Legalizimi i kanabisit, përfitimet dhe rreziqet që na kanosen

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga 21 korriku 2023-it kultivimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri është legal. Nisma e paralajmëruar gati 3 vite më parë nga kryeministri Rama, pas një kalvari të gjatë diskutimesh dhe debatesh në opinionin publik, dhe më pak në Parlament, u miratua në seancën e fundit të sesionit të shkuar parlamentar disa javë pasi qeveria e kishte kaluar si akt normativ.

Miratimi i këtij ligji automatikisht obligon edhe ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e kanabisit, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo Agjenci në bashkëpunim me atë të Barnave Mjekësore, me Agjencinë e Fidanëve në Ministrinë e Bujqësisë, si edhe me strukturat e tjera si Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme do jetë e ngarkuar me përgjegjësinë për të kontrolluar dhe monitoruar gjithë procesin në çdo fazë që nga farërat, mbjellja, korrja, tharja dhe destinacioni fundor i kanabisit (shitja për përdorim farmaceutik).

Edhe pse raporti e Shqipërisë me kanbisin nuk hyn në pjesën e bukur të historisë, sërish ka pasur debate dhe diskutime pro e kundër kësaj nisme të qeverisë.

HISTORIA E SHQIPTARËVE ME KANABISIN

Shqiptarët dhe kanabisi janë një nga raportet më të hidhura të 32 viteve tranzicion. Bashkë me trafikun e qënieve njerëzore, dhe trafikimin e armëve, kultivimi dhe trafikimi i kanabisit ka qenë një fushat e para ku shqiptarët kanë operuar si struktura kriminale të organizuara. Me ulje ngritje deri në vitin 2015, kanabisi ka qenë përherë një problem që i është vënë në duke shtetit shqiptar në çdo raport të organizmave apo institucioneve ndërkombëtare.

Pikërisht në vitin 2015 do të ishte deputeti socialist aso kohe, Koço Kokëdhima që do të habiste shumëkënd, kur për herë të parë në Parlament artikuloi mundësinë dhe dobinë e Shqipërisë për ta legalizuar kanabisin. “Unë kam folur për legalizimin e kanabisit medikal, për industrinë farmaceutike të kanabisit që ndihmon njerëzit. Sot ilaçet me efekt kanabisin mjekojnë mbi 170 sëmundje. Gjysma e shteteve të SHBA e ka legalizuar kanabisin”, shprehej në një nga intervistat që Kokëdhima dha për mediet në vend në vitin 2015 kur mbronte idenë e tij për të legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore.

Por pas këtyre deklaratave të Kokëdhimës, një vit më pas në Shqipëri do të ndodhte fenomeni që rëndom tashmë cilësohet si kanabizimi i vendit. Nëse deri në vitin 2013 kanabisi ishte parë si një domen për t’u kultivuar në zona si Lazarati apo Malsia e madhe (fama e kanabisit të Lazaratit ka shkuar deri në Amsterdam), në vitin 2016, parcelat më kanabis u zbuluan thuajse kudo. Sasi rekordë dhe sipërfaqë të pa para më herët u zbuluan nga policia dhe shumë të tjera u denoncuan nga opozita. Ky skandal kulmoi me akuzën ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri që për disa nga akuzat që iu bën si i përfshirë në këtë aferë, bëri burg. Në dukje e stabilizuar situata me kultivimin e kanabisit pas vitit 2018, sërish dhe rëndom ndodh që me operacione të bujshme policia zbulon parcela të mëdha me kanabis ( në disa raste edhe i kultivuar në sera).

A KA PËRFITIME?

“Ne do të procedojmë ashtu siç u shprehën qytetarët, do të legalizojmë kanabisin për përdorim mjekësor dhe do të hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike, përveçse dhe rritje në aspektin teknologjik”, kështu deklaronte kryeministri Rama kur prezantoi rezultatet e një sondazhi të bërë në popullatë, ku theksoi se nisma do të shkojë drejt zbatimit. Në mbrojtje të kësaj nisme, si kryeministri Rama, por edhe ligjbërsit kanë listuar disa përfitime.

Tentativa për të vënë rregull në një treg dhe terren ku forca e ligjit duket se nuk ka pasur shumë sukses, është një nga objektivat e këtij ligji.

“Ky projektligj është depozituar nga Ministria e shëndetësisë, Bujqësisë dhe e Brendshme dhe përcakton kuadrin rregullator për mënyrën se si do iniciohet procesi për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënproduketeve të saj. Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi dhe granatimi i procesit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së Kultivimit, prodhimin, përpunimit dhe eksportimit”, shprehej ministrja e Shëndetësisë aso kohe, Ogerta Manastirliu.

