Elbasan/Romët jetojnë në errësirë dhe rrugë të amortizuara

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Mbuluar nga tela të shumtë mbi çatitë e shtëpive, rrugica me pellgje me ujë, lagje në errësirë, kjo është pamja e lagjes 5 Maj “Rrapishtë” në rrugën “Tomorr Domi”, ku 51 familje të komunitetit Rom , në zonën e quajtur e “ish-stallave” hasin vështirësi në jetën e përditshme për shkak të  rrugicave të paasfaltuara dhe mungesës së ndriçimit.

Rruga “Tomorr Domi” Elbasan

Përpos gjëndjes së vështirë ekonomike, familjet e vendosura në rrugën “Tomorr Domi” përballen çdo natë me mungesën e ndriçimit. Mungesa e saj së bashku me rrugën me gropa e pellgje uji e cila përmbytet pas rreshjeve të shiut krijojnë vështirësi në përditshmërinë e tyre dhe nxisin pasigurinë për  pronën e tyre, për vjedhjet e mundshme gjatë natës.

Xhamile Raifi, banore e lagjes , tregon se prej 25 vitesh rrugica pranë banesave të tyre nuk ka patur asnjëherë ndriçim. Në rrugica të tjera të lagjes Rrapishtë janë të vendosura shtylla elektrike, të cilat sipas vëzhgimit në terren jo të gjitha ishin funksionale.

Xhemile Raifi

“Të dalësh në lagje, shtylla kanë vënë nga lagjia tjetër e më lart se ne, vetëm këtë rrugicën tonë e kanë lënë pa ndriçim. Rrugët janë të pashtruara dhe kur bie shi rrugët mbushen plot dhe kalohet vetëm me çizme. Shtëpia ime mbushet plot me ujë. Shiu do bjerë ,por ne nuk kemi asnjë mjet që të pastrojmë ujin, nuk kemi kanalizime që të ikë uji. Kaq vite këtu nuk kanë bërë asnjë punim, ne jemi munduar vetë por kjo do kanalizime”, tregon ajo për CRA.

Nikolino Ademi, aktivisti rom që jeton në këtë lagje pohon të njëjtën gjë për mungesën e ndricimit dhe gjendjen e keqe të rrugës. Së bashku me banorët kanë ngritur këtë shqetësim edhe pranë bashkisë Elbasan, por nuk ka patur reagim konkret.

“Banorët e lagjes hasin vështirësi në përditshmërinë e tyre, sidomos gjatë periudhës kur ka rreshjes shiu. Nuk ndjejnë siguri dhe shërbime dinjitoze si pjesa tjetër e lagjes. Ne do ti drejtohemi bashkisë përmes një peticioni të firmosur nga banorët e lagjes”, tregon aktivisti për masat që do të ndërmarrë komuniteti.

Banorët e moshuar në këtë lagje e ndjejnë më tepër nevojën e këtyre shërbimeve, pasi gjendja shëndetësore e tyre nuk i favorizon gjatë emergjencave shëndetësore gjatë netëve. Uji që futet në banesat e tyre në katet e para, i ka nxitur të krijojnë pragje të larta përpara dyerve të banesës, punime të cilat i kanë bërë vetë.

Hatixhe Raifi

“Njëherë u bëmë bashkë disa familje dhe kemi rregulluar tubacionin e ujrave të zeza, por ne s’kemi parë asnjë ndihmë nga shteti, nga bashkia. Kërkesa jonë është të na vendosin ndriçim dhe të na shtrojnë rrugën. Natës nuk i dihet, kemi mjetet jashtë, fëmijët kthehen nga shkolla, ta dimë kush kalon këtu. Jemi të moshuar, një urgjencë natën të dimë ku të ecim” tregon e moshuara Hatixhe Raifi.

Komuniteti së bashku me aktivistët do të paraqesin kërkesën e tyre në bashkinë Elbasan dhe do të ndërmarrin firmosjen e një peticioni.

Më të lexuarat