Prej 12 vitesh nuk bëhet Censusi, efekti që shkakton vonesa tek romët dhe egjiptianët

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Klevin Muka

Prej 12 vitesh në Shqipëri nuk realizohet regjistrimi i popullsisë. I realizuar për herë të fundit në vitin 2011, shifrat e prodhuara nga ai census janë shumë larg nga realiteti shqiptar për shpërndarjen e popullsisë, por edhe për shumë elementë të tjerë që në 12 vite kanë ndryshuar shumë. 2,821,977 banorë rezultonin në Shqipëri në vitin 2011, ndërsa në vitin 2023 kjo shifër perceptohet si e ndryshme dhe me një shpërndarje demografike më të përqendruar në qytetet e mëdha të Ultësirës Perëndimore.

Censusi i radhës ishte parashikuar më 2020, por pandemia, ashtu si paralizoi dhe shumë shërbime të tjera, pengoi dhe zhvillimin e censusit. Por edhe me lehtësimin nga pandemia, në vitin 2021 pasuan zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, që u bënë pengesa e radhës.

Por as viti 2022 nuk solli asnjë sinjal pozitiv. Dështimet e njëpasnjëshme e kanë futur këtë process në një rrugë të gjatë, edhe për shkak të përpjekjeve pa rezultat për tenderimin e tabletëve, pjesmarrësit e të cilëve kanë anikimuar te Komisioni i Prokurimit Publik.

Por sa janë shanset që regjistrimi i popullsisë së Shqipërisë të kryhet gjatë vitit 2023, në kushtet kur ka një datë zyrtare për zgjedhjet vendore?

Duke ju referuar burimeve nga INSTAT, mundësia më e madhe për realizimin e censusit është vjeshta e 2023-shit, pas garës për pushtetin vendor, duke shmangur kufizimin e legjislacionit, i cili ndalon regjistrimin e popullsisë në kohë zgjedhjesh.

MUNGESA E CENSIT CENON KOMUNITETET E MARGJINALIZUARA

Sipas juristit Gentian Sejrani moskryerja e censusit ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e politikave të hartuara.

Gentian Sejrani-Drejtesi Sociale

“Mospasja e shifrave të sakta dhe të përditësuara të popullsisë dhe grupeve specifike të saj ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e politikave që ndërmerren për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Gjithashtu, mungesa e shifrave ndikon në përcaktimin e buxheteve të mjaftueshme për zbatimin e këtyre politikave.“
Sipas Sejranit, më të cënuar janë komunitetet e caktuara, teksa si shembull merr atë rom/egjiptjan.
“Hartimi i politikave sociale, ekonomike nga ana e qeverisë ka nevojë të bazohet në të dhëna të sakta mbi grupe të caktuara shoqërore. Nëse shohim se nga ana e qeverisë është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve 2021-2025, ngrejmë pikëpyetjen e madhe se mbi cfarë të dhënash është hartuar ky plan? Të dhënat e vetme që qeveria ka mbi këto minoritete janë të dhënat e Censusi t të vitit 2011. Edhe pse ka pasur kontestime nga organizatat që mbrojnë të drejtat e këtyre minoriteteve përsa i përket shifrave mbi regjistrimin e këtyre minoriteteve, sërish këto janë të dhënat e vetme që qeveria disponon për këto minoritete. Të dhënat e organizata të ndryshme nuk merren si bazë nga qeveria.  Si pasojë, kemi strategji, plane të hartuar në të dhëna të pasakta dhe që nuk mund të sjellin ndryshimin e këtyre minoriteteve.”
Të njëjtin shqetësim ndan dhe aktivistja Ola Tare, e cila shton se censusi i ri duhet të jetë dhe më ekzakt dhe i kujdesshëm ndaj komuniteteve.

