Prej 11 vitesh mbi 120 familje rome që jetonin në zonën e Selitës në Tiranë përballen me mungesën e strehimit. Banesat e tyre u shembën pas një komunikimi informal të minutës së fundit nga Bashkia e Tiranës në 2014. Prej asaj kohe, banorët e komunitetit rom enden në kërkim të banesave me qira të papërballueshme dhe burokracira të panevojshme, teksa banesat e reja që iu premtuan, nuk u janë garantuar.
“Në vitin 2014 ka ardhur një grup nga Njësia Bashkiake Administrative e lagjes ku ata na thanë që në këtë lagje kishte një projekt. Nuk dinim gjë, na thanë që brenda 3 ditëve, jo 30 ditëve, po brenda 3 ditëve ju duhet të lironi shtëpinë, sepse këtu është një projekt rruge”- tha për CRA-në Nertila banore e Selitës pjesë e komunitetit Rom.
Në vitin 2014, rreth 120 familje Rome dhe jo Rome që jetonin në zonën e Selitës në Tiranë u përballën me një njoftim verbal nga stafi i Bashkisë Tiranë për prishjen e banesave të tyre, shkak ishte projekti i “Unazës së Madhe”. Shumë prej këtyre familjeve kishin vite që jetonin aty dhe disa zotëronin çertifikata pronësie, ndërsa të tjerë ndodheshin në proces legalizimi që prej vitit 2004–2005.
Banorët u informuan për prishjet jo nëpërmjet një dokumenti zyrtar, por përmes komunikimeve verbale, duke i lënë në pasiguri të plotë për fatin e shtëpive dhe jetës së tyre. Kjo situatë ngjalli shqetësim dhe panik, pasi shumë prej banorëve, nuk kishin alternativa të tjera strehimi dhe rrezikonin të mbeteshin në rrugë.
Projekti i Unazës së Madhe të Tiranës është një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri, me një histori të gjatë dhe ndikim të thellë në komunitetet lokale. Ideja për ndërtimin e Unazës së Madhe daton që nga vitet 1980, ndërsa ndërtimi konkret filloi në vitin 1996 me segmentin “Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja”. Megjithatë, përparimi i punimeve të Unazës së Re ishte i ngadalshëm për më shumë se një dekadë. Puna intensive për ndërtimin e plotë të unazës nisi në vitin 2019, dhe ajo u hap plotësisht për qarkullimin e automjeteve në dhjetor 2024.
Projekti përfshinte ndërtimin e një rruge rreth 29 kilometra të gjatë, të ndarë në katër segmente kryesore: Verior, Lindor, Jugor dhe Perëndimor, me një kosto totale prej rreth 443 milionë euro . Ndërtimi përfshinte gjithashtu rrugë dytësore për të siguruar aksesin e banorëve në zonat përreth.
Zona e Selitës, e ndodhur në veriperëndim të Tiranës u bë një nga pikat më të diskutueshme të projektit të Unazës së Madhe. Përveç vlerës urbane dhe strategjike të saj, kjo zonë është gjithashtu habitati i komunitetit Rom dhe Egjiptian të cilët historikisht kanë jetuar aty dhe janë prekur nga ndryshimet e mëdha urbane dhe politike.
Shumë prej familjeve të komuniteteve rome dhe egjiptiane jetonin në banesa pa legalizim, shpesh të improvizuara ose me dokumente të paplota. Kur nisi zbatimi i projektit në këtë zonë, shumë prej tyre u zhvendosën me urgjencë, pa u ofruar strehim alternativ të përshtatshëm, ose dëmshpërblim të barabartë me vlerën e pronës që humbën.
“Në Selitë erdha në fund të viteve ’80. U martova në vitin 1991 dhe një vit më vonë ndërtuam shtëpinë. Ajo shtëpi ishte gjithçka për mua – vendi ku linda fëmijët, kalova skamje e gëzime. Ishte foleja jonë. Në vitin 2005 na u tha se shtëpia do të legalizohej. Bëmë kërkesën, paguam tarifat përkatëse, por deri në vitin 2014 nuk morëm asnjë përgjigje. Kur më në fund shkuam të informoheshim, na u tha se ishim përjashtuar nga legalizimi për shkak të një projekti që do ndërtohej aty.” tregon për CRA-në Nertila.
