Përse aplikojnë shqiptarët për azil?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Vendet e Evropës janë shndërruar tashmë prej vitesh në trend emigrimi për shqiptarët. Gjermania, Franca, Italia kryesojnë listën e preferencave, megjithatë nuk mbeten pas as vende të tjera. Nga viti në vit ka pasur valë të mëdha të emigrimi dhe kërkesash për azil nga shqiptarët drejt shteteve të tjera.

Kërkesat e shqiptarëve për leje qendrimi

Vala e parë e emigrimit të shqiptarëve filloi që pas vitit 2000 kur u dhanë leje qendrimi për shtetasit shqiptarë. Nga ky vit e deri në vitin 2008 përllogaritet të jenë dhënë afro 100 mijë leje qëndrimi në total, sipas Eurostat. Pas vitit 2010 emigracioni pësoi një zbehje derisa në 2013-n u regjistrua numri më i ulët i lejeve, rreth 30 mijë të tilla. Por dy vite më pas, në 2015-ën filloi një valë e re emigracioni. Kjo u reflektua nga kërkesat për azil në vendet e BE-së. Lejet e qendrimit u rritën ndjeshëm ndikuar edhe nga trendi i azilit për arsye ekonomike, pas 2015-ës. Ishte pikërisht ky vit kur nisi një valë masive emigracioni në vend dhe u regjistrua numri më i lartë i azilantëve nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Vetëm në 7 muajt e parë, janar-korrik 2015 u regjistruan gati 34 mijë kërkesa, ndërsa për të gjithë vitin 2015 numri shkoi deri në rreth 70 mijë. Për shtetasit shqiptarë, sipas të dhënave të Eurostat, janë dhënë rreth 868 mijë leje qendrimi nga vendet e Bashkimit Evropian deri në fund të vitit 2019.

Kështu, Shqipëria renditej vendi i gjashtë në botë për numrin e lejeve, pas Marokut me rreth 2 milionë, Turqisë me 1.9 milionë, Ukrainës me 1.3 milionë, Kinës me 1 milionë dhe Sirisë me 974 mijë. Ndërsa në raport me popullsinë, Shqipëria renditej vendi i parë në botë për lejet e qëndrimit. Sipas Eurostat, 48% e lejeve të qëndrimit janë dhënë për shtetasit shqiptarë nga Italia, për një total prej rreth 417 mijë personash. Në vend të dytë është Greqia, me 43% ose 371 mijë persona. Gjermania ka kaluar në vend të tretë, me 43 mijë lejë qëndrimi ose 5% të totalit. Në vend të katërt është Franca, me 11 mijë persona ose 1.3% të totalit, ndërsa shtetet e tjera kanë dhënë mesatarisht më pak se 5500 leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.

Megjithatë, vlerësohet se është bërë disi i vështirë identifikimi i numrit të saktë të personave që po largohen nga vendi, pasi shumë prej tyre largohen me kontrata pune, ndërsa ka edhe prej tyre që nuk regjistrohen më si azilantë.

Çfarë ndodhi me aplikimet për azil nga shqiptarët pas pandemisë?

Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Evropian pësuan rënie gjatë pandemisë dhe vijuan të jenë në nivele të ulëta edhe në vitin 2021. Megjithatë kërkesat u rritën sërish kur u hoqën kufizimet për lëvizjet. Vetëm në 7 muajt e parë të 2021-shit sipas Eurostat, u regjistruan afro 5800 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian. Këto shifra ishin dyfish më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke ringjallur kështu tendencën e shqiptarëve për të emigruar.

Vendet që janë kthyer në trend emigrimi për shqiptarët

Franca dhe Gjermania kryesojnë listën e preferencave të shqiptarëve për të emigruar. Shifrat e Eurostat tregojnë se deri në vitin 2021 ishin afro 110 mijë shqiptarë që jetonin në Francë e Gjermani, duke pësuar kështu gati një trefishim të numrit që prej vitit 2015, e duke ia kaluar Italisë dhe Greqisë që ishin dy shtetet me fluksin më të lartë të emigrantëve pas viteve ‘90.

Nga të dhënat e 2021-shit për popullsinë me shtetësi shqiptare që jeton në vendet e BE-së, rezulton që Italia të ketë numrin më të lartë të shqiptarëve, plot 433 mijë. Nga ana tjetër, të dhënat për Greqinë dhe Spanjën mungojnë, ndaj nuk është vënë në dispozicion një shifër totale e shtetasve shqiptarë që jetojnë në gjithë Bashkimin Europian. Italia e Greqia mbajnë vendin e parë për numrin e shqiptarëve, për të vijuar më Gjermaninë që është e treta, Francën në vendin e katërt dhe pas tyre Belgjika me afro 7 mijë shqiptarë, Suedia me gati 6 mijë, Zvicra me rreth 3 mijë etj. Për të gjitha shtetet që janë disponuar të dhënat të dhënat (mungojnë të dhënat për Greqinë ku numri i shqiptarëve që jetojnë atje është i konsiderueshëm, si dhe për Spanjën) popullsia shqiptare që jeton në to në fund të 2021-shit ishte 570 mijë.

