Brakstisja e shkollës dhe shfrytëzimi i fëmijëve për punë

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Në Shqipëri ka një numër të madh të miturish që kanë braktisur shkollën dhe punojnë në sektorë të ndryshëm, në jo pak raste edhe punë të rënda. Sa i përket brakstisjes së shkollës, në 20 vitet e fundit përllogaritet të jenë rreth 20 mijë fëmijë që nuk janë arsimuar, pasi lanë përgjysmë shkollimin.

Stavri Liko, ish-koordinator i projekteve kundër punës së fëmijëve, i konsideron këto shifra tejet shqetësuese, teksa bën me dije se po punohet për uljen e tyre.

Stavri Liko, ish-koordinator i projekteve kundër punës së fëmijëve

“Tek ne nuk ka një studim të mirëfilltë me shifra të sakta sesa fëmijë punojnë në vendin tonë, por nga eksperienca e shumë viteve si koordinator i projekteve kundër punës së fëmijëve, mund të them se nga viti 2003 e deri më sot, rreth 20 mijë fëmijë punojnë, në mënyrë të dukshme, fshehurazi të jashtëligjshme etj. Një pjesë e tyre kanë braktisur shkollën totalisht dhe merren me punë, ndërsa një pjesë tjetër edhe shkojnë në shkollë edhe punojnë. Disa janë të punësuar nëpër kompani, ndërsa ka dhe nga ata që punësohen nëpër familje, në sektorin e bujqësisë, në sektorë ku mundohen të mos bien shumë në sy”, thotë Liko.

Veçanërisht arsyet ekonomike por edhe ato sociale e kulturore kanë ndikuar më shumë në braktisjen e shkollës dhe punësimin e fëmijëve në Shqipëri. Kryetari i sindikatës së pavarur të Arsimit, Nevruz Kaptelli, thotë se ky fenomen, duke i bashkangjitur edhe disa faktorë të tjerë, mund të rrezikojë edhe vendet e punës për mësuesit.

Nevrus Kaptelli, Kryetar i SPASH

“Faktorët kryesorë që i detyrojnë të punojnë është gjendja jo e mirë ekonomike dhe mbështetja e pakët nga pushteti vendor për familjet e tyre. Nëse numri i fëmijëve që e braktisin shkollën është i lartë dhe për më tepër ata që punojnë në rrugë, po t’i shtosh edhe problemin e emigracionit të lartë ku sipas statistikave të fundit çdo orë larghen gati 5 persona nga Shqipëria, rënie e numrit të lindjeve, prirja për të shkuar drejta arsimit privat etj, e bën të vështirë ruajtjen e vendeve të punës për mësuesit në sistemin e arsimit parauniversitar.”

Të njëjtët faktorë listohen edhe nga Stavri Liko. Ja si shprehet ai:

“Ka dy faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në këtë aspekt. Së pari, gjendja ekonomike, pra financat e familjes dhe së dyti, kultura apo mentaliteti, sidomos për familjet që vijnë nga zonat e thella. Këtofamilje nuk e kuptojnë rëndësinë e madhe që ka shkolla për fëmijën, por mendojnë që i bën më mirë të punojnë.”

Ekspërtët flasin edhe për sektorët ku punësohen më shumë fëmijët që shfrytëzohen për punë, ndërsa zbulojnë edhe zonat ku ky problem është më i pranishëm.

“Pjesa më e madhe e fëmijëve që braksisin shkollën dhe zgjedhin të punojnë, punësohen në rrugë. Pra shesin, lypin etj. Në disa shkolla të Elbasanit kemi evidentuar raste që punojnë dhe në disa kompani të rëndësishme, në fabrika, pa kontrata, në mënyrë të jashtëligjshme pasi as moshën e punës nuk e kanë plotësuar. Në Shqipëri problematike në këtë drejtim janë disa shkolla të Korçës, për shembull shkolla “Naim Frashëri” ku është përqendruar kryesisht komuniteti rom dhe egjiptian”- shprehet z. Kaptelli.

“Në fakt ka 3-4 sektorë ku janë të angazhuar më shumë. Kryesori është “street workers”, pra fëmijë që punojnë në rrugë, ku përfshihen ata që lyqin, që shesin, punë në lavazhe e shumë punë të tjera. Sa i përket industrive mund të themi se mbizotëron industria e lehtë, por ka dhe sektorë të tjerë më të rëndë. Këtu veçohet ndërtimi, apo minierat që kanë nivel shumë të lartë vështirësie për fëmijët. Identifikimi i këtyre rasteve është më i vështirë, por ne si sindikata kemi punuar për të minimizuar këto raste. Dy sindikatat tona të arsimit po punojnë edhe me Inspektoratin e Punës që e ka për detyrë ligjore mos të lejojë fëmijët të punojnë. Por në sektorë të ndryshëm ka informalitet”-thekson z. Liko.

