Si mund ta ndryshojë panoramën politike aksioni veror i SPAK-ut

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Si asnjëherë më parë në historinë 32 vjeçarë të demokracisë shqiptare, situata politike po ndikohet nga lëvizjet në sektorin e drejtësisë. Që nga ngritja e organeve të reja të drejtësisë, pritshmëritë ishin të mëdha për goditje të forta kundër korrupsionit, duke ndëshkuar zyrtarë të lartë.

Në muajt e fundit, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka hapur osë ka avancuar me disa dosje të cilat në politikën shqiptare mund të prodhojnë lëvizje tektonike në të dyja krahët. Inceneratorët, Gërdeci, Check up-i, kompleksi Partizani, lobimet në SHBA, CEZ/DIA, pronat e ushtrisë dhe abuzimet me tenderat, etj. janë vetëm disa nga dosjet që përfliten se mund të djegin figura të njohura të politikës në vend, majtas dhe djathtas.

DOSJET PËR TË MAJTËT

Kur përmend SPAK-un për funksionarët e lartë publik dhe politikanët e majtë, gjithë vëmendjen në muajt e fundit e ka marrë dosja e incineratorëve. Deri më tani për shkak të përfshirjes në këtë aferë, kemi dhjetra zyrtarë publik, 1 deputet (Alqi Bllako), një ish-ministër (Leftër Koka) dhe ish-zëvendës kryeministrin, Arbën Ahmetaj të vënë nën akuzë se kanë përfituar ose abuzuar me detyrën në procedurat për funksionimin dhe ngritjen e skemës së 3 inceneratorëve në Fier, Elbasan dhe Tiranë. Urdhërarresti ndaj ish-numrit dy të qeverisë prodhoi jo pak tronditje te maxhoranca socialiste, që gjithsesi dukej e përgatitur për një gjë të tillë, pasi prej kohësh, Ahmetaj ishte zhveshur nga çdo detyrë politike dhe partiake dhe prej muajsh ishte thjesht një deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Të akuzuar nga opozita si të përfshirë në këtë aferë, janë edhe të tjerë ministra socialist, por edhe kryebashkiak ku këto tre impiante janë planifikuar për t’u ndërtuar dhe vepruar.

Duke përjashtuar “dosjen aksidentale” të ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici që u filmua në zyrën e tij duke kryer veprime të turpshme, por edhe duke dhënë premtime për shpërndarjen e të ardhurave publike në mënyrë abuzive, në ngarkim të të majtëve janë edhe disa çështje që janë paditur në SPAK dhe dosjet janë ende të hapura.

Një nga akuzat dhe aferat e para të denoncuara nga opozita ndaj qeverisë ‘Rama 1’ ka qenë PPP-ja për shërbimin e Check up-it. Hetimet për koncesionin e Check Up vijojnë prej 3 vitesh. Në lidhje me këtë çështje në korrik të viti 2022 është marrë në pyetje edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Për të njëjtin hetim vitin e kaluar është pyetur më herët për 3 herë rresht, ish-zv.ministër i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe anëtarë të komisionit që kanë vlerësuar procedurat e tenderëve. Emri i ish-ministrit Beqaj përfshihet edhe në një tjetër dosje, atë të hemo dializës, dosje e cila është ende nën hetim nga SPAK. Rrjetës së hetimit nga SPAK nuk i ka shpëtuar as pasardhësja e tij në krye të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila është akuzuar nga opozita si e përfshirë në tenderat e bërë gjatë periudhës së pandemisë nga COVID-19.

Pronat e ushtrisë në disa zona strategjike, kryesisht bregdetare është një tjetër dosje që prokurorët special e kanë duart e tyre, ku sërish akuzohen si të përfshirë anëtarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues e ish-drejtues të lartë të Forcave të Armatosura.

Një tjetër çështje që në javët e fundit është vënë në qendër të vëmendjes ka të bëjë me fondet e IPARD. Pezullimi që bëri Bashkimi Europian për fondet e IPARD 2 dyshohet se ka të bëjë me afera të mundshme korruptive që dyshohet se implikojnë disa ministra që kanë mbuluar dikasterin e bujqësisë në 6 vitet e fundit.

