Studimi/Shfaqja e situatës së gazetarëve shqiptarë në peizazhin mediatik”

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Organizata Lajmetarja publikoi ditën e djeshme studimin për situatën e gazetarëve në peisazhin mediatik, ky studim ka qëllim hulumtimin e gjendjes aktuale në profesionin e gazetarisë për kushtet e punës dhe diskriminimit në punë.

Në studim janë përfshirë 190 gazetarë të cilët punojnë në fusha të ndryshme të gazetarisë në vend. Studimi u fokusua në matjen e plotësimit të kushteve të punës sipas këndvështrimit të tyre si punëmarrës në aspekte si pagesat, siguria në punë, lejet e zakonshme  duke analizuar dhe diferencat e mundshme gjinore.  Këto këndvështrime pasurohen dhe me perceptime nga studentët e gazetarisë, pavarësisht nëse ata kanë pasur mundësinë të punojnë ose jo. Në studim janë përfshirë 250 studentë në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan, në universitete private dhe publike. Dimensioni i fundit është ai i punëdhënësve ose drejtuesit e mediave për të kuptuar sfidat dhe vështirësitë që ata hasin. Në studimin me drejtuesit e mediave janë përfshirë 31 drejtues mediash ose kryeredaktor apo persona të tjerë të aftë për të dhënë informacionin e duhur lidhur me politikat që zbatohen në vendin e punës.

Të dhënat tregojnë se nëntë në dhjetë, 89% gazetarëve deklarojnë se kanë një kontratë të rregullt pune. Ndërkohë rreth 7% e gazetarëve deklarojnë se e kanë kërkuar nga punëdhënësi një kontratë por ai/ajo nuk ka qenë i gatshëm për t’ia ofruar. Analiza sipas viteve të punës tregon se 26%, gazetarë që kanë 1 vit pune ose më pak se 1 vit pune në pozicionin aktual nuk kanë një kontratë të rregullt pune. Një përqindje kjo dy-tre herë më e lartë krahasuar me gazetarët që kanë më shumë vite pune. Ky fakt dëshmon se në vitin e parë të punës ka një tendencë nga punëdhënësit për të mos i ofruar një kontratë të rregullt pune gazetarëve.

Vlerësimet indirekte bazuar në nivelin e vet deklaruar të pagës tregojnë se hendeku gjinor në pagë është rreth 13%, duke treguar se burrat paguhen rreth 13% më shumë se gratë në këtë profesion. Ndërkohë vlerësimet nga listë pagesat tregojnë për një hendek gjinor akoma më të lartë, në nivelin  20%. Këto nivele janë shumë herë më të larta se hendeku gjinor në nivel kombëtar i cili është 4.5% për vitin 2021 (bazuar në burimet zyrtare).

Vetëm 37% e gazetarëve deklarojnë se kanë të drejtën e pushimit në fundjavë. ku burrat më shumë  gratë përfitojnë nga kjo e drejtë, përkatësisht 41% dhe 34%. Nga ana tjetër, 63% e gazetarëve deklarojnë se mund të bëjnë pushim vetëm një herë në javë.

Të pyetur a punojnë jashtë orarit, rreth një në katër gazetarë, 26% janë përgjigjur se i ndodh rregullisht të punojnë jashtë orarit. Ndërkohë 69% e tyre deklarojnë se nuk janë kompensuar asnjëherë kur kjo ka ndodhur.

Rreth 90% e punonjësve kanë deklaruar se kanë të drejtën e një leje vjetore. Mesatarisht ata kanë deklaruar se kanë të drejtën e 15 ditë pune leje vjetore gjatë një viti. Kujtojmë këtu që sipas kodit të punës në fuqi një I punësuar duhet të ketë 20 ditë pune leje vjetore të paguara. Nga ana tjetër, ndërkohë që 93% e punonjësve që kanë një kontratë kanë të drejtën e një leje vjetore të paguar, vetëm 62% e punonjësve që nuk kanë një kontratë kanë të drejtën e një leje vjetore, duke dëshmuar rëndësinë që ka kontrata e punës në sigurimin e kushteve minimale të punës për punonjësit.

Rreth gjysma e gazetarëve deklarojnë se informohen nga punëdhënësi i tyre  lidhur me politikat që zbatohen nga to në vendin e punës. Pjesa më e madhe deklaron se mënyra e informimit është në mënyrë informale, pra nëpërmjet fjalëve jo formale, 65%. Më pak informohen në mënyra formale si e-mail apo mbledhje periodike, 30%.

Tetë në dhjetë përfaqësues mediash tregojnë se kanë politika të posaçme që mbrojnë punonjësit nga ngacmimet apo diskriminimi në vendin e punës. Ndërkohë studimi me gazetarët tregoi se vetëm 45% deklaruan se kanë mekanizma raportimi nëse ata kanë problematika në vendin e punës. Kjo disbalancë mund të jetë për shkak të nivelit të informimit të ulët të punonjësve për mekanizmat informuese ose referuese që ekzistojnë në vendin e punës.

