Çfarë tregoi PISA 2022 për arsimin në Shqipëri?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe në botë, sipas rezultateve të testit PISA 2022 që monitoron performancën e nxënësve në nivel parauniversitar, në krahasim me rezultatet e PISA 2018. Sipas testit Shqipëria ka humbur plot 47 pikë në lexim, 41 pikë në shkencë dhe 69 pikë në matematikë në krahasim me rezultatet e vitit 2018, duke shënuar përkeqësimet më të mëdha në krahasim me të gjitha vendet e marra në konsideratë në nivel global. Nxënësit shqiptarë janë poshtë nivelit mesatar të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Sipas studimit ndërkombëtar të arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë, rezulton se rënien më të madhe Shqipëria e ka pasur në matematikë, ku renditet ndër vendet e fundit, së bashku me Autoritetin Palestinez dhe Xhamajkën. Vendi ynë ka humbur plot 69 pikë, duke shënuar rënien më të madhe në të gjithë globin. Edhe sa i përket leximit, Shqipëria renditet sërish ndër vendet e fundit në nivel global, njëjtë si Republika Domenikane, Autoriteti Palestinez dhe Filipinet. Në këtë fushë, Shqipëria ka humbur 47 pikë, duke shënuar sërish rënien më të madhe në botë. Edhe në shkencë, Shqipëria është ndër vendet e fundit, njësoj si Jordania apo El Salvadori dhe Guatemala, duke humbur 41 pikë në këtë drejtim.

PISA tregon se përgjithësisht në mbarë planetin janë shënuar rënie në krahasim me vitin 2018, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa konsideron se një tjetër problem që mund të ketë ndikuar në këtë rënie në Shqipëri, ka qenë edhe tërmeti i vitit 2019.

Eksperti i Arsimit Alfred Halilaj i konsideroi të dhënat alarmante, teksa thotë se rezultatet e studimit janë një konfirimim i asaj që kanë paralajmëruar më herët ekspertët e arsimit. Ai renditi edhe faktorët që sipas tij kanë ndikuar në këtë situate, duke shkuar përtej pandemisë dhe tërmetit, të cilat janë përdorur si argumente në studim për këtë nivel të ulët të Shqipërisë në arsim.

Alfred Halilaj -Eksperti i Arsimit

“Pandemia ndodhi globalisht, por rëniet e Shqipërisë ishin më të mëdha në krahasim me të gjitha vendet e tjera. Jemi nën mesataren e vendeve të tjera. Këtu nuk ndikon vetëm pandemia, por ka një sërë faktorësh. Gjatë kësaj periudhe vlen për t’u përmendur për shembull mungesa e infrastrukturës për mësimin online. Ministria e Arsimit asokohe thoshte se kishte shumë pjesëmarrje të nxënësve në mësimin online, rreth 97%, por kjo nuk është e vërtetë. Problem tjetër kemi edhe me reformën kurrikulare. Kjo reformë ka vendosur disa elementë që lidhen me kompetencat e nxënësve. Ne për 10 vite ende nuk e kemi kuptuar cilat janë efektet e kësaj kurrikule që ne kemi miratuar dhe nuk kemi të dhëna se cilat janë efektet reale të saj. Nga ana tjetër ka një rënie të nivelit të mësuesve, përgatitja e tyre ka rënë. Shumë mesues nuk janë të përgatitur për teknologjinë ose kane mungesë trajnimesh, si dhe mungesë të vlerësimit të mësuesve në nivelin e pagave. Po ashtu ndikojnë edhe faktorë të tjerë si droga, bulizmi, dhuna në shkolla, vlerësimi fikiv i nxënësve etj.

Një tjetër element i përmendur në raport është tërmeti. Aty shkruhej se 12 qytete të Shqipërisë u prekën nga tërmeti dhe 50% e nxënësve ishin nga këto shkolla. Këto nuk janë të vërteta. Rezultati është që vetëm 50 shkolla nga mbi 1300 shkolla në Shqipëri u prekën nga tërmeti. Vlen për t’u theksuar se ka diferencë mes nxënesve në shkollat e zonave rurale dhe atyre urbane. Raportet e Bankës Botërore dhe PISA tregojnë se nxënësit në zonat rurale kanë 2 vite vonesë krahasuar me ata të shkollave urbane, pra nxënësi që është në klasë të 9, ka njohuri si në klasë të 7.”

Një rënie e tillë drastike e nivelit të nxënësve shqiptarë dhe nivelit arsimor në Shqipëri, ndikon padyshim në mbarë shoqërinë. Sociologia Entela Binjaku shpjegon cilët janë faktorët socialë që kanë çuar drejt kësaj situate dhe ndikimin e tyre në brezat e rinj.

Entela Binjaku-Sociologe

“Në periudhën e pandemisë sistemi i mësimit kaloi online dhe padyshim që pati mangësi në nxënie. Por do të theksoja që ka rënë në tërësi interesi nxënësve për mësimin. Kjo është një moshë kur ata shkojnë drejt adoleshencës duke lënën pas fëmijërinë dhe këtë fragment të moshës së tyre interesat lëvizin nga shkolla. Një arsye tjetër lidhet me humbjen e besimit tek modelet e mira që shohin 15-vjeçarët, në kuptimin që për ta paraqiten shumë pak këto modele të cilat shkojnë larg falë arritjeve në mësime ose rezultateve shumë të mira në shkencë, lexim apo matematikë. Një arsye tjetër lidhet me inevstimin e pakët që bën vetë shteti ynë për të ngritur arsimin në një nivel tjetër. Investohet fare pak në drejtim të ngritjes profesionale të mësuesve apo të gjithë aspektit që përbën një institucion arsimor, sikundër ka edhe punësime me natyrë nepotike të arsimtarëve shqiptarë. Këta nxënës do të rriten dhe do të bëhen pjesë e hallkave të ndryshme të institucioneve që ka shoqëria dhe me ato rezultate të dobëta do të vijojnë të ecin përpara e të bëhen pjesë e institucioneve të vendit.”