Kalvari i gjatë për strehim dhe rezistenca e banorëve
Për familjet rome nuk ishte e lehtë të pranonin se banesa e tyre prej më shumë se 50 vitesh do të shembej, çdo kujtim, mund, gëzim apo hidhërim, do të hidhej poshtë pasi do ndërtohej Unaza e Madhe. Banorët me ndihmën e aktivistëve Rom dhe Egjiptianë filluan përpjekjet e tyre për të siguruar strehim të qëndrueshëm, pasi në atë kohë, askush nga zyrtarët nuk po jepte një zgjidhje, në një anë ish-kryebashkiaku Basha deklaroi se të gjithë Romët do marrin shtëpi, ndërkohë Qeveria Rama 1 nuk po jepte asnjë zgjidhje, derisa banorët filluan të protestonin përpara kryeministrisë dhe bashkisë.
Ferdiola Rushiti aktiviste e qendrës “T’REJA” tha për Cra.al se përgjatë 1 viti bashkë me familjet kanë ndihmuar që të përgatisin dosjet me dokumentacionet e tyre për strehim, por edhe vlerësime socio-ekonomike që zyrtarët të kishin një panoramë të qartë se kush ishin familjet, çfarë statusi kishin: “I jemi drejtuar disa herë bashkisë për të kërkuar një zgjidhje, veç kësaj kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Entin e Banesave,me ALUIZNI-n, me Ministrinë e Zhvillimit Urban në mënyrë që të bënim bashkë disa sektorë të ndryshëm që këto familje të mos prekeshin nga ndërtimi i Unazës së Madhe, shtoi për Cra.al aktivistja.
Banorët vazhduan takimet me shumë aktorë, duke nisur nga Avokati i Popullit, sollën në terren shumë ambasadorë të ambasadave të huaja në Shqipëri për të diskutuar për çështjen e tyre të strehimit, por asnjë nga këto takime nuk pati efekt për t’i ndihmuar ata të gjenin një zgjidhje.
Ferdiola tregon se përgjatë 1 viti pavarësisht përpjekjeve, shkresave, takimeve dhe protestave të organizuara të cilat ishin të shumta në numër, nuk pati asnjë lloj reagimi nga institucionet dhe asnjë njoftim zyrtar të tyre mbi fatin e familjeve.
Në 1 Prill të 2015, përfaqësues të Entit të Banesave dhe të Aluiznit erdhën në terren, në zonën ku banonin familjet dhe verbalisht iu komunikua se është marrë një vendim që këtyre familjeve do t’u prishej banesa dhe do të trajtoheshin me programin e subvencionit të qerasë, një program që i financuar nga bashkia dhe Enti i Banesave.
Burokraci dhe VKM
Ndërkohë që banesat po shembeshin çdo ditë njëra pas tjetrës, banorët ishin ende pa një zgjidhje për strehimin, protesta të shumta u zhvilluan në vitin 2015 deri deri kur qeveria Rama 1 u mblodh në Këshillit e Ministrave për të gjetur një zgjidhje. Ministria e Financave dhe Ekonomisë pas disa takimesh që realizoi me banorët dhe aktivistet, propozoi që përmes një VKM-je banorëve t’u jepej si zgjidhje afatmesme subvencioni i qirasë.
Po në atë periudhë shumë banorë Romë u larguan nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian për të kërkuar azil. Disa muaj më vonë, Kryeministri Rama përmes një deklarate me kancelaren Merkel, garantoi se Shqipëria është një vend i sigurtë dhe po në atë periudhë, Gjermania dhe Franca kthyen në Shqipëri edhe familjet Rome që ishin prekur nga investimi i Unazës së Madhe.
