12 vite pa një cens, çfarë rreziqesh iu kanosen minoriteteve nga regjistrimi i ri në vjeshtë

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

“Unë jam 8302”, kjo është protesta simbolike e Emiliano Aliut që kundërshton rezultatet e Censit të popullsisë  në vitin 2011, ku minoriteti rom ka rezultuar me vetëm 8301 anëtarë. Emiliano është aktivist rom dhe drejtues i “Roma Versitas Albania” dhe gjatë bisedës në studion e podcast-it të Community Reporters Albania, tha se nuk është intervistuar në vitin 2011 dhe numri i romëve, por edhe shqiptarëve është më i lartë se sa ato shifra.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të zhvillohet në 18 Shtator duke mundësuar mbledhjen e të dhënave zyrtare të numrit të popullsisë në vendin tonë dhe karakteristikat demografike, ekonomike e sociale. Në censin e vitit 2011 të dhënat për pakicat kombëtare rezultuan në një numër më të vogël përsa i përket dy prej tyre;  rome dhe egjiptiane, ku rezultuan 8301 romë  dhe  3368 egjiptianë- më pak se 0,5% e totalit prej 2,8 milionë banorë të vendit.

Ishin organizatat dhe aktivistët romë e egjiptianë që ngritën shqetësimin për rezultatet e ulëta të censit në raport me popullsinë që kanë në realitet këto dy pakica, të cilat sipas tyre duhet të rezultojnë me një numër më të lartë. Ata zhvilluan takime konsultuese mbi sfidat, metodologjinë  dhe komunikimit të pyetjeve për anëtarët e dy pakicave të cilët kanë specfikat e tyre bazuar në karakteristikat që i dallojnë për nga niveli arsimor dhe kushtet social-ekonomike.

CENSUS 2022

Rezultatet e Censit të Instat në 2011 u kundërshtuan lehtësisht nga rezultatet e Censusi 2014 “Banesat dhe Popullata Rome në Shqipëri” të realizuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në vitin 2014, ku rezultuan  18.276 romë. Ndërsa organizata “Lëvizja Rome dhe Egjptiane” në Elbasan me censin e kryer për minoritetin Egjiptian në Bashkinë Korçë dhe Elbasan, duke i realizuar intervistat derë më derë, raportuan rreth 13.749 anëtarë të minoritëtit egjiptian (Elbasan 5.561, Korçë 8.188).

Marrë shkas nga reagimi i organizatave dhe sugjerimet mbi metodologjinë e mbledhjes të së dhënave për këto dy minoritete, INSTAT pilotoi mbledhjen e të dhënave në disa zona. Megjithëse iniciativa paraqiti një vullnet të mirë të institucionit, pilotimi është shoqëruar më disa problematika të cilat janë të shprehura në një raport vlerësimi nga organizatat e shoqërisë civile rome dhe egjiptiane.

 “Si mund të nxjerrim të dhëna të sakta për paicat kombëtare kur pilotimi u krye në zona ku nuk ka minoritet rom? INSTAT duhet të korrigjojë gabimet që ka bërë në 2011”, vijoi Emiliano.

Ai ndihet i shqetësuar për zhvillimin e këtij censi të ri për shkak se një numër i lartë i anëtarëve të minoritetit rom i janë drejtuar vendeve europiane si azilkërkues për shkak të vështirësive që hasin në vendin tonë.

Emigrimi i tyre nuk do të mundësojë rezultatin real të popullsisë të këtij minoriteti. Si pasojë e kësaj shqetësimi tjetër i Emiljanos lidhet me politikat që zhvillohen në kuadër të të dhënave, rrjedhimisht politikat e hartuara mbi një numër joreal  të anëtarëve nga minoriteti rom nuk mund të mbulojnë nevojat e të gjithëve.

Shqetësimet e ngritura nga Emiliano dhe në raportin e kryer  nga organizatat bazohen në rëndësinë që kanë të dhënat në hartimin e politikave sociale dhe shpërndarjen e buxheteve për romët dhe egjiptianët në bashkitë ku ata janë të përqëndruar. Bazuar në rëndësinë që ka mbledhja e të saktë e të dhënave shqetësimët e tyre organizatat i kanë adresuar edhe në Komitetin për Pakicat Kombëtare për të bërë të mundur marrjen në konsideratë të rekomandimëve dhe sugjerimeve të organizatave mbi censin e popullsisë e banesave 2023.

Ndër të tjera sugjerimet e bëra nga organizata lidhen me rekutrimin e stafit me përkatësi rome dhe egjiptiane në zonat ku jetojnë këto dy pakica për të lëhtësuar procesin e intervistës dhe shpjegimit të pyetjeve bazuar në profilin e inveristuesit dhe në mënyrë specifike emërtimet zyrtare të dy minoriteteve pasi shumica e anëtarëve e njeh veten sipas termave pexhorativ.

Bazuar në këto diskutime, CRA pyeti zyrtarisht INSTAT për përmbajtjen e pyetjeve lidhur me përkatësinë etnike. Në përgjigjen zyrtare INSTAT shprehet se “Pyetësori i Censit përmban edhe pyetje për identitetin etnik, gjuhën dhe fenë, përgjigjet e të cilave bazohen në të drejtën e vet-identifikimit të individit. Këto pyetje përmbajnë për të anketuarin alternativën “Unë preferoj të mos përgjigjem””.

Në përgjigjen e këtij institucioni për përmbajtjen e pyetjeve, popullsia rome dhe egjiptiane (ashtu si edhe qytetarët e tjerë) kanë të drejtë të japin lirisht përgjigjet mbi identitetin etnik duke përzgjedhur një nga alternativat që shfaqen të renditura rastësisht në tabletën e anketuesit, gjatë intervistës, ku anë gjithsej dhjetë raste të parashikuara ku mund të bëhet zgjedhja e alternativës së dëshiruar, midis:

Shqiptar/e
Grek/e
Maqedonas/e
Malazez/e
Arumun/e
Rom/e
Egjiptian/e
Boshnjak/e
Serb/e
Bullgar/e

 

Gjithashtu, ekzistojnë edhe opsionet për të zgjedhur:

Tjetër grup etno-kulturor;

Grup etno-kulturor i përzier;

Asnjë;

Preferoj të mos përgjigjem.

INSTAT duket se ka marrë në konsideratë një nga sugjerimet e organizatave për rekutrimin e stafit me përkatësi rome dhe egjiptiane të cilin njohin zonën dhe banorët e zonës, si dhe janë të aftë të përdorin tabletat, tenderi i të cilëve është në proces.

Realizimi i Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 do të zgjasë rreth 6 javë dhe do të kushtojë 16.9 milion euro me një kosto prej 6 euro individi. Ky buxhet sigurohet 55% nga  buxheti i shtetit, 28% nga delegacioni europian dhe pjesa tjetër nga donatorë të ndryshëm.

 

 

 

 

Më të lexuarat