Ferdiola Tare-Qendra T’REJA

“Mospatja e shifrave të sakta për komunitetet ndikon shumë në hartimin e politikave dhe ka një impakt negativ në të gjitha programet që mund të hartohen, qoftë lokale qoftë qëndrore. Duke mos patur shifra të sakta është e pamundur të kesh një document zyrtar që mund t’i referohesh. Kjo ka ndodhur në vitin 2011, ku pretendimet e minorieteteve të paktën kanë qenë shumë më ndryshe, nga çka është pasqyruar në censusin e 2011-n. Kjo ka ndikuar më pas në kërkesat që mund të bëjnë organizata, aktorë të ndryshëm që punojnë për të drejtat e minoriteteve për hartim të politikave. Në shumë raste, kur është kërkuar ndryshimi i politikave të caktuara, apo hartimi i tyre, në momentin që i është referuar shifrave zyrtare, ka patur një tërheqje të institucioneve, duke thënë që për një numër familjesh, apo përsonash nga ky komunitet është e pamundur të ndryshohen politikat, apo të hartohen politika të tjera. Në çdo rast të gjithë duhet të regjistrohen patjetër, duke marrë parasysh se çfarë pasojash mund të ketë mosregjistrimi i saktë i popullsisë.

Ndërkohë, anëtarët e komunitetit rom, kërkojnë që censusi i ri të jetë më i thjeshtë për ta. Në këtë mënyrë rriten shanset që numri i romëve dhe egjiptianëve që do të dalë nga censi do të jetë më i saktë e për pasojë, rriten shanset që këto komunitete të përfitojnë më shumë nga programet sociale.

Mustafa Zeqiri-Banor në Yzberisht

Mustafa Zeqiri
“Numri i romëve është më i lart se sa deklarohet. Duhet të na japin një pyetje më të thjeshtëzuar që ta kuptojmë edhe ne. Ne duam që të regjistrohet popullsia rome, që të kemi më shumë përfitime, për shërbim më të mirë shëndetësor, arsim më të mirë dhe mirë edukim të brezit të ri.”

Salih Avdillari-Banor në Yzberisht

Salih Avdillari
“Ne nuk e dimë sa jemi. Nëse regjistrohemi siç duhet, ne do të kemi më shumë akses për punë dhe për integrim të barabartë në shoqëri.”

 

ROLI I CENSUSIT PËR POLITIKAT E QEVERISË

Censusi është i rëndësishëm për hartimin e strategjive ekonomike, sociale si dhe planeve për zhvillim të qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal. Një projeksion i saktë për numrin e popullsisë e ndihmon qeverinë të bëjë investimet e duhura në infrastrukturë, arsim dhe në të gjitha reformat e tjera. Por gjithashtu censi ka një rol të rëndësishëm orientues për institucionet qeveritare qendrore e lokale për korrigjimin e politikane që nuk shkojnë në propocion me nevojat dhe kërkesat e komuniteteve të ndryshme.

BIZNESI I NDËRTIMIT

Shtimi i popullsisë së kryqytetit ka qenë dhe argumenti kryesor i kryebashkiakut Erjon Veliaj për dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë. Por, pavarësisht deklaratave shifrat e INSTAT tregojnë mospërputhje mes numrit të banorëve dhe metrave katrorë të miratuara nga Bashkia Tiranë për ndërtime në Tiranë. Sipas Institutit të Statistikave, vetëm për 6 mujorin e parë të 2022-it, është dhënë leje për 1,2 milionë metra katrorë, ose 45% më shumë se e njejta periudhë e një viti më parë, teksa rritja e popullsisë së kryeqytetit është vetëm 0.8 % më e lartë se e njejta periudhë e një viti më parë, duke shënuar rritjen më të vogël historike për 20 vitet e fundit.

SA KUSHTON REGJISTRIMI I POPULLSISË?

Në Shqipëri, në vitin 2018 u miratua një buxhet prej 15.8 milionë eurosh i cili do të përdorej përvec regjistrimit të popullsisë, edhe të banesave. Por shtyrjet që u bënë për tre vite rresht kanë zhvlerësuar fondin fillestar. Çmimet janë rritur për të gjitha mallrat dhe shërbimet dhe INSTAT duket se ka ngecur në qarkun e tenderave dhe fondeve për të bërë statistikën e re të popullsisë.

 

Më të lexuarat