Çfarë duhet të plotësojë shteti shqiptar pasi romët fituan gjyqin në Strasburg

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Fundi i muajit Maj rezultoi me fitoren e çështjes të drejtuar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në mbështetje të familjeve rome e egjiptiane për padinë kundër qeverisë shqiptare mbi segregimin për shkak të racës, në shkollën 9 -vjeçare Naim Frashëri në Korçë.

Gjykata doli në përfundimin se Shqipëria ka dhunuar nenin 1 të Protokollit 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ka dështuar në zbatimin e masave për desegregimin e plotë dhe gjithëpërfshirës të shkollës 9-vjeçare e cila frekuentohej pothuajse vetëm nga fëmijë Rom dhe Egjiptian. Sipas gjykimit, qeveria Shqiptare duhet të marrë të gjitha masat për të desegreguar shkollën, si dhe të paguajë dëmin në masën e 4,500 Euro për secilën familje të prekur nga ky fenomen. Familjet ishin të përfaqësuar nga Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) e cila e solli çështjen deri në Strasburg, duke kaluar gjykatat e brendshme të vendit pasi  autoritetet publike dështuan në desegregimin e shkollës.

Problemi i segregimit në shkollën 9- vjeçare Naim Frashëri, është adresuar nga prindërit romë e egjiptianë, aktivistë që prej vitit 2015, vit kur shkolla filloi të humbasë numrin e frekuentimit nga nxënësit e mazhorancës duke u dominuar nga nxënës që vinin nga minoritetet rom dhe egjiptian. Pas adresimit të këtij problemi që në fillesat e tij, Ministria e Arsimit fajësoi qasjen e ndihmave humanitare që organizatat e shoqërisë civile sillnin për fëmijët e komuniteteve në këtë shkollë, pa marrë masa për të parandaluar fenomenin.

Ndërkohë ankesat e prindërve në atë periudhë u adresuan gjithashtu në institucionin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi(KMD), ku ky i fundit, në Maj të vitit 2015 doli me vendim të diskriminimit dhe e ngriti si shqetësim për institucionet përgjegjëse të merrnin masa për desegregimin e shkollës.

Specialistia e KMD Etleva Tare, e cila herë pas herë e adresonte këtë problematikë, tregonte diskriminimin që iu bëhej fëmijëve nga komuniteti nga pjesa tjetër e fëmijëve dhe prindërve të tyre, qëndrime këto të cilat ndikuan në largimin e fëmijëve të mazhorancës nga kjo shkollë.

Etleva Tare

“Nuk donin të rrinin me fëmijët romë dhe egjiptianë dhe një arsye tjetër ishte dhe fakti që shkolla nuk kishte kushte, si dyer, dritare, ngrohëse, pa mure rrethues – shkolla ka qenë në kushte shumë të këqija,” tregonte Tare, duke shtuar se kjo shkolla deri në vitet 2017 dominohej nga 75 % nxënës romë dhe egjiptian.

Manjola Veizi, lehtësuese e angazhuar për Shqipërinë në monitorimin e të drejtave të komuniteteve rikujton se kjo cështje është adresuar që në vitin 2015, kur ekipi i lehtësueseve kishte evidentuar disa raste të shkollave të segreguara në vendin tonë. Së bashku me Etleva Tare, aktiviste e cila ka qenë ndër të parat që ka ngritur këtë problem kanë ndërmarrë hapat e nevojshme për të korrur suksesin i cili edhe pse vite më vonë solli drejtësi për fëmijët e prindërit e kësaj shkolle.

Manjola Veizi

“Duke parë se DAR Korçë nuk po bënte përpjekjet e duhura për desegregimin e shkollës Naim Frasheri, ERRC i këshilloi prindërit ta ndiqnin çëshjen gjyqësisht në gjykatën e Strasburgut. Arsimimi i segreguar në këtë shkollë kishte sjellë jo vetëm ndarje,  veçim, e diskriminim por dhe performancë shumë të ulët si nga nxënësit dhe nga mësuesit. Ndjekja gjyqësisht në gjykatat tona do merrte shumë kohë e do të shtonte dëmet që fatkeqësisht janë të pariparueshme duke krijuar breza  fëmijësh të pashkolluar çdo vit, ankesa ju drejtua Strasburgut”, tha Veizi pasi çështja u fitua në mbështetje të familjeve rome e egjiptiane.

Pas ankesave të shumta të prindërve nga kjo shkollë dhe pas vendimit të Komisonerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi i cili pranoi se ky ishtë një segregim racor,  më 14 Prill 2017, Ministria e Arsimit përgatiti një shkresë duke parashtruar të gjitha hapat që Qeveria do të ndërmerrte për të desegreguar shkollën. Megjithatë, asnjë hap nuk u ndërmor nga autoritetet vendore për desegregimin e shkollës Naim Frashëri, apo të shkolla të tjera të segreguara.

