Një ndërtesë, një milion histori: Piramida e Tiranës.

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Hoteli ndërkombëtar i Zenicës dhe Piramida e Tiranës – Janë kujtesë e gjallë e së kaluarës komuniste në Bosnje Herzegovinë dhe Shqipëri dhe që kanë pasur rugëtime të ndryshme pas rënies së regjimeve komuniste. Gazetarja Boshnjake Lidija Pisker dhe Aktivist dhe Autor i novelave grafike Xhenson Çela, shkruajnë rreth të shkuarës dhe të tashmes së këtyre simboleve arkitekturore në qytetet e tyre në një histori të vetme të lidhur bashkë nën titullin ‘Një ndërtesë, një milion histori’.

Pas vitesh rrënimi, ikona e Tiranës, Piramida e Tiranës – Një trashëgimi arkitekturore e periudhës komuniste, tashmë ka një pamje dhe qëllim të ri. Aktivisti dhe autori i novelave grafike, Xhenson Çela, sjell një këndvështrim nga e kaluara të historisë së kësaj vepre të rijetësuar.

Nga Xhenson Çela

Unë jam një fëmijë i mijëvjeçarit, kështu quhemi ne që kemi lindur pas viteve 90-të, periudhë që përkon me rënien e një prej regjimeve më të egra që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë. Gjatë fëmijërisë, si shumë prej bashkëmoshatarëve të mi, kam jetuar përgjatë një kohe të ndryshimeve ekonomike, shoqërore dhe infrastrukturore. Nuk kam kujtime se si ishte të jetoje nën frikë, autoritet, izolim dhe padituri, përveçse pasojave dhe gjurmëve që la pas ai regjim.

Një nga këto gjurmë e cila i kujton njerëzve komunizmin, ku periudhën më të egër e ka njëhur me ndryshimin e kursit politike kah diktaturës pas vitit 1975, janë disa godina të rëndësishme në Sheshin Skënderbej – Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i Operës dhe Baletit, disa qindra mijëra bunkerë të shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë, ‘Shtëpia e Gjetheve’ e cila u ‘zbulua’ nga publiku vetëm disa vite më parë dhe e fundit, godina arketipike Piramida e Tiranës.

Ndryshe nga Muzeu Historik Kombëtar, i ndërtuar në vitin 1978 dhe i inaguruar më 28 nëntor të vitit 1981, datë e cila simbolizon ditën kombëtare të pavarësisë më 28 nëntor 1912, dhe Pallati i Operës dhe Baletit, i ndërtuar më 1963 dhe e inaguruar më 29 nëntor të vitit 1966, datë e cila kremton çlirimin e Tiranës pas luftës së dytë botërore. Piramida e Tiranës, përfaqëson drejtpërdrejtë kultin e diktatorit Enver Hoxha, e pagëzuar me emrin e tij që të shërbente si muze pas vdekjes.

Nuk më kishte shkuar kurrë mendja dhe as që kisha informacion deri sa arrita moshën për universitet që Piramida e Tiranës – Një ndërtesë sa interesante aq edhe e çuditshme dhe e shkretuar, që ruhej nga roje policore, ka qenë e inaguruar si muzeu personal i Enver Hoxhës në vitin 1987, tre vjet pas vdejkes së tij.

44 vjeçarja Irena Mitro, Përgjegjëse Sektori pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, më tregoi gjatë një bisede në mjediset e Piramidës, që e kishte vizituar Piramidën vite më parë, në kohën kur shërbente si muzeu i diktatorit.

‘’Ende më kujtohet teksa shëtisnim përgjatë godinës me stil arkitekturor dhe hapësira të pazakonta. Më ka lënë mbresa dhe përshtypje për një kohë të gjatë. Ndërtimi dhe pllakat e grantit ishin të mrekullueshme, me sipërfaqe të shndritshme dhe statuja e diktatorit atje në mes të hapësirës. Ekspozita dhe një televizor i vogël me ngjyra shfaqnin pamje filmike të E. Hoxhës me një tjetër udhëheqës komunist të asaj kohe. Në një nga ato ekranet e vegjël, në momentin e vizitës tonë, u shfaq edhe një pamje filmike me titra në fund të ekranit, e E. Hoxhës me Georgy Dimitrov, një udhëheqës komunist Bullgar, teksa ishin të përfshirë në një bisedë të gjallë. Një godinë e veçantë, ndryshe nga të gjitha të tjerat e asaj kohe’’, këto ishin pak nga kujtimet që Irena ndau me mua.

Sa shumë më trembte idea që të ngjitesha dhe të rrëshqisja nga maja e piramidës poshtë, si shumë fëmijë dhe adoleshentë që argëtoheshin duke e bërë këtë lojë në një Tiranë që ndryshonte çdo ditë, aq më shumë më ngacmonte kurioziteti dhe më ngjallte keqardhje.