Pasi u kthyen nga azili, banorët gjetën vetëm rrenoja tek banesat e tyre, ndërkohë që i duhej të gjenin një banesë me qira derisa të shpallej VKM për subvencionimin. Nertila tha për Cra.al se nuk arrinin të gjenin një shtëpi me qera në zonën ku kishin jetuar për shkak të diskriminimit, por edhe ato që arrinin të gjenin kishin nje qira prej 25.000 lekësh, një shumë papërballueshme për ta.
Me miratimin e VKM nr 230, Qeveria garantonte se çdo banor që prekej nga ndërtimi i Unazës së Madhe do të merrte Subvencion Qiraje në tregun e lire duke dhënë vetëm dy dokumente, Certifikatën familjare dhe Formular Social. Sipas Nertilës, që “nga viti 2014 deri më vitin 2018 ka qënë thjeshtë një formular social dhe një çertifikatë familjare. Nga 2018 deri në 2025 na kërkojnë disa dokumenta që ne nuk mund t’i plotësojmë, plus që edhe e-Albania është e ngatërrueshme dhe nuk e plotësojmë dot. Që nga 2014 e deri në 2024 jemi trajtuar me një VKM 230, me një qera vjetore. Shuma varet sipas familjeve, por sipas atyre unë marr 18 000 lek për një muaj, po tani qeratë kanë shkuar nga 30 000 – 40 000 lek edhe ne na ka rënë të fusim nga xhepi jonë pjesën më të madhe”.
Një zgjidhje apo një kalim topi ?
Që nga viti 2014 deri më sot kanë kaluar 11 vite dhe banorët Rom të Selitës vazhdojnë të shpresojnë se një ditë që do të bëhen me një banesë të re nga qeveria. Në shumë takime që janë realizuar në bashki apo në Ministri u është premtuar se do të ndërtohen pallate, por deri më sot nuk ka asgjë konkrete.
“Tashmë janë në gjendje pasigurie të strehimit sepse ju duhet gjatë gjithë kohës të ndryshojnë banesën sipas atyre, sipas dëshirave të pronarit. Ndodh që programi pavarsisht aplikimit ndodh që fondi të kalojë me vonesë kështuqë me 2- 3 muaj vonesë pronarët nuk pranojnë edhe do ju duhet që të ndërrojnë shtëpin në një shtëpi tjetër.”-thotë Ferdiola.
Nertila e cila gjithmonë ka qënë aktive në komunitetit dhe i ka përfaqësuar banorët kudo nëpër institucione kërkon strehim të qëndrueshëm dhe të sigurtë: “Ne kërkojmë strehimin, nga gjithë ai fond që jepet le të ndërtojnë pallatin, ne kemi bërë edhe projektin e kemi deklaruar se sa para mund të shkojë, por ata nuk e kanë menaxhuar se nuk e jep bashkia. Më përpara ishte Enti i Banesave, Drejtoria e Transportit dhe Drejtoria Urbanistike që menaxhonin 50/50, tani nga 2022 deri më 2025 është futur në lëvizje edhe bashkia, e cila na kërkon një sërë dokumentash që nuk i plotësojmë dot.
Që prej vitit 2022, çështja e strehimit të banorëve të Selitës ka kaluar në Bashkinë e Tiranës, e cila ka kërkuar më shumë dokumente për të përfituar Subvencionin e Qirasë.
“Në momentin që aty do të ketë një investim, banesën time e nxjerr nga sistemi i legalizimit, unë jetoj aty dhe ato më kërkojnë dokumenta edhe për vertëtimin e pronësisë së Tirana Veri apo Rural 1 apo . Ne kërkojmë strehim të qëndrushëm dhe për ne nuk është problem se lëvizim nga zona, ku të jetë por vetëm strehim i sigurtë”, përfundon Nertila, nje prej shumë banorëve të komunitetit rom që janë prekur nga projekti i Unazës së Madhë në Selitë.
EN: The content of this material is not a responsibility of BIRN Albania, SCiDEV and/or Qendra Faktoje and does not necessarily represent the views of the European Union and the abovementioned partners.
AL: Përmbajtja e këtij materiali nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.