Nga:Fjona Çela
Në dhjetor të vitit të shkuar, kryeministri Edi Rama lajmëroi se në fillim të këtij Janari, do të shpërndaheshin ndihma financiare për të ndihmuar në përballimin e krizës ekonomike. Ndihmat, Rama i quajti “Pakoja e Madhe”. Kjo mbështetje do të jepej për 1 milionë qytetarë dhe arrinte një vlerë prej 800 milionë lekësh. Konkretisht shtresat përfituese të kësaj ndihme ekonomike ishin pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, nënat kryefamiljare të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuara si dhe disa prej punonjësve të shtetit.
Por jashtë kësaj skeme, u la një kategori që prej vitesh ka protestuar dhe kërkuar përkrahje ekonomike. Bëhet fjalë për studentët, të cilët kur zbuluan përmbajtjen e “Pakos së Madhe”, panë që për ta “pakoja ishte bosh”. Edhe kësaj here, qeveria i mbylli sytë përballë sfidave që po hasin studentët, duke i lënë ata jashtë mbështetjes financiare. Të rinjtë shprehin zhgënjim ndaj qeverisë, që për të disatën herë nuk i përfshin ata në asnjë lloj skeme ku ofrohet ndihmë ekonomike për kategori në nevojë.
Gevio Tabaku, student IT dhe aktivist për të drejtat e studentëve, vë në dukje faktin se qeveria gjatë krizave të vazhdueshme ka ofruar përkrahje ekonomike tre herë për shtresa të ndryshme të popullatës, por të gjitha këto raste studentët janë lënë jashtë çdo lloj mbështetjeje.
“Është hera e tretë që Qeveria mbështet kategori të caktuara sociale të përfshira nga kriza dhe është po hera e tretë që studentët nuk marrin asnjë lloj mbështetje nga shteti. Shqipëria është ndër të paktat vende të botës ku studentët konsiderohen të pasur. Jo vetëm që këta studentë nuk mbështeten në mënyrë direkte si kategoritë e tjera, por edhe fondet që u takojnë nga bursa e ekselencës dhe ajo sociale janë vonuar me mbi 4 muaj, duke shtuar akoma më shumë vështirësitë e tyre gjatë kësaj periudhe”, shprehet Gevio Tabaku për Community Reporters Albania.
Në të njëjtën linjë mendimi është edhe Megi Stambollxhiu, studente në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe aktiviste për të drejtat e studentëve. Si e re që vjen nga Elbasani dhe përballet me sfidat e të jetuarit në kryeqytet, ajo evidenton faktin se studentët që vijnë nga qytete të ndryshme për të ndjekur studimet e larta të Tiranë, hasen jo vetëm me sfidat e të jetuarit në vend të ri e të panjohur, por mbi të gjitha me shpenzime më të shumta.
“Është realiteti me të cilin përballet çdo i ri sot në Shqipëri. Dua të them se problematika dhe vështirësi në auditore e përditshmëri nuk kanë vetëm studentët të cilët studiojnë në Tiranë por dhe ato nëpër rrethe. Ndihmesa nga qeveria nuk ka patur, të paktën 10 vjecarin e fundit. E vetmja “ndihmë” e pretenduar nga qeveria ka qenë plotësimi i disa pikave të kërkuara me ngulm në protestën e vitit 2018. Më pas për të kthyer nëpër shtëpia studentët u prezantua dhe Karta e Studentit, e cila nuk mbulon asgjë më shumë së 2% të blerjeve në disa markete të caktuara, dhe skonto 10-15% në dyqane luksi. Rasti i fundit është Paketa e Madhe e prezantuar nga qeveria, e cila parashikon një shumë të caktuar, si ndihmesë ndaj disa klasavë të caktuara. Po studentët ku janë? E trishtueshme por jo surprizuese në fakt! U bënë disa paketa modeste të ofruara nga qeveria ku nuk figuron asgjëkundi personazhi kryesor i së ardhmes së këtij vendi, studenti.”, thotë Megi Stambollxhiu.
Ndër vite studentët kanë shprehur shqetësimin se nuk përballojnë shpenzimet, por vitet e fundit kryesisht, kriza ekonomike ka ndikuar negativisht duke rritur ndjeshëm shpenzimet mujore të tyre, të cilat janë në kufijtë e të papërballueshmes. Shpenzimet e studentëve shkojnë kryesisht për tarifat e studimit, për strehim, për ushqim, për transport, libra dhe mjete të nevojshme për mësim. Ndaj theksojnë se për ta, mbështetja financiare nga qeveria është domosdoshmëri.
“Duke përllogaritur shpenzimet e një student, të cilat arrijnë deri në 4000 euro për një vit akademik, ne kemi vënë re se ushqimi zë 50% të këtyre kostove dhe kemi kërkuar me anë të një peticioni të firmosur nga 6650 studentë ngritjen e katër mensave publike për secilën rezidencë studentore në Tiranë. Qasja në mensa publike është një e drejtë e studentëve siç cilësohet edhe në statutin e rezidencave studentore, mirëpo edhe këtu Qeveria mbyll sytë dhe refuzon të investojë për jetëse dinjitoze të studentëve”- thekson Gevio Tabaku.
Teksa bëjnë një krahasim me trajtimin e studentëve në Kosovë, të rinjtë nuk e heqin mundësin e realizimit të protestave masive studentore.
“Absurde se si Kosova, një shtet i ri, ka arritur t’u ofrojë të gjithë studentëve të saj nga 100 € për të përballuar krizën ekonomike që ka kapluar vendin. Jemi 113 vite shtet dhe ende nuk mund të mbështetemi gjëkundi! Shumica e të rinjve detyrohen të punojnë, përkthyer në tetë orë të reduktuara nga koha e studimit në ditë! Jemi në një udhëkryq ku dy rrugët kryesore cojnë në:
-Nënshtrim dhe ulje e zërit, gjë që nuk do të ndodhë dhe për një kohë të gjatë. E them me shumë siguri këtë! -Një protestë e ngjashme me atë të vitit 2018 e një revoltë jo vetëm studentore por popullore ndaj kësaj tallje të ulët!-shprehet Megi Stambollxhiu.
Problematika të tilla, për të cilat studentët vazhdimisht kanë ngritur zërin por nuk kanë gjetur përkrahje nga institucionet, janë sipas tyre shkaku kryesor i braktisjes së studimeve dhe largimit masiv të të rinjve jashtë vendit për arsimim dhe punësim.