Fëmijët pa shkollë e prindërit pa punë, romët dhe egjiptianët e Vlorës në gjendje të mjerueshme

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Varfëria ekstreme është pengesa kryesore që shkëput nga procesi arsimimit fëmijët në komunitetet e romëve në Vlorë. Arsye të tjera për braktisjen e shkollës janë mungesa e interesit për vazhdimin e shkollës, punësimi i fëmijëve si por edhe arsimimi i ulët i prindërve të tyre. Për sa kohë pjesa më e madhe e këtij komuniteti jeton në varfëri e përjashtim social, hezitimi për të kërkuar të drejtat vazhdon të mbizotërojë tek ky komunitet. Një sërë problematikash janë identifikuar në raport me çështjet e arsimit, që lidhen me infrastrukturën e shkollave dhe kopshteve që kanë sistem ngrohjeje jo funksional dhe instalime të dobëta elektrike.

Po ashtu mungojnë aktivitetet shkollore e social-kulturore. Mbështetja në sigurimin e teksteve dhe mjeteve shkollore falas për fëmijët romë dhe egjiptianë që ndjekin arsimin e detyruar dhe vijnë nga familjet e varfëra nuk ka qenë e vijueshme.

Si rezultat i shkallës së ulët të nivelit arsimor, varfërisë dhe përjashtimit social, romët dhe egjiptianët kanë një shkallë më të lartë papunësie, në raport me shumicën. Janë shumë të pakët bizneset që kanë punësuar romë dhe egjiptianë në Bashkinë Vlorë. Këto biznese i punësojnë romët dhe egjiptianët kryesisht në aktivitete si fasoneri, industri mekanike, industri plastike, industri ushqimore dhe riciklim. Në Bashkinë Vlorë papunësia dhe vështirësitë ekonomike kanë çuar drejt emigrimit në shkallë të gjerë. Kjo situatë është shoqëruar me probleme sociale komplekse për familjen, me probleme të regjistrimit të fëmijëve, dhe shkallë të lartë ndarjesh dhe divorcesh në familje. Situata social-ekonomike e këtyre individëve dhe familjeve të tyre vështirësohet më tej si nga mungesa e vendeve të punës ashtu edhe nga mungesa e informimit mbi mundësitë e punësimit.

Një tjetër problem i madh me të cilën përballen anëtarët e pakicave rome dhe egjiptiane në rajonin e Vlorës ka të bëjë me vendbanimet e papërshtatshme dhe të pasigurta ku ata jetojnë si edhe aksesi shumë i ulët në programet sociale të strehimit. Në zonat ku ka një shumicë të popullsisë rome dhe egjiptiane ka probleme shqetësuese jo vetëm me informalitetin e banesave, por gjithashtu në lidhje me infrastrukturën rrugore, ndriçimin, furnizimin me ujë të pijshëm, kanalizimin e ujërave të zeza, probleme të cilat ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetesës së këtyre familjeve.

Në zonat ku ka një shumicë rome dhe egjiptiane ka probleme shqetësuese jo vetëm me informalitetin e banesave, por gjithashtu edhe me infrastrukturën rrugore, ndriçimin, furnizimin me ujë të pijshëm, kanalizimin e ujrave të zeza, probleme të cilat ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetesës së këtyre familjeve. Për lehtësimin e kësaj situate në Bashkinë Vlorë ka nevojë pikë së pari për një përditësim të vlerësimit të nevojave për strehim në të gjitha njësitë administrative ku banojnë pakicat rome dhe egjiptiane.

Aktivisti për komunitetin rom dhe egjiptian në zonat e Fierit dhe Vlorës, Eduart Koçi, evidenton problematikat që vërehen në fshatrat Baltëz, Drizë, Levan, Mbrostar Ura, Fermë Çlirim, Hoxhar dhe Seman, të pazgjidhura nga pushteti lokal.

“Problematikat kryesore e të pazgjidhura ende në këto fshatra janë: Azhornimi i tokave bujqësore, restaurimi i banesave, vendosja e mjekëve në qendrën Shëndetësore Baltëz, ndriçimi i lagjeve të pandriçuara, shtrimi i rrugicave, pastrimi i kanalit vaditës Vjosë-Levan-Fier nga zonat e ndotura, vendosja e koshave të plehrave në zonat që mungojnë, kanalizimet e ujërave të zeza, mungesa e ujit të pijshëm, vendosja e mbikalimit në rrugën nacionale Mbrostar Ura dhe Levan si dhe vendosja e truallit për varreza në Drizë dhe Baltëz”-shprehet z. Koçi.

Më të lexuarat