Nga:Fjona Çela
Problemet e shëndetit mendor në Shqipëri po bëhen gjithnjë e më të theksuara. Të shumtë janë personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, por nuk marrin trajtim, duke u kthyer kështu në rrezik potencial për gjithë shoqërinë. Krahas rasteve kur nuk pranojnë vetë kurimin, problem kryesor mbetet mungesa e spitaleve rezidenciale për të sëmurët mendorë.
Sipas të dhënave që CRA ka siguruar prej institucioneve kompetente, për 8 mujorin e parë të vitit 2022, janë gjithsej 21,387 pacientë që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, pavarësisht tipit të diagnozës së këtij çrregullimi, ndërsa për vitin 2021 ka pasur rreth 40, 069 persona me sëmundje të shëndetit mendor në kujdesin shëndetësor parësor. Referuar akomodimit, në 14 Shtëpitë e Mbështetura për vitin 2021 janë 40 persona me çrregullime kronike të shëndetit mendor, të akomoduar në këto struktura me qëllim rehabilitimin dhe përgatitjen e tyre për një jetesë të pavaruar. Por krahas rasteve të regjistruara, ka me qindra pacientë të tjerë që vuajnë nga çrregullimet mendore, por nuk ka spital rezidencial ku ata mund të marrin shërbim dhe trajtim.
Community Reporters Albania kërkoi të dhëna pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila informon se shërbimi i shëndetit mendor publik me shtretër është organizuar me dy spitale psikiatrike dhe dy shërbime psikiatrike. Shërbimi i psikiatrisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë nuk është një shërbim rezidencial, por ofron shërbim akut dhe subakut. Ndërkohë ka pasur edhe një rikonstruksion të Spitalit Neuropsikiatrik Nr.5, rikonstruksion ky i pjesshëm në Psikiatrinë fantile, me fond 4,798, 860 lekë me TVSH, teksa planifikohet të investohet për vitin 2023 në këtë godinë të spitalit.
Përtej pacientëve të akomoduar në strukturat përkatëse, ka shumë persona me probleme të shëndetit mendor, të cilët vuajnë mungesën e shërbimit jashtë spitaleve. Këta persona enden në hapësira publike të pa shoqëruar dhe shpesh në gjendje të rënduar.
Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se specifika e problemeve që kanë këto persona e vështirëson marrjen e shërbimeve, por në shumë raste ata refuzojnë ndihmën si shkak i moskuptimit të realitetit. Ndaj mjekët psikiatër theksojnë rëndësinë që ka evidentimi i personave me probleme të shëndetit mendor dhe referimi i tyre në institucionet përkatëse, çka do të ndikonte në mirëqenien e shëndetit të tyre mendor, por edhe në uljen e rrezikut që ata paraqesin për njerëzit që i rrethojnë.

“Diapazoni i problemeve të shëndetit mendor është mjaft i gjerë dhe ashtu si në çdo sëmundje tjetër mjekësore, mjekimi është mjaft i rëndësishëm. Për fat të keq për shkak dhe të natyrës së çrregullimit, në mjaft raste pacientët refuzojnë të marrin mjekimin, e braktisin atë, apo e marrin në mënyrë të pakontrolluar. Mosmarrja e mjekimit bëhet problem për individin, familjen apo komunitetin , veçanërisht te pacientët me psikozë, që kanë një njohje të gabuar të realitetit, krijojnë bindje të gabuara apo keqperceptime të realitetit duke u bërë shkak në disa raste për sjellje agresive”, thotë mjekja psikiatre Elona Dashi.
Në rastet kur individi për shkak të çrregullimit që kufizon aftësinë e tij për të kuptuar dhe menaxhuar sjelljen, dhe paraqet rrezikshmëri për veten apo për të tjerët, ligji i shëndetit mendor nr 44/2012 përcakton se në këto raste kemi shtrimin e pavullnetshëm në shërbimet e shëndetit mendor me shtretër. Ky është një proces që kryhet sipas një protokolli të caktuar. Por shtrimi në spital shihet si zgjidhje e përkohshme e problemit. Mjekja psikiatre Elona Dashi vë në dukje se duhet ndjekur një terapi e rregullt, por strukturat e këtij lloji mungojnë në vendin tonë.