Pasi situata vijoi të ishte e njëjtë dhe masat për desegregimin e shkollës nuk po zbatoheshin ERRC e adresoi çështjen drejtpërdrejtë pranë Gjykatës Evropiane përmes dy aplikimeve: Aplikimi i parë në Tetor 2017 dhe aplikimi i dytë në Gusht 2019.  Ankesa kishte në thelb segregimin diskriminues të shkollës përkundrejt Protokollit 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Protokolli Nr. 12 është një garanci për të drejtat e njeriut nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut tek e cila ka nënshkruar edhe shteti Shqiptar. Çdo njeri në Shqipëri është i mbrojtur nga diskriminimi mbi bazë të racës, etnisë ose ngjyrës nga çfarëdo autoriteti publik ose çdo e drejtë e mbrojtur nga ligji. Jo të gjitha shtetet e Evropës kanë rënë dakord për t’u lidhur pas dispozitave të Protokollit Nr. 12, por Shqipëria i ka nënshkruar dhe rënë dakord për t’i respektuar. ERRC-ja iu shpreh Gjykatës Evropiane që kjo krijon detyrime të forta dhe të drejtpërdrejta për Shqipërinë që t’i japë fund segregimit të shkollave dhe formave të tjera të diskriminimit.

Jonathan Lee, përfaqësues i ERRC gjithashtu tregon se u ra dakort me prindërit që çështja të adresohej në gjykatën e Strasburgut, pasi ndjekja në gjykatat e vendit do të ishte humbje kohe përderisa institucionet nuk kishin vepruar për të ndaluar fenomenin e segregimit. Gjatë gjykimit të çështjes, pala shqiptare argumentonte se nuk kishte për qëllim segregimin e shkollës pasi zona përreth shkollës Naim Frashëri, është e populluar nga dy minoritetet, mirëpo kjo nuk e justifikon qeverinë shqiptare të mos marrë masa për të mos krijuar shkolla të ndara etnikisht. Për Lee, fitorja e kësaj çështje është shumë e rëndësishme pasi ndihmon në zbatimin e masave të duhura që qeveritë duhen të ndërmarrin për të ndalur segregimin dhe diskriminimin racor. Ky ishte rasti i parë i cili do të shërbejë si praktikë e mirë për të adresuar drejtëprdrejt çështjet që lidhen me zbatimine  të drejtave të njeriut, në Gjykatën e Strasburgut.

Jonathan Lee

“Në Shqipëri, gjykimi do të ndikojë në shkollat ​​e tjera të zonës që janë të segreguara. Qeveria është e detyruar të fillojë procesin e desegregimit që tani në “Naim Frashërin”, por ata do të jenë të vetëdijshëm se ndaj tyre lehtë mund të ngrihen më shumë raste për shkollat ​​e tjera. Kështu që unë imagjinoj se ky do të jetë një proces më i gjerë jo vetëm për shkollën Naim Frashëri. Ne i jemi mirënjohës Qendrës T’Reja për paraqitjen e tyre në Gjykatë si pjesë e kësaj çështjeje ku shpjeguan se sa e dëmshme është ndarja e shkollave për romët dhe egjiptianët në Shqipëri dhe ofruan statistika që tregojnë se ndarja e nxënësve romë/egjiptianë ekzistonte në shumë shkolla”, u shpreh Lee për impaktin e kësaj çështje të fituar.

“Vendimi nga Gjykata Evropiane është i qartë: Autoritetet shtetërore duhet medoemos të respektojnë vendimet e mekanizmave për barazi dhe të marrin masat e menjëhershme për të ndryshuar situatën. Ne përgëzojmë familjet të cilat e sollën këtë çështje dhe shënuan një moment historik në fushën e ligjit, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë Evropën,  u shpreh Drejtoresha për Çështjet Ligjore në ERRC, Vivien Brassói pas fitores së vendimit në favor të minoriteteve.,’’

Vendimi përsëriti nenin 46 to Konventës e cila ushtron detyrimin ligjor mbi shtetin Shqiptar për t’i dhënë fund shkeljes dhe dhunimit të ligjit të konstatuar nga Gjykata Evropiane (në rastin konkret, shkolla të segreguara për shkak të diskriminimit) dhe të ofrojë korrigjimin si dhe kompensimin, sa më shumë të jetë e mundur, e pasojave për qytetarët e prekur nga diskriminimi.

Qeveria Shqiptare ka tre muaj kohë për të paguar shumën prej 22,500 Euro, përfshirë edhe taksat përkatëse, në llogari të familjeve të prekura nga diskriminimi dhe segregimi në shkollë.

 

 

 

 

 

Më të lexuarat