Gjanica e ndotur dhe ujrat e zeza rrezikojnë jetën e komunitetit Rom në Fier

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.
Shpëtim Vizani, banor rom në Baltëz

“Kam vite që jetoj këtu në Baltëz. Kanali Vjosë- Fiër- Levan kalon këtu pranë banesave tona. Ai sjell mbetje, kafshë të ngordhura. Kanalizime të ujrave të zeza  nuk ka dhe nuk durohet, u mbytëm nga era. Kërkojmë nga bashkia të vej dorë”, kështu tregon Shpëtim Vizani banor i Baltëzës problemin e ndotjes që prej vitesh nuk gjen zgjidhje.

Ndotja në bashkinë Fier nuk është një çështje e panjohur për institucionet përkatëse. Megjithatë, situata në terren vijon të përkeqësohet.

Në një studim të kryer nga organizata Rome dhe Egjiptiane, (Qëndra për Advokim Social, Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome, Drejtësi Sociale, Të gjithë bashkë për Integrimin e Romëve)  rezulton se ky kanal ka një nivel të lartë të ndotjes. Studimi i titulluar “Ndikimet mjedisore në jetën e Komunitetit Rom në fshatin Baltëz dhe Drizë, bashkia Fier” evidenton ndotjen në ajër, ujë, tokë dhe ndikimin që ka në jetën e familjeve rome të vendosura në këtë zonë. Nga vëzhgimet e bëra në terren, studiuesit kanë vërejtur se në këtë segment, lumi është në ngjyrë të zezë, ku përzihen ujrat e zeza të qytetit dhe mbetjet e hidrokarbureve. Ky segment i ndotur kalon në fshatin Baltez, ku jeton komuniteti Rom.

Mungesa e kanalizimeve dhe ndjeshmëria e ulët ndaj mjedisit bën që shumë banorë të shkarkojnë ujërat e zeza në kanal. Po ashtu edhe disa biznese që zhvillojnë aktivitet ekonomik pranë kanalit i shkarkojnë mbetjet organike në kanal.Vendgrumbullimi i mbetjeve ndodhet pranë kanalit dhe këto të fundit përfundojne në kanal ose digjen duke ndotur ajrin.

Hyrja për në fshatin Baltëz është përgjatë këtij kanali, i quajtur vija e Ngjalës, i cili gjithashtu është i ndotur. Në studimin e kryer nga të dhënat përmes vëzhgimit në terren, gjatë orareve të ndryshme gjatë ditës dhe mbrëmjes, nga ky kanal shpërndahet aromë e rëndë e shkaktuar nga ndotës organikë dhe hidrokarbure. Kjo aromë është e vazhdueshme dhe shqetësuese për banorët, kalimtarët bizneset përreth.

Përtej aromës së pakëndshme, kjo ndotje ka pasoja të rënda mbi shëndetin e banorëve të kësaj zone.

Armend Koci-Banor Rom, Baltëz Fier

I tillë është rasti i Armend Koçi nga fshati Baltës me status invalid dhe që vuan nga Astma. “Mushkritë e mia janë rreth 80% të dëmtuara dhe kam probleme me frymarrjen. Ndotja dhe aroma që vjen nga kanali më dëmtojnë më shumë. Nuk ka ajër të pastër, këtu derdhen ujrat e zeza nga gjysma e fshatit, hedhin kafshë të ngordhura. Po shkoj shpesh në spital por këtu jetoj nuk kam çtë bëj”, tregon ai për CRA.

Shpëtimi dhe Armendi nuk janë të vetmit banorë që kërkojnë nga bashkia e Fier për të zgjidhur ndotjen e kanaleve.

Në situatë të ngjashme ndodhen edhe banorët e fshatit fqinjë në Drizë, ku familje rome të vendosura pranë lumit Gjanica marrin frymë mes aromës së rëndë që shkakton përzierja me ujin e hidrokarbureve dhe ujrave të zëza.

Kryeplaku i fshatit dhe njëherazi aktivisti rom Panajot Alushi, tregon për CRA se problemi i ndotjes është adresuar në institucionet duke filluar nga bashkia Fier, Ministria e Mjedisit, Instituti i Shëndetit Publik, por nuk ka ndodhur ndonjë përmirësim të dukshëm. Ai thekson se përveç ndotjes nga hidrokarburet mungesa e kanalizimeve të ujrave të zeza, vendos në rrezik shëndetin e familjeve gjatë verës por edhe në dimër kur lumi përmbyt banesat.

Panajot Alushi-Aktivist dhe Kryeplak i Fshatit Drizë, Fier

“Bashkia dhe Ministria e Mjedisit nuk marrin masa konkrete të përmirësojnë situatën, Këtu derdhen pikat e karburantëve që ndodhen në Ballsh, rafineritë e naftës dhe kanalizimet e ujrave të zeza, të gjitha këtu shkarkohen. Ka shumë raste që kam ndihmuar për shërbimet shëndetësore për infeksionet në lëkurë, për vështirësi në frymarrje”, tregon Panajot Alushi.

