Fshati si në mesjetë, Romët në Drizë të Fierit apel për vëmendje: Nuk votojmë nëse nuk ka investime

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Nga Fjona Çela

Fshati Drizë në Njësinë Administrative Qendër të Bashkisë Fier, prej më shumë se 30 vitesh nuk njeh asnjë investim. Prej shumë vitesh, mbi 750 familje të komunitetit rom janë lënë në harresë. Bashkia e Fierit nuk ka vënë dorë për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve minimale për jetesën e këtyre banorëve. Prej vitesh, kërkesat e tyre drejtuar institucioneve, kanë shkuar në vesh të shurdhër. Kryetari i fshatit Drizë, ku popullsia është e përbërë nga pjesëtarë të komunitetit rom, Panajot Alushi, tregon për Community Reporters Albania, se cilat janë problematikat e fshatit.

Panajot Alushi-Aktivist Rom

“Që prej vitit 1991 fshati ynë është po në të njëjtën gjendje. Ne si banorë vuajmë mungesën e ujit të pijshëm, asfaltimin e rrugës, tubacioneve të ujërave të zeza, nuk kemi ndriçim publik, plehrat kanë pushtuar zonën se nuk i pastrojnë, por edhe nuk ka mjaftueshëm kosha mbeturinash. Janë 5 rrugë kryesore, disa rrugë janë pa emra. Më emergjente është shtrimi i rrugëve kryesore “Flamur Alushi” dhe “Safet Alushi”, të shtrohen me asfalt e beton. Sa i përket ujit, nëse nuk bëhet rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza nuk ka zgjidhje për ne. Pastaj nëse shtrohet rruga, patjetër duhen bërë kanalizimet, se nëse i bëjnë më vonë, i bie të prishet sërish rruga.  

Kjo ndotje e theksuar në mjedis, ka ndikuar negativisht edhe në shëndetin e banorëve. Pjesa dërrmuese e tyre kanë shfaqur probleme shëndetësore.

“Nga kjo ndotje e madhe po na shkaktohen edhe probleme shëndetësore. Ne si banorë po vuajmë spitaleve. Vuajmë nga astma, mushkëritë e diabeti. Përveç plehrave që kanë pushtuar zonën, kemi edhe amoniakët e groposur që në kohë të Enver Hoxhës, çka bëjnë që ndotja të jetë edhe më e madhe dhe problemet shëndetësore edhe më të shpeshta”- thekson Panajoti.

Përballë këtyre problematikave, sipas banorëve pushteti vendor ka qëndruar indiferent. Edhe pse kanë adresuar kërkesat e tyre në institucionet përkatëse, asgjë nuk ka marrë zgjidhje. Në këtë situatë, banorët u mlodhën në protestë në fashtin e tyre, por Panajoti tregon se i është thënë që do u vendoset gjobë, nën pretendimin e organizimit të jashtëligjshëm.

“Në bashki kemi shkuar, në sektorin e mjedisit, në prefekturë e në institucione të ndryshme, por nuk kemi marrë asnjë zgjidhje. Pasi e denoncova rastin në media më është bërë presion nga lart se do të më vendosin gjobë për protestë të paligjshme. Telefonata më është bërë nga përfaqësues të bashkisë, (emrin dhe pozicionin e saktë do e them nëse më sjellin gjobën fizikisht), se do më vijë një faturë gjobe për zhvillim proteste dhe bllokim rruge, por nuk ka as arsye se unë nuk kam bllokuar rrugën nacionale Fier-Vlorë- shprehet z. Alushi.

Popullsia në këtë lagje është rreth 2800 banorë, 1500 prej tyre me të drejtë vote. Teksa shpalos problematikat që hasin banorët gjatë përditshmërisë së tyre, Panajoti ngre edhe shqetësimin se komuniteti rom në këtë zonë, nuk është i përfaqësuar me asnjë anëtar as në Këshillin e ri Bashkiak. Por ndërsa jemi zyrtarisht në fushatë elektorale, dhe më pak se një muaj na ndajnë nga zgjedhjet vendore të 14 majit, përfaqësuesi i komunitetit rom, njëherazi kryetari i këtij fshati, thotë edhe në emër të banorëve, se askush nga ata nuk do të marrë pjesë në zgjedhje nëse nuk vihet dorë në infrastrukturë dhe përmirësim të kushteve për këto familje.

 

“Është krejtësisht e pamundur të lëvizet këtu, ne kërkojmë të na bëhet rruga, të furnizohemi me ujë, të kemi ndriçim dhe mos të kemi plehra. Këto janë kërkesa bazike për një komunitet, dhe në rast se nuk na i plotësojnë, do të bojkotojmë zgjedhjet. Pushtetarët duhet të kthejnë sytë nga komuniteti ynë, përndryshe nuk do të votojmë fare”- thekson ai.

Komuniteti rom në fshatin Drizë të Fierit, bën thirrje të merren masa për përmirësimin e infrastrukturës në zonë, si dhe integrimin në jetën sociale të pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Më të lexuarat