Marrja e trajnimeve në vendin e punës konsiderohen si një çështje shumë e rëndësishme nga gazetarët, ku 70% e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë element në punë, por vetë 11% e gazetarëve deklarojnë se përfitojnë prej tyre në vendin e punës. Të dhënat nga drejtuesit e mediave dëshmuan se 51% e tyre i ofrojnë trajnime dhe 49% kanë deklaruar se nuk ofrojnë trajnime por gazetarët e rinj mësojnë nga ata të cilët kanë një eksperiencë. Duke analizuar faktin se 70% e gazetarëve e kishin shumë të rëndësishme të trajnohen në punë, por vetëm 52% e përfaqësuesve të mediave deklarojnë se ofrojnë trajnime, ky fakt tregon se mungesa e trajnimeve mund të shkaktojë pakënaqësi në punë duke qenë se ky element ishte shumë i rëndësishëm për gazetarët. Shfaqja e këtyre pakënaqësive do të shoqërohet me një angazhim më të ulët me vendin e punës dhe me largimin prej tij sapo një mundësi më e mirë pune mund të ofrohet.

Për më tepër, turnover-i i punonjësve bazuar në numrin e punonjësve të deklaruar gjatë vitit të fundit, dhe të numrit të punonjësve të larguar në të njëjtën periudhë, tregon se është rreth 31%. Kjo tregon çdo vit për çdo 10 punonjës, tre janë të rinj. Ky tregues dëshmon për një lëvizje të shpeshtë të gazetarëve nga vendi i punës e cila tregon një pakënaqësi ose parehati me kushtet e punës ekzistuese. Ky tregues për burrat është dy herë më i lartë në krahasim me gazetaret gra, përkatësisht 45% dhe 28%.

Një praktikë shumë e mirë pune është kryerja e intervistave të largimit për punonjësit që po largohen nga vendi i punës. Qëllimi i këtyre intervistave është që punëdhënësit të kuptojnë arsyet e largimit dhe për të adresuar cështjet problematike në të ardhmen. Rezultatet tregojnë që punëdhënësit shfaqin interes të lartë për të kuptuar arsyet e largimit të gazetarëve nga vendi i punës. Në pjesën më të madhe të rasteve, 58% ose 18 përfaqësues deklarojnë se këto intervista janë kryer gjithmonë dhe 9 prej tyre deklarojnë se janë kryer por jo gjithmonë. Tetë në dhjetë përfaqësues mediash deklarojnë se punonjësit e tyre largohen për të pozicion pune më të mirë brenda vendit por sërish në profesionin e gazetarit . Në një tre punëdhënës tregon se punonjësit largohen se nuk duan të punojnë më në profesionin e gazetarit dhe 29% deklarojnë se gazetarët largohen jashtë vendit.

Studimi me studentët e gazetarisë, tregojnë se më shumë se gjysma e ka zgjedhur degën se pse i pëlqen dhe nuk ka qenë i ndikuar në zgjedhjet e tyre. Nga ana tjetër, duket se djemtë janë më aktivë në të punuarit në këtë profesion gjatë studimeve në krahasim me vajzat. Të dhënat tregojnë se 48% kanë patur të paktën një eksperiencë në fushën e gazetarisë gjatë kohës që janë student, në krahasim me 27% për vajzat. Sidoqoftë shumica, 56% kanë deklaruar se nuk kanë punuar me një kontratë të rregullt, dhe kjo përqindje është më e lartë tek djemtë se tek vajzat, përkatësisht 61% dhe 53%. Rezultatet për nivelet e pagave tregojnë se pagesat në përgjithësi janë në nivele shumë të ulta ku më shumë se gjysma (67%) është nën nivelin e pagesës 35.000 Lekë. Kjo mund të shpjegohet dhe me faktin se punëdhënësit mund të përfitojnë nga ky fakt me mendimin se ata duan një eksperiencë përpara një pagese të kënaqshme.

Duket se të rinjtë që studiojnë për gazetari kanë qëndrime kritike për këtë profesion. Vetëm një në katër studentë mendojnë se gazetaria e sotme mundëson lirinë fjalës dhe 93% mendojnë se mediat në vendin tonë janë të influencuara politikisht. Vetëm një në tre kanë vendosur që profesioni i tyre i ardhshëm do të jetë gazetaria.Pjesa më e madhe si e djemve dhe e vajzave janë ende të pavendosur, 43% dhe 59%.

Pjesa më e madhe e të rinjve, 64%, pavarësisht nëse do të ndjekin profesionin e gazetarisë apo jo, mendojnë se do ta kenë të vështirë ose shumë të vështirë për të gjetur një pune. Vihet re se vajzat janë më pesimiste për sa i takon mendimit për të gjetur një punë në krahasim me djemtë, përkatësisht 67% dhe 57%.

Shifrat për dëshirën e të rinjve për të emigruar ngrenë shumë pikëpyetje për të ardhmen e këtij profesioni në vend.  Nga ana tjetër, burimet zyrtare dëshmojnë për një përgjysmim të numrit të studentëve të regjistruar për gazetari pesë vitet e fundit. Pothuaj gjysma pa dallime gjinore të rëndësishme, 48%, kanë plane për tu larguar nga vendi, dhe 10% prej tyre e kanë vendosur dhe destinacionin, ku kryesisht destinacioni i preferuar është Evropa.

 

Më të lexuarat