Ekspertët e vlerësojnë se përballë kësaj situate alarmate për nxënësit shqiptarë, duken ndërmarrë hapa serioze dhe nisma konkrete për përmirësimin e situatës.

“Duhet një rikonceptim i politikave arsimore dhe strategji të mirëfillta afatgjatë që të mos prodhojmë analfabetë funksionalë. Në arsim nuk flitet si për një rrugë që ka një afat të caktuar. Në sistemin arsimor ajo që bën sot, i jep efektet 10 vite më vonë. Rezultati është që të rinjtë shqiptarë zgjedhin të ikin. Një nga arsyet kryesore është sistemi arsimor.”-thotë z. Halilaj

“Mendoj që ndërhyrja duhet të fillojë që në moshat e vogla, që në parashkollor e me radhë. Më mirë të presim dhe t’i marrim frytet më vonë, sesa të mos fillojmë asnjëherë dhe të shesim një imazh që nuk e kemi. Ndërhyrjet sipas meje duhet të jenë të gjithanshme; në fuqizim kapacitetesh mbi të gjitha, në përgatitje të vazhdueshme brezash arsimtarësh të mirë, në frymëzim të të rinjve dhe adoleshentëve me modele që ecin përëpara falë edukimit dhe natyrisht me më shumë investime në të gjithë sektorët, kurrikula programe, arsimim, lidershipin e shkollës dhe fushata të gjera ndërgjegjësimi ku të ftohen të rinjtë t’i afrohen më shumë dijes”-shprehet znj. Binjaku.

15-vjeçarët shqiptarë, të pakënaqur me jetën

Krahas rënies së nivelit mësimor në shkollat shqiptare, anketa globale e 15-vjeçarëve gjeti se tek nxënësit shqiptarë është rritur në tërësi pakënaqësia ndaj jetës. Nga PISA 2022 rezulton se rreth 12% e nxënësve në Shqipëri raportuan se nuk ishin të kënaqur me jetën e tyre në vend, duke e vlerësuar kënaqësinë për jetën midis 0 dhe 4, në një shkallë që varion nga 0-10.

PISA zhilloi edhe një anketë me nxënësit dhe drejtuesit e shkollave për të matur fenomenet që prekin nxënësit si: bulizmi, mjedisi shkollor në tërësi dhe në aspektin e infrastrukturës për zhvillimin normal të mësimit. Sipas të dhënave në vitin 2022, 86% e nxënësve në Shqipëri raportuan se bëjnë miq lehtësisht në shkollë, ndërsa 15% e nxënësve raportuan se ndiheshin të vetmuar dhe 15% që ndiheshin të huaj ose të lënë jashtë vëmendjes në shkollë.

Sa i përket matematikës, lënda ku nxënësit shqiptarë sipas studimit kishin humbur më shumë pikë, 75% e tyre raportuan se në shumicën e orëve të matematikës mësuesi tregon interes për të mësuarit e nxënësve, ndërsa në vitin 2012 nxënësit mendonin kështu në masën 78%. Nga verifikimit e PISA rezulton se shumë nxënës e mësojnë matematikën në klimë disiplinore të pafavorshme për të mësuar. Në 2022-shin, rreth 25% e nxënësve në Shqipëri raportuan se nuk mund të punojnë mirë në pjesën më të madhe të mësimeve, shifër mbi mesataren e OECD që në këtë rast është 23%.

Problem mbetet edhe shpërqendrimi i nxënësve, ku 28% e tyre nuk dëgjojnë çfarë thotë mësuesi, 25% përdorin pajisjet digjitale gjatë mësimit dhe 24% shpërqendrohen nga nxënësit e tjerë që përdorin pajisje digjitale. Shqetësim përbën edhe pasiguria e nxënësve në Shqipëri, ku 8% e tyre raportuan se nuk ndiheshin të sigurt rrugës për në shkollë, 6% ndiheshin të pasigurt në klasat e tyre dhe 9% nuk ndiheshin të sigurt në ambientet e tjera në shkollë.

Po ashtu në të dhënat e PISA-s marrë nga drejtorët e shkollave rezulton se midis viteve 2018-2022, ka rënë edhe interesi i prindërve të përfshirë në çështjet e shkollës dhe mësimit. Në vitin 2022 vetëm 52% e prindërve kanë shfaqur interes për rezultatet dhe ecurinë mësimore të fëmijëve të tyre, krahasuar me 70% që ishte ky tregues në vitin 2018.

Një problem i evidentuar në raport është se vetë nxënësit shqiptarë thonë se nuk e kanë marrë shumë seriozisht testin në krahasim me vitin 2018 dhe vetë të dhënat tregojnë se ata nuk janë përfshirë seriozisht në testim dhe pyetësor.

 

Më të lexuarat