Studimi/Emisionet Televizive përdorin “Gjuhë Urrejtje” ndaj minoriteteve Rome, Egjiptiane dhe LGBTIQ

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Gjuha e urrejtjes është një fenomen i cili ka lindur vonë në vendin tonë, ku grupet më të rriskuara janë komuniteti LGBTIQ dhe Minoritetet Rome dhe Egjiptiane.

Kohët e fundit ka përpjekje për të adresuar rastet më ekstreme të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, të cilat parashikohen në figurën e disa veprave penale në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Komisioneri Për Mbrotjen nga Diskriminimi, publikoi studimin e parë për “Gjuhën e Urrejtjes” në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga studimi, pjesmarrës në këtë sondazh ishin 1511 persona të moshave 18-64 vjeç, ku rreth 49% e të anketuarve ishin meshkuj dhe 51% femra.

Të dhënat për shkallën në të cilën gjuha e urrejtjes është e përhapur në Shqipëri tregojnë se në total 63% e mostrës shtesë mendojnë se gjuha e urrejtjes është e përhapur në masë shumë të madhe, përkatësisht 90% nga LGBTIQ dhe 38% romë dhe egjiptianë, ndërsa 16% në total mendojnë se gjuha e urrejtjes është e përhapur në masë të moderuar, ku 5% janë pjesë e LGBTIQ dhe 27% romë dhe egjiptianë.

Pavarësisht përqindjeve të mësipërme, ende është një 13% në total që mendon se gjuha e urrejtjes është e përhapur deri diku, 24% romë dhe egjiptianë, shumica kryesisht për shkak të nivelit të ulët të arsimimit të komunitetit të tyre që mund t’i kontribuojë njohurive më të sakta për të dalluar këtë dukuri.

Studimi nxjerr në pah se gjuha e urrejtjes kryesisht ndodh në televizion, në emisionet e mbrëmjes dhe ato të debatit politik, sipas të dhënave 73% mendojnë se gjuha e urrejtjes përhapet nëpërmjet shfaqjeve të reality show, përkatësisht 73% janë pjesë e LGBTIQ dhe 83% romë dhe egjiptianë.

Gati 67% besojnë se gjuha e urrejtjes përhapet nga programet e zakonshme televizive prej të cilëve 67% janë pjesë e LGBTIQ dhe 56% romë dhe egjiptianë. Një tjetër instrument me rëndësi për përhapjen e gjuhës së urrejtjes janë debatet politike, 56% e personave që mendojnë se debatet politike përhapin gjuhë të urrejtjes janë LGBTIQ dhe 31% romë dhe egjiptianë.

Lista përmes së cilës mund të përhapet gjuha e urrejtjes sipas tyre përfshin programe të pasdites, programe të mbrëmjes, telenovela, filma, reklama etj.

Sikurse pritet, komuniteti rom dhe egjiptian duket se kanë një pjesë më të zbutur kur krahasojnë kanalet e ndryshme nëpërmjet të cilëve mund të përhapet gjuha e urrejtjes, me përjashtim për shfaqjet e reality show dhe ato të përgjithshme, prandaj mund të arrijmë në përfundimin se për këtë kategori, pothuajse të gjitha mjetet e komunikimit mund të nxisin gjuhë të urrejtjes.

Etnia është një nga faktorët që ky studim nxjerr pasi sipas të intervistuarëve rreth 50% prej tyre besojnë se gjuha e urrejtjes nxitet nga etnia( Minoriteti Rom dhe Minoriteti Egjiptian)

68% e komunitetit LGBTIQ mendon se gjuha e urrejtjes nxitet përmes homo-bi-lesbo-transfobisë (frika/fobia nga komuniteti LGBT), ndërkohë që 59% e romëve dhe egjiptianëve mendojnë se gjuha e urrejtjes nxitet nga raca, prandaj ata kanë mendimin e përbashkët se dy arsyet kryesore që përkojnë me gjuhën e urrejtjes janë raca dhe etnia.

Në përfundim të studimit mbi standardet ndërkombëtare dhe praktikat shqiptare lidhur me luftën kundër gjuhës së urrejtjes, është vënë re se në Shqipëri kohët e fundit ka përpjekje për të adresuar rastet më ekstreme të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, të cilat parashikohen në figurën e disa veprave penale në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu institucione publike si Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, nëpërmjet vendimmarrjes së tij, ka adresuar raste të tjera të gjuhës së urrejtjes, të cilat për nga rrezikshmëria shoqërore nuk inkuadroheshin në asnjë prej veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal.

Megjithatë, në Shqipëri ende nuk ka një kontroll dhe luftë të mirëorganizuar kundër gjuhës së urrejtjes, e cila kohët e fundit (në përputhje me trendet ndërkombëtare) po përhapet më lehtësisht për shkak të aksesit të gjerë në media e rrjete sociale.

Autorët e këtij studimi kanë rekomanduar disa pika që mund të ndihmojnë institucionet të veprojnë dhe të forcojnë më shumë mbrojtjen për grupet e targetuara.

  • Ngritja dhe vendosja e prioritetit tek njësitë e veçanta dhe të specializuara për të parandaluar, gjurmuar dhe ndëshkuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes online që arrijnë kufirin e veprave penale do të shërbente për të organizuar një luftë më të shpejtë dhe efikase kundër gjuhës së urrejtjes online.
  • Rritja e bashkëpunimit ndërmjet organeve publike shqiptare të cilat adresojnë problemin e gjuhës së urrejtjes.
  • Institucionet e pavarura për barazi, si Komisioneri për Mbrojtje nga Diskriminimi, Autoriteti i Mediave Audio-vizuale (AMA) dhe Avokati i Popullit duhet të zhvillojnë mekanizma për mbledhjen e të dhënave për të nxitur hulumtime empirike dhe të tjera për diskriminimin mbi baza të ndryshme, përfshirë orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
  • Çdo politikë gjithëpërfshirëse për të trajtuar pabarazinë, diskriminimin dhe forma të tjera të paragjykimit kundër njerëzve LGBTI duhet të mbështeten mbi prova.
  • Lidhur me luftimin e diskriminimit, subjektet e medias duhet të marrin parasysh: – Të kujdesen që të raportojnë në mënyrë kontekstuale dhe faktike, duke siguruar se aktet e diskriminimit sillen para vëmendjes së publikut; – Të jetë syçelë ndaj rreziqeve nga diskriminimi dhe stereotipet negative të personave LGBTI dhe romë që mund të përhapen nga media; – Të shmangin referencat e panevojshme ndaj orientimit seksual apo identitetit gjinor që mund të nxisin intolerancë; – Të rrisin ndërgjegjësimin për dëmin që shkaktohet nga diskriminimi dhe stereotipizimi negativ i personave LGBTI dhe romë;
  • – Të raportojnë për grupe apo komunitete të ndryshme dhe t’u japin anëtarëve të tyre mundësinë që të flasin dhe të dëgjohen në mënyrë që nxit të kuptuarit më të mirë të tyre, ndërkohë që pasqyrojnë perspektivat e këtyre grupeve apo komuniteteve

Më të lexuarat