Qyteti i Gjirokastrës është një atraksion turistik që tërheq turistë të shumtë vendas dhe nga e gjithë bota. Në qytetin e kalldrëmtë të mbushur me histori mbrojtur nga Unesko, jetojnë rreth 1500 anëtarë të minoritetit Rom. Ky komunitet nuk ka patur të njëjtën vemëndje sa investimet infrastrukturore, kulturore që e dallojnë qytetin.
Romët në këtë lagje jetojnë në gjendje të mjeruar, kanë kushte të papërshtashme për të banuar dhe vuajnë papunësinë. Kufiri i afërt me shtetin grek, iu jep mundësinë e punësimit sezonal në vendin fqinj, por pas periudhës së pandemisë situata nuk ka qënë në favor të tyre. Lëvizja e shpeshtë e familjeve dhe kushtet ekstreme të varfërisë kanë penalizuar fëmijët romë në frekuentimin e shkollës.

“Ndarja e dy lagjeve është e dukshme; përroi e ndan lagjen e romëve nga pjesa tjetër e qytetit dhe janë kaq të ndryshme. Lagjia tjetër ka ndriçim, infrastrukturë, ndërsa lagjia Zinxhiraj jo”, kështu tregon Manjola Veizi, aktiviste dhe drejtuese e Qëndrës për të Drejtat e Gruas Rome, e cila muajt e fundit e ka vizituar shpesh këtë komunitet.
Veizi tregon për CRA se komuniteti në këtë lagje jeton në kushte të mjerueshme. Familjet vuajnë mungesën e strehimit dhe jetojnë në një terren të vështirë pranë përroit të qytetit i cili gjatë dimrit krijon përmbytje dhe vështirëson lëvizjen e tyre.
Që prej Janarit të këtij viti ajo ka ndërmarrë një nismë e cila synon t’i vijë në ndihmë adresimit të problemeve që shqetësojnë minoritetin Rom përmes përdorimit të ligjit si mjet advokues për zgjidhjen e problemeve. Së fundmi, komuniteti ka përcjellë shqetësimin e tyre me mungesën e infrastrukturës dhe sipas bashkisë Gjirokastër në këtë zonë ka patur disa ndërhyrje dhe do të ketë në të ardhmen. Megjithëse shprehet një vullnet pozitiv, duket se investimet në këtë zonë janë të pjesshme dhe të bëra kryeshisht gjatë fushatave elektorale.
Një nga synimet që ka ndërhyrja e Qëndrës për të Drejtat e Gruas Romë është gjithashtu hartimi i një plani vendor për minoritetin Rom. Veizi tregon se gjatë takimeve të zhvilluara me Kryetarin e Bashkisë Gjirokastër janë shprehur të hapur për të përmirësuar jetën e këtij minoriteti në Zinxhiraj, megjithatë mbetet për tu parë angazhimi në vazhdim. Pyetur nga CRA, bashkia Gjirokastër nuk dha detaje për ndërhyrjet e bëra në infrastrukturë dhe nëse do të ketë një plan vendor për minoritetin Rom.
Në përgjigje, bashkia përshkroi informacione të tjera rreth shërbimeve sociale.



“Na është thënë nga bashkia që do të aplikojë për të rregulluar banesa, për të shtruar rrugën në lagjë dhe në planin vendor që do të miratohet së shpejti do i përfshijnë këto masa. Ne do të jemi gjithë kohën duke shtyrë, e kemi kërkuar planin vendor për të përfshirë këto masa. Në rast se nuk hartohet deri në pranverë të vitit 2021, jo vetëm që do vazhdojmë me mobilizim të komunitetit, peticione por edhe me protesta, ndoshta dhe do e ngrejmë si cështje në gjykatë, pasi si organizatë kemi si qëllim të litigojmë, pra ndjekim gjithë procedurat , hapat administrativë dhe në momentin që nuk ka reagim apo feedback pozitiv nga pushteti vendor atëherë ne i drejtohemi gjykatës.” ky do të jetë angazhimi në vazhdim i Qëndrës për të Drejtat e Gruas Rome.