Fëmijët që vijnë nga familje që i përkasin komunitetit rom apo egjiptian, grupe të margjinalizuara e të diskriminuara, ata që jetojnë në zona jo urbane etj,  janë më të predispozuar të braktisin shkollën dhe të punojnë. Sipas z. Nevris Kaptelli, për këtë ka disa arsye”

“Më të predispozuar për braktisjen e shkollës dhe për të punuar janë fëmijë të komunitetit rom/egjiptian, por nuk përjashtohen edhe kategori të tjera. Kryesisht janë nga këto komunitete për shkak të disa arsyeve. Së pari, kërkesa e llogarisë nga prindërit e tyre është e pakët. Gjendja ekonomike e familjeve të tyre është faktori kryesor që i çon në këto veprime. Për më tepër edhe nëse prindërit janë të paarsimuar, e kanë të vështirë edhe integrimin në shkollë dhe kanë mungesë llogarie nga familja, për më tepër është problem dhe bëhet më e vështirë për ta nëse nuk frekuentojnë as arsimin parashkollor.”

Sipas Z, Stavri Liko, këto raste nuk mund të parandalohen plotësisht, edhe pse në përgjithësi familjet shqiptare e duan arsimimin për fëmijët e tyre.

“Kryesisht kategoritë më të prekura janë familjet rome/egjiptiane, por edhe ata me nivel të ulet nga pikëpamja ekonomike dhe ato që vijnë nga zona të thella rurale. Por përgjithësisht familja shqiptare e do edukimin dhe arsimin, vetëm në raste shumë të vështira ata detyrohën ta çojnë fëmijën në punë.”

Ky fenomen shqetësues është i përhapur në mbarë botën. Samuel Grumai, përfaqësues i Konfideratës Ndërkombëtare të Sindikatave të Arsimit, njëkohësisht koordinator për punën e fëmijëve, thotë se në botë numërohen mbi 160 milionë fëmijë që punojnë dhe nuk shkojnë në shkollë.

Samuel Grumai, Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave të Arsimit

“Ky fenomen është vërtet shqetësues edhe nëse flasim me shifra të ILOS/UNICEF, numri i fëmijëve të cilët aktualisht punojnë dhe nuk shkojnë në shkollë është mbi 160 milion në të gjithë botën. Nga raportet del në pah se ky fenomen u rrit gjatë pandemisë, dhe me pasojat e pas pandemisë pritet që të theksohet akoma më tepër. Në fakt nuk mund të flas me shifra konkrete për numrin e fëmijëve të cilët e braktisin shkollën këtu në Shqipëri. Por shohim që ka një numër fëmijësh të cilët largohen nga shkolla dhe punojnë, pra e brakstisin shkollën, dhe janë kryesisht nga komuniteti rom dhe egjiptian, por sigurisht ka dhe të tjerë. Fenomeni i braktisjes së shkollës është në të gjithë Europën, kryesisht në grupët e minoriteteve të cilat janë të diskriminuara dhe kanë më shumë mundësi për ta braktisur shkollën. Shembulli që po japin sindikatat e Arsimit në Shqipëri është shumë i mirë dhe mund të merret e pasyqrohet dhe në vende te tjëra, kryesisht në Europën Juglindore dhe më gjerë. Nëse do e krahasojmë me vendet e Afrikës apo Azisë situatat janë ndryshe dhe nuk bëhet dot një krahasim i saktë. Faktori i përbashkët më i rëndësishëm është investimi në shkolla, në infrastrukturë, trajnime mësuesish etj. Këto faktorë tërheqin fëmijët në shkolla dhe e ulin shumë braksisjen e shkollës nga ana e fëmijëve.”-shprehet z. Grumai.

Referuar statistikave, në botë janë mbi 215 milionë djem dhe vajza që punojnë, ndërsa 115 milionë prej tyre janë të ekspozuar ndaj forcave më të këqija të punës. Ndërkohë sipas INSTAT rreth 50 mijë fëmijë shfrytëzohen për punë në Shqipëri. Një raport i Save the Children tregoi se rreth 5.1% e fëmijëve janë përfshirë në punë të rënda, ndërsa mbi 2500 fëmijë gjenden në situatë rruge.

Gjatë dy viteve të fundit, në platformën ALO 116-111 u raportuan 748 raste të fëmijëve që shfrytëzohen për punë në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e këtyre raportimeve janë fëmijë që përdoren për lypësi në zonat më të mëdha urbane.

 

 

 

Më të lexuarat