“Duhet të kemi parasysh që shtrimi në spital nuk është zgjidhja afatgjatë e problemit, kjo sepse shtrimi zgjidh emergjencën, por nëse ky individ nuk ka asistencën e vazhduar që të mundësojë marrjen e rregullt të terapisë mund të kemi përsëritje të situates. Për fat të keq në vendin tonë mungojnë institucione të posaçme jo spitalore që të mundësojnë ndjekjen e këtyre pacientëve në momentin që ata dalin nga spitali. Dhe kjo për fatkeqësisht bën që situata të përsëritet.”-vijon ajo.
Mjekja Dashi thotë se pavarësisht se disa probleme të shëndetit mendor janë të lidhura me sjellje të dhunshme, shpesh abuzohet dhe shumë krime apo sjellje të papërshtatshme i delegohen me pa të drejtë personave me probleme të shëndetit mendor, madje dhe para një ekspertize mjekësore.
Përtej problematikave që këta persona shfaqin në publik, gjendja është kritike kryesisht me familjarët e tyre, të cilët në jo pak raste bien pre e dhunës. Denoncime të shumta në polici janë regjistruar si shkak i dhunës që ata ushtrojnë ndaj familjarëve. Pas denoncimit, ndiqen hapat e tjerë ligjorë deri në vendimin e gjykatës.
Përtej rasteve të dënimit me heqje lirie, zakonisht vendimet e tjera konsitojnë në shërbim ambulator në shtëpi ose në një qendër rezidenciale. Pikërisht ky është problem kryesor, pasi në mungesë të një qendre rezidenciale ku mund të trajtohen, persona me probleme të shëndetit mendor, jo rrallëherë janë dërguar tek Spitali i Burgut, por edhe raste të tjera në Burgun e Zaharisë në Krujë, për shkak se nuk ka një qendër rezidenciale ku mund të rikuperohen dhe të rehabilitohen për sëmundjen. Kurrsesi një person që nuk ka aftësinë dhe kapacitetin e duhur mendor për të bashkëjetuar me familjen, nuk mund të shkojë në institucion spitalor burgu, por duhet një qendër alternative që zëvendëson në këtë rast spitalin, duke qenë se edhe vetë spitalet psikiatrike janë të pakta dhe me kapacitete të pamjaftueshme. Konkretisht ka nga një spital psikiatrik në Tiranë (jo rezidencial, 90 vende), Vlorë (200 vende) e Elbasan (310 vende), dhe Shërbimi i Shëndetit Mendor i Specializuar me Shtretër në Shkodër (35 vende), me kapacitet 635 vende në total për të gjitha dhe të shpërndara gjeografikisht.
Referuar Ligjit Nr.44 për Shëndetin Mendor, ofrimi i kujdesit shëndetësor për personat me çrregullime të shëndetit mendor duhet bërë në një mjedis sa më pak shtrëngues, kryesisht në nivel komunitar, për të shmangur në maksimum zhvendosjet nga mjedisi familjar e për të lehtësuar integrimin dhe rehabilitimin social. Ndërkohë sipas Ministrisë së Shëndetësisë, bëhet me dije se personat me çrregullime të shëndetit mendor, me masë mjekësore (vendosur nga gjykata kompetente), trajtohen pranë Institucionit të Kujdesit Shëndetësor Lezhë.
Shqipëria është kritikuar vazhdimisht për mungesën e qendrave rezidenciale për personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Qendra të tilla do të shërbenin për të ofruar ndihmë për të frenuar përkeqësimin e shëndetit mendor të këtyre personave, e për rrjedhojë edhe parandalimin e krimeve që ata mund të kryejnë.