Tiranë – Një qytetare ka denoncuar sot publikisht kthimin mbrapsht të formularit të vetëdeklarimit nga Komisioni për Njohjen e Pakicave Kombëtare, pavarësisht se sipas saj dokumenti ishte plotësuar në përputhje me modelin e miratuar zyrtarisht nga vetë institucioni. Ajo ngre shqetësimin se kthimi i dokumentit është i pajustifikuar dhe në kundërshtim me ligjin nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”.
“Formulari nuk përmban rubrikë të veçantë që të kërkojë përshkrime të detajuara të karakteristikave dalluese etnike apo kulturore. Kthimi i tij për këtë arsye është i pajustifikuar”, thekson ajo në një reagim të shkruar.
Sipas saj, problemi thelbësor qëndron te mungesa e qartësisë dhe transparencës nga ana e Komisionit, i cili, përkundër detyrimeve ligjore, nuk ka ofruar udhëzues apo materiale informuese për qytetarët që i përkasin pakicave kombëtare, veçanërisht për komunitetet rom dhe egjiptian.
“Një pjesë e madhe e qytetarëve nuk kanë informacion të plotë mbi aktet nënligjore që kërkohen. Përgjegjësia nuk bie mbi qytetarin, por mbi institucionin që duhet të sigurojë akses të barabartë”, shkruan ajo.
Ajo shton se një veprim i tillë përbën pengesë praktike për ushtrimin e të drejtës së vetëdeklarimit dhe cenon parimin e barazisë para ligjit. “Ky proces po kthehet në një barrierë administrative që ndikon drejtpërdrejt në të drejtën për të përfituar statusin dhe dokumentacionin përkatës si pjesë e një pakice kombëtare”, përfundon ajo.
Postimi i plotë në rrjetin social Facebook.com