Figure 1 Photo Credit: Piramida e Tiranes, Lidija Pisker

Që nga rënia e komunizmit dhe deri kohët e fundit, Piramida e Tiranës nuk e preku kurrë potencialin e saj; përkundrazi, u braktis për t’u degraduar dhe shuar ngadalë në një relike të regjimit të kaluar. Ti shërbente një simboli për të na kujtuar rreth arkitekturës brutaliste kaq shumë e parapëlqyer nga regjimet socialiste të Evropës Lindore dhe Ballkanit. Madje, nuk kam pasur dijeni deri në momentin që vendosa të shkruaja këtë artikull që një stil arkitekturor i tillë ekzistonte, pra kishte një emërtim të sajin. Çuditërisht, kam pasur gjithmonë ndjesinë dhe emocionet që ky stil përcjell tek njerëzit. Arkitektura brutaliste përçon ndjesinë e zymtësisë, dhe autoritetit të ftohtë acar që është përdorur për të qeverisur me anë të forcës. Gjithmonë kam pasur ndjesinë që ndërtime të tilla, një nga pikë referencat e qytetit siç është Piramida, fshihte një mesazh dhe kishte si qëllim të pëcillte idenë e pushtetit, forcës, autoritet dhe kokëfortësisë.

Figure 2 Photo Credit: Piramida e Tiranes, Lidija Pisker

Teksa po bisedoja me një mik, Besart Shehu, me profesion arkitekt dhe profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ai ndau disa përshtypje me mua rreth Piramidës së Tiranës: ‘Simbolika që paraqet është e qartë, sikurse janë paraardhësit e saj. Plan projekti i Piramidës skalit idenë e lartësimit të liderit komunist në statusin e ‘zotit’. Megjithatë, plani arkitekturor i saj për kohën është eklipsuar nga kujtesa kolektive ngase përfaqësonte regjimin shtypës të diktaturës komuniste

Arkitektura Brutaliste në Shqipëri shërben si një rikujtesë e prekshme e zhvillimeve social-politike të historisë së Shqipërisë. Për këtë arsye, rijetësimi i Piramidës ndez debate rreth identitetit, historisë dhe së ardhmes. E parë në një kontekst të pastër arkitekturor, në këndvështrimin tim personal dhe profesional, mendoj që planimetria e saj shpreh një lloj përtacie dhe dembelizmi, nga ana tjetër, po ajo planimetri arrin deri të përqafojë identitetin futurist i cili do t’i hapë rrugën ideve të reja për brezat që do të vijnë pas. Në fund të fundit, arkitektura e ka arritur qëllimin e saj si shumë disiplina të tjera në sferën publike, atë të ndezjes së debatit për të ngjallur emocione të përziera (shpesh herë edhe negative), kështu që, le të jetë e lirë të provokojë’.

Shumë pak e njihja Piramidën e Tiranës, por për rreth 30 vite, ajo ka ekzistuar kryesisht në dy forma: E para, si një strukturë e shfrytëzueshme për aktivitet privat nga bizneset dhe e dyta si një mjedis informal për aktivitete kulturore dhe sportive nga të gjitha grup moshat. Hyrja ballore e Piramidës ka qenë gjithnjë e ‘kyçur’, ndërsa hyrja nga pas, ka shërbyer si zyra dhe studio e një prej televizioneve më të mëdha kombëtare, Top-Channel, nga vitet 2000 deri në vitin 2015. Kurse pjesa e ballore në të djathtë e godinës, ka shërbyer si Diskoteka Mumja, e cila ka qenë shumë e njohur aty nga viti 2000 deri në vitin 2005. Përtej pjesës formale të sektorit privat, sheshi përpara godinës ishte zona perfekte për shëtitje gjatë ditës ose mbrëmjeve të qeta. E ndërkohë, i shërbente edhe grupeve rinore të dashuruar pas kërcimit të rrugës dhe muzikës hip-hop. Grupe të ndryshme të rinjsh do të mblidheshin kohë mbas kohe të praktikonin forma të reja të kërcimit dhe rima të muzikës hip-hop, ku përveç pasionit për këto rryma, ishin edhe një mënyrë për të shprehur emocionet dhe qëndrimet ndaj ndryshimeve të kohës

Mbijetesa e Piramidës në një gjendje rrënimi dhe mjerimi midis jetës së gjallë që gëlonte rreth e qark saj, e gjeti këtë të fundit në mëshirë të fatit, kur në vitin 2010, qeveria e asokohe, nisi hartimin e një akti ligjor për shkatërrimin e Piramidës me qëllim zëvëndësimin e saj me projektin e parlamentit të ri Shqiptar. Rreth 25 studio arkitekture morën pjesë në konkurs për projektin e ri të godinës së parlamentit, por u përballen menjëherë me qëndresën e historianit Ardian Klosi dhe 6,000 qytetarëve Shqiptarë të cilët kolektivisht e kundërshtuan këtë vendim.