Edhe aspekti financiar është një tjetër element që listohet tek përfitimet që Shqipëria pritet të ketë nga legalizimi i kultivimit të kanabisit mjekësor.

Hashashi në shumë vende të botës prej dekadash është cilësuar si një drogë e rrezikshme, si hapi i parë drejt fillimit të konsumit të drogave të tjera më të rënda.  Mirëpor në vitet e fundit kanabisi po pranohet publikisht gjithnjë e më shumë dhe përdorimi i tij po bëhet i ligjshëm në gjithnjë e më shumë vende. Në shumë studime të universiteteve dhe instituteve prestigjoze vihen në pah disa prej efekteve të mira që përdorimi i kanabisit sjell. Dobi në qarkullimin e gjakut, rezultate të mira në parandalimin e infektimit nga viruset (sidomos koronavirusi), amortizimi i dhimbjeve nga sëmundjet malinje, por edhe përmirësim i aktivitetit seksual, janë disa nga dobitë që i renditen në favor kabanisit mjekësor.

RREZIQET

Frika se legalizimi i një fenomeni që deri më tani ka qenë i pamundur për t’u kontrolluar nga organet shtetërore, mund të kthehet në bumerang është pikëpyetja më e madhe që ngrihet ndaj kësaj nisme.

Për Opozitën, në një vend ku prodhimi dhe trafikimi i paligjshëm i kësaj lënde narkotike është një problem madhor prej shumë vitesh, projekti i qeverisë është tentativë e dëshpëruar dhe e predispozuar për të dështuar. Legalizimi i kanabisit cilësohet si një është një eksperiment i dështuar edhe në shumë vende të tjera dhe duke ditur kapacitetet e shtetit shqiptar, por dhe korrupsionin e zinxhirit shtetëror që shtrihet deri në hallkat më të ulta të Policisë së Shtetit.

Shumë syresh e shohin këtë nismë si një kapitullim dhe dorëzim pa kushtet të shtetit përballë organizatave kriminale që nën petkun e kultivimit të kanabisit mjekësor do të vërshojnë me kultivimin e kanabisit që përdoret për qëllime trafikimi.

Për shumë kritikë të nismës, ajo krahasohet me një tjetër vendimmarrje të qeverisë, mbylljen e basteve. Edhe pse ligjërisht nuk lejohej bastvënia në Shqipëri në 3 vitet e fundit, pothuaj çdo kush që kishte dëshirë dhe kapital të luante, mund të luante pa ndonjë problem të madh.

Impakti tek të rinjtë është një tjetër pikëpyetje shumë e madhe që ngrihet. Në një kohë që po flitet për shumë lloje drogrash të reja që përdoren në ambiente të ndryshme që frekuentohen nga të rinjte, legalizimi i kanabisit mjekësor duket sikur i rrit gjasat dhe frikën që depërtimi tek të rinjtë do mund të ishte më i thjeshtë.

SI DO FUNKSIONOJË KULTIVIMI I KANABISIT MJEKËSOR

Sipas parashikimeve ligjore, licensat do t’u jepen vetëm kompanive të huaja me përvojë me më shumë se 3 vite në këtë fushë dhe me një kapital të shoqërisë mbi 100 milionë lekë. Ligji parashikon që për ushtrimin e këtij aktiviteti kompanitë të licensohen për një afat jo më te gjatë se 15 vite, por me të drejtë rinovimi. Gjithashtu kufizime ka edhe për për sipërfaqen e kultivuar e cila do duhet të jetë jo më të vogël se 1 hektar, por nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar. Çdo 3 vjet, kushtet e licencës rivlerësohen nga Agjencia, e cila, nëse konstaton mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve, propozon, sipas rastit, pezullimin ose shfuqizimin e licencës apo i kërkon subjektit plotësimin e kushteve brenda një afati 30-ditor. Jo më vonë se 6 muaj përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë së licencës subjekti mund të kërkojë rinovimin e saj kur provon se plotëson kushtet e pajisjes me licencë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Për t’u pajisur me licencë, sipas ligjit subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët apo aksionarët nuk duhet të jenë në ndjekje penale apo në në gjykim për ndonjë vepër penale. Në raste shkeljesh edhe penalitetet janë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë, si dhe ndalimi i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vite.

 

Më të lexuarat