Mbrostar Ura e lënë në harresë, bashkia Fier ankohet se nuk ka buxhet për kanalizime dhe ndriçim publik

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Nga Brejdon Xhavara dhe Loreta Koleci

Të kalosh në lagjen Mbrostar Ura e shikon qartë se prej vitesh asgjë nuk ka ndryshuar. Uji, dritat, infrastruktura dhe gjendja e banesave nëpër lagje, flasin qartë për lënien në mëshirë të fatit të këtij fshati.

Banorët e Mbrostarit prej vitesh vuajnë në kurrizin e tyre mungesën e investimeve nga bashkia Fier, e cila herë-pas-herë i ka mbajtur me shpresa se gjërat do të ndryshojnë.

Këtë na e tregon banorja Liri Milaj, e cila shprehet se ka 40 vite që jeton në Mbrostar Ura dhe se kushtet jo që nuk kanë ndryshuar për mirë, por çdo vit e më shumë janë përkeqësuar.

“E kam vuajtur gjithmonë, strehimi ka qenë shumë i vështirë, tek shtëpia që kemi hyn uji brenda sa herë që bie shi dhe ra shtëpia. Nuk kemi as ujë dhe as drita”, tregoi Liria për CRA.

Banesa me qira e Liri Milaj

Në një bisedë më banorët e zonës, kryesisht pjesëtarë të komunitetit Rom mësojmë se prej vitesh  nuk janë bërë investime në rrugët e këtij fshati. Ata vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, ku ka ditë që edhe nuk vjen fare.

“Kemi shumë vite, që në fillimet e demokracisë, kishim ujë më përpara, ndërsa tani një ditë po, një ditë jo. Edhe sikur bashkia ta sjellë ujin në shtëpitë tona, ne s’kemi buxhet ta paguajmë ujin me sahat. Këtu e ka një firmë ujin dhe herë vjen herë s’vjen uji”, kështu shprehet një tjetër banore nga e njëjta zonë.

 

Ata tregojnë se para disa kohësh disa përfaqësues të bashkisë kishin zhvilluar një takim me banorët e këtij komuniteti duke iu premtuar ndriçimin e rrugëve kryesore dhe përmirësimin e situatës me ujin e pijshëm. Mirëpo, puna e bashkisë duket qartë në terren. Asgjë nuk ka ndryshuar, pavarësisht pritjes së vazhdueshme të banorëve.

Për këtë situatë të krijuar ne ju drejtuam bashkisë Fier me anë të një kërkese zyrtare për informacion, ku renditëm problematikat e këtyre banorëve.

Në përgjigjen e marrë nga bashkia, nuk jepen të dhëna konkrete për mungesën e investimeve të premtuara në këtë fshat. Në përgjigje bashkia thekson nuk ka fonde për të krijuar nga e para një sistem të kanalizimeve që ujërat e zeza të mos të pushtojnë më rrugët.

“Nuk është vetëm lagjja e romëve në Mbrostar Ura që ka mungesë të kanalizimit të  ujërave të zeza, madje shumica e fshatrave të Bashkisë Fier nuk kanë kanalizime të ujërave të zeza. Investime të tilla kërkojnë buxhet të konsiderueshëm dhe së dyti, referuar standarteve të Bashkimit Europian, nëse këto rrjete nuk integrohen me rrjetet  apo linjat kryesore mund të kthehen në një problem shumë më të madh nga pikëpamja mjedisore”, thuhet në përgjigjen e bashkisë Fier.

Në përgjigjen dhënë për CRA, bashkia Fier thotë se nuk ka bërë verifikimet përkatëse në terren në këtë fshat për të rregulluar problemin e ndriçimit. Për ndërtimin e një ure në fshat, që e bën më të lehtë kalimin e banorëve, bashkia thotë se është e nevojshme, por përsëri thekson mungesën e fondeve të mjaftueshme.

“Plani i Bashkisë Fier është i njëjtë në të gjitha planet që ka hartuar bashkia për çdo  fshat apo lagje brenda territorit të saj, ku hap pas hapi, brenda mundësive financiare  insitucioni do të vazhdojë të investojë në përmirësimin e infrastrukturë rrugore,  kanalimin e ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimin publik, pastrimin e mbetjeve urbane, pastrimin e kanaleve kulluese-vaditëse, deklaroi Bashkia Fier në shkresën zyrtare.