Përveç hetimit ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, zhvillime majtas në SPAK pritet të ketë edhe për disa tendera të dhënë për rrugët, ku edhe akuzat nga opozita nuk kanë munguar.

DOSJET PËR TË DJATHTËT

Edhe pse është krijuar një perceptim sikur “SPAK po godet vetëm majtas”, madje edhe kryeministri Rama e ngriti këtë shqetësim, në duart e prokurorëve special nuk mungojnë as dosjet që mund të “godasin djathtas”. Një nga dosjet më të vjetra dhe me shtyrjet proceduriale në historinë 30 vjeçare të gjyqsorit shqiptar është ajo e Gërdcit. Për shpërthimin në depon e dëmontimit të armëve në Gërdec “drejtësia e vjetër” çoi pas hekurave 28 persona, kryesisht zyrtarë të nivelit teknik, biznesmenë dhe politikanë me profil të ultë. Ish-ministri i Mbrojtjes në atë kohës, Fatmir Mediu edhe pse figura kryesore më e akuzuar nga familjarët e viktimave, nuk u dënua asnjëherë nga asnjë shkallë e gjyqësorit. Çështja është në hetimin final dhe në vjeshtë pritet pretenca e SPAK dhe vendimi i Gjykatës.

Bashkë me këtë çështje, dosja e “kompleksit Partizani” është nga më të përmendurat nga të majtët që akuzojnë figura me peshë politike në Partinë Demokratike. Në aferën me privatizimin e ish-Klubit Partizani, deputetë të Partisë Socialiste akuzojnë si të implikuar ish-ministrat, Mediu, Bode, Ruli ish-kryeministrin Berisha dhe familjarët e tij. Dosja e privatizimit të ish-Kompleksit Partizani është regjistruar nga SPAK për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Një tjetër dosje që është në SPAK dhe prek figura të opozitës së sotme është ajo e CEZ/DIA. Në prill të vitit 2022, SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Për këtë aferë ka një të ndëshkuar, Kastriot Ismailaj, i dënuar me 11 vite burg. Dosja “DIA” është një pjesë e çështjes së privatizimit të CEZ. Ajo daton që në 2010 kur Kastriot Ismailaj themelon një kompani në “off shore” për mbledhjen e borxheve të kompanisë CEZ që ishte privatizuar nga OSHEE nga qeveria ‘Berisha’. Sipas organit të akuzës, Ismailaj me anë të falsifikimit e mashtrimit ka arritur të përvetësojë nga kompania CEZ-shpërndarje rreth 5 mln euro. Dyshimet që çuan Ilir Metën në SPAK lidhen me akuzat e ngritura në media përmes shkrimeve të ndryshme, se ish-Presidenti ka qenë pas Ismailajt.

Në ngarkim të zyrtarëve të Partisë së Lirisë, duke përfshirë kryetarin e kësaj partie Ilir Meta është edhe dosja për lobimet në SHBA. Për këtë çështje, hetimet e SPAK, nisën për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh, pa emër personi të dyshuar, pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri, që akuzoi partinë e drejtuar asokohe nga Ilir Meta, se ka paguar 700 mijë dollarë për lobimin në SHBA, përfshirë vizitat në SHBA edhe një foto me ish-presidentin republikan Donald Trump.

SHANSE PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHËSHME?

Aferat dhe dosjet e përmendura më sipër dhe të akuzuarit politikisht dhe penalisht janë vetëm disa nga çështjet që diskutohen dhe trajtohen më shumë publikisht në vend dhe që mund të prodhojnë ndryshime të mëdha në politikën shqiptare. E duke marrë parasysh këto premisa, jo pak herë nga analistë të ndryshëm, por edhe eksponentë politikë, është hedhur idea e zgjedhjeve të parakohëshme. Arrestime të bujshme që mund të çojnë në një krizë poltike që do e detyronte vendit të shkonte drejt zgjedhjeve të parakohëshme është një tezë që deri më tani nuk ka shumë baza reale. Por duke marrë parasysh zhvillimet e paralajmërua politike në shtator (Kongresi i Jashtëzakonshem i PS dhe Kuvendi i PD), çdo hipotezë mund të qendrojë dhe vetëm koha do provojë nëse janë të mbështetura në informacione konkrete, apo janë thjesht spekulimet e radhës.

Më të lexuarat