Cili është efekti i kurseve profesionale në uljen e papunësisë për romët dhe egjiptianët?

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Të shpërdarë nëpër zona të ndryshme në Tiranë, shpesh anëtarë të minoriteteve rom dhe egjiptian i shohim duke mbledhur mbetje të riciklueshme apo duke tregtuar veshje të përdorura. Mungesa e arsimit dhe kushtet e vështira ekonomike i detyrojnë ata të kryejnë punë informale për të plotësuar nevojat bazike të jetës. Sipas Zyrës së Punës, mungesa e arsimit reflektohet edhe në aftësitë e punëkërkuese romë dhe egjiptianë. Rreth 90% e romëve dhe 78% e egjiptianëve kategorizohen pa profesion dhe me profesione tepër bazike. Tregu i punës kërkon njerëz të arsimuar dhe të aftë në profesion, por a marrin romët dhe egjiptianët formim profesional?

Në Agjensinë Kombëtare të Punësimit, Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional ofron kurse profesionale për të ndihmuar në njohjen dhe zotërimin e një profesioni dhe për të përmbushur kërkesat e tregut të punës. Kurset profesionale konsiderohen kualifikime profesionale afat-shkurtër që ofrohen nga Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional nëpër qëndrat e formimit profesional, për kategori individësh të ndryshëm në të cilën bëjnë pjesë edhe romët dhe egjiptianët. Çdo qendër e formimit profesional liston kurset profesionale dhe kriteret e nevojshme për të frekuentuar atë kurs.

Aktivistë të cilët kanë asistuar në aplikimet e anëtarëve romë dhe egjiptian tregojnë se pengesa e parë të cilën hasen është mungesa e arsimit. Përbri emrit të kursit profesional përshkruhen kriteret e nevojshëm dhe një ndër kryesorët është arsimi bazë ose i mesëm. Për shkak të mungesës së arsimit ata nuk mund të përfitojnë kursin, ose në disa raste zgjedhin të kryejnë kursin për të cilin përmbushin kriteret duke mos përfituar atë kurs ku kanë vërtet prirje dhe dëshirë për ta ndjekur.

 

Lista e kurseve me kërkesat e pranimit e publikuar nga Drejtoria Rajonale të Formimit Profesional Publik, nr 4, Tiranë

Sipas të dhënave të nxjerra nga Report on the Implementation of National Roma Integration Strategies, 2019 niveli i arsimimit të popullsisë Rome, dhe në një masë më të vogël egjiptiane është shumë më i ulët se i banorëve të tjerë në vend. Në arsimin parashkollor hendeku midis romëve dhe joromëve arrin në 31%.

Në mënyrë të ngjashme, në arsimin e detyrueshëm, hendeku midis romëve dhe jo-romëve arrin në 31% me 66% të fëmijëve romë të regjistruar. Sipas sistemit elektronik Romalb i cili monitoron progresin e masave të marra për romët dhe egjiptianët, fëmijët romë dhe egjiptianë kanë përqindje relativisht të ulët të regjistrimit në shkollë, analfabetizmit dhe përfundimit të shkollës krahasuar me mesataren kombëtare, ndonëse së fundmi ka patur një progres të ndjeshëm. Gjatë vitit 2019, 14 379 djem dhe vajza rome dhe egjiptiane u regjistruan dhe morën pjesë në arsimin parashkollor dhe arsimin e detyrueshëm.

Ndërsa të dhënat e Zyrës së Punës tregojnë se rreth 67% e romëve dhe 45% e egjiptianëve janë pa arsim, ose me arsim fillor, çfarë  e bën të pamundur punësimin dhe dërgimin në formim profesional të këtyre punëkërkuesve të papunë, si dhe në kurset e aftësive bazë (Soft skills), të cilat i parapërgatisin këto targete për t’i përfshirë më pas në programet aktive të punësimit.

Aktivistët shprehen gjithashtu se një pjesë e vogël e anëtarëve që mund të kenë arsimin bazë ose atë të mesëm mund të fillojnë kursin profesional, por nuk e përfundojnë atë. Niveli i ulët i të ardhurave në Shqipëri dhe kriza ekonomike, sidomos pas pandemisë ka varfëruar edhe më tepër anëtarët e minoriteteve dhe rëndësia e sigurimit të nevojave bazë ul ndjeshëm interesin e romëve dhe egjiptianëve për të përfunduar formimin profesional dhe programet e nxitjes së punësimit, si dhe i detyron ata të gjejnë zgjidhje alternative të  cilat  janë informale. Motivimi i tyre me pagesë përgjatë frekuentimit të kursit do ndikonte në shtimin e regjistrimeve, por edhe në përfundimin e pajisjen me certifikatë të kursit.

“Sektorët informalë, si mbledhja individuale e mbetjeve të riciklueshme, tregtimi i mallrave të përdorura apo veprimtari të tjera që nuk kërkojnë trajnim të specializuar, gjenerojnë të ardhura më të larta krahasuar me pagën mujore minimale në sektorët formalë. Gjithashtu kultura e varfërisë dhe përjashtimit, mungesa e besimit te programet ekzistuese të punësimit, përvojat negative në të kaluarën etj., bëjnë që pjesa më e madhe e romëve dhe egjiptianëve që punojnë në sektorin informal detyrohen të vazhdojnë të mbeten aty” kështu përshkruhet situata e punësimit dhe formimit profesional në Planin Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2021-2025.

Ndonëse të dhënat tregojnë një situatë të keqe të punësimit dhe formimit profesional të këtyre minoriteteve, institucione dhe qeveria ndihen përgjegjëse dhe do të marrin masa për të përmirësuar situatën.

“Rritja e shkallës së punësimit të romëve në sektorin publik të kryehet në shkallën proporcionale të pjesëmarrjes së romëvenë raport me popullatën e përgjithshme dhe rritja e nivelit të punësimit midis romëve duhet të jetë  të paktën 25 përqind”, kjo është deklarata e Partnerëve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e romëve, në kuadër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian 2019 (Deklarata e Podznan), ku morën pjesë përfaqësuesë të qeverisë shqiptare.

Kjo deklaratë e rëndësishme e bërë në Poznan në vitin 2019 do të reflektohet në masa të parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit për Romët dhe Egjiptianët 2021-2025. Në pikën 1.2 në Fushën Punësimi dhe aftësimi profesional parashikohet që përgjatë 4 viteve do të jenë 164 romë dhe egjiptianë të cilët do të regjistrohen në kurse porfesionale. Masa do të merren edhe në fushën e arsimit për të bërë të mundur realizimin e aktiviteteve me marrëdhënie varësie.

Masat e parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit për Romët dhe Egjiptianët 2021-2025

Listat me kurset profesionale mund të gjenden online në faqen zyrtare të Agjensisë Kombëtare të Punësimit ose në këtë link. Të dhënat dhe regjistrimi mund të bëhen online pasi jeni regjistruar si punëkërkues i papunë pranë Zyrës së Punës.

 

 

 

Më të lexuarat