Në mars të vitit 2011, qeveria organizoi një tjetër konkurs e cila u fitua nga studio planifikuese Vieneze e njohur me emrin Coop Himmelb(l)au. Projekti ishte planifikuar të fillonte nga puimet më 28 nëntor të vitit 2012, për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, por puna nuk nisi kurrë.

Në vitin 2013, nisën planet për rikonstruksionin e plotë të godinës. Ndërsa në vitin 2014, një kompani arkitektutore kineze fitoi ofertën për rikonstruksionin e saj. Një vit më vonë, nisi puna restauruese përeth perimetrit të Piramidës.

Në 2018, një tjetër plan për shndërrimin e Piramidës u prezantua për publikun, ndërsa projekti përfundimtar u prezantua në muajin maj të po atij viti.

U vendos që Piramida do të shndërrohej në qendrën rinore më të madhe në rajon, me fokus kryesor në edukimin digjital, kulturën e teknologjisë, energjinë rigjeneruese, mbështetjen për artin dhe kulturën, kurse profesionale në teknologji dhe informacion dhe hapësirë rinore. Rikonfigurimi i Piramidës nisi në tetor të vitit 2020 dhe zgjati deri në vitin 2022. Vitin e shkuar, në maj të 2023, u inagurua për herë të parë nga Kryeministri Edi Rama dhe u shpall e hapur për publikun.

Figure 3 Photo Credits: Ossip van Duivenbode

Sot, Piramida mund të shquhet me të drejtë si një nga qendrat më të mëdha teknologjike në vend dhe rajon, duke ofruar një infrastrukturë futuriste e përbërë nga hapësira shumëngjyrëshe prej kubi brenda dhe jashtë saj. Të rinjtë dhe jo vetëm, ende kanë mundësi të ngjiten drejt e në majën e Piramidës, si dikur, por kësaj rradhe, duke përdorur shkallët për të shijuar pamjen e bukur të një Tirane që po ndryshon çdo ditë. Sidoqoftë, ka mbetur ende ndjenja nostalgjike për Piramidën e dikurshme, atë të pas viteve 90. Pavarësisht pamjes së saj të degraduar, Piramida gjente ende forcë të pëçonte ftohtësi dhe autoritet. Nga vitet 90 deri në vitin 2010, për gati dy dekada, të rinjtë në mënyrë instiktive e gjetën rrugën për të kultivuar një ndjenjë komunitare, kulturë, kohezion shoqëror, art, kërcim dhe muzikë brenda perimetrit të territorit të saj.

Bëj një udhëtim kronologjikë të historisë së Piramidës duke hapur linkun më poshtë.

https://cdn.knightlab.com/libs/timeline3/latest/embed/index.html?source=1ge-_Sgb_zmegNL2klro2qQw5PfBbEvhVSxwmCW6bfzk&font=Default&lang=en&initial_zoom=2&height=650

 

500 kilometra distancë nga qyteti im, Tirana, në Zenicë të Bosnje Herzegovinës, me dhjetra godina të periudhës komuniste janë duke u dergjuar në rrënim për shkak të neglizhencës së autoriteteve pulike. Në artikullin e saj “One Building, One Million Stories: Zenica’s Hotel Internacional“, gazetarja Boshnjake Lidija Pisker shkruaj rreth Hotelit Ndëkombëtar, një herë e një kohë, një godinë moderne dhe i famshme në qytetin e saj të lindjes, Zenicë.

I ndërtuar në vitet 1970, si një hotel luksos për kohën, ra shpejt në dëshpërim gjatë luftrave të ish-Jugosllavisë në vitet 90. Megjithatë, godina qëndron ende në këmbë si një kujtesë e gjallë e historisë së trazuar të Zenicës dhe qëndrueshmërisë së njerëzve të saj. Gjatë intervistave me banorë të Zenicës, artistë dhe turistë, historia që Lidia trajton i vë thenksin kujtimeve të lidhura me Hotelin Internacional dhe rolit të saj në nisma të shumta kulturore të kohës së dikurshme.

 

Prodhimi i këtij artikulli është mbështetur nga Thomson Foundation si pjesë e projektit Culture and Creativity for the Western Balkans (CC4WBs). Ky artikull në formë rrëfimi është krijuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e autorit/ve dhe nuk paraqet domosdoshmërisht opinionet e Bashkimit Evropian.

 

Më të lexuarat