Pasojat e tërmetit vazhdojnë, sa para ka shpenzuar bashkia Tiranë për banesat e reja dhe bonusin e qirasë

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Gati 3 vite e gjysmë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën dhjetra qytetarë, u plagosën me qindra të tjera e mijëra mbetën të pastrehë, plagët ende nuk janë mbyllur. Përveç Durrësit, Krujës, Shijkut, Vorës e Laçit që ishin bashkitë që u prekën më shumë nga lëkundja e vjeshtës së 2019-ës, dëme të forta u shkaktuan edhe në Tiranë.

RINDËRTIMI NË TIRANË

Nga vlerësimi që iu bë ndërtesave, në Tiranë rezultuan rreth 2 mijë objekte të dëmtuara, nga të cilat afro 400 shtëpi private të pabanueshme. Ndërkohë sa i përket pallateve, 202 u konstatuan të dëmtuar, nga të cilët 67 u shpallën të pabanueshëm me dëmtim të shkallës Ds5.

Në procesin e rindëtimit, në Tiranë u shpallën 9 zona për rindërtim, ku do të strehoheshin familjet që mbetën pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Nëntë zonat ku do të ketë ndërtim të lagjeve të reja: 5 Maji, Ndroq, Vaqarr, Kombinat, Uzina e Autotraktorit, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Baldushk, Pezë dhe Zall Herr.

Aktualisht, në 13 Njësi Administrative Rurale të Tiranës janë ndërtuar 395 banesa individuale dhe 100 janë në proces. Procesi eci me ritme të shpejta në zonat rurale me lagjet e reja në Ndroq, Baldushk, Zall Herr, Vaqarr dhe Pezë që janë planifikuar të akomodojnë 200 familje. Po ashtu edhe në banesat individuale procesi ka vijuar shpejt, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për procesin e rindertimit në zonat urbane dhe më specifikisht në dy lagjet e reja në “Kombinat” dhe “5 maj”. Në ndërtesat e ngritura në këtë zonë të Tiranës, planifikohet që të strehohen rreth 1900 familje që mbetën pa strehë pas tërmetit, por atyre do iu bashkohen edhe banorë të tjerë që i kanë humbur shtëpitë e tyre, pasi janë prekur nga disa projekte infrastrukturore që po zhvillon pushteti lokal dhe ai qendror.

SHPENZIMET PËR QIRANË

Deri në përfundimin e banesave të reja, të gjithë ata që mbetën të pastrehë do të jetonin përkohësisht në shtëpi, për të cilat bashkitë do të shpërndanin bonusin e qirasë. Por ky proces i parashikuar të ishte i përkohëshëm, ende edhe sot gati 4 vite pas tërmetit, nuk është përmbyllur në shumicën dërrmuese të bashkive të prekur nga lëkundja sizmike e fundvjeshtës së 2019-ës.

Fondi i vënë në dispozicion për strehimin e përkohshëm të banorëve ( bonusi i qirasë) për periudhën 2019-2022 është 1,836,071,224. I ndarë në 1.561.449.224 lekë nga Fondi i kushtëzuar dhe 274.622.000 lekë nga të ardhurat e veta për vitet 2019-2022. Për sa i përket vitit 2023, transferta e kushtëzuar nuk është akorduar ende për Bashkinë Tiranë, ndërsa fondi i planifikuar për bonus qiraje nga të ardhurat e veta për vitin 2023 është në vlerën 40,060,000 lekë. Në të dhënat e siguruara nga CRA  deri në muajin Janar 2023, trajtohen me pagesë qiraje 1942 (njëmijë e nëntëqind e dyzet e dy) individë/familje banesat e të cilëve si rezultat i tërmetit të datës 26 nëntor 2019 janë shembur ose janë deklaruar të pabanueshme nga akt konstatimet e hartuara nga Instituti i Ndërtimit.

PROBLEMET E STREHIMIT PËR ROMËT DHE EGJIPTIANËT

Duke qenë një nga komunitetet më të diskriminuara dhe më me shumë problematika sa I takon strehimit, të parët që mbetën në qiell të hapur pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ishin familjet e komunitetit rom dhe egjiptian

Rreth 60 familje egjiptiane dhe rome që ishin në process legalizimi të banesave të tyre u larguan me forcë. Sipas përfaqësuesve të organizatave që kanë në fokus komunitetin rom dhe egjiptian, në pothuajse të gjitha zonat ku u shtri procesi i Rindërtimit në kryeqytet ka pasur probleme dhe abuzime në kurriz të qytetarëve të komunitetit rom dhe atij egjiptian. Sipas banorëve në këto zona abuzimi dhe dëmi I bërë ndaj tyre mbahet i fshehur pasi nga pas fshihen interesa të mëdha financiare.

Lidhur me dilemën e madhe që e kanë shumë familje të cilat janë prekur nga procesi i ndërtimit të projekteve të mëdha infrastrukturore ekspertët e fushës thonë se askush nga familjet nuk është kundër zhvillimit të qytetit, por nuk mund të shkatërrosh jetën e qindrave qytetarëve në këtë mënyrë, pasi banesa është investimi jetës së tyre.

PROBLEMATIKAT QË SHFAQI KLSH PËR RINDËRTIMIN

Një nga pikëpyetjet apo dilemat që ka shoqëruar procesin e rindërtimit ka qenë ai i transparencës. Përtej akuzave të shumta që janë bërë në media, por edhe nga opozita politika, mungesën e transparencës në këtë process e ka konstatuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në një auditim të dedikuar është konstatuar mungesa e madhe e dokumentacionit që ka shoqëruar procesin më të rëndësishëm të qeverisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Raporti i KLSH thekson se mungesa të tilla prekin eficiencën dhe transparencën për një proces i cili, nga një raport paraprak që u hartua falë financimit të institucioneve ndërkombëtare, u llogarit se shkarkoi dëme në nivelin e 1 miliard eurove.

Për shkak të mangësive në dokumentacion duket se është e vështirë të vlerësohet tërësisht ecuria e procesit, eficienca e përdorimit të fondeve, por edhe shkeljet që janë vërejtur. Më problematike duket se është çështja që lidhet me programet e strehimit, ku kanë shkuar edhe shumica e fondeve dhe sipas audituesve, që në gjenezë kur nisi procesi janë shfaqur probleme.

Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, veprimtaria e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin për ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit ka shfaqur mangësi në aspektin e dokumentimit të saj.

Më të lexuarat