Nga Fjona Çela
Në prag të ditës kur qytetarët shqiptarë do të hedhin votën për të zgjedhur përfaqësuesin e bashkisë, grupet e margjinalizuara vijojnë të hasen me problematika. Mospërfshirje në dëgjesa publike dhe fushatën elektorale, premtime të pambajtura, mungesë përfaqësimi në këshillat bashkiakë etj., janë shqetësimet e përhershme të pjesëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian, të cilat i shoqërojnë në përditshmëri, teksa dalin në pah kryesisht gjatë proceseve zgjedhore. Romët në të gjithë Shqipërinë janë të shpërndarë gjeografikisht dhe relativisht zënë një pjesë më të vogël numerike në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë. Po ashtu, duke marrë parasysh konkurrencën brenda partive, mundësia e konkurrimit me kandidat të pavarur për komunitetin rom do të ishte e vështirë.
Edhe në fushatën aktuale për zgjedhjet vendore të 14 Majit, këto problematika kanë qenë prezente, veçanërisht në rrethe të ndryshme të vendit.
(Mos)përfshirja e komunitetit rom në fushatën elektorale
Një nga qytetet ku banonjë një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian është Elbasani. Në këtë qytet një sërë problematikash shqetësojnë anëtarët e këtyre komuniteteve. Por nëse do të ndalemi në situatën aktuale të periudhës së fushatës zgjedhore, është vënë re mungesë e dëgjesave publike me pjesëmarrjen e këtyre pakicave, çka konfirmohet edhe nga aktivistë e juristë për të drejtat e komunitetit rom/egjiptian.
“Institucionet publike, kryesisht bashkitë, nuk organizojnë dëgjesa publike të posaçme vetëm me pakicat Rome dhe Egjiptiane. Dëgjesa publike organizohen vetëm në momentin kur planifikohet hartimi i buxhetit vjetor, ose siç quhen ndryshe takime Buxhetim me Pjesëmarrje. Në këto dëgjesa romët dhe egjiptianët marrin pjesë bashkë me mazhorancën si banorë të një lagjeje apo njësie administrative. Përgjithësisht pjesëmarrja e tyre nuk është aktive dhe ato shqetësime që rastësisht mund të ngrihen, nuk merren në konsideratë” –shprehet Ervis Çota, aktivistët i “Lëvizja Rinore Egjiptiane/Rome”.
E njëjta gjë pohohet edhe nga Juristi Gentian Serjani.
“Nuk kanë organizuar me askënd dëgjesa publike, thjesht kanë bërë fushatë elektorale. Pra, nuk kemi më atë lloj fushate që shkon dhe dëgjon problematikat e komuniteteve të caktuara dhe më pas prezanton programin që ke për t’u ardhur në ndihmë duke ua zgjidhur ato, por prej vitesh tashmë kemi një qasje tjetër të kandidatëve për kryetar bashkie, të cilët flasin vetëm për punët që kanë kryer”-shprehet ai.
Ai shkon më tej duke treguar se çfarë kanë paraqitur para pjesatrëve të komunitetit rom/egjiptian, kandidatët e të dyja palëve.
“Konkretisht kandidati i mazhorancës ka treguar që ka bërë punë të mira e ka thënë që do vazhdojë përsëri me këto punë të mira, edhe pse nuk kanë lidhje në fakt me lagjet apo zonat ku jetojnë komunitetet rome/egjiptiane. Thjesht prezantojnë punët që kanë bërë në zonat e tjera të qytetit. Shkon dhe thotë psh që jemi duke ndërtuar Moto Parkun, po ç’lidhje ka kjo me problematikat e komunitetit siç janë problemet reale social-ekonomike të tyre. Sa i përket kandidatit të opozitës për Elbasanin, ka një program por nuk bazohet në një dokument ligjor. Që dmth nëse ai thotë se do të punësojë nga një anëtar për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike në Elbasan tek Agjencia e Shërbimeve Publike, referuar numrit që janë 16800 familje në Elbasan që trajtohen me ndihmë ekonomike, dhe i bie që duhen 1680 punonjës nëse llogaritet nga një pjesëtar për familje. Por struktura e bashkisë është 1400 punonjës dhe ky një numër i fryrë, po ku mund t’i fusësh 1680 të tjerë? Ka shprehur që do e bëjmë aplikimin për ndihmë ekonomike një herë në vit, ndërkohë që është e përcaktuar me VKM, nuk ka kampetencë për këtë kryetari i Bashkisë apo kandidati që ta propozojë këtë gjë, sepse kjo është në dorë të qeverisë. Pra janë këto gjëra të tilla që nuk kanë sens juridik në kuptimin e zbatimit.”-thekson Serjani.