Por që prej kohës kur Eurostat raporton këto të dhëna, pra nga viti 2008 deri në vitin 2021, rezulton që shtetet e Bashkimit Evropian të kenë dhënë për shqiptarët plot 756 mijë leje qendrimi. Vetëm në vitin 2021-shin u dhanë mbi 55 mijë leje qëndrimi për shqiptarët në një nga vendet e BE-së dhe në krahsim me vitin e kaluar kur lëvizjet ishin të bllokuara për shkak të pandemisë, lejet u rritën me 47%, shifër që përllogaritet afërsisht sa 30% e popullsisë që jeton aktualisht në Shqipëri.

Por pavarësisht numrit të lartë të shtetasve shqiptarë në Itali, tendenca atje ka qenë në rënie në 5-6 vitet e fundit, ku të dhënat treguan se rritja më e shpejtë e popullsisë shqiptare u shënua në Gjermani dhe Francë. Popullsia shqiptare në Gjermani në vitin 2021 ishte rreth 77 mijë persona, tre herë më shumë se në vitin 2015. Ndërsa në Francë, numri i shqiptarëve të regjistruar ishte 33 mijë persona, edhe këtu trefish më shumë se në 2015-ën, përpara se të rifillonte cikli i ri i emigracionit. Pra, rreth 110 mijë shqiptarë ishin regjistruar në këto dy shtete.

Faktorët që shtyjnë shqiptarët drejt emigrimit

Ilir Gëdeshi, ekspert i çështjeve të emigracionit dhe Drejtor i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale (CESS), liston disa nga faktorët kryesorë që shtyjnë shqiptarët drejt emigrimit.

Ilir Gëdeshi, ekspert i çështjeve të emigracionit dhe Drejtor i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale (CESS)

“Shqipëria është ndër vendet kryesore në botë për shkallën dhe intensitetin e emigrimit. Faktorë të ndryshëm inkurajojnë shqiptarët të aplikojnë për azil në vendet e BE-së, të tilla si: gjendja e vështirë ekonomike, mungesa e kushteve në shëndetësi e arsim, kushtet jo të mira në familje, mungesa e strehimit, mbrojtjes sociale, pasiguria, pesizmi si dhe perceptimi negativ për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre në vendin e origjinës. Kushtet ekonomike përfshijnë varfërinë, papunësinë dhe të ardhurat e ulëta. Kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë ndër faktorët kryesorë që shtyjnë shtetasit shqiptarë të kërkojnë azil. Përveç këtyre faktorëve themelorë, familjet shqiptare nxiten edhe nga e ardhmja e fëmijëve të tyre. Me qëllim ofrimin e  kushteve më të mira, familjet shqiptare shohin si rrugëzgjidhje emigrimin në një vend më të zhvilluar”. 

Sipas tij pjesëtarët e komuniteteve rome dhe egjitiane, për shkak edhe të kushteve më të vështira se pjesa tjetër e popullsisë, shtuar këtu edhe faktorin e diskriminimit, kërkojnë të emigrojnë.

“Pjesëtarë të komunitetit rom vlerësohen si individë që kërkojnë të emigrojnë, pasi struktura socio-demografikë e këtij grupi tregon qartë se anëtarët janë kryesisht të rinj, të papunë, me arsim dhe nivel profesional më të ulët se popullata e përgjithshme, në kërkim të perspektivave më të mira për veten e tyre dhe veçanërisht për fëmijët e minoritetit rom. Romët dhe egjiptianët në Shqipëri, kategorizohen si shtresa më e varfër nga treguesit socio-ekonomikë, të cilët janë dukshëm më të ulëta për këto minoritete sesa shumica. Për pjesëtarët e këtyre komuniteteve ka një tjetër faktor shtytës krahas atyre që përmendëm më lart: diskriminimi”

Për afro tre dekada, për shumë familje shqiptare emigrimi drejt vendeve të tjera është parë si një mundësi e mirë dhe një “derë e hapur” për një jetesë me kushtë më të mira, në aspektin e puësimit, të ardhurave më të larta, mundësive më të mira për rritje në karrierë si dhe kushte më të mira për fëmijët dhe të gjithë familjen.

 

Më të lexuarat