehtësojnë jetën e personave me aftësi të kufizuar dhe të sigurojnë një jetesë sa më përfshirëse. Tirana është në këtë rrjedhë, edhe si qyteti me një plan ‘’Smart City’’, edhe si potencial ekonomik i vendit.

Integrimi i teknologjisë në turizëm do të jetë një vizion suksesi në planin financiar, nga rritja ekonomike dhe në planin e të drejtave civile e sociale, duke i gantuar personave me aftësi të kufizuar, akses në sektorin e turizmit të aksesueshëm. Operatorët turistik, duhet të ndajnë informacion të aksesueshëm dhe të përditësojnë të dhënat për aksesin në objekte, atraksione apo evente.

Është e nevojshme që autoritetet vendore të ndërtojnë hartat e aksesit, të promovohen kampionët e gjithëpërfshirjes, të reklamohen modelet e suksesit dhe të kemi stimuj për përfshirjen e vetë personave me aftësi të kufizuar në ofrim shërbimesh. Me anë të teknologjisë, Tirana dhe gjithë Shqipëria, mund të shkojë shumë më shpejt drejt turizmit të aksesueshëm.

Praktikat dhe modelet e suksesit ekzistojnë, Shqipëria, ka tashmë angazhimet e saj për të qenë një vend anëtar në Bashkimin Europian. Fondacioni Së Bashku, një organizatë e personave me aftësi të kufizuar, ka pregatitur manualin e parë në Shqipëri për turizmin e aksesueshëm. Ky dokument përmban elementët bazë të nevojshëm, për një sektor gjithëpërfshirës.

Në moton globale “Asgjë për ne pa ne”, organizatat dhe grupet e personave me aftësi të kufizuar, do të ishin këshilluesit më të mirë se si duhet të zhvillohet qyteti, infrastruktura apo turizmi në veçanti.

Tirana nuk është vetëm motor zhvillimi për vendin, ajo është një qendër metropolitane, me aktivitete e një jetë social kulturore të pasur, kombinuar me atraksione, evente dhe rekreativitet. Për të mbëritur në destinacionin final, gjithëpërfshirja është një prej kushteve të panegocjueshëm, aksesi duhet tu garantohet çdo qytetari në mënyrë të barabartë dhe të plotë. Turizmi i aksesueshëm, duhet të jetë moto e çdo operatori turistik dhe plani biznesi. Tirana e aksesueshme, kjo është pikënisja për të mbëritur tek qyteti që duan të gjithë dhe ku turistët rikthehen, për të shijuar këtë qytet.

Më të lexuarat