Kur vjen puna tek takimet në kuadër të fushatës, kandidatët janë kujtuar për t’i kushtuar një pjesë të kohës së tyre edhe këtyre komuniteteve, edhe pse minimale. Megjithatë përmbajtje e këtyre takimeve ka të bëjë me premtime të cilat jepen prej vitesh, por nuk realizohen.
“Sa i përket takimeve të organizuara në kuadër të fushatës elektorale, romët dhe egjiptianët janë përfshirë pasi ka pasur interes nga kandidaët politikë. Janë organizuar takime të posaçme vetëm më anëtarë të këtyre pakicave, por më shume sesa prezantimi i një programi të mirëfilltë për ta, kandidatët politikë kanë premtuar gjëra që në pjesën më të madhe janë të parealizueshme. Premtimet lidhen kryesisht me garantimin e vendeve të punës, sigurimin e strehimit, përmirësimin e infrastrukturës në zonat ku banojnë, mbështetjen arsimore për fëmijët dhe studentët etj.”-thotë Çota.
“Nga ana e kryetarit aktual të bashkisë Elbasan nuk ka pasur premtime të drejtpërdrejta, por në vija të përgjithshme që do u bëjë rrugë, do ju përmirësojë gjendjen ekonomike, do i punësojë, por se ku, kur dhe në ç’mënyrë do të realizohen nuk ka diçka konkrete. Ka vetëm premtime të përgjithshme ashtu sikurse ka qenë në fakt edhe fryma e fushatës këtë vit. Nga kryetarët aktualë ështrë vënë re që jepën premtime në trajta të përgjithshme, ndërsa nga ana e kandidatëve të opozitës kemi premtime por që nuk kanë baza ligjore.”-deklaron juristi Serjani.
Por teksa garantimi i vendeve të punës duket se mbetet premtimi kryesor i përsëritur i çdo fushate, realiteti tregon të kundërtën. Në Elbasan është thuajse i papërfishëm punësimi i pjesëtarëve të komunitetit rom apo egjiptian në Bashki apo instutucione në varësi të saj, e madje nuk ekziston as një plan për punësimin e tyre në institucione të tilla.
“Rastet e punësimit të romëve dhe egjiptianëve në bashki apo institucione të tjera vendore janë sporadike. Tek-tuk mund të gjendet ndonjë i punësuar që i përket këtyre komuniteteve. Në fakt, nuk ka një program të mirëfilltë për të punësuar në administratë romët dhe egjiptianët.”-shprehet Ervisi.
Në të njëjtën linjë është edhe Gentian Serjani, i cili shprehet: “Në strukturat e Bashkisë ka të punësuar nga komuniteti egjiptian, por janë ata që i intyeresojnë sepse i përdorin si ‘makineri votash’ në periudha zgjedhore për partinë. Pra, në zonat ku dominojnë më shumë pjesëtarë të këtyre komuniteteve, punësojnë një prej tyre, të cilin më vonë e përdorin në fushatë elektorale për të thithur vota. Pra, në thelb nuk janë aty për të përfaqësuar komunitetin. Mund të jenë 2 apo 3 punonjës të tillë nga komuniteti egjiptian, dhe 1 punonjës tek zjarrëzikësja Elbasan që është nga komuniteti rom.”
Në Elbasan, kandidatët për këshillin bashkiak që vijnë nga komuniteti rom apo egjiptian, përveçse janë shumë të paktë, janë të renditur edhe në vendet e fundit, duke mos u ofruar kështu ndonjë mundësi për t’u përzgjedhur fitues.
Ervis Çota për këto raste shprehet: “Në këto zgjedhje janë përfshirë në lista për Këshilla Bashkiakë kandidatë romë dhe egjiptianë, por më shumë për të plotësuar listat sesa për t’u përzgjedhur si fitues, pasi janë pozicionuar në vendet e fundit.”
“Sa i përket kandidatëve për këshill bashkiak ka nga romët apo egjiptianët, por janë në fund fare, që nuk kanë gjasa për të fituar. Në 2019 për shkak se zgjedhjet ishin me vetëm 1 parti, për të pasur një lloj larmishmërie, përfshinë në këshill bashkiak anëtarë të komuniteteve.”-shprehet Serjani
Nga sa u evidentua më sipër, është e qartë që pjesëtarëve të këtyre minoriteteve nuk u është lënë në dorë ndonjë vendimmarrje e rëndësishme e as nuk kanë përfaqësim, megjithatë duket se partitë politike në prag fushate “përdorin” përfaqësues të këtyre komuniteteve për të krijuar idenë e gjithëpërfshirjes apo trajtimit në mënyrë të barabartë me pjesën tjetër të popullsisë.