Bashkia Fier, në shkresën zyrtare tha së do të jetë prezentë në territor për investime, por problemi kryesor është nuk ka parashikuar buxhet, por Community Reporters Albania gjeti  në “Planin Lokal të Veprimit për Romët dhe Egjiptian,që ekzistojnë fonde për të bërë ndryshime në infrastrukturë dhe ndërtimin e urës, por fondet nuk gjendet se ku kanë shkuar, përkatësisht investimi që duhet të bëhej:

Ndërtimi i mbikalimit në: a. zonën Mbrostar Ura;  me vlerë 37,500,000 lekë, me investim nga Bashkia Fier dhe ARRSH, ndërkohë ura do të ndërtohej që në vitin 2020. Nga vëzhgimet e gazetarëve të CRA-së duket që nuk ka asnjë urë e cila lehtëson kalimin e nxënësve për në shkollë, bashkia nuk jep përgjigje shteruese se ku kanë përfunduar fondet, por tregon që herën tjetër do të tregohet me e kujdesshme për planin e shpërndarjes së investimeve për të mos krijuar diskriminim për komunitetin Rom dhe Egjiptian.

Në planin e veprimit ka ende shumë fusha të tjera që nuk janë zbatuar nga insitucionet lokale në Fier, një ndër to është edhe “Rehabilitimi dhe sistemimi i kanalizimeve në zonat me popullsi rome dhe egjiptiane” investim që kushton 19,000,000 lekë ku duhet të përfundontë në vitin 2019, por sipas dëshmive nga banorët e fshatit Mbrostar-Ura treguan se nuk ka një asnjë investim për rehabilitimin dhe sistemimin e kanalizimeve.

Banorët gjatë intervistës me gazetarët e CRA-së treguan se janë ftuar nga kryeplaku i fshatit në një takim për të diskutuar për problematikat që ka fshati, dhe gjatë takimit janë premtuar investime por deri më tani në publikimin e këtij shkrimi, nuk ka asnjë ndërhyrje në lagjen e tyre.

Në fund të përgjigjes, Bashkia tha se këto probleme janë edhe në zonat e tjera të Fierit dhe se në këtë rast siguron se do të tregohet e kujdesshme në planin e shpërndarjes së investimeve për mos të krijuar asnjë lloj diskrimiminimi negativ apo pozitiv për komunitet apo kategori të caktuara.

“Nuk është vetëm lagjja e romëve në Mbrostar Ura që ka mungesë të kanalizimit të  ujërave të zeza, madje shumica e fshatrave të Bashkisë Fier nuk kanë kanalizime të  ujërave të zeza. Investime të tilla kërkojnë buxhet të konsiderueshëm dhe së dyti,  referuar standarteve të Bashkimit Europian, nëse këto rrjete nuk integrohen me rrjetet  apo linjat kryesore mund të kthehen në një problem shumë më të madh nga pikëpamja  mjedisore”.

YouTube player

 

Bashkia Fier, kërkon që investimet të kryhet sipas standarteve të “Bashkimit Evropian” por harron që fshati Mbrostar është i harruar dhe nuk ka investime, duke i’a vështirësuar jetën qytetarëve të saj.

Më tej përgjigja vazhdon se Bashkia do të ketë në konsideratë investimet në lagjet e banuara të komunitetit Rom, por ndërkohë vet bashkia ka miratuar Planin Lokal të veprimit për Romët dhe Egjiptian me anë të vendimit të këshillit bashkiak  nr 73 i datës 18 Qershor 2019.

Bashkia ka miratuar një plan që e ka dështuar në të gjithë fushat e saj, CRA ishte dëshmitarë që furnizimi me ujë të pijshëm me autobotë paguhet nga qytetarët por jo nga bashkia siç ndryshe thuhet në plan që Bashkia merr përsipër të paguaj për furnizimin me ujë të pijshëm me një fond prej 2,400,000  lekë.

Bashkia Fier i tha CRA-së se do të bëjë shpërndarjen e investimeve në muajin Tetor, por sipas nevojave emergjente dhe do te jetë e kujdesshme që mos të krijoje asnjë lloj diskriminimi negativ apo pozitiv për kategoritë e caktuara, ndërkohë banorët thjesht duan investime në lagjen e tyre.

 

Më të lexuarat