Foto-Degëzimi i Lumit Gjanica në Fshatin Drizë, Fier

Community Reporters Albania përmes një shkresë për informacion kërkoi nga Bashkia Fier se kush janë problematikat e ndotjes së Lumit Gjanica në fshatin Drizë dhe Baltëz, a ka marrë masa për ndotjen dhe kush janë tipologjitë e bizneseve që ndotin lumin ?

Në një përgjigje me postë elektronike, Bashkia Fier tha se “ne nuk kemi kompetencë dhe as mundësinë për të matur nivelin e ndotjes në mjedis.Për të përmbushur detyrimin institucional për mbrojtjen e mjedisit, Bashkia Fier ka ndërhyrë vazhdimisht në zgjerimin e shtratit dhe pastrimin e lumit Gjanica nga mbetjet inerte dhe urbane”.

Bashkia Fier, nuk mban përgjegjësi për territorin e saj, sidomos për lumejtë që kalojnë permës qytetit duke i’a ngecur përgjegjësinë Agjencisë Rajonale të Mjedisit, në shkresën e dërguar nga bashkia ata shprehen se: “përsa i përket pyetjeve specifike që rrjedhin nga monitorimi dhe evidentimi, lutemi drejtohuni për informacione në Agjencinë Rajonale të Mjedisit”.

Studimi i titulluar “Ndikimet mjedisore në jetën e Komunitetit Rom në fshatin Baltës dhe Drizë, bashkia Fier” evidenton të njëjtat shqetësime si banorët e këtyre fshatrave.

Ekspertët kanë dhënë rekomandime për reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit rom në këto zona. Ndër rekomandimet me rëndësi për komunitetin rradhiten:

  1. Rekomandohet të hartohet projekti i sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza me qëllim që të evitohen shkarkimet e ujërave të zeza në trupat ujore dhe të përmirësohet cilësia e jetës në zonat ku jeton Komuniteti Rom;
  2. Të realizohet furnizimi me ujë për çdo familje të Komunitetit Rom;
  3. Të pastrohet kanali Vjosë-Levan-Fier duke hequr mbetjet dhe duke i grumbulluar në destinacionin e caktuar nga Bashkia,
  4. Të betonizohet ky kanali pranë zonave të banuara dhe të vendosen kangjella me qëllim që të evitohen aksidentet dhe fatalitetet;
  5. Të evitohen shkarkimet e industrisë Hidrokarbure në trupat ujore, të evitohen shkarkimet e subjekteve në afërsi të trupave ujore për të permirësuar cilësinë e ujërave të Gjanicës dhe Vijës së Ngjalës.

Megjithatë studimi i kryer është një shtojcë për punën ekryer nga aktivistë dhe organizatat të cilat janë angazhuar në këtë nismë. Bashkia Fier dhe institucione të tjera të rëndësishme si Drejtoria Rajonale e Mjedisit, Ministria e Mjedisit duhet të jenë të përfshira dhe aktive për të orientuar këto probleme drejt reduktimit ose zgjidhjes së tyre. Gentian Serjani, avokat dhe drejtues i organizatës “Drejtësi Sociale” mendon se bashkia Fier duhet të jetë më e angazhuar nëpërmjet funksionit që i përcakton ligji për vetëqeverisjen vendore i cili bën të mundur për qytetarët e saj sigurimin, në nivel vendor të masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit nga ndotja.

Serjani sygjeron për bashkinë Fier të hartojë plane të veprimit vendore për mjedisin në mënyrë periodike, në përputhje me strategjitë mjedisore. Ky lloj angazhimi do e ndihmonte këtë bashki të marrë masat për ruajtjen ose përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe të ujit. Sipas tij një detyrë tjetër shumë e rëndësishme e pushtetit vendor është informimi publikut për propozimet dhe çdo informacion përkatës për mjedisin për të drejtën e tij për të marrë pjesë në përgatitjen e planit si dhe kërkimin nga organet e kontrollit që të ushtrojnë kontroll, të bëjnë matje dhe të pezullojnë apo të mbyllin veprimtari, që nuk respektojnë dispozitat ligjore. Megjithatë një koordinim i mirë mes institucionesh do i orinetonte drejt zgjidhjeve të problemeve mjedisore.

Gentian Serjani- Jurist, Qendra Drejtësi Sociale

Organi tjetër që ka përgjegjësi funksionale të drejtpërdrejtë është Drejtoria Rajonale e Mjedisit, e cila duhet të monitorojë dhe të marrë masa për subjektet publike dhe private që ndotin mjedisin. Sipas informacionit të kësaj drejtorie janë marrë masa administrative me gjobë për disa subjekte private që ndotin lumin Gjanica. Ndërkohë, nëpërmjet medias jemi njohur me ndotjen sërish të këtij lumi nga ana e subjekteve. Ndaj, drejtoria në bashkëpunim me pushtetin vendor duhet të marrin masa konkrete duke pezulluar aktivitetin e këtyre subjekteve ose të planifikojnë programe mbështetëse që këto subjekte të mos vazhdojnë hedhjen e mbetjeve të përpunimit të naftës në lumin Gjanica por tu krijohen mundësi tjera”, shprehet Gentian Serjani për CRA